Gazeta “Indipendent” ka shpallur dhjetë qendrat, pasuri Botërore, që duhen vizituar nga turistët. Mes tyre dhe Butrinti
Butrinti, mes dhjetë mrekullive që s’duhet humbur
Shekulli
Edhe pse janë plot 788 qendra të shpallura si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, gazetarët e gazetës “Indipendent”, Claudia Pritchard dhe Mark Rowe kanë përzgjedhur dhjetë prej tyre, të cilat nuk duhen humbur në asnjë mënyrë nga vizitorët. Fatmirësisht mes këtyre dhjetë qendrave, të shpërndara në të gjithë botën gjendet edhe qyteti antik i Butrintit. Gazetarët ia rekomandojnë Butrintin lexuesve të gazetës së tyre dhe në veçanti të rubrikës “Travel”. Pas heqjes së Butrintit nga “lista e zezë” e qendrave në rrezik, futja e tij në listën e qendrave më interesante në të gjithë botën, është një tjetër lajm i gëzueshëm për turizmin shqiptar, i cili pritet që të shënojë një tjetër fazë zhvillimi.
Qendra detare e Liverpulit
Lumi i jashtëzakonshëm Mersey është lëngu jetësor i qytetit të Liverpulit dhe grykëderdhja e tij e gjerë ka qenë dëshmitare e ngjarjeve të mëdha historike, por edhe të turpshme. Liverpuli ka qenë qendra e tregtisë së skllevërve deri në vitin 1807 dhe “Merseyside Maritime Museum” e vërteton këtë me një seri ekspozimesh që të kujtojnë këtë biznes famëkeq. Por porti ka parë edhe heroizma të mëdha gjithashtu: anije tregtare dolën prej andej në Luftën e dytë Botërore dhe 9 milionë emigrantë nisën udhëtimin e tyre të guximshëm për një jetë të re. Bregdeti i Liverpulit dhe rrethi tregtar është quajtur Trashëgimi botërore për sfondin dhe domethënien historike dhe impaktin botëror në menaxhimin portual.
Vicenza dhe vilat veneciane
E gjithë fuqia prodhuese neoklasike e Andrea Palladios është nderuar në vitin 1994 dhe 1996. Qyteti i Viçensës është i mbështjellë nga një arkitekturë e veçantë, shquhet për stilin dinjitoz dhe për vilat veneciane, të ndërtuara me kërkesën e tregtarëve të etur për të treguar bollëkun dhe statusin e tyre nëpërmjet shtëpive në qytet, për të celebruar në të njëjtën kohë arritjet tregtare, por edhe për të kaluar kohën e lirë. Ndonëse çdonjëra prej vilave është e ndryshme, ato kanë disa karakteristika të përbashkëta si simetria e dukshme, respekti për përmasat klasike, etj. Disa nga ekzemplarët janë Villa Emo, Villa Chiericati dhe Almerico Capra, i cili imiton tempullin “Rotonda”.
Pallati i Muzikës katalane në barcelonë
Ky shpërthim i projektimit modern, kryevepra e Lluis Domenesh i Monstaner është një shprehje e famshme, një performancë artistike dhe një fjalor i pasur arkitekturor në fillim të shek. XX në Spanjë. Montaner ishte porositur nga një shoqatë lokale muzike për të krijuar një sallë koncertesh, ku të festonin 100-vjetorin vitin e ardhshëm. Rezultati ishte një shpërthim fantastik i stilit Tiffany, me xham, kolona, skulptura kuajsh që kërcenin tej mureve… Muzikantët mund të ankoheshin për akustikën jo fort të mirë, por jo për atmosferën e veçantë. Në sezonin e inaugurimit ai u drejtua nga Richard Strauss. Statusi i pasurisë botërore i është dhënë në vitin 1997.
Qendra Historike e Salzburgut
Ç’fat për dashamirësit e muzikës që pelegrinazhin e tyre në vendin e lindjes së Moxartit të jetë në zemrën e një xhevahiri të vërtetë arkitekturor, të realizuar nga Vincenzo Scamozzi. E gjithë lagjja e vjetër e Salzburgut është shpallur Trashëgimi Botërore në vitin 1996 dhe është nje shembull i mrekullueshëm i artit barok në përmasa bujare. Çdo rrugicë ruan një zbulim të mahnitshëm, kisha, lagje, ose shtëpi, gjithmonë të shoqëruara nga muzikë klasike e luajtur “live” nga talentet e rinj.
Katedralja Chartres
Një katedrale e shek. XII, një kryevepër e artit mesjetar, është një ndër të parat që ka hyrë në listën 788 pasurive botërore, në vitin 1979. Eshtë ndërtuar në vitin 1145, për të mbajtur një relike, tunikën e virgjëreshës Mari dhe është rindërtuar 26 vjet më vonë pas një zjarri katastrofal në vitin 1194. Ajo është një nga katedralet më të famshme për xhamat e pikturuar me skena fetare, por edhe laike. Ndonëse disa prej tyre japin mesazhe të forta, të tjerat i kushtohen jetës së përditshme. Tri dritaret ngjyrë trëndafili përfaqësojnë jetën e Virgjëreshës Mari, Gjykimin e fundit dhe Apokaplipsi dhe në to janë 5 mijë figura në xham dhe 4 mijë në gur, si dhe 200 statuja.
Qyteti antik i Butrintit në Shqipëri
Butrinti, qyteti antik në jug të Shqipërisë ka qenë një koloni greke e më pas një qytet romak. I harruar dhe i mbuluar nga gjelbërimi për 500 vjet me radhë, ai u rizbulua në fillim të shek. XX, kur nisën gërmimet arkeologjike. Qyteti i tanishëm arkeologjik gjendet në një “ishull” të pyllëzuar të rrethuar nga uji. Aty mund të gjesh gjurmë të të gjitha periudhave në të cilat ka kaluar qyteti, që prej mureve fortifikuese të shek. VI para Krishtit, një amfiteatër i shek. II para Krishtit, i cili mund të ketë mbajtur një audiencë prej 1500 vetësh dhe dy tempuj grekë. Akropoli qëndron në qendër të kodrës i rrethuar nga mure të ndërtuar me blloqe guri gjigantë. Butrinti ndodhet vetëm 10 km larg ishullit të Korfuzit.
Qendra e fosileve të gjitarëve në Australi
Të vendosura në veri dhe në jug të Australisë lindore, qendrat e fosileve të gjitarëve të Riversleigh-it dhe Naracoorte-s, të konservuara në gurë gëlqerorë, janë konsideruar nga UNESCO si një ndër dhjetë sitet më të mëdha të fosileve dhe një ilustrim i mrekullueshëm i evoluimit të faunës unike të Australisë. Seksioni i Riversleigh-it përfshin 10 mijë hektarë dhe ndodhet në Parkun Kombëtar të Boodjamullës në veriperëndim të Queensland-it. Aty gjenden fosile që datojnë 15-25 milionë vjet më parë. Seksioni i Naracoorte-s në jug të Australisë përfshin 600 ha, ku janë bërë një seri gërmimesh ku janë gjetur fosile kafshësh që datojnë deri në 400 mijë vjet. Mes fosileve prehistorike gjendet dhe një “djall tasmanian” gjigan, një kangur gjigant, një piton gjigant, një luan marsupial, etj.
Parku Kombëtar Tikal në Guatemalë
Një nga sitet më të mëdha të qytetërimit Maja, qyteti i rrënuar i Tikalit ndodhet në zemër të xhunglës në verilindje të Guatemalës, i rrethuar nga një bimësi e harlisur dhe shkëmbinj. I populluar prej shek. VI para Krishtit, Tikali u bë qendra e një kulture të zhvilluar artistike, shkencore, fetare e që u rrëzua në shek. IX. Në gjithë qytetin ka më shumë se 3 mijë ndërtesa, përfshirë kulla, piramida, rezidenca, ndërtesa kulti, të zbukuruara me hieroglife dhe varre. Qendra ceremoniale ka tempuj të mahnitshëm, pallate dhe lagje. Tashmë ky qytet është kthyer në shtëpinë e majmunëve dhe xhaguarëve.
Hekurudha Darjeeling Himalayan
Me të mund të bësh udhëtimin me tren, më romantik në botë. Hekurudha Darjeeling Himalayan ngjitet prej Bengalit perëndimor drejt New Siliguri, në stacionin malor të Darjeeling dhe ulet në 2100 m në kodrinën e Himalajës. Një taksi mund ta bëjë këtë shëtitje në tri orë, por një tren, i lyer bukur në blu, i bie vërdallë për nëntë orë dhe të duket sikur bën një udhëtim në qiell. Hekurudha u ndërtua në 1881, nga britanikët si një rrugë shpëtimi nga i nxehti indian. Eshtë vepër dramatike inxhinierike, me një gjerësi prej dy këmbësh. Gjatë kësaj rruge të gjatë mund të ndalosh nëpër zig-zake e mund të pish diçka para një pamjeje të mrekullueshme.
Tadrart Acacus, shpellat e pikturuara
Masivi i Tadrart Acacus në kufi me Algjerinë, është një vend me njëmijë shpella të pikturuara, që datojnë prej 12 mijë vitesh para Krishtit. Këto shpella janë një magnet për arkeologët dhe turistët, që kanë ndërmarrë një aventurë përmes Libisë. Pikturat reflektojnë ndryshimet e këtij rajoni gjatë 14 vjetëve të fundit, prej një peisazhi të harlisur, në shkretëtirën e sotshme. Në muret e këtyre shpellave kanë lënë gjurmët e tyre qytetërime nga më të ndryshmit, që tek gjuetarët e shpellave, tek bashkësitë e neolitit. Nëpër mure mund të dallosh të gdhendura kafshë të savanës, si elefantë, rinocerontë e xhirafa. Gjithashtu mund të gjesh dhe vizative religjoze, parakristiane, si dhe figura njerëzore, të vizatura me një stil të lartë.
18/07/2005
KATEGORIA: Kulture
Krijoni Kontakt