nga i Nderuari Dorraine S. Snogren, me një hyrje nga Peshkopi Efrem
Hyrje
I nderuari Dorraine Snogren ka qenë një pastor "United Methodist" për më shumë se 30 vjet. Në vitet e fundit, ai ka filluar të ndjejë gjithmonë e më shumë se shumica e të Krishterëve sot, edhe pse mund të kenë një farë nderimi për historinë e Kishës, janë në fakt injorantë në lidhje me këtë trashëgimi. Kjo injorancë mund të shpjegohet në shkallë të gjerë nga vetë afrimi ndaj Krishtërimit që e vë theksin tek liria e individit për të dalë me besimet e veta, të prirura vetëm nga interpretimi i tij i Biblës. Mesazhi i Krishterë, i prerë nga trashëgimia e tij, po bëhet gjithmonë e më shumë arbitrar dhe i pafund.
Një Protestant Ungjillor që dëshiron që të bëjë një studim të historisë së Kishës duhet që të kapërcejë disa vështirësi. Ky artikull është një regjistër i një studimi të tillë, vështirësitë e hasura dhe konkluzionet që e prezantuan vetë veten. Artikulli u shkrua nga një prift Protestant si një ndihmë për të formuluar përfundimet e veta, që ti ndante edhe me anëtarët e komunitetit të tij.
Në kapitullin e dhjetë të Veprave të Apostujve, lexojmë rrëfimin në lidhje me Kornelius centaurionin, një romak që jetonte në mes romakëve në Qesari, qendra administrative e gjithë Judesë, i cili ishte "një njeri i devotshëm që jetonte me frikën e Perëndisë me gjithë familjen e tij, ndihmonte të vobektët dhe i lutej gjithmonë Perëndisë." (Veprat 10:2), që e kish zakon të agjeronte deri në orën e nëntë (v. 30). Nga këto rrëfime, ai është i denjë për t'u lavdëruar, siç na shkruan edhe Shën Pavli në Letrën e tij drejtuar Romanëve, "..lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut. Sepse te Perëndia nuk ka anësi." (Romanëve 2:10-11). Virtyti ka vlerën e tij kudo që ta gjesh. Megjithatë, këto virtyte nuk mjaftojnë, pa besimin në Krishtin dhe pranimin në Kishën e Tij. Para se të takonte Apostullin Petër, Korneliusi as nuk kish dijen e duhur në lidhje me Zotin, as nuk u mësonte të tjerëve të vërtetën. Por Zoti, duke parë zellin e tij në ato gjëra që dinte, dhe duke parë edhe sa me vullnet ai e përqafonte të vërtetën, bëri të mundur që ai të njihte Krishtin në një mënyrë të çuditshme. Pasi Korneliusi kishte agjeruar deri në orën e nëntë të ditës, dhe ishte duke u lutur, një Engjëll iu shfaq duke i shpallur se lutjet dhe ndihmat e tij për të vobektët ishin ngjitur lart para Vetë Perëndisë për një përkujtim, dhe e urdhëroi që të takonte Apostullin Petër, i cili do t'i rrëfente se çfarë duhet të bënte. Apostulli Petër ishte përgatitur për vete që të priste korrierët nga Korneliusi në një vegim dhe zë që i kish thënë, "Atë që e pastroi Perëndia, mos e quani njeri të zakonshëm", dhe ishte urdhëruar nga Perëndia që të shoqëronte korrierët e Korneliusit.
Në një mënyrë të tillë të jashtëzakonshme Apostulli Petër u takua me Korneliusin, dhe pasi dëgjuan Apostullin Petër, Korneliusi dhe ata që ishin së bashku me të besuan menjëherë dhe u pagëzuan. Shën Joan Gojarti, në komentin e këtij pasazhi, ka shkruajtur: "... Ai që nuk anashkaloi Maginë, as Ethiopianin, as hajdutin, as prostitutën, si mund të anashkalojë ata që bëjnë punë të drejta, dhe kanë vullnet." Drejtësia e Korneliusit nuk u anashkalua nga Perëndia; e përgatiti atë që të merrte Ungjillin dhe në këtë mënyrë t'i bashkohej Kishës, brenda së cilës gjendet përmbushja dhe shpërblimi i asaj drejtësie.
I Nderuari Dorraine Snogren me të drejtë shkruan, "... duke qenë se Perëndia me hirin dhe mëshirën e Tij na ka takuar këtu ku jemi duke e adaptuar Veten për t'iu përshtatur rethanave tona unike fetare dhe kulturore, në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë se Ai e ka braktisur planin e Tij origjinal." E vërteta gjendet në Kishe, dhe ata që duan ta kuptojnë të vërtetën duhet të mblidhen të gjithë rreth Kishës. Nëse Zoti e ndriçoi dhe shpëtoi Korneliusin në një mënyrë kaq të çuditshme, edhe pse ai ishte nga rradhët e paganëve, merreni me mend se sa më shumë do të bëjë Ai që të ndihmojë ata në rradhët e bashkësisë Protestante.
Sa të zellshëm duhet të tregohemi ne orthodhoksët, që kemi trashëgiminë e "besimit, që u qe trasmetuar shenjtorëve njëherë e përgjithmonë"(Jude 1:3), që na e sollën Apostujt dhe që u ruajt brenda Kishës deri në ditët tona si një Traditë e gjallë dhe e shenjtë. Dhe sa duhet të gëzohemi kur shohim se me sa zell të madh i Nderuari Dorraine Snogren e ka kërkuar të vërtetën, dhe e gjeti atë brenda Kishës Orthodhokse.
Para disa vjetësh, njëri prej katër djemve të Nderuarit Dorraine Snogren hyri në Manastirin e Shpërfytyrimit të Shenjtë ku u hirotonis edhe murg, duke marrë emrin Filaret. Që prej atëherë, tre vëllezërit e At Filaretit janë konvertuar në Orthodhoksi. Vëllai i tij i madh, Andrea, një ish prift Methodist, së bashku me gruan e tij Aleksandra dhe dy fëmijët e tyre, Krista dhe Hilari, jetojnë në Wentworth, New Hampshire, dhe janë anëtarë të Kishës së Fjetjes së Hyjëlindëses, në Concord, New Hampshire. Një vëlla tjetër, Joani, me gruan e tij Valeria dhe djalin Nikolla, jetojnë në Washington D.C., dhe janë anëtarë të Kishës së Shën Kozmait të Etolisë, në Riverdale, Maryland. Një vëlla i tretë, Konstandini, jeton në Brookline, Massachusetts, dhe ndjek shërbimet si tek Manastiri i Shpërfytyrimit edhe tek Kisha e Shën Anës, në Roslindale, ku merr pjesë në korrin e Kishës.
Që nga koha e së shkruarit të këtij artikulli, i Nderuari Dorraine Snogren ka dhënë dorëheqjen si prift i Kishës United Methodist, dhe së bashku me gruan e tij Ruth kanë lëvizur në Konkord, New Hampshire, ku kanë në plan të bëhen anëtarë të Kishës së Fjetjes së Hyjëlindëses atje.
+ + +
Krijoni Kontakt