Shenjtor dhe djall

E Marte, 02 Gusht 2005

- Ritem i mermerte pertej nje epoke -

Nga Visar ZHITI

Poezia e zgjedhur e Bardhyl Londos eshte poezi e zgjedhur shqipe, e krijuar ne dekadat e fundit, kur mbaronte shekulli XX, ne nje epoke te rende per artet dhe njerezit e tyre. Duhej mbifuqi per mbijetese shpirterore dhe, qe te mbeteshe qytetar, nje tjeter frymezim dhe nje lloj urdheri i fshehte, nga ai i ndaluari, qe mbase me shume ishte ne qiell se sa ne toke.

Lirine tende duhej ta ribeje se brendeshmi, qofte dhe si metafore a imazh poetik, sepse mungonte per te gjithe dhe atdheu ishte i mbyllur si nje keshtjelle e lashte, mitike, vazhdimisht ne gjendje lufte, me alarme, ku nuk lejohej te hynte as koha e nderkaq s'ndjeheshe bashkekohor me boten tende e s'ndodhte asgje. Asnje aventure, me kuptimin e mire te kesaj fjale. Pervec antiaventures kolektive, me kuptimin e keq te kesaj fjale.

Te pakte dhe te vecuar nga bota, madje dhe nga ajo pjese e Europes Lindore, nga te gjithe vendet e perandorine komuniste, treva me e vogel e se ciles ishim, megjithese kishim te njejtin regjim me ta dhe te njejten utopi, e cila duhej te behej realitet me dhune, duke ndeshkuar jo vetem kundershtaret e saj, mosbesuesit, por shpesh dhe mbartesit e saj. Gjithmone ne emer te se ardhmes per ta bere me te mire ate, qe per paradoks, i linte pa te tashme njerezit ose me te tashme te percudnuar dhe ideali, endrra, ne vend qe ta zbusnin popullin e tyre, perkundrazi, ia hiqnin enderrimin, e cidealizonin, e benin me te eger realitetin, gjithsesi dhe sureal.

* * *

Nese duhet ta pranojme qe atdheu i poetit eshte dhe poezia, ky atdhe per gjeneraten e Bardhyl Londos dhe per gjenerata poetesh para dhe pas tij nuk ishte hic i lire dhe s'mund te ishte dot vetem i tyre, por qe shtetezuar si gjithcka. Nuk gjej dot term tjeter qe do ta shprehte me qarte. Krijuesit dukej sikur krijoheshin dhe me urdher, jo me ate qiellorin, por me ate te partise ne pushtet, te vetmes dhe ne interes te saj. Deri ketu kishte arritur puna dhe poetet sikur hidheshin ne nje si arene ku nisnin perleshjet mes vedi dhe me kafshet alegorike, nese do te perdorim nje epietet migjenian.

Masakra ishte e kudogjendur, e madhe, gjenerale, por dhe e vogel, te vogla dhe te gjithaneshme e te gjithehershme.

Arena vazhdonte dhe brenda poetit dhe Faustit te idealit i qepej nje Mefostofel i rendomte. Mefistofelet moderne te diktatures s'ishin pesimistet universale, dyshimi apo e keqja e brendeshme e njeriut, qe shpesh dalin me me force prej tij e behen sunduese, por ishin, si te thuash, djaj te perditshem, entuziastet dhe fanatiket e regjimit, te trashet dhe te egrit, qe nuk te shfaqeshin me te rralle dhe fantazmerisht, por punoje me ta, ishin kolege, shefa, redaktore, buzeqeshnin, kritike arti, sekretare partie, provokatore te fshehte, drejtues te vendit, ai qe te ndiqte, policet, me uniforme dhe pa uniforme, ndalimet e librave, denimet, drejtuesit e larte te shtetit, diktatura dhe gjithcka e saj.

Te kerkohej te beheshe dhe vete djall, te beje punet e tij. Dhe ku, ne nje vend qe u besonte poeteve? Madje poetin e tyre kombetar, rilindasin e madh, Naim Frasherin, jo vetem e kishin dashur si nje shenjt, por dhe e kishin besuar ashtu. Deri ne ditet tona. Mjafton te shohim dhe poezite e shumta qe Bardhyl Londo i ka kushtuar atij.

Nderkaq poetin tjeter te madh, Gjergj Fishten, si koka tjeter e shqiponjes dykrenore e flamurit kombetar, e kishin shpallur djall. Vetem fshehurazi mund te ishte shenjt ai, por denoheshin dhe ata qe do te donin ta mbanin per te tille.

Mes ketyre ikonave, nje pjese e te cilave ishin kthyer me kokeposhte dhe s'lejohej t'u afroheshe, Bardhyl Londo na tregon, nese do te duam ta lexojme jo vetem si tekst, por edhe si nentekst, se edhe poeti ne vetvete, ashtu si njerezit e tjere, por dhe me shume, ndersa do te donte te ishte shenjt me popullin e vet, profet, i duhej te ishte dhe djall, jo vetem me shtetin edhe me popullin e vet, por dhe me veten. Gje qe behej natyre e dyte e poetit ne kushte te pazakonta per poezine.

Poeti Bardhyl Londo ka ditur ta sintetizoje shkelqyer kete dualizem, duke na dhene nje embleme te rralle poetike, qe do te thoja se eshte dhe celesi per te hyre ne te gjithe poezine e Londos e jo vetem ne te tijen, por dhe te bashkekohesve te tij.

Kush je ti? Sfide e shekujve...

.......................................

Fluturimin do dhe krahet s'i hap...

........................................

Kush je ti? Perendi a djall?

Te dhemb kaq shume e s'di c'te dhemb,

Hamlet i ngrysur, Sanco hokatar,

Gjysme asket, gjysme mekatar.

Oh, po pas dilemes u fshehka njeriu,

Brenda nje loti ndritka njeriu.


Nje poezi emblematike, plot me antiteza petrarkiane, qe ngerthejne ne vetvete dramen e madhe te perndarjes dhe te dyzimit, mundimin infernal, sa te detyruar, po aq dhe gjithenjerezor. Pyetjet jane dhe pergjigje. Te nxjerresh djallin e brendshem kunder djajve jashte teje, te dukshem dhe fizike, por me shume te padukshem dhe skrupuloze. T'i therrasesh djallit tend dhe ta vendosesh perpara ne mbrojtje te shenjtit tend dhe te vesh shenjtoret ne sherbim te djallit.

Nje lufte kjo qe nuk behej vetem e ndare ne dy ushtri, ku ne njeren prinin shenjtet dhe ne tjetren djajte si ne poemat madhore te Naimit, ne "Qerbelane" e tij, por edhe brenda vetvetes, ne koken e poetit, edhe pse e pa organizuar e jo gjithmone me angazhim militanti, sic do te thoshin kritiket, pra dhe e pa ndergjegjesuar, pa nje program a grup te shpallur, pa e ditur se ku do te mberrihej, gjysmadjall dhe gjysmashenjt, shenjtodjall, djalloshenjt, aq sa do te arrihej te kishte dhe tituj rreqethes librash poetike si Ferrparajsa, por gjithsesi me instinktin dhe intuiten e poetit, me guximin e tij dhe ambicjen qe ajo, poezia, ne fund te fundit, te ishte sa me vetvete, poezi e asgje tjeter, pasuri shpirterore e te gjitheve dhe e atdheut te perbashket, pra te clirohej. Duke u cliruar poezia, clirohej dhe koha edhe njerezit.

Per paralelizem, edhe poezia shqipe, sipas njerit prej studiuesve me te medhenj te gjuhes se saj, nuk eshte e metodave dhe e programeve, e shkollave dhe e rrymave, por poezi e personaliteteve. Ashtu eshte.

Megjithate jemi ne kohen kur zoteronte Realizmi Socialist, kur krahas sundimit te poezise mediokre, madje dhe antipoetike, shfaqej dhe poezia djallezore, e mohimit dhe e pohimit, ku poeti ishte i mallkuar, jo ne kuptimin e Pol Verlenit, por te nje shkretanie ku shteti krijonte kushte te atilla qe aktivizonte pjesen e keqe te te gjitheve, pra dhe te poeteve, jo si frymezim dhe si habi infernale, shpesh te nevojshem per letersine. Jo, kerkohej angazhimi militant, sherbimi politik, i detyrueshem dhe talent jo me shume se c'e percaktonte regullorja e pa shkruar per poetet. Duke u kerkuar te ndalej rreziku i mundshem qe do te vinte nga poezia, u shpik vete rreziku, me i madh nga sa mund te ndodhte.

Betejat kundershtuese, natyrisht, kryheshin me arsenalin e letersise, paqesisht dhe duke thirrur ne ndihme dinakerine artistike, edhe jashtletrare, me rrafinese, me gjuhen e Ezopit, me metafora, edhe pse shpesh kishte ndeshkime reale, pleniume goditese, largime, pranga dhe harrim te madh. Denoheshin jo vetem poetet, por edhe poezia e tyre ashtu sic ndodhte ne lashtesi, kur sundimtaret denonin dhe lumin per prapsite e tij, urdherohej ndeshkimi me kamzhik i dallgeve.

Nejse, ndodhi ajo qe duhej te ndodhte, te triumfonte poezia mbi totalitarizmin. Po te perifrazojme latinet, mund te themi se, nese shkurtohej jeta ne diktature, arti mbetet i gjate, gjithsesi.

* * *

Ishte dhe poezia e Bardhyl Londos qe doli ne pararojen e poezise se re shqipe, u be pjese e qenesishme e saj, e asaj shprese ndertimtare dhe e entuziazmit qe te jep vete ndertimi dhe krijimi, e shqetesimeve te medha dhe e dhembjeve ende me te medha, e perpjekjeve per ta bere me te bukur endrren e perbashket, madje per ta bere realitet njerezor te gjithsecilit. Por poezia, meqenese gabon me pak nga te gjitha, u be dhe mbartese e zhgenjimeve dhe e deshperimeve te njeriut duke parandjere ndryshime dhe fat tjeter, duke i ndjellur dhe kerkuar qe te shkonte e para per t'i prekur me doren e saj prej drite.

Prandaj dhe poezia e Bardhyl Londos ka ate nderim te vecante per pararendesit e lirise, luftetaret e saj, per ata qe sakrifikuan deri ne martirizim, qe dhane jeten per jeten dhe lirite e saj. Ajo duket si e mbushur me kete gjak dhe me thirrjet e atij gjaku... duke arritur keshtu te dallohet si poezi e vecante, me kumbim te forte, me kumtet e nje angazhimi qytetar, me themelite ne nderin dhe drejtesine, ne kerkim te persosjes se njeriut. Natyrisht aq sa mundet nje poezi. Gjithmone si e tille. Duke ia besuar fjales te gjithe peshen e jetes dhe angazhimeve te saj. Po, po, e gjitha kjo e kerkuar me forcen e poetit.

Si e tille poezia e Bardhyl Londos ka dinjitetin e poezise deri ne krenari te ligjshme, pse jo, edhe sfidante.

* * *

Poezia e Londos, si poezi e diteve tona, moderne, e vleresuar nga kritika letrare brenda dhe jashte vendit dhe nga lexuesi i shumte i saj, ate dualizem dhe unitet te shenjtorit me djallin e mbart tejet te cmistifikuar, si te perjetueshem nga kushdo, ne nje kohe pa shenjteri, njeheresh dhe te cdjallezuar, te bere me te rendomte, konsumiste, egocentrike, pa mister, pa pegase, por me vetura, avione, me te urdheruar dhe urdherues, me karrieriste te pandreqshem, abuzante.

Por eshte poeti qe qendron bashke me anonimet e virtytshem dhe ruan ende misterin e poezise.

Poet dhe vetem poet

I tille eshte Bardhyl Londo: poeti dhe vetem poeti. Nje jete e derdhur ne poezi, kronika e saj prej ere, nje biografi njeriu, jo si rrefenje, as si pervoje historike, por si perjetim i fuqimisht e i ndjeshem, gjithe emocione dhe qendrime. Nje qytetari qe kerkon te qyteteroje gjithcka perreth.

Ne vepren e poetit Bardhyl Londo do te na pelqente te shpalosnim per te permbledhur, qe te benim nje renditje tjeter te poezive, jo ate diakronike, qe te dikton koha dhe qe duket si i pamundur te mos i bindesh, vit pas viti, liber pas libri, dekade pas dekade, pastaj sitemi shoqeror pas nje sistemi tjeter shoqeror, sepse vertet ashtu si vete jeta e poetit dhe poezia e tij duhet te kishte dhe dy kohe, te ndara me nje "Mur Berlini" ne mes.

Koha e pare dhe me e gjata nen diktature, pa lirine e duhur, e mbyllur, moslevizese, me tematike te kufizuar dhe te paracaktuar dhe koha e dyte e mepastajme, me e pakte dhe e pambaruar, posdiktatoriale, mes lirise dhe kaosit, shpreses dhe zhgenjimeve, nderrimeve dhe shnderrimve, me tematike tjeter dhe te kunder me te meparshmen.

Ne poezine e Bardhyl Londos ka koherence te brendeshme, qytetari te njejte, pavaresisht nga permbajtjet, sepse me i rendesishem per nje veper letrare eshte trajtimi, kendveshtrimet dhe emocioni i prodhuar.

Vijon ne numrin e ardhshem

Korrieri.