panorama
--
Gani Kodra: Si u kthye Enveri në tmerrin e bllokmenëve
Fatos Veliu
Njeri i besuar në radhët e udhëheqjes më të lartë të shtetit komunist. Kishte kontakte të vazhdueshme me të gjitha familjet e tyre në Bllok, aq sa dinte edhe problemet më të vogla familjare. Për 20 vjet si shef i Sigurimit të Byrosë Politike, ai arriti të fitojë dhe dashurinë e madhe të ish – kryeministrit hijerëndë Mehmet Shehu.
Ky është Gani Kodra, i cili tashmë sapo ka kaluar të 80 vitet e jetës. Megjithëse është njeriu që në hierarki vinte menjëherë pas Llambi Peçinit dhe që di shumë sekrete për sa i përket marrëdhënieve dhe problemeve që ekzistonin në radhët e familjeve të njerëzve, që ishin shpallur si udhëheqës të ndritur, ai nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për gjithë këto vite të tranzicionit demokratik. Gjithsesi, ai pranon që të japë intervistë për gazetën “Panorama” në këtë cikël. Tregon detaje në lidhje me figurën e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut (të cilin pranon se e ka idhull), të cilat nuk janë njohur asnjëherë më parë. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe të gjithë ish-partiakët më të lartë. Letrat personale që ka marrë fillimisht nga Enveri dhe premtimet që ai i bëri në to. Pse mes Enverit dhe Mehmetit ekzistonte armiqësi e pashmangshme. Ku dallonin tipat dhe karakteret e tyre. Cilët janë skenarët që Enver Hoxha planizonte vazhdimisht ndaj shokëve të tij. Pse arriti të fuste në burg njerëzit të cilëve u kishte besuar jetën. Shpresat që Llambi Peçini mbante te Enveri kur ishte në birucë dhe pse pas kësaj Enveri ka urdhëruar vdekjen e tij. Cila ishte frika që karakterizonte byroistët, sidomos kur thërriteshin nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu etj. Janë këto disa nga çështjet që shtjellohen me imtësi nga njeriu historik i Sigurimit të udhëheqjes më të lartë komuniste. Gani Kodra, që në atë kohë ka rënë viktimë e akuzave më të rënda të Enver Hoxhës, të cilit i shërbeu për 20 vjet. Tradhtar i atdheut dhe armik i partisë dhe i popullit. Poliagjent që së bashku me Mehmet Shehun ka dashur ta eliminojë fizikisht Enver Hoxhën.
Zoti Gani, gjatë punës suaj të gjatë brenda Bllokut të udhëheqjes më të lartë të shtetit të djeshëm mund të pretendoni se e gëzonit simpatinë e tyre?
Patjetër që e gëzoja, se ndryshe nuk mund të rrija as edhe një ditë dhe jo 20 vjet në atë vend pune. Unë mund të them se kam qenë njeriu i shtëpisë së të gjithëve. I kisha ndihmuar të gjithë dhe u shërbeja me një ndërgjegje prej fanatiku.
Ç’ndihmë mund të pretendonte nga ju një udhëheqës i lartë i shtetit të atëhershëm?
Për shumë gjëra që ju nuk mund t’i imagjinoni, sepse mendoni që ata, duke qenë autoritete të larta, mund të mbaronin çdo punë, aq më shumë kur kishte të bënte me familjet e tyre. Fjalën e kam për problemet e ndryshme teknike që mund t’u dilnin për ditë. Nuk e kishte të thjeshtë një anëtar byroje të kërkonte pranë drejtorisë së pritjes një antenë televizori, ashtu si nuk e kishte të thjeshtë për një material tjetër tepër të nevojshëm, sepse u vinte zor. Se mentalitetet dhe konceptet e burrit të shtetit në atë kohë ishin krejt ndryshe nga sa mund të flasësh sot.
Por mund t’u dilte edhe një problem disiplinor me fëmijët në shkolla dhe ata nuk mund të ndërhynin dot për mbyllje apo diçka tjetër se pastaj përgjigjeshin në tjetër vend.
Për çdo gjë të këtyre natyrave, ata kërkonin ndërhyrjen time shoqërore deri në eliminimin e problemit të lindur. Ju duhet ta kuptoni se ata kishin frikë se një gjë e vogël mund të ngrihej në Byronë Politike dhe dihej pas kësaj se ç’drejtim merrte ngjarja. Ju mund ta kuptoni se ata të gjithë ishin të kënaqur, kurse unë po ju them se kam konstatuar absolutisht se ndodhte e kundërta. E vërteta është se ata ishin plot strese dhe jetonin gjithë frikë. Nuk mund të bëhet fjalë pastaj kur i thërriste në raport Enver Hoxha apo Mehmet Shehu. Në raste të tilla e prisnin me gjak të ngrirë takimin.
Do të kisha dëshirë të ma konkretizonit me një shembull.
Unë mund t’ju them se kishte fëmijë të autoriteteve më të lartë, të cilët kapeshin duke luajtur bixhoz në fakultet. Për shembull njëri që unë nuk kam dëshirë t’ia përmend emrin, sepse është njeri i respektuar, kishte rënë në hall të madh pasi djalin ia kishin kapur duke luajtur bixhoz në stërvitje ushtarake. E kishin bërë problem në dekanat dhe duhej që patjetër të merreshin masa ndëshkimore. Ai, megjithëse ishte udhëheqës i lartë i partisë, pra ishte anëtar i Byrosë Politike, nuk mund të ndërhynte dot për problemin e djalit.
Fakulteti nuk e merrte parasysh për ta lehtësuar vetë situatën pa pasur nevojë për ndërhyrje në këto raste, pra duke e ditur se me të birin apo të bijën e kujt kishte të bënte?
Këtu nuk është fjala për prerje koke, por për të mos u hapur problemi fare. Konkretisht për byroistin, për të cilin unë po të tregoj, ishte frika se për të birin do të merrej të paktën një vërejtje e thjeshtë. Por kjo nuk ishte e lehtë për të. Nuk ishte fjala për vërejtjen, por ishte fakti që në Byronë Politike do të merrej vesh se djali i tij kishte luajtur bixhoz. Pra ai ishte i frikësuar përballë diskreditimit që mund t’i bëhej. Për këtë arsye, në mënyrën më urgjente më kërkoi në shtëpi për kafe dhe më tregoi si e kishte hallin. Për këtë më kërkoi ndihmë personale. Të nesërmen, unë me një oficer tjetër shkuam në Mamurras, ku bënte universiteti stërvitjen ushtarake. I thërrita drejtuesit e fakultetit dhe sidomos shefin e sigurimit të tij. U fola disi qetë dhe pastaj i thashë shefit të sigurimit në formë presioni: “Nuk paskeni punë tjetër me se mund të merreni, por të ta bëni problem një rast qesharak, që mund ta mbyllni brenda për brenda!? Nuk ju paska mbetur gjë për të bërë?” Këto i kisha kot, se ai ishte në rregull me punën e tij. Por mua më dëgjonte me vëmendje pasi shkoja nga lartë, pavarësisht që s’kisha çfarë t’i bëja. Gjithsesi, urdhërova si me ton më të zbutur: “Mbyllini këto budallallëqe se nuk na ka hije të merremi me punë boshe. Kështu u mbyll edhe ajo çështje që në dukje ishte disi e papërfillshme, por po të merrej vesh nga Enver Hoxha nuk mund të parashikohej se çfarë drejtimi do të merrte puna.
Ju njiheni në opinion si një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Në ç’raport e shikoje figurën e tij me atë të Enver Hoxhës?
Këtu ka një të vërtetë të veçantë, pasi në një farë mënyre unë isha shumë afër Mehmet Shehut dhe për këtë ndjej një krenari të ligjshme. Fakti është se unë i kisha të dy idhuj dhe i respektoja shumë. Por për të qenë i sinqertë, po ju them se Mehmetin e doja më shumë se Enverin. Ai dukej që ishte karakter më i drejtë dhe më fisnik. Mund të bërtiste më shumë. Irritohej aq sa edhe mund të të ofendonte, por zemrën e kishte të madhe. Unë kam dëgjuar të thonë se Mehmet Shehu ishte kriminel, por unë po ju them se te ai nuk ekzistonte natyra e krimit. Pas arrogancës kishte shpirtbardhësinë. Ishin të shumta rastet që ai ka ditur t’i tërheqë fjalët që ka lëshuar pa u menduar ndaj vartësve të tij. Ndërsa Enveri, ashtu siç e vërtetoi koha, paskësh qenë një njeri i prapaskenave dhe një njeri gjakatar me zemër shumë të zezë.
Megjithëse në paraqitje nuk i tregonin kontradiktat e brendshme që kishin, unë e kuptoja fare qartë që ata nuk e donin fare njëri – tjetrin.
Mund t’i konsideroj fjalët negative për Enverin si shenjë hakmarrjeje që përfunduat në burg, aq më shumë i cilësuar si “armik”?
Burgu për mua ishte një barometër, ku pashë se deri ku arrinte shpirtligësia e Enver Hoxhës. Aty unë pashë nga afër dhe preka me dorë të gjitha akuzat paradoksale që na u bënë, aq më shumë Kadri Hazbiut apo dhe Feçorr Shehut. Në atë moment unë u binda absolutisht që Enver Hoxha ishte shumë i ndërgjegjshëm që po na akuzonte fare kot dhe këtë e bënte me zellin më të madh.
Kur e keni krijuar këtë bindje?
Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, unë, Ali Çeno, etj, që ishim brenda, e shikonim fare qartë se Hekuran Isai, pasi rrinte së bashku me grupin e hetimit gjatë gjithë natës në qelitë e 313-ës, kur binte mëngjesi merrte rrugën drejt e në Vlorë ku ishte Enver Hoxha për të marrë udhëzimet e reja. Por sidoqoftë, atë kohë të hetuesisë nuk dua ta kujtoj fare se bëhem keq dhe jo më ta tregoj.
Ju besoni absolutisht në mendimin se Enver Hoxha ishte skenarist i gjithë asaj që ndodhte te ju në qeli?
Që ta besosh një fakt të tillë duhet ta vërtetosh dhe unë këtë e kam vërtetuar. Ju thashë pak çaste më parë se Hekuran Isai rrinte deri në mëngjes mes hetuesve, që kishin marrë në dorë çështjen e Kadriut, Feçorrit, Llambit, timen etj. Pra, çështjen e Mehmet shehut, se kështu quhej ajo çështje pasi ne akuzoheshim të gjithë si bashkëpunëtor të tij. Pasi informohej për çdo deponim tonin, sa zbardhte dita ai nisej menjëherë për në Vlorën ku raportonte te Enverin, i cili sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe në një kohë kur Kadri Hazbiut i ishin thyer brinjët nga shkelmat e hetuesve, lahej në det dhe bënte banjë dielli. Pasi merrte informacionet nga Hekurani, ai jepte porositë e tjera. Gjithçka që na kërkohej në qeli, ishte të pranonim ato që donin ata për të vërtetuar çka kishte deklaruar Enveri. Me pak fjalë, ne duhej të pranonim se ishim poliagjentë dhe se qëllimin tonë kryesor kishim pasur eliminimin e Enverit, por që nuk kishim mundur. Budallallëqe të tilla, por të besueshme për njerëzit, që nuk e dinin se Enveri kishte qenë çdo minutë jo vetëm në dorën e Kadriut dhe të të tjerëve, por edhe në timen, që kur të doja e eliminoja pa u marrë vesh fare. Këtu mund të të tregoj se për të pranuar ato që kërkonin hetuesit, të cilëve gjithashtu u vinin porositë nga jashtë, përdoreshin të gjitha llojet e torturave. Disa u thyen dhe treguan. Por në këtë rast, që ta lidh mendimin me Enver Hoxhën që më pyete në fillim për dallimin e tij me Mehmetin, unë mund të tregoj për Llambi Peçinin, i cili kishte besim te Enver Hoxha dhe për këtë gjë hëngri plumbin.
Në ç’mënyrë?
Llambi, në hetuesi ashtu si të gjithë ne, u torturua kafshërisht deri sa pranoi të bashkëpunonte me hetuesit për të deklaruar në gjyqin e Kadriut ato që donin ata. Ai i pranoi të gjitha akuzat ashtu siç ia kishin kërkuar, por kur doli në gjyqin e Kadriut si dëshmitar dhe pa kamerat, deshi të denoncojë. Deri në atë çast ai mendonte se Enver Hoxha nuk kishte pasur dijeni mbi ato që i ishin bërë dhe vendosi të fliste para kamerave, për t’i çuar mesazh Enverit te i cili mbante shpresat, pasi i kishte shërbyer si rrallë kush për 20 vjet me radhë. Ndërsa doli në podiumin e dëshmitarit për Kadri Hazbiun, për të thënë ato që i ishin porositur, ai, ndryshe nga sa pritej para kamerave, deklaroi: “Unë po ju them se nga të gjitha ato që kam deklaruar në hetuesi për Kadri Hazbiun nuk janë të vërteta, pasi më janë marrë nën efektin e papërballueshëm të torturës. Ne jemi të pafajshëm dhe nuk qëndron asnjë nga akuzat që na janë ngritur. Mirëpo kjo do t’i kushtonte Llambi Peçinit, pasi pas kësaj ai do të radhitej te njerëzit që u dënuan me pushkatim. Ja, ky ishte Enveri, i cili sajonte, fliste në publik për Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun dhe në frymën e akuzave që ai bënte në publik, hetuesit kërkonin që ne t’i pranonim. Por nuk dua të zgjatem shumë te gjyqi që na u bë në atë kohë, se është një enciklopedi më vete dhe një histori që akoma nuk e njeh populli. Po të njihen njerëzit me atë histori, rrëqethen nga faktet dhe dëshmitë monstruoze të bëra nga shumë njerëz, ndoshta dhe me personalitet, por që nuk mundeshin ta përballonin torturën.
E keni menduar faktin se pse Enveri u tregua aq i pabesë, të paktën për ty, sa të plasi brenda burgut me akuzat më të rrezikshme të kohës?
Këtë mendova kur hyra në birucë natën e parë të arrestimit. Pas një jete plot sakrifica dhe tension, duke menduar natë e ditë se si të kryeja me përkushtim detyrën time që më ishte ngarkuar me precedencë, përfundova në pranga si armik i rrezikshëm i partisë dhe i popullit dhe tradhtar i atdheut. Gjatë punës sime mbi 20-vjeçare pranë Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe udhëheqësve të tjerë, siç të thashë, isha bërë pothuajse njeriu më i afërt i familjeve të tyre, aq sa nuk mund ta mendoja kurrë se ndaj meje Enver Hoxha do të ndërmerrte ndonjë iniciativë të tillë, që të ma shkatërronte përfundimisht jetën. Kur hyra në birucë menjëherë mu kujtuan letrat që më kishte dërguar personalisht Enver Hoxha për shërbimin e kujdesshëm që kisha bërë pranë familjes së tij.
Për çfarë letrash bëhet fjalë?
Një letër falënderimi personal ma kishte dërguar mua së bashku me Llambi Peçinin që në vitin 1965. Në atë kohë, unë me Llambin kishim shoqëruar Nexhmijen në një nga klinikat e Parisit, ku ajo kishte shkuar për kurim. Enveri, i kënaqur siç duket për fjalët e mira që duhet të ketë thënë Nexhmija mbi përkujdesjen që ne kishim treguar, na shkruante: “Të dashur Llambi e Gani, ju falënderoj për kujdesin shoqëror që tregoni për Nexhmijen. Këtë jua shpërblefsha në raste gëzimesh”. Letra e fundit që më dërgoi ishte shkruar vetëm dy vjet para se të arrestohesha me akuzën më të rëndë të asaj kohe, të tradhtisë së lartë, pikërisht në vitin 1980. Atë letër ma dërgonte mua dhe gruas për përkujdesjen që tregonim për të birin në Suedi, pasi në atë kohë isha sekretar ambasade në Suedi. Në atë letër shkruante: “I Dashur Gani, ju dhe bashkëshortes suaj, ju falënderoj për kujdesin që tregoni për fëmijët e mi në Stokholm. Jua shpërblefsha në të mira.
Megjithatë erdhi një ditë dhe u harruan jo vetëm kjo, por shumë e shumë të tjerë që kishim punuar me stres dhe me nerva të tendosura për një jetë në dispozicion të tyre, aq sa u dinim çdo hall dhe problem në familje. Kishim qenë afër, saqë si i thonë asaj fjalës së urtë, “u kishim rritur fëmijët”...
vijon nesër
Kur u arrestua Kiço Ngjela, Mehmet Shehu u bë keq
Në mëngjesin që do të arrestohej Kiço Ngjela, Ganiu tregon se është takuar me Mehmet Shehun. Ndërsa pinte kafen, i ka tregoi për ngjarjen që do të ndodhte pas disa çastesh, pra për arrestimin e ministrit historik. Mehmet Shehu, megjithëse e priste këtë arrestim, është tronditur dukshëm dhe ka lëshuar deklaratën e befasishme. “Isha nisur i qetë për në drejtim të godinës së Komitetit Qendror, nga ku do të kaloja për te Kryeministria,- tregon Gani Kodra për momentin që do të arrestohej Kiço Ngjela dhe që thotë se “nuk do ta harroj kurrë gjendjen që kaloi Mehmet Shehu”. Sapo dola në bulevard, takova Nevzat Haznedarin, me të cilin shkëmbeva përshëndetjet e rastit. Ndërsa bisedoja me të, e pyeta nëse ishte me shërbim apo po bënte një shëtitje shplodhëse. Më tregoi se në Komitetin Qendror ishte thërritur Kiço Ngjela dhe pasi të dilte, do të arrestohej. Nuk e bëra të gjatë, por u largova menjëherë. Në fakt nuk u çudita, sepse ai pritej të arrestohej pasi mbi të kishin filluar herët goditjet. Kur hyra në godinën e Kryeministrisë, pashë që doli nga zyra Mehmet Shehu. Ai po shkonte në holli për të pirë kafen. Më thërriti për ta pirë kafen së bashku. Nuk e zgjata, por u ula në kolltukun përballë. Pas disa çastesh, unë si për t’u gjendur në bisedë, i thashë se kisha takuar Nevzatin, i cili kishte marrë urdhrin për arrestimin e Kiço Ngjelës. Mehmeti në çast u drodh, u nxi dhe lëshoi filxhanin në pjatë duke bërtitur: “Nuk e shikon se po më godasin krahët”. Ai nuk shkoi më në zyrë, por megjithëse ishte mëngjes u nis drejt e në shtëpi.
neser do te lexoni
Pse Enver Hoxha kishte frikë nga njerëzit që e rrethonin, si dhe rastet që ai ka protestuar për shërbimin që i është bërë.
Ngjarjet e ndodhura në vitin 1960, kur Enveri merrte pjesë në mbledhjen e 81 partive në Moskë dhe porosia që dha për t’ia sjellë ushqimin nga Tirana
Cila është e vërteta e manisë së Enverit për të eliminuar bashkëluftëtarët e hershëm. Si i planifikonte akuzat që do të fabrikonte ndaj tyre
....
--------
gani kodra
intervista
Gani Kodra rrëfen për kohën që shërbente pranë Byrosë Politike
“Enveri kishte frikë se mos helmohej nga ilaçet”
Fatos Veliu
Vazhdon numri katërt i ciklit të rrëfimeve të ish-shefit të Sigurimit të Byrosë Politike. Në këtë intervistë, Gani Kodra sjell detaje interesante për publikun, detaje që kanë lidhje me jetën e Enver Hoxhës në Bllok. Situatat që krijoheshin pas frikës që ai kishte se mos helmohej nga ilaçet.
Ngjarja e vogël, por që e tronditi shumë Enverin, kur infermierja e tij ia dërgoi ato me Ganiun në dhomë. Pse bërtiti në vitin ‘72 kur i ndërruan llojin e insulinës antidiabet. Britmat e tij të papërmbajtshme dhe akuzat ndaj oficerëve të shërbimit të tij, se kërkonin që ta mbysnin. Gani Kodra në këtë numër sjell edhe një detaj tepër të veçantë që ka të bëjë me lënien e duhanit nga Enver Hoxha. Gjithkush deri tani ka mësuar faktin se, Enver Hoxha që ishte një frekuentues i rregullt i duhanit, e la si rezultat të vullnetit të tij. Ndërkohë, Gani Kodra përcjell dëshminë interesante se shkaku i lënies së duhanit ka qenë frika se mos helmohej prej tij. Kjo ka ndodhur pikërisht në kohën kur u prishën marrëdhëniet me Kinën. Deri në atë kohë, Enveri pinte duhan të ardhur nga Kina. Kur po acaroheshin marrëdhëniet Ganiu u dërgua në Kinë për të sjellë duhan të posaçëm, i cili do të mbyllej në fushat tona. Por kur u kthye, mësoi për vendimin e prerë të Enverit.
Zoti Gani, sa i vërtetë është fakti se Enver Hoxha ka pasur shumë frikë, duke filluar që nga shërbimi i tij më i afërt. Në qoftë se qëndron një fakt i tillë mund të na e konkretizoni atë?
Duke qenë diktator, Enver Hoxha kishte frikë nga çdo gjë. Në dukje kishte pamjen e një trimi dhe kishte besim te njerëzit që i shërbenin. Por në brendësi dhe nga sjelljet e tij të linte të kuptoje se ai e shikonte çdo gjë me dyshim. Interesohej jashtë mase për funksionimin e saktë të të gjitha procedurave që kishin të bënin me sigurimin e jetës së tij. Këtë e kishte parasysh që nga ushqimi që hante, deri te ilaçet që pinte. Pyeste se kush dhe ku i mori.
Për shembull?
Unë mund t’ju sjell një fakt që ndoshta dëgjohet për herë të parë nga i gjithë opinioni i gjerë shqiptar. Ai i pranonte të gjitha dhuratat ushqimore që i vinin nga populli, duke filluar që nga persona të veçantë dhe deri nga ndërmarrje të ndryshme apo kooperativa bujqësore, por nuk hante asnjë gjë. Ua shpërndante personelit dhe oficerëve që kishte pranë. Edhe kur vizitonte familjet e dëshmorëve apo të tjera, kafen do ta bënin njerëzit që e siguronin dhe jo tjetër njeri.
Ky mund të ishte veprimi i personelit të sigurimit, por që mund të mos kishte dijeni Enveri. Do të na interesonin shembuj që flasin qartë për frikën që ekzistonte te ai për ambientin që e rrethonte.
Më kujtohet viti 1960, kur ishim në mbledhjen e Moskës. Fillimisht u vendosëm në vilën që kishin caktuar sovjetikët. Një ditë, unë isha në shërbim në paradhomë dhe vjen infermierja e tij personale, të cilën e kishte marrë nga Shqipëria. Ajo më pyeti nëse shoku Enver ishte në dhomë. I thashë se ishte në sallon me shokët e tjerë.
“Atëherë – tha ajo,- ilaçet po i lë në tavolinë dhe thuaji që t’i pijë”. Nuk vonoi dhe Enveri u kthye nga salloni dhe i pa vetë ilaçet që rrinin mbi tavolinë. Më pyeti se kush i kishte sjellë ato aty. Unë i tregova se kishte ardhur infermierja e tij. Ai menjëherë ndryshoi çehre dhe mu kthye: “Dëgjo Gani. Unë ilaçet i dua në dorë që ta shoh vetë edhe personin që i sjell. Nuk dua që ilaçet e mia të qëndrojnë sipër tavolinës pa qenë unë, prandaj merri këto ilaçe dhe hidhi poshtë se unë këto nuk i pi. Shko dhe thirre infermieren që të vijë këtu”. Dukej hapur se frika e tij ishte e madhe aq sa nuk i besonte askujt.
Keni rast tjetër?
Unë mund të kujtoj edhe një rast që ka të bëjë me ilaçet (insulinën antidiabet, për të cilën kemi folur një numër më parë, shënimi im F.V) që unë i sillja nga jashtë. Një herë, ndërkohë që po përgatitesha për të shkuar në Itali për të marrë insulinën, më thirri Beqir Balluku. Ai më kërkoi që, nëse ishte e mundur të mos e bëja unë në atë rrugë, pasi donte të mundësonte dy persona të shërbimit të tij, të cilët duhet të mbaronin edhe nja dy probleme personale. Unë iu përgjigja se isha dakord. Beqiri më falënderoi dhe më tha që t’i instruktoja personat, për të cilët ai kishte ndërhyrë për t’u mundësuar rrugën për jashtë shtetit. Kështu u bë. Unë i takova ata dhe i porosita për llojin e insulinës. Ku duhet ta merrnin dhe me kë duhej të bisedonin, etj. Kështu u bë. Personat e caktuar nga Beqiri shkuan në Itali. Por nuk e gjetën klinikën, pasi ajo kishte falimentuar. Nuk kishin se çfarë të bënin. U konsultuan me mjekë kompetentë në Itali dhe morën një simotër të asaj insuline që përdorte Enveri, e cila kishte të njëjtin efekt. Pasi u mësua se ajo ishte ndryshe, insulina kaloi në konsultën e mjekëve. Pasi u analizua, u vendos që nuk kishte asnjë problem po ta përdorte Enver Hoxha. Pas kësaj u dha firma “Ok”. Mirëpo, kur Enverit ia bënë me shiringë (gjilpërë), ai pa se e dogji pak dhe u shqetësua shumë. U çua menjëherë në këmbë, duke mos lejuar që t’i bëhej e gjitha. Pyeti se përse kësaj here i dogji. Pyeti se kush ia kishte ndryshuar insulinën që përdorte deri një ditë më parë. Më kërkoi menjëherë mua që t’i jepja shpjegim për atë që kishte ndodhur. Unë, sa shkova, u ndesha menjëherë me pyetjen e parë: “Gani, kush e solli insulinën këtë radhë”? Unë i tregova se kush e kishte sjellë, por kurrsesi nuk i tregova se kishte ndërhyrë Beqir Balluku. Menjëherë sa i tregova se kishte shkuar tjetër njeri, ai u skuq në fytyrë dhe mu lëshua si suferinë me sa fuqi kishte: “Çfarë po bëni kështu ... ? Doni të më mbysni ju mua...? Nuk dua që të shkojë njeri tjetër veç teje për të sjellë ilaçet. Tani të urdhëroj që brenda 48 orësh të sjellësh këtu ilaçin që përdor zakonisht”.
Nuk dija se çfarë të bëja, pasi duhej që t’i zbatohej urdhri patjetër. Mora Babaçe Faikun me avionin qeveritar dhe përfundova në Romë. Aty u interesova se kush e kishte blerë firmën e falimentuar, që tregtonte insulinat që kërkoja unë. Pas kësaj rruge arrita në destinacion. Atë e kishte blerë një shoqëri farmaceutike në Napoli. Pas shumë mundimesh arrita të krijoja një farë shoqërie me përfaqësuesin e firmës, duke i dhënë diçka për të pirë dhe një bakshish dhe duke i paraqitur hallin se e kisha vëllain tepër rëndë nga diabeti. Në këtë mënyrë munda të blija plot 300 kapsula. Erdha menjëherë në Tiranë. Kur i përdori, Enveri më tha: “Ja, këto janë ato që përdor unë. Herë tjetër nuk dua të më vijnë nga tjetër njeri, veçse prej teje.
Po në vitin 1960, kur ishte në mbledhjen e 81 partive në Moskë, si e zgjidhët mundësinë e të ushqyerit kur Enveri nuk pati besim të rrinte as te vila e ofruar nga sovjetikët, por u kthye të flinte në godinën e ambasadës?
Eshtë vërtet një pyetje që unë do të doja të ma bënit, sepse edhe këtu ka një fakt që të paktën deri tani mund të njihet pak apo aspak. E vërteta është se kur ne ikëm nga vila dhe u vendosëm në godinën e ambasadës, Enveri dha porosi që çdo ushqim që do të konsumonte, t’i vinte nga Shqipëria. Ai urdhëroi që asgjë të mos blihej aty. Kështu që ne ia sillnim ushqimet me linjën ajrore Moskë- Tiranë dhe anasjelltas. Për këtë punë ishte caktuar një njeri i posaçëm.
Eshtë folur shumë për rrezikun që mund t’i vinte nga duhani që pinte Enveri? Si e zgjidhnit ju këtë problem, kur ai dyshonte çdo gjë që përdorte?
Kur kishim marrëdhënie të mira me Kinën, Enver Hoxha pinte cigare kineze, të cilat prodhoheshin në Shangaj. Ne i merrnim ato me shumicë, në mënyrë që Enveri të kishte vazhdimisht rezerva. Kur u acaruan marrëdhëniet me Kinën, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu më thërritën në zyrë. Më treguan për situatën që ishte krijuar me kinezët. Pastaj më thanë: “Ju e dini që shoku Enver pi duhan kinez. Prandaj, për të evituar ndonjë rrezik, ti duhet të shkosh në Kinë dhe të mundohesh që pa u rënë sy të gjesh disa lloje duhani që kanë ata. T’i blesh me qëllim që t’i mbjellim për t’i provuar. Për të mos rënë në sy- më thanë,- do të inkuadrohesh si zëvendëspërgjegjës në Teatrin e Operës dhe të Baletit që niset për në Kinë për të dhënë shfaqje”. Ashtu veprova. Sa shkova, sipas porosisë që kisha marrë, gjeta disa lloje duhani dhe i solla. Por kur erdha, Kadriu më tha se shoku Enver kishte vendosur ta linte duhanin, prandaj nuk u duheshin ato që kisha sjellë. Nga kjo kuptohej se ai kishte vendosur se do të ishte më mirë ta linte duhanin, sesa të jetonte tërë jetën me dyshime.
Ju keni qenë shumë afër Enver Hoxhës, ashtu siç keni qenë edhe afër Mehmet Shehut apo Kadri Hazbiut etj. Sipas mendimit tuaj, ç’ishte gjithë ajo mani për të eliminuar shokët më të mirë dhe bashkëluftëtarët e tij të hershëm. Aq më shumë që, siç treguat pak më parë, gjithçka bëhej sipas një plani të detajuar në mendjen e tij?
Gjithmonë zanafilla qëndron te fakti që shqyrtuam më parë se, ai ka pasur shumë frikë jo vetëm nga ekipi që e siguronte, por edhe nga bashkëpunëtorët e afërt, që ishin njerëz të aftë dhe të zotë dhe që kishin simpati të gjerë në popull. Prandaj, me plane shumë djallëzore, të menduara mirë deri në detajet më të vogla, ai i eliminoi mirë një e nga një të gjithë këta kuadro, deri te Mehmet Shehu. Të them të drejtën, ai ishte shumë i zgjuar për të keqen dhe mendonte vetëm për këtë. Dinte të thurte intriga dhe aq më shumë t’i zbatonte me fanatizëm skenarët e thurur në mendjen e tij. Dhe këto i kishte mbi baza teorike të njohura, sepse i studionte nga eksperienca botërore...
Hazbiu e vlerësoi Ganiun para trupit gjykues
Kadri Hazbiu, kur u akuzua në majin e vitit 1983 “për tradhti të lartë ndaj atdheut”, megjithëse ishte i shkatërruar nga torturat, aq sa kishte 6 brinjë të thyera, ka mbajtur një qëndrim tepër të lartë. Edhe pse nuk mbahej dot në këmbë, asnjëherë nuk kërkoi të fliste ulur dhe asnjëherë nuk u ankua. “E veçanta e atij njeriu ishte se, edhe pse në gjendje kritike, ai kishte një kthjelltësi mendimi dhe një aftësi të tillë sa që u përball në mënyrë të shkëlqyer me të gjithë dëshmitarët e rremë të cilët i sillnin për ta akuzuar”, thotë Gani Kodra. Në replikat dhe kundërvëniet e tij ndaj dëshmitarëve, ai ka mundur t’i thyejë të gjithë me fakte dhe me argumente. Ka pasur prej atyre dëshmitarëve që nga akuzues ndaj Kadri Hazbiut, janë kthyer në të akuzuar prej tij, saqë nuk kanë qenë në gjendje për ta çuar deri në fund dëshminë e rekomanduar nga hetuesit, por janë larguar të zverdhur dhe të tronditur. Gani Kodra ka mbetur i befasuar se, megjithëse mundi ta rëndonte qoftë dhe me një fjalë Kadri Hazbiun, ky i fundit kur mori fjalën për disa lloj replikash, çuditërisht e respektoi maksimalisht. Ai e pyeste për të saktësuar disa hollësi. Ganiu e ritheksoi se, në atë datë ata kishin qenë te “X” vend. Kadriu u përgjigj: “Unë nuk e mbaj mend, por nëse e thotë Ganiu nuk diskutohet që është shumë e saktë, sepse ai është shumë i ndershëm. Prandaj ka përfunduar këtu, në këtë bankë, sepse është i ndershëm.
neser do te lexoni
Skenarët që kishte organizuar Enver Hoxha ndaj Mehmet Shehut, ku zbatimi i të cilave u bë vetëm fejesa e të birit. Ajo ishte vetëm shkaku.
Pse Enver Hoxha nuk e arrestonte menjëherë Kadri Hazbiun. Situata e krijuar, deri sa u koncentrua ideja se pikërisht Kadriu do të ishte zëvendësi i Mehmetit
Çfarë roli kishte sektori sekret në Komitetin Qendror të PPSH-së në lidhje me arrestimet e bujshme. Nga kush i merrte udhëzimet për të vepruar
--
Krijoni Kontakt