Piku i pelegrinazhit të kryeqytetasve drejt Vlorës, Durrësit, Sarandës.
Një ditë në Tiranën e përzhitur nga vapa dhe pluhuri, ku më në fund janë braktisur edhe baret e lokalet, megjithëse të gjitha qëndrojnë hapur edhe në këtë muaj bosh

Gushti në Tiranë, sa mërzi!

Koncertet, festat dhe diskot zhvendosen të gjitha në bregdet

Belina Budini

TIRANË – Me tren çdo mëngjes herët drejt Durrësit, me makinë në agim drejt Golemit a Vlorës apo me taksi drejt pishinave, qindra kryeqytatas i ikin çdo ditë Tiranës së përzhitur nga vapa dhe pluhuri.
Pelegrinazhi i kryeqytetasve drejt plazheve është në kulmin e vet. Pamjet që të ofron Tirana ditën përmblidhen në disa fëmijë lëkurëzinj që pllaquriten në pellgjet me ujë të ndenjur pranë Piramidës, në hapat e zvargur të gjysheve me çadra që kthehen nga Pazari i Ri, në varganin sfilitës të furgonëve të unazës ku qarkullojnë pjesa më e madhe e “endacakëve” të ditës... dhe, pa dyshim, në ujë me gaz e pa gaz përpara, në lokalin më të afërt me asfaltin, ku temperaturat vazhdojnë të thyejnë rekorde...

Edhe zona e ish-Bllokut ku dynden adoleshentët nuk ka më të njëjtën zallamahi ditëve të javës. Qysh në orën 10 rrugët e Tiranës zënë të braktisen. Në qytet kanë mbetur pushuesit e vonuar (të fundgushtit ose fillimshtatorit), ata që pushimet i kanë bërë tanimë, “skllevërit” e punës dhe ata që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime. Fare pak mundësi argëtimi të ofron edhe Tirana e mbrëmjes dhe e natës së vonë në muajin gusht.
Me dyer të hapura

Megjithëse në qytet nuk ka më të njëjtën lëvizje që e karakterizon Tiranën si një qytet mesdhetar (edhe pse xhiroja nuk mungon kurrë), lokalet, restorantet dhe baret janë të gjitha hapur edhe në orët e boshit. Krejt ndryshe nga ç’ndodh në qytetet e tjera evropiane, ku pelegrinazhi i verës i ndryn të gjitha, aq sa në Paris, për shembull, duhet të jesh në korrent me guidën verore dhe oraret stinore të lokaleve e restoranteve. Një drekë e mirë në muajin gusht nuk është punë e lehtë, kur të gjithë drekojnë kilometra të tëra larg qytetit. Deri më 26 gusht, madje deri më 1 shtator, pjesa më e madhe e ekonomive private i mbyllin dyert, madje shpesh edhe restorantet e hoteleve të mëdha. Në Tiranë, edhe pse puna bie, gatishmëria nuk bie aspak. Dyqanet kanë nisur skontot, pasi vizitorët janë gjithnjë e më të rrallë, ndërsa baret e restorantet nuk janë në ditët e tyre më të mira. E dinë, por nuk heqin dorë as në këtë pik vere. Dhe i presin klientët e rrallë me dyer të hapura.
Muaj i vakët kulturor

Kjo javë e parë e gushtit, nga pikëpamja kulturore, është një nga më të vakëtat e gjithë stinës verore. Madje, kalendarit të aktiviteteve kulturore prej ditësh nuk i ndryshon më asgjë. Përveç rikthimit të martën në Galerinë Kombëtare të Arteve të ekspozitës së mjeshtrit të pikturës, Ibrahim Kodra (ekspozita vetjake "Retrospektivë" e piktorit prezanton 73 vepra origjinale të tij, midis të cilave tri vepra nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, 17 vepra të piktorit që ruhen nga koleksionisti Renzo Calzavaro si dhe 20 vepra të koleksionit të studios së piktorit). Përveç një spektakli të ujshëm, që ka fare pak shikues, përveç ndonjë premiere fantashkencë në kinematë e kryeqytetit, dy-tre aktivitetete të tjera mbarten që nga korriku dhe s’ka më.

Bregdeti, kryeqyteti i verës
Saranda, Durrësi, Vlora... qytetet bregdetare marrin stafetën metropolitane në verë. Megjithëse kosovarët ankohen se në plazhet shqiptare ka shumë pak jetë nate (bëjnë krahasimin me Ulqinin), ajo jetë nate që bëhet është zhvendosur e gjitha në bregdet. Në disko verore pranë rërës, mes shkëmbinjve, diku veç për një beach-party në rreth të ngushtë, not pas mesnate dhe kampingje… festat nuk mungojnë në fakt në bregdetin shqiptar. Në bregdet vërshojnë edhe këngëtarët shqiptarë e kosovarë për t’i gjallëruar me koncerte, duke e lënë Tiranën thatë.