Pranvera Goxhaj nga Mallakastra është gjetur e varur pas çengelit të abazhurit, në dhomën e së motrës nga roja i konviktit
Policia: Kishte ardhur në Tiranë për t’u regjistruar në fakultet. Dyshojmë për depresion, pas vdekjes së gjyshit
TIRANE- Vetëvaret në dhomën e së motrës, gjimnazistja që do të regjistrohej në fakultet për konkurs. Pranvera Goxhaj, 18 vjeç, banuese në Hekal të Mallakastrës, është gjetur e varur me një kordon elektrik mbrëmjen e djeshme, në godinën 12 të Qytetit Studenti nga roja i godinës. Goxhaj, e cila sot kishte planifikuar të regjistrohej në fakultetin e Shkencave Sociale është vetëvarur në dhomën e së motrës, Griseldës, studente e fakultetit Juridik. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, për shkak se në momentin që trupi është gjetur nga roja i godinës, Pranvera kishte orë që kishte vdekur.
Ky i fundit ka lajmëruar policinë dhe autoritetet e ndërmarrjes së qytetit studenti për vetëvrasjen e ndodhur në dhomën 404 të konviktit. Blutë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimin e rrethanave të vetëvrasjes së 18-vjeçares. Paraprakisht, policia nuk bëri të ditura shkaqet e vetësakrifikimit, por sipas saj, ngjarja nuk ka lidhje me konkursin e shkollës së lartë për të cilën Pranvera po përgatitej. Madje, sipas dëshmisë të së motrës dhënë në polici, sot pritej që ajo të regjistrohej në fakultetin e Shkencave Sociale për Psikologji dhe Filozofi. Ndërkaq, një version të cilin po verifikon policia është ai i dhënë nga xhaxhai i vajzës, Xhemal Goxhaj. Sipas dëshmisë së tij, që nga vdekja e gjyshit të saj, Pranvera kishte shfaqur shenja depresioni dhe kryente veprime jo të zakonshme.
Vetëvrasja
Mbrëmjen e djeshme, dy prej vajzave të dhomës 404 të godinës 12 në Qytetin Studenti kishin dalë së bashku. Motra e viktimës, Griselda nuk ka qenë në dhomë, ndërsa, sipas policisë, dy prej shoqeve të dhomës kishin lënë çelësin te roja dhe kanë thirrur nga ballkoni Pranverën, e cila nuk është përgjigjur. Roja emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është ngjitur në katin e katërt dhe është drejtuar në dhomën 404, ku Pranvera qëndronte që prej një jave bashkë me të motrën dhe dy shoqe të sajat. Sipas deklarimit të rojes në polici, dera ka qenë pa dry dhe e mbyllur nga brenda. Pasi ka thirrur disa herë dhe askush nuk i është përgjigjur, atëhere ai ka vendosur ta shpërthejë derën. “Ajo ishte varur në çengelin mbajtës të abazhurit, i cili kishte nisur të dobësohej nga pesha, por nuk ishte këputur. Menjëherë lajmërova me telefon, pa prekur asgjë”,- mësohet të ketë pohuar në polici punonjësi i godinës 12. Policia, pas mbërritjes në dhomën ku u vetëvra 18 –vjeçarja, ka vënë re se ajo ishte lidhur me një kordon elektrik, të cilin më pas e kishte lidhur në çengelat e abazhurëve. Burimet e policisë pohojnë se Pranvera Goxhaj është vetëmbytur për shkak të depresionit, shkaqet e së cilit pritet të hetohen në ditët e ardhshme.
Motivi
Pas dërgimit të trupit në morg, policia ka marrë në pyetje xhaxhanë e viktimës, Xhemal Goxhajn dhe të motrën, Griseldën. Ata kanë pohuar se Pranvera kishte ardhur në Tiranë që prej një jave për të lexuar më e qetë dhe me qëllim që të regjistrohej në fakultetin e Shkencave Sociale. Gjatë kësaj kohe, mësohet se ajo nuk ka shfaqur shenja të ndonjë tronditjeje psiqike, por disa kohë më parë, kur asaj i ka vdekur gjyshi, ka kryer veprime të pakontrolluara. Burimet e policisë thonë se nuk kanë një motiv të konfirmuar plotësisht në lidhje me ngjarjen, por sipas tyre po verifikohet versioni i dhënë nga xhaxhai i vajzës, i cili banon në Tiranë
Burimi: Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt