Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Kërcënime me armë në qëndrat e votimit në zgjedhjet e 1921

    Korrik 19, 2005



    HISTORIA/ Implikimi i qeverisë dhe parregullsitë në votime

    Kërcënime me armë në qëndrat e votimit në zgjedhjet e 1921

    Dashnor Kaloçi



    Po t'i referohemi historisë sonë të shkuar do të vëmë re se ashtu si zgjedhjet parlamentare që përfunduan para pak ditëve, edhe ato të mbajtura 85 vite të shkura në pranverën e vitit 1921, të cilat ishin dhe zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, u zhvilluan në mes rregullit dhe parregullsive, akuzave dhe kundërakuzave, qetësisë dhe zhurmës. Asgjë nuk ka ndryshuar. Kandidatë për deputetë që mbanin poste të larta në qeveri, ashtu si në zgjedhjet e 3 korrikut edhe në ato të vitit 1921, u akuzuan se po përdornin administratën vendore dhe forcat e xhandarmërisë për të fituar sa më shumë vota, dhe përgënjeshtrimet e tyre se ishin treguar korrektë në detyrë. Shprehja e vjetër "Historia përsëritet" më mirë se kudo ka gjetur vënd këtu në këtë pikë të së kaluarës dhe të tashmes sonë!?


    Xhandarët presione në votime

    Në fushatën elektorale për zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921 shpallën kandidaturat e tyre dhe një pjesë e funksionarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe si prefektë, nënprefektë, ministra etj. Edhe pse qeveria e Sulejman Delvinës u angazhua se funksionarët e lartë të saj, ushtria, xhandarmëria, e administrata do të qëndronin sa më larg zgjedhjeve dhe nuk do përziheshin fare në to, pati shumë abuzime. Në disa prefektura dhe nënprefektura të vëndit shumë funksionarë të administratës shtetërore dhe xhandarë e policë u implikuan në fushatën elektorale e procesin zgjedhor duke mbështetur kandidatët për deputet që mbanin poste të larta në qeveri. Lidhur me këtë në një prej editorialeve të saj të datës 19 shkurt 1921, gazeta "Koha" e Korçës në mes të tjerash shkruante: "Zgjedhje apo Emnime. Nuk po e di se fat i zi i Elbasanit asht a ç' asht? qi të përdoret influenca e Qeverisë këtu në Elbasan sot kur janë duke u bërë zgjedhjet e reja. Na duke pas këndue në ato qarkore të bukra pa ansin e Qeveris qi dotë munte në zgjedhjet qi pobahen, kujtoshin se do dërgoshin në këshillën kombëtare ata njerëz që janë më të zotët e punës, ata njerës që mund do t'i shërbein këtij vëndi sikurse e kërkon nevoja por për fat të keq dualëm të gënjer. Qeverija këtu në Elbasan si një parti e veçantë nuk asht duke pran (pushuar së foluri) për të nxjerrë si deputet kandidaturët e saj. Nën shumë gjëra të tjera që rrëfejnë trazimin e qeverisë në zgjedhjet qi janë duke u ba, munt të përmëndet edhe ky aktivitet që asht bamë sheshasi pa pasun nën mënd se rrijmë n' Evropë: Një farë Mustafa Bilishti nga Elbasani vete në nja katund (Bishqem) të Krrabës edhe si merr nga stacioni i gjindarmërisë së këtij katundi dy gjindarma (xhandarë) me vete, shëtit në disa katunde si në Pajun e Pajovë e tjer, duke këshilluar katundar e gjindarmë që ata të votojnë për atë e për këtë. E zgjedhmja e deputetëve asht një e drejtë e popullit në këtë punë dhe Qeveria konstitucionale qi asht, nuk ka të drejtë të trazohet aspak. Pra Qeverija qëndrore duke marrë parasysh randësinë e madhe që ka kjo punë e duke pas ndër mënd edhe rezultatet e damshëm të influencës së zhon Tyrkuet qi donin të bëshin monopoll parllamentin për intresin e tyre, duhet qi t'i ndajë këto paudhësina që janë duke ngjaj këtu e ndaj tër popullit të lir qi t'i zgjedh deputetët ma të zot e ma të mir se ndryshe në vënd të zgjedhjeve këtu n' Elbasan, puna po del me emnime".

    Zgjedhjet në Polis me armë

    Në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, krahas shumë Prefekturave ku u zhvilluan zgjedhje të qeta dhe pa probleme, pati edhe krahina të tjera ku ato u zhviulluan me parregullësi. Madje në disa qëndra votimi të fshatrave të thella pati edhe konflikte ku u vunë në përdorim armët. Një nga këto konflikte ndodhi në fshatin Polis të Prefekturës së Elbasanit, ku ndërmjet dy fisve të atij fshati gati sa nuk u shkaktua një gjakderdhje për shkakt të votimeve. Lidhur me këtë ngjarje në numrin e saj të datës 4 mars 1921, midis të tjerash gazeta "Shkumini" e Elbasanit shkruante: "Zgjedhjet në Polis. Më 20 të këtij muaji komisjoni qe dërgue prej këndej për me bamë votimet në krahinën e Shpatit, shkoi në katundin Polis që asht qëndra e parë e asaj krahine edhe thirri popullin që të mblidhet në xhami. Atë ditë me që koha kish kalue, votoi mëhalla e Zenun Cekanit. Në nesëret, Dik Muzhaqi me parinë e vet (mbështetësit e vet. Shënimi ynë) afro 100 shpirtrish erth e që të votoj. Mirpo myhtari i katundit (kryeplaku) Jonuz Zharri, nuk erth ma në xhami dhe çoi fjalë që të mos hudhnin vota asnjë nga ata që ishin mbledhë për me votua, se ndryshe do t'u binte me pushkë, edhe kërkoi që të digjeshin votat e partisë së Cekanit pa u këndue fare. Dik Muzhaqi me partinë e tij thosh, se dje votuan ata, e sot do votojmë ne. Si e pa komisjoni se do të bahesh gjakderdhje, vendosi me i djeg votat dhe iku për me i bamë votimin qëndrës së dytë. Shtojmë se dy fiset, Cekani dhe Muzhaqi, janë përgjakë shoq me shoq e ndodhen në hasmëri".


    Votimet në Elbasan u zhvilluan me bandë muzikore

    Shefqet Bej Vërlaci mori më shumë vota nga kandidatët

    Zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, u konsideruan si një eveniment i madh historik nga qeveria e asaj kohe e cila ndonëse bëri të gjitha përpjekjet që ato të zhvilloheshin sa më të qeta dhe pa probleme, nuk ja arriti qëllimit. Një nga qytetet ku ato zgjedhje u zhvilluan të rregullta dhe të qeta ishte Elbasani, ku autoritetet lokale të tij kishin marrë të gjitha masat e duhura për ta kthyer ditën e votimeve si në një ditë feste. Lidhur me këtë gazeta "Shkumini" e Elbasanit, midis të tjerash shkruante: "Votimi i deputatëve të Prefekturës s' Elbasanit. Më 21 të këtij muaji më 3 e ½ allaturka, filloi votimi i këtushëm në Hotel "Kosova". Në sallën e përgatitur ishin mbledhur: Këshilla e Katundaris, Këshilla Administrative, Trupi i Gjykatores, Inspektori i Zgjedhjevet, Rexhep Jella, zonjëzat e Kryqit të Kuq amerikan dhe drejtori i "Shkuminit" si përfaqësues i kësaj gazete. Policia e xhandarmëria kishin zan vënd përpara hotelit dhe kur vijshin zgjedhsat për me hyrë brenda, Drejtori i Policisë, z. Josif Skile dhe togerët z, Alush Kastrati dhe Sulejman Voshtina, i shikonin për armë. Votuesit e qytetit dhe ata të krahinës së Quksit, Mokër, Çermenikë, Gryk e Xaranikës, Shpat, Dumre e Krrab, bashkë me ta edhe banda muzikore e qytetit, qenë vendosë në kopsht të hotelit. Kur do të fillonte votimi, banda muzikore muer marshin e flamurit edhe kryetari i Komisjonit të votimit, z. Kasem Sejdini iu drejtue votuesave me këto fjalë patriotike: "Në mbledhjen e sotëme zotnia juej që jeni zgjedhës të dytë të qytetit edhe të krahinavet do të zgjidhen 8 deputatë të cilët për të parën herë në jetën politike të Shqipërisë do të marrin pjesë në Këshill e Kombit, n'atë këshill që me ligjet e saj do t'i siguroj lirimin, përparimin e drejtimin e bashkimit të Kombit". Pas fjalëve të kryetarit filloi votimi pas rendit alfabetik të krahinavet edhe vazhdoi me një rregull e qetësi të jashtëzakonëshme. Më 6 e ½ ora allaturka u hap arka e votave edhe u ban formalitetet që urdhnon kanuni, si erth edhe përfundimi i votimit të nënprefekturavet, Peqin e Gramsh, u shpall zyrtarisht lista e deputatëve të zgjedhun. Përfaqësuesit e krahinës së Quksit, me sjelljen e tyre fisnike ban një përshtypje të mirë në zëmër të popullit. Qeveria me tejshkrimet që ka dërgue njeni mbas tjatrit, nuk do të njohi të drejtën Prefekturës tonë me pas 8 deputetë edhe kërkon të ketë vetëm 7".

    Marrë nga gazeta e "Koha", 19/ 2/1921


    Gazeta Shqiptare.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Akuzat e shtypit: Qeveria e Vrionit manipuloi zgjedhjet

    HISTORIA/ Denoncimet ndaj ministrave që bënin presione

    Akuzat e shtypit: Qeveria e Vrionit manipuloi zgjedhjet

    Dashnor Kaloçi



    E gjithë fushata elektorale dhe votimet e zgjedhjeve të para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, u përfshinë nga një varg parregullsish e manipulimesh të shumta nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit që kishin vënë kandidaturat e tyre për deputet. Të gjitha ato parregullsi dhe presionet e ndryshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe që kryesohej prej Iljaz bej Vrionit, për të fituar votat me mënyra të paligjshme, gjetën një pasqyrim të madh në të gjithë shtypin e asaj kohe. Disa prej gazetave kryesore që dilnin në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë etj, u vunë në opozitë me qeverinë duke denoncuar presionet e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të saj. Pjesa më e madhe e këtyre shkrime të botuara 85 vite të shkuara, nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, problemet e të cilave ende nuk janë mbyllur.


    Qeveria presione në Durrës

    Një nga gazetat që denoncoi manipulimet e qeverisë në fushatën zgjedhore ishte dhe gazeta "Koha" e cila në një nga numrat e saj të shkurtit 1921, botonte një letër të ardhur nga një qytetar i Durrësit. Aty jepej një pasqyrë e plotë mbi implikimin e dhunën që po ushtronte qeveria e Iljaz Bej Vrionit ndaj popullsisë së asaj Prefekture në mënyrë që kandidatët e saj të fitonin zgjedhjet. Midis të tjerash aty thuhej se Prefektura dhe nënprefektura e Durrësit merrnin urdhër mbas urdhëri nga ana e Qeverisë së Iljaz Bej Vrionit që autoritetet e pushtetit lokal të mos përziheshin në zgjedhjet e Parlamentit, mirpo në të vërtetë situata ishte krejt ndryshe nga sa flitej dhe se gjithë ato urdhëra s' ishin gjë tjetër veçse sa për t'i hedhur hi syve popullit. Si shembull aty jepej rasti i Klubit të Durrësit i cili prej gjashtë javësh donte të mbante një konferencë ku do të instruktohej populli për pjesmarrjen e tij në zgjedhje dhe proceduart e votimeve, por ajo konferencë kishte dështuar pas ndërhyrjes së Qeverisë dhe Prefektit të Durrësit që u kishte bërë presione drejtuesëve të Klubit të hiqnin dorë nga ideja e tyre. Lidhur me këto presione të qeverisë së Vrionit, në gazetën "Koha" midis të tjerash thuhej: "Tashti ka nja pak dit që Kllubi i mblodh për me bisedue mi kandidatët për zgjedhjet e dyta të deputetëvet. Ay shënoi njerëz që u besonte ma të ndershëm dhe nisi propagandën e vet mas ligjës e zakonit qi mbretnojn në çdo vënd të lirë. Por mas dy ditësh një urdhër i Ministrisë P. Mbrendëshme detyron kryetarin e Kllubit, Dr. Nekinë me shku në Tiranë përpara Ministrit edhe me e qortu e friksue me e hjekun nga puna". Më tej në atë letër të botuar në gazetën "Koha" theksohej se ishte e turpëshme që kabineti i Iljaz Bej Vrionit merrej me të tilla presione, pasi ato mënyra veprimi në rradhë të parë do të dëmtonin vetë atë qeveri e cila që në fillim kishte premtuar se do të ishte shumë liberale. Duke ironizuar funksionarët e lartë të qeverisë që nuk po linin gurë pa lëvizur në mënyrë që të mbeteshin pësëri në pushtet, ajo gazetë shkruante: "Ah karrike t'u thefshin kambët sa e amël je".

    Denoncimet ndaj ministrit Xhafer Ypi

    Denoncimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë që ishin implikuar në fushatën elektorale dhe procesin zgjedhor në atë letër jepeshin me emra konkret, si p.sh. anëtari i Këshillit të Lartë të Shtetit, Xhaferr Bej Ypi, për të cilin thuhej se e kishin njohur si një burrë të ndershëm dhe patriot që i njihte mirë ligjet e qeverisë dhe të drejtësisë, por me sjelljen e tij në ato zgjedhje ai kishte treguar të kundërtën. Për veprimet e paligjshme të Ypit aty thuhej se a mund të ishte punë e ndershme për një ministër që të thërriste dhe t'ju bënte presione bashkëqytetarëve të tij vetëm pse ata nuk dëshironin t'ia jepnin votën atij. Në çfarë shkolle e në çfarë librash e kishte mësuar e lexuar Xhaferr Ypi atë veprim që kishte bërë dhe a mund të ndalohej një qytetar i thjeshtë që të çfaqte hapur mendimin e tij. Prej këtyre gjërave theksohej në atë letër punët në Shqipëri po shkonin gjithmonë së prapthi dhe të drejtat e lira që kishte populli për të shprehur mendimin e tij, shkeleshin në mënyrën më flagrante nga ana e qeverisë. Për ministrin Xhaferr Ypi, në atë letër thuhej se ai po influenconte me autoritetin e tij në mënyrë që në qytetin e Durrësit të zgjidheshin deputetë vetëm ata kandidatë që i shërbenin atij. Më poshtë në atë letër theksohej se me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, disa ministra të kabinetit të Iljaz Vrionit kishin filluar të bënin transferimet të disa funksionarëve të administratës vendore dhe shefave të policisë, duke i dërguar ata nëpër zonat ku ata kishin vënë kandidaturat për deputetë me qëllim që ata t'i ndihmonin për të fituar zgjedhjet. Si shembull për ketë gjë aty jepej Nënprefekti dhe Komisari i Policisë së Krujës të cilët ishin transferuar në Peqin dhe Starovë të Pogradecit. Në mbyllje të asaj letre të botuar në gazetën "Koha" thuhej se për të gjitha ato manipulime që po bëheshin nga ana e qeverisë, populli i Durrësit do të organizonte një manifestim proteste përpara selisë së qeverisë në Tiranë.

    Hil Mosi: Nuk kam marrë para

    Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 1921 nga kandidatë të ndryshëm për deputet pati dhe shumë akuza e kundërakuza ndaj njeri tjetrit për marrje rryshfetesh. Njëri prej tyre ishte dhe Hil Mosi (Ministër i Arsimit në vitet '30) që kishte vënë kandidaturën e tij në qytetin e Shkodrës, i cili akuzohej se kishte shitur për para interesat e zgjedhësve të zonës së tij. Pas këtyre akuzave ai u detyrua që të bënte një përgënjeshtrim në gazetën "Besa Shqyptare" të Shkodrës e cila drejtohej nga i famshmi Dom Ndoc Nikaj. Në shkrimin e tij të botuar në atë gazetë, midis të tjerash Hil Mosi shkruante: "Prej disa miqëve të mi lajmënohem se disa ndër kundërshtarët e mi, të cilët e kanë si halë në sy të dalunit t'em deputet, tuj mos pas se çka me trillue kundra meje, janë tuj thanë se njaj, i cilli jam ba me anën e kundërshtarit qi mos bahet Shkodra kryeqytet (!!!) Atë akuzë Hil Mosi e quante shpifje të poshtër që paraqiste nivelin e ulët të atyre njerëzve që e kishin kurdisur dhe atyre që e besonin atë gjë. Sipas tij ato akuza ishin në kundërshtim të plotë me propagandën që ai kishte bërë që në fillim të fushatës me kandidatin tjetër për deputet të Shkodrës, Xhemal Naipi, propagandë e cila bëri që në Tiranë të hapeshin fjalë se Shkodra u kishte dhënë atyre një shumë të madhe të hollash që ata të luftonin për të bërë Shkodrën kryeqytet të Shqipërisë. Në fund të letrës së tij, Hil Mosi shkruante: "Armiqt duhen ta dinë ma mir se në kohën e zgjedhjeve kur të gjith miqtë më këshillojshin me ardh në Shkodër me ba propagandë për zgjedhje, unë ndeja e po rri larg tuj ja lan t'lir fushën kundërshtarit edhe ma me lehtësi, për me prit vullnetin e popullit". Hil Mosi Tiranë 4 mars 1921.


    Ligji i zgjedhjeve: Çdo njeri që nuk gjen emrin, të ankohet

    Qeveria: Listat e zgjedhësve do rrinë për një javë të varura

    Krahas shumë udhëzimeve dhe qarkoreve që filloi të nxirrte qeveria e Iljaz Bej Vrionit për zhvillimin sa më normal të zgjedhjeve të para parlamentare, në fillimin e vitit 1921 ajo bëri publike në disa organe shtypi edhe ligjin e zgjedhjeve që ishte miratur më parë në qeveri. Në atë ligj të përbërë prej shumë pikash, midis të tjerash thuhej: "N.1. Këshillat Administratore të Katundarisë tue mbështjellun nënë Kryesinë e Kryekatundarit të Prefekturës, marrin dhe Nëpunësin të Shtetit Civil të vëndit tue rrëzuem burrat që janë dënuem. S'kanë të drejtë qytetnore ata që kanë dhanë falimento, të burgosurit e të çmendurit: nxjerrin masandaj nga regjistrat të Shtetit Civil burrat nënshtetas Shqiptarë 20 vjeç e lart. Çdo qytet ose katunt do të nxirret nëpër letra të veçanta dhe në këto qytete do të varen nëpër vënde të përgjithshme e të katundeve në qëndrat e Primavet. Këto do të rrinë një javë varun dhe çdo njeri që gabimisht nuk u asht shkruar emri i tij, ka të drejtë të ankohet dhe ankimi i tij duhet të vështrohet nga Këshillat e përbashkëta të lartpërmëndura në këtë afat e mbrenda. Zgjedhja e Deputetëve do të bahet me ndërmjetësien d.m.th. me votim të tërthueruem. (Souffrage indirect.) N. 6. Gjith ata burra qi kanë moshë 20 vjeç e përpjetë, paguejnë a s'paguejnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrëzgjedhje për zgjedhje të dytë. N.10. Në qendrat e Prefekturavet ose Nënprefekturavet kur gjykatësit janë të mbetë, do të lypen të tjerë prej Ministrisë së Drejtësisë e cila do të jetë e detyrueme me i dërgue. N.14 Ata që kundërshtojnë për të zgjedhunit e dytë do ta bajnë kundësrhtimin mbrenda në katër ditë. Këto kundërshtime shqyrtohen në dy ditë mbrenda të Katundarisë dhe i jepet vendimi i cili asht i prem. Në qoftë se në ndonjë krahinë do të shifen shkaqe për të bamë përsëri një zgjedhje të zgjedhësve të dytë, e këto shkaqe pranohen prej Këshillave, athere duhet që kjo zgjedhje e re, të mbarohet në krye të katër dit".

    Gazeta Shqiptare.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Shtypi i '30: Vrasësi Myslym Peza i shpëton rrethimt

    HISTORIA / Gazeta "ORA" një lumë akuzash për Babën

    Shtypi i '30: Vrasësi Myslym Peza i shpëton rrethimt

    Dashnor Kaloçi


    Një ndër ata bashkëpunëtorë të afërt të Enver Hoxhës që nga koha e luftës dhe më pas kur ai u ngarkua me funksionin e zv / Kryeministrit të Shqipërisë, të cilëve historiografia e regjimit komunist u detyrua që t'u bënte retushe të mëdha në biografinë e tyre, ka qenë dhe Myslym Peza. Gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në të gjitha tekstet e historisë zyrtare të saj, Babë Myslymi është paraqitur si një luftëtar i madh me të kaluar patriotike që nga koha e Zogut kur ai ishte në emigracion politik në Jugosllavi. Por ndryshe nga sa është thënë dhe folur për Babë Myslymin nga historiografia komuniste e para viteve '90, dokumentet dhe shtypi i kohës së Mbretërisë së Zogut flasin për të kundërtën. Ish-lufëtari dhe komandanti i legjendar i Çetës së Pezës, (një prej formacioneve të para antifashiste në të gjithë Europën Lindore) e cila u bë një nga bazat kryesore të luftës partizane, dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Enver Hoxhës, në shtypin e kohës së Zogut paraqitet me të tjera ngjyra. Madje duke u cilësuar si një kriminel dhe hajdut ordiner. Kjo gjë thuhet në një prej gazetave të pavarura të asaj kohe, të cilën po e botojmë më poshtë në këtë shkrim.


    Pse e vrau Lymi Osman Balin

    Myslym Peza u lind në vitin 1897 në fshatin Pezë të Tiranës dhe deri në vitin 1926 kur ai vrau Osman Balin, nuk ka qenë një njeri fare i panjohur. Ajo vrasje të cilën historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës e ka paraqitur për motive patriotike, (pasi Osman Bali ishte njeri i afërt i Esat pashë Toptanit) erdhi pas një ngatërrese që Lymi kishte me Osmanin për punën e një mëzi kali, të cilin njerzit e Lymit e kishin vjedhur në shtëpinë e tij. Pas kësaj ngatërrese Lymi vendosi që ta vriste Osman Balin dhe bashkë me shokun e tij të ngushtë, Lam Lekën, ai ndiqte të gjitha lëvizjet e tij nëpër Tiranë. Atë gjë ai e bëri realitet më 13 gusht 1926 duke e qëlluar disa herë me revolver mbi Osmanin teksa ai ishte duke shëtitur në afërsi të Pallatit të Zogut. Nga shumë dëshmitarë okularë të asaj kohe është thënë se kur ngriti dorën për të qëlluar ndaj Osmanit, Lymit i ngeci revolveri dhe miku i tij i ngushtë, Lami, nxorri revolverin e tij dhe e qëlloi disa herë mbi Balin duke e lënë atë të vdekur në vënd. Madje për këtë gjë është kënduar dhe një këngë ku midis të tjerash perifrazohen fjalët e Lymit pas vrasjes së Osmanit, ku ai shprehet: "Mos të qofsha falë moj dhjetshja e shkret / se mos qe Lam Leka / më shtine në dhet". Pas kësaj vrasje e cila bëri bujë të madhe jo vetëm në Tiranë por dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme ku Osmani kishte popullaritet të madh, Lymi dhe Lam Leka u larguan nga vëndi i ngjarjes duke u shpëtuar forcave të xhandarmërisë. Ndërsa ata endeshin pyjeve e fshatrave të Shqipërisë së Mesme, Gjykata e Tiranës i dënoi të dy me vdekje në mungesë. Pas kësaj Lymi me Lamin qëndruan për disa vjet të fshehur pyjeve dhe fshatrave të Tiranës, ku disa herë u shpëtuan forcave të xhandarëmrisë që vepronin për t'i kapur. Aventurat e Myslym Pezës me forcat e xhandarmërisë shpesh herë u bënë objekt shkrimesh edhe në kronikat e zeza të shtypit të asaj kohe.

    "ORA": Myslymi hajdut dhe kriminel

    Një nga ato gazeta që shkruante për ndjekjet që i bënte xhandarëmria Myslym Pezës, ishte dhe e përditshmja "ORA" e cila dilte në Tiranë dhe kishte si pronar e botues Kost Çekrezin. Në numrin e saj të 23 gushtit 1930, në tre titujt kryesorë që prezantonte në krye të faqes së parë me gërma të mëdha kapitale, njëri prej tyre (i dyti) i kushtohej Myslym Pezës. Aty shkruhet: "Gjindarmëria e Durrsit, Përpiqet me Katilin e Famshëm Myslym Prezën". Në atë kronikë shkruhet: "Durrës 21 gusht. Krimineli i famshëm që ka terrorizuar qarkun t'onë dhe të Shijakut prej 5-6 vjetësh, Myslym Preza dhe i dënuar me vdekje në mungesë, tek po shëtiste dje mbasdreke me shokuin e tij në një vënd afër Durrësit, u-takua me një patrullë xhandarmësh, të dërguar së këndejmi postafat për ta kapur, të lajmëruar më parë për ndodhjen e tij në at vënt. Krimineli, shoqërohej, përveç shokut Lam Lekës, dhe ky i dënuar me vdekje në mungesë, edhe prej Asllan Ramazanit prej Ndroqit që lonte rolin e udhëheqësit për ta lajmëruar atë kur të paraqitej rasti, prezencën e xhandarmëve që e ndiqnin prej një kohe të gjatë. Pikërisht ky ishte që vuri re më parë dhe patrullën e djeshme dhe pa humbur kohë lajmëroj me një shenjë të posaçme kriminelët që ndodheshin në majë të një bregu. Xhandarmaria që kishte dijeni dhe për kët udhëheqës, rrethoi menjeherë gjith vëndin rreth e për qark dhe njëkohësisht filloj të kapte udhëheqësin, i cili me të parë xhandarët filloi të ikte me nxitim. Në pushkët e para që shtiu mbi të patrulla, Asllan Ramazani ra i vdekur dhe nga ana tjetër xhandarët shtin të gjithë kujdesin e tyre për mbi kajpjen ose vrasjen e dy katilëve. Mirpo vëndi për t'u rrethuar ishte mjaft i gjerë, dhe megjithë kujdesin e patrullës dhe guximin e xhandarmëve, katilët mujtën të arratisen. Muslim Preza është një katil i tmerrshëm dhe ka filluar karrierën e hajdutllëkut, sidomos nga viti 1926, që vrau. D,m.th. Osman Balin me 13 gusht të atij viti dhe qysh atëhere fillon shoqërimin e tij me Lam Lekën. Për vrasjen e Osman Balit është dënuar me vdekje në mungesë prej Gjyqit të Tiranës. Gjindarmëria e ka ndjekur për herë dhe është përpjekur shumë herë me të, por s'ka mujtur me e shti në dorë. Bile në vitin 1927, ësht vrarë me një katundar prej fshatit Qela, që kishte vrapuar me ndihmue xhandarët".

    Kontrastet e karakterit të Babës

    Pasi u end për disa vjet pyjeve dhe fshatrave të Shqipërisë së Mesme, në fillimin e viteve '30, Lymi u arratis nga vëndi dhe u vendos në Ohër të Jugosllavisë. Atje ai u bashkua me një grup antizogistës, (azilantit politik) si Esat Dishnica, Haxhi Lleshi, Kajo Karafili, dhe një person tjetër i njohur si Ibrahimi i vogël, i cili kishte vrarë Hasan Prishtinën. Pasi qëndroi disa vjet në Ohër, Lymi dhe miqtë e tij u kthyen në Shqipëri pak kohë pas pushtimit të vëndit nga Italia fashiste. Pas ardhjes në Shqipëri, Lymi nxiti Kajo Karafilin që ai të vriste Neki bej Starovën, në shenjë hakmarrje ndaj implikimit të tij në vrasjen e Halit Lleshit, babait të Haxhiut, me të cilin Lymi kishte qëndruar bashkë në emigracion në Ohër. Pas gjithë këtyre ngjarjeve ai u kthye në Pezë duke qëndruar përsëri i fshehur dhe në kërkim nga ana e qeverisë shqiptare nën pushtimin italian, pasi kishte llogari të pambyllura me Drejtësinë. Qëndrimin e tij si kaçak malesh e shfrytëzuan krerët e Partisë Komuniste dhe Enver Hoxha të cilët e kthyen Pezën në një nga bazat kryesore të Luftës ku ata gjenin strehë dhe fshiheshin nga italianët. Nisur nga ky fakt, Babë Myslymi dhe Peza u bënë simbolet e asaj lufte duke mbajtur peshën kryesore të saj. Menjeherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si shpërblim, Enveri e bëri Myslymin zv / kryeministër të Shqipërisë me gradën gjeneral-leitnant, megjithëse ai ishte analfabet. Gjatë asaj kohe por edhe më vonë Myslym Peza ka ndihmuar shumë persona duke i shpëtuar ata nga burgu apo pushkatimi. Njëri prej tyre ka qenë ish-kryeministri Ibrahim Bej Biçaku të cilin Myslymi e mbrojti në Gjyqin Special në '45 duke thënë: "Kur ishte kryeministër i ka sjellë babës në Pezë dy kamionë me armë". Por shumë shpejt Enveri e liroi Lymin nga funksionet ekzekutive duke e lënë vetëm si zv / kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksion në të cilin Baba qëndroi deri sa vdiq në 1984, duke gëzuar të gjitha privilegjet njëlloj si të gjithë antarët e Byrosë Politike.


    Kostë Çekrezi u arratis nga Shqipëria në vitin 1935

    Botuesi i gazetës "Ora" u dënua me vdekje nga Mbreti Zog

    Kostë Çekrezi, botuesi dhe pronari i gazetës së përditëshme ORA që dilte në Tiranë, nuk ka pasur asgjë tendencioze në shkrimin e datës 23 gusht 1930, ku Myslym Peza akuzohej si hajdut e kriminel ordiner. Po kështu në ato akuza që ai ka bërë ndaj tij nuk ka qenë i shtyrë as nga qeveria e asaj kohe e cila e kishte dënuar Myslymin me vdekje dhe e kishte shpallur person në kërkim për vrasjen e Osman Balit. Kjo gjë vërtetohet edhe me faktin se rreth një vit pas atij shkrimi, vetë Kostë Çekrezi u arrestua nga qeveria e asaj kohe duke u akuzuar si pjesmarrës në Lëvizjen e Vlorës e cila kishte si qëllim përmbysjen e Monarkisë së Mbretit Zog. Ndonëse ishte një adhurues i flaktë i Fan Nolit, pas daljes nga burgu Kostë Çekrezi vazhdoi normalisht jetën e tij pa pasur probleme me qeverinë e Zogut. Por katër vjet më vonë në 1935, pas implikimit në Kryengritjen e Fierit, ai u detyrua të arratisej nga Shqipëria me anë të një varke me motor që ia sollën italianët në derdhjen e lumit Seman. Çekrezi ishte një ndër krerët kryesorë të asaj kryengritje e cila kishte si qëllim përmbysjen e Monarkisë së Zogut dhe nisur nga ky fakt, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria për t'i shpëtuar dënimit. Me përjashtim të Çekrezit dhe Musa Kranjes, të cilët italianët arritën që t'i tërhiqnin për në Itali, të gjithë organizatorët e tjerë të Kryengritjes së Fierit u arrestuan dhe dolën përpara gjyqit. Përveçse ishte një kundërshtar i Monarkisë së Zogut, Kostë Çekrezi ishte dhe një antikomunist i flaktë, gjë të cilën ai e shprehu në të gjithë veprimtarinë e tij në vitet e emigracionit në SHBA, ku botoi disa libra kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

    Gazeta Shqiptare.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Historiku i shkurtër i LDK-së, 1989-2004
    Nga Arb në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 20-07-2012, 08:58
  2. Zgjidhet kriza elektorale, arrihet marëveshja në zyrën e presidentit Moisiu
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 312
    Postimi i Fundit: 03-02-2007, 14:05
  3. Strategjia e opozitës në zgjedhjet lokale
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 08-08-2003, 11:12
  4. Zgjedhjet e fundit ne Bulqize
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 27-07-2002, 18:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •