Refaat Ansary dhe Nazek –Sadek, nëna 85-vjeçare e ambasadorit egjiptian, rrëfejnë lidhjen farefisnore me Naim, Sami dhe Abdyl Frashërin. Si janë rritur në një familje me tradita shqiptare në Kajro, ku ende qarkullojnë fraza të vjetra shqipe, receta gatimi alla shqiptare dhe një frymë solidariteti familjar si në Shqipëri

Ambasadori egjiptian në Tiranë, pinjoll i vëllerëzve Frashëri


Belina Budini


Fati ose providenca, deshi ta sillte në Shqipëri si ambasador. Po ai fat, që në 1914 i kishte thirrur të parët e tij në Egjipt. Ndoshta është edhe thirrje e gjakut, siç preferon ta quajë nëna e tij Nazek-Sadek, një 85-vjeçare me ¾ e origjinës së saj shqiptare, pinjolle e Frashërllinjve të Përmetit dhe kushërirë e vëllezërve Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri. Më saktë, nëna e saj, Adila Kapllan Frashëri, ka qenë kushërira direkte e vëllezërve Frashëri. Degëzimet shqiptare vijnë deri tek Refaat Ansary, ambasador i Republikës Arabe të Egjiptit në Shqipëri. Megjithëse i ngarkuar me një mision diplomatik në vendin tonë, ai ka nisur kërkimin e rrënjëve të tij shqiptare dhe thotë se së shpejti do të shkojë në Frashër të Përmetit, bashkë me nënën e tij, e cila ndodhet në Shqipëri që prej një muaji. I takuam në rezidencën egjiptiane në Tiranë, ku ndodhej një pjesë e familjes së ambasadorit. Një rezidencë me dekor egjiptian, por me atmosferë shumë shqiptare, ashtu si edhe shtëpia e tyre në Kajro, sipas ambasadorit.
Fraza të vjetra shqipe që zgjohen nga kujtesa e fjetur e nënës së ambasadorit, e bëjnë këtë të fundit shumë entuziast. Tek e fundit, ajo ka lindur në Egjipt dhe pavarësisht se nëna, motrat dhe vëllerëzit e saj kanë qenë shqiptarë (është e vetmja prej tyre që rron ende), shqipja është një gjuhë të cilën nuk e ka folur që së vogli. Atëherë ka dëgjuar së pari edhe për Naimin, Samiun e Abdylin. “Na tregonin se Naimi ishte poet, ndërsa për Samiun dhe Abdylin se ishin politikanë. Motrat e mia më të mëdha dhe nëna ime, dinin edhe poema të Naimit që i përdornin si shprehje. Por unë nuk i kujtoj. Na tregonin gjithnjë histori për Shqipërinë dhe di të gatuaj shumë gjellë shqiptare. Por nëna, Adila, u fliste shqip vetëm motrave të mia të mëdha, që kishin lindur në Shqipëri. Unë linda në Egjipt. Ishim 6 vajza dhe tre djem, një familje e vërtetë shqiptare, me tradita e zakone shqiptare, një pjesë të të cilëve i kemi ruajtur”, - rrëfen Nazeku, nëna e ambasadorit. Thotë se ka kaluar një kohë aq e gjatë, që nga shpërngulja e familjes së saj nga Shqipëria në Egjipt, sa edhe përfytyrimi i saj për Shqipërinë është vjetëruar, ashtu siç janë vjetëruar edhe shprehjet që ajo mban mend dhe që e shkrijnë gazit guzhinieren shqiptare të ambasadorit. Një pjesë e tyre janë shprehje banale të tabanit popullor. Ndërsa ambasadorin e entuziasmojnë shprehjet shqiptare, që kanë qarkulluar në familjen e tij dhe që nëna e tij i kujton ende si: “As për shesh, as për meidan”, “Kështu-kështu”, “Që sa polla, m’u tha zorra”, apo të shara të vjetra shqiptare si “sharabajkë” ose “kokë arnauti”.
Përveç folklorit, ambasadori tregon se me Shqipërinë e kanë mbajtur të lidhur gjithnjë, zakonet shqiptare dhe sidomos, solidariteti tipik shqiptar i familjes. “Tezet e mia (fjalën teze e mban mend në shqip), ishin shumë të afërta mes tyre dhe filluan t’u mësonin shqip pasardhësve të tyre. Por, pasi u martuan të gjitha me egjiptianë, burrat e tyre preferuan të mos flitej më shqip në familje, sepse kuptuan se në fis po krijohej një koloni e vërtetë shqiptare. Kështu, tezet kishin shansin të flisnin shqip, kur donin të mbanin ndonjë sekret nga burrat dhe fëmijët e tjerë, që nuk mësuan shqip”, - vazhdon rrëfimin e tij me një sens të theksuar humori, ambasadori. Ai tregon se në familje dëgjohej gjithnjë fjala e vëllait më të madh, i cili kishte të drejtën, madje ta ndëshkonte vëllain më të vogël dhe se ashtu si në Shqipëri, e gjithë familja duhej të drekonte ose të darkonte së bashku. Deri vonë, ai tregon se gratë mbanin dy shami të vendosur mbi njëra-tjetrën si në Shqipëri, por se dalëngadalë, veshja e tyre ndryshoi. “Tezet dhe mamaja ime e kishin gati një lloj sëmundje pastërtinë dhe rregullin në shtëpi, ku gjithçka duhej të shkëlqente dhe gatuanin gjellë shumë të mira shqiptare si lakrorin, imam bajalldinë e gjellëra të tjera me mish”, - thotë ambasadori, duke shtuar se ishte mësuar të hante vetëm nga duart e nënës së vet. “Madje na ka mbetur ende një zakon. Kështu, kur jemi në Kajro, mblidhemi të gjithë me familjet, fëmijët dhe nipërit tanë për drekë në shtëpinë e madhe të prindërve, në Kajro, si në Shqipëri. Ne, breznia e parë e lindur në Egjipt, u rritëm në mënyrë shqiptare dhe ishim të lidhur me njëri-tjetrin sa edhe tezet mes tyre”.
Tani, origjinën shqiptare të ambasadorit, e kanë mësuar shumë prej autoriteteve shqiptare dhe thotë se presidenti Moisiu e pyet gjithnjë, kur do ta shpjerë nënën e tij në Përmet. Ndërsa, Fatos Nano, kishte zënë ta thërriste “ambasadori Frashëri”. Nga ana tjetër, ambasadori Refaat Ansary, tregon se të afërmit e tij kanë tipare shqiptare, madje për njërin nga dajat e tij që quhej Shefik, ambasadori thotë se i ngjante jashtëzakonisht shumë presidentit Moisiu. Po kështu edhe nëna e tij, ngjan si shqiptare në tipare. Përveç mamasë, ajo edhe babain e ka patur gjysmë-shqiptar e gjysmë turk. Bëhet fjalë për Gafur Zenel Sadikun, i cili ka qenë gjykatës dhe kishte arsim francez. “Por gjyshi kishte edhe disa degë egjiptiane në origjinë dhe kjo mendohet të jetë arsyeja që e ka shtyrë atë të emigrojë në Egjipt, ku u vendos bashkë me gruan e tij, Adilën, në vitin 1914. Në fillim ata jetonin në Frashër të Përmetit, pastaj u shpërngulën në Stamboll dhe në fund në Egjipt”,- tregon për shtegtimin e të parëve të vet ambasadori. Së fundmi, një pinjoll të familjes e ka gjetur në Tiranë. Bëhet fjalë për Xhemal Frashërin, i cili është djali i një prej dy vëllerëzve të gjyshe Adilës, Eshrefit, dhe është shumë i thyer në moshë. Shumë e lumtur për këtë zbulim, është edhe mamaja e ambasadorit, e cila vjen për herë të parë në vendin e saj të origjinës, në kërkim të rrënjëve që shkojnë deri tek vëllezërit Frashëri, pasi Kapllan Frashëri, që ishte babai i gjyshes së ambasadorit egjiptian, njihet si vëllai i mamasë së vëllezërve Frashëri.


Kush është Refaat Ansary?

I lindur në vitin 1949, Rafaat Ansary ka nënshtetësi egjiptiane dhe një pjesë të origjinës së tij shqiptare. Thotë se ka nisur punën si diplomat në Ministrinë e Jashtme të Egjiptit në vitin 1973 dhe, ka punuar si diplomat në ambasadat egjiptiane në Londër, Tel Aviv, Vjenë, Budabest, Nigeri, ambasador në Eretria, ambasador në Kenia deri në 2003. Në periudhën nga 2003-2004, ka punuar si zv/ministër për çështjet afrikane dhe ekonomike në Egjipt dhe në tetor të 2004, ka ardhur në Shqipëri si ambasador. Tregon se ky emërim ishte një suprizë për të dhe vinte për shkak të njohjes që kishte për rajonin, por jo për shkak të origjinës së tij shqiptare, të cilën ministri i jashtëm egjiptian nuk e njihte. Ai është i martuar për të dytën herë në 2003, me një grua të bukur egjiptiane që quhet Nelly, pas divorcit me gruan e parë, me të cilën ishte martuar shumë herët, në moshën 23-vjeçare.

21/07/2005
KATEGORIA: Metropol.Shekulli.

PS. vertet ka alamet gruaje, te bukur dhe te re.