Daja i Klajdit: Djalin tonë e vranë “Çobenët”


Shekulli

Me arkivolin e Klajdit në krah, qindra banorë të Korçës kanë protestuar dje para ndërtesës së bashkisë, kundër vrasjes së të riut. Në krye të protestës ka qenë daja i viktimës, Gëzim Zoto. Para të gjithëve, ai ka deklaruar: “ Djalin tonë e vrau Banda e Çobenëve”. Por kjo nuk ka qenë fjalia e vetme që Zoto ka nxjerrë nga goja mes lotësh. Në të vërtetë ai ka mbajtur me duf një fjalim të tërë
***
“I bëjmë thirrje qeverisë së re që të zhdukë nga faqja e dheut Bandën e Çobenëve, pasi ajo është ekzekutorja e Klajdit. Ne kemi denoncuar vazhdimisht në polici dhe prokurori për rrezikun që i kanosej nipit tim, por gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër, sepse asnjëherë nuk u morrën masa për mbrojtjen e tij. Edhe në vitin 2001, kur Klajdi u qëllua me breshëri automatiku, autori i këtij atentati u dënua vetëm për armëmbajtje pa lejë. Unë akuzoj publikisht ish- kryeprokurorin e rrethit Vangjel Tanellari për fshehje të provave të krimeve të kryera nga Banda e Çobenëve. I kërkoj Kryeprokurorit Sollaku që të rihapë të gjitha dosjet e mbyllura me autorë anëtarët e kësaj bande”.
Kjo nuk ishte hera e parë që Gëzim Zoto protestoi për vrasjen e të nipit. Dy ditë më parë ai ka shkuar disa herë tek vendi i vrasjes dhe protestoi ndaj policisë që po kryente veprimet hetimore. Mes të tjerash, ka akuzuar shtetin, që nuk ka mundur të vendosë rregull dhe siguri.
Nëna qan djalin
Vdekja e Klajdi Jahos kishte ngrirë banorët e lagjes 5 të Korçës, banor i së cilës ishte i riu. Në shtëpinë e tij kishte rënë zia. Nëna vajtonte dhimbshëm sepse ajo e ka rritur e vetme, pa burrin. Pas disa ditësh, për arsye sigurie, Klajdi do të shkonte në SHBA. Njerëzit shkonin grupe-grupe për ngushëllim. Gjatë vajit nëna ka bërë të ditur se të birin e kishin kërcënuar se do ta vrisnin dhe se Klajdi ruhej nga një hakmarrje e mundshme. Në shtëpi dhe në mjediset rreth saj, përveç njerëzve të afërt dhe miqve të familjes ndodheshin edhe bashkëmoshatarët e viktimës. Njerëzit bisedonin me zë të ulët që mos i dëgjonte askush.
Klajdi jetonte me nënën e tij. Për shkak të papunësisë,jetonin në kushte të vështira. Jetesën e përballonin me ndihmën ekonomike që merrte e ëma. Varfërinë e ëma e ka kujtuar duke qarë. “Nuk të ngopa dot me bukë o bir!”,- ka kujtuar ajo edhe vaktet e pakta e të racionuara.
Sipas njerëzve, Klajdi kishte marrë prej 6 muajsh vizën për të emigruar në Amerikë për arsye sigurie, por e shtynte vazhdimisht ditën e nisjes. Nëna e Sokol Jahollarit, basketbollistit të vrarë një vit më parë, duke e vajtuar Klajdin në shtëpinë e tij, ashtu si një vit më parë vajtoi të birin, ka përmendur një fakt sa human aq edhe domethënës për karakterin e 29-vjeçarit. Që prej një viti Klajdi kishte qënë mik i çdo mbrëmjeje në familjen Jahollari. Ai ishte shok fëmijërie i Sokol Jahollarit, basketbollistit të ekipit kombëtar që u vra në 3 shtator të vitit të kaluar. Së bashku me dy prindërit e basketbollistit ai qëndronte orë të tëra dhe i shoqëronte në ngrënien e darkës, për t’u plotësuar sadopak atë boshllëk të madh që la në shpirtin e tyre humbja e Sokolit.
Dashuria e madhe për shokun e vrarë, sipas banorëve, ishte edhe arsyeja pse ai shtynte ditën e nisjes për në Amerikë. “Klajdi priste që të merrte pjesë në përkujtimoren e Sokolit që do të organizohej në ditët e para të shtatorit”,-tregonin njerëzit, por familjarët nuk kanë pohuar asnjë nga këto fjalë. Ata kundërshtuan fort një tjetër version të thashethemeve, sipas të cilave Klajdi e shtynte nisjen për t’u hakmarrë ndaj bandës së Çobenëve, duke marrë kështu hak për vrasjen e shokut. “Kjo është shpifje”,-deklaruan familjarët.
Protesta
Policia e qytetit të Korçës mori dje masa të shumta për të mbajtur nën kontroll lagjen 5. Pjesëmarrësit në varrim do të bënin një demonstrim proteste para bashkisë për vrasjen e Klajdit, por drejtuesit e policisë deklaruan se nuk kishin dijeni për një protestë të tillë.Megjithatë pjesëmarrësit në ceremoninë mortore, të prirë nga arkivoli me të vdekurin në krahët e shokëve të viktimës, kanë përshkuar rrugën deri para Bashkisë së qytetit dhe kanë protestuar kundër qeverisë që nuk mori masa dhe nuk siguroi rend e qetësi për të parandaluar vrasjet e tilla në këtë qytet, vrasje që kanë marrë shumë jetë të rinjsh gjatë dhjetë viteve të fundit. Në ceremoni morën pjesë shumë banorë të qytetit. Mes tyre mbizotëronte mosha e re, bashkëmoshatarët dhe shokët e Klajdit. Një grua rreth të 50-ve, që nuk donte të identifikohej tha : “Klajdin e kam shokun e djalit, që sot është ushtar. E mora në telefon tim bir dhe i thashë që ia vranë shokun. Ai u mërzit shumë dhe më porositi t’i bëj gjithë nderet. Klajdi ishte i urtë, shumë i gjendur e i dashur në shoqëri, më vinte shpesh në shtëpi dhe më mbante me shpresë duke më thënë se muajt po ikin dhe im bir do të kthehej nga ushtria”



Gjyqi i Jahollarit dhe Rizës
Çfarë tha Klajdi

Në një nga seancat gjyqësore që u zhvilluan para disa muajsh në Gjykatën e Faktit në Korçë mbi tre personat e akuzuar për vrasjen e basketbollistëve (ata janë Damjan Toshi që gjykohet në mungesë, Vasil Strati dhe Gjergji Bregu të pranishëm së sallën e gjyqit) Klajdi ka qënë dëshmitar i çështjes. Ai ka treguar para trupit gjykues se si ka lindur sherri mes tij dhe disa shokëve të lagjes ku banonte dhe katër personave të lartpërmendur, banorë të lagjes numër 1 të Korçës. Në gjyq, tre prej tyre akuzoheshin për vrasjen ndërsa i katërti, sipas dëshmisë së tij, është ai që drejton grupin kriminal dhe qëndron i mbyllur në shtëpi, sepse ka pasur alibi të fortë për momentin e vrasjes së basketbollistëve.
Daja i Klajdit, Gëzimi, edhe ai dëshmitar në këtë gjyq, në seancën e mëvonshme, ka deklaruar se drejtuesi i të akuzuarve është i lirë. Për të ndërprerë gjakderdhjen , ai kërkoi mbrojtje nga shteti për djemtë e rinj që po vriteshin për një hakmarrje banale. Në këtë seancë Klajdi ka folur me zë të lartë nga salla ku po zhvillohej gjyqi dhe ka akuzuar Toshin, Bregun dhe Stratin për vrasjen e Jahollarit dhe Rizës. Trupi gjykues e ka nxjerrë jashtë dhe i ka kërkuar që të mos hynte më në sallë as në seancat e mëpasme.
Megjithatë në seancën tjetër ai zuri vend në fund të sallës dhe ndiqte procesin gjyqësor. Avokatët mbrojtës kërkuan që ai të dilte jashtë. Pikërisht në këtë çast Klajdi ka lëshuar një sharje dhe ka dalë i irrituar nga salla. Nisur nga kjo, por edhe nga fakti se në sherret e para ai ka qenë protagonist, policia ka filluar hetimin mbi një hakmarrje të mundshme të katër personave të mësipërm e të të afërmëve të tyre. Ndërkaq gjyqi mbi vrasjen e basketbollistëve po zhvillohet në qytetin e Elbasanit sepse avokatët mbrojtës të të akuzuarve këmbëngulën se “po punojmë nën presion të njerëzve që kanë mbushur sallën, fyejnë e kërcënojnë”.

Policia: Versioni ynë zyrtar
Zëvendësdrejtori i policisë në Qarkun e Korçës, Shpëtin Bebri, deklaroi dje për gazetën se vrasësit nuk janë nga qyteti. “Sipas dëshmive që kemi mbledhur deri tani, ekzekutori i Klajdit është person i panjohur për dëshmitarët okularë. Ai e ka kryer krimin me një gjakftohtësi të madhe.”
Sipas dëshmive që ka mbledhur deri dje policia, ekzekutori ka qënë shtatlartë dhe i shëndoshë. Ka vepruar pa maskë dhe në dorë mbante një pistoletë me silenciator. Ai i ka dalë në krah viktimës së vet dhe e ka qëlluar dy herë. Mandej i është afruar e ka qëlluar edhe tre herë të tjera. Sipas policisë, të pesë plumbat i janë gjetur në trup viktimës. Ata kishin mbetur të gjithë në trup sepse 29-vjeçari ishte qëlluar nga shumë afër dhe sepse viktima kishte organizëm të fuqishëm dhe të shëndetshëm.
Po sipas policisë, në vendin e ekzekutimit janë gjetur pesë gëzhoja, ndërsa një e gjashtë e gjetur pak më tej nuk i përket armës që ka qëlluar mbi viktimën. Ky fakt dëshmon se ekzekutori ka pasur edhe një person të dytë që i mbronte krahët gjatë kryerjes së krimit dhe që ka qëlluar vetëm një herë.
Në Komisariatin e policisë, fill pas ngjarjes, janë shoqëruar shumë persona dhe të tjerë janë shoqëruar edhe dje. Shumica e atyre që kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes kanë përshkruar personin që qëlloi mbi Klajdin si një djalë të gjatë me trup të shëndoshë, pa maskë me pistoletë në dorë. Mes tyre është pyetur edhe një dëshmitar që ka qenë shumë afër vendit ku u krye krimi dhe që e ka parë sy më sy ekzekutorin. Ai ka deklaruar se atë fytyrë e ka parë për herë të parë dhe se, për të, ai nuk ishte nga Korça.

Identikiti i vrasësit
Në moshë të re
I gjatë rreth 1.80 cm
I shëndoshë
Flokë të gjata të zeza
Pa maskë në fytyrë