Masazhet, luks apo nevojë? Masazhatorët Kujtim Haxholli dhe Anila Bylykbashi tregojnë se si po përpiqen të fusin kulturën e masazhit në Shqipëri, nëpërmjet aplikimit të masazheve profesionale jo vetëm për relaks, por për të larguar ato shqetësimet e vogla, të bezisshme, nga të cilat nuk na shpëtojnë dot ilaçet

Një masazh si kurë shëndeti


Belina Budini


TIRANË – Masazhatori është tanimë një person në listën e miqve të shumëkujt dhe jo rrallë, ndër të parët në repertorin e telefonave personalë. Por jo në Shqipëri, ku rolin e masazhatorit e bën ende një njeri i dashur, i afërt i familjes apo një mik i ngushtë. Të paktë janë ata që u besojnë duarve të huaja të një fizioterapisti dhe që shkojnë në qendrën e relaksit, si në qendrën më të afërt shëndetësore kur kanë probleme që mund të zgjidhen edhe vetëm me dy seanca masazhi. Deri vonë klientela e vetme e masazhatorëve të paktë shqiptarë kanë qenë diplomatët e huaj. Shijen e masazhit nisën ta provonin edhe punonjësit shqiptarë të ambasadave dhe dalëngadalë radhët e atyre që frekuentonin një qendër relaksi për të bërë masazh u shtuan. Një pjesë preferojnë masazhin në shtëpi (kryesisht personat publikë, sipas masazhatorëve), ndërsa ka lindur edhe një kategori e re klientësh, të varurit nga masazhet.
Por masazhi mbetet ende një shërbim i perceptuar si luks. Mungojnë jo vetëm klientët, por edhe njohësit dhe profesionistët e mirë të këtij profili të fizioterapisë, megjithëse në Institutin e Edukimit Fizik në Tiranë është çelur një degë e re specializimi për fizioterapi dhe masazh. “Problemi kryesor është se nuk ekziston kultura e masazhit në Shqipëri”, - shprehet Kujtim Haxholli, fizioterapist dhe instruktor joge në një qendër sporti dhe relaksi. Sipas tij, ka edhe nga ata që pak e njohin masazhin e megjithatë bëjnë shërbime të tilla, shpesh edhe të kushtueshme. “Më parë kanë hyrë çmimet, sesa cilësia”, - thotë duke shtuar se masazhi është një art delikat dhe kërkon profesionalizëm, përndryshe mund të bëhet edhe i dëmshëm. Thotë se ka ditë kur kryen edhe 10 masazhe dhe shpesh ndihet i lodhur. “Në Tiranë duhet të ketë më shumë masazhatorë, por edhe njerëzit duhet të kenë më tepër njohuri rreth masazhit, si një mënyrë për të lehtësuar e shpesh për të shpëtuar nga dhimbjet e problemet e ndryshme për të cilat nuk është e nevojshme të rendësh në spital”.

Kujtimi, masazhatori i “Kundalini”

Trajtimet kurative janë edhe më të preferuarat në Tiranë dhe sidomos masazhi ‘shiatsu”, që është një trajtim kurativ japonez, të cilin aziatikët duan ta përhapin në çdo familje si një domosdoshmëri. Kujtimi, 53 vjeç, preferon aplikimin e një teknike tjetër aziatike që quhet Kundalini, dhe që ë përmban teknikën ‘shiatsu’ dhe disa elementë teknikash të tjera. “Kundalini është një term i jogës dhe do të thotë energji shpirtërore. Ai funksionon si transmetim energjie, por nuk është një përrallë. Është një teknikë e kompletuar masazhi”, - tregon Kujtimi, ndërsa e aplikon atë në kurrizin e një punonjëseje të ambasadës gjermane në Tiranë. Thotë se teknikat aziatike i ka mësuar në Kinë, ku ka kryer studimet e larta për edukim fizik që në vitet ’70 dhe ku është rikthyer në 1999-ën për të mësuar jogën, të cilën e aplikon rregullisht për vete dhe për klientët e tij. Përveç këtyre teknikave aziatike, aplikon edhe të tjera, si masazhet sportive për të vënë në punë muskujt ose për personat që kanë probleme me muskulaturën, masazhet shplodhëse për sistemin nervor, ato kurativë, kur ka simptoma sëmundjesh ose dëmtime të kolonës vertebrale, por edhe masazhet zbukuruese për fytyrën ose për celulitin. Por edhe ato që vuajnë nga dhimbjet e kokës mund të shpëtojnë vetëm me masazhe, sipas Kujtimit, që thotë se pjesa më e madhe e atyre që vuajnë nga dhimbjet e kokës janë femrat (4,5 herë më shumë se meshkujt), ndërsa meshkujt vuajnë më shumë nga dhimbjet e mesit, të cilat gjithashtu mund të mënjanohen me anë të masazheve profesionale.

Anila, masazhatorja e “Shiatsu”

Nëse të masazhohen nga një mashkull nuk është gjithnjë e vetëpranueshme nga një femër në Tiranë, me një masazhatore femër mund të jetë më e lehtë. Anila Bylykbashi është vetëm 30 vjeç dhe në qendrën e vet estetike ka futur edhe masazhin, për të cilin thotë se është specializuar në Milano dhe shumica e klientëve të saj duket se janë femra. Teknika “shiatsu” është teknika e saj e preferuar dhe thotë se mund të aplikohet edhe kur klienti është i veshur me tuta, sepse konsiston në shtypjen e kyçeve. Ajo shpjegon se ky lloj masazhi është relaksues dhe ndihmon qarkullimin e gjakut. E aplikon kur klientët kanë dhimbje të kyçeve ose të mesit. Një tjetër masazh i preferuar prej saj, është masazhi i këmbëve, të cilat, sipas Anilës, janë harta të vërteta të trupit dhe mund ta përçojnë ndjesinë e shplodhjes dhe të relaksit në të gjithë trupin. “Shumë përçues është edhe masazhi i fytyrës që nuk kufizohet vetëm në zonën e kohës, por përhapet në të gjithë trupin, duke i dhënë shplodhje dhe shtendosje”, - shpjegon Anila, në këndin e masazheve të qendrës së saj estetike. Për ata që nuk kanë probleme, por duan thjesht masazhe shplodhëse, Anila sugjeron masazhe më të shpejta, gjysmë orëshe me krem, vaj ose pudër që kushtojnë nga 10 mijë lekë. Ndërsa masazhet që zgjasin një orë, përgjithësisht në Tiranë kushtojnë 30 mijë lekë të vjetra, çmim që, sipas masazhatorëve kryeqytetas, nuk është shumë i lartë, krahasuar me jashtë, ku një minutë masazh kushton 1 euro.
Dhe megjithëse kemi qenë një vend shumë pranë frymës orientale që njihet për artin e masazhit, në Shqipëri nuk ka një trashëgimi ose traditë të vërtetë për aplikimin e teknikave masazhuese orientale, të cilat tanimë kanë zbarkuar edhe në Perëndim, ku më parë qytetërimi judeo-kristian nuk e shihte me sy të mirë lënien e trupit në duart e një të huaji, si në vendet e Lindjes. Qendrat e relaksit janë shndërruar në tempuj të vërtetë në Perëndim, si një mjet për të larguar stresin dhe masazhi konsiderohet si një nga mjetet më efikase kundër stresit. Aq sa edhe nëpër qendrat e punës, në restorante apo kafene mund të gjesh masazhatorë dhe hapësira shik, ku mund të zbulosh kënaqësinë e një shiatsu japonez, të një masazhi indian apo taoist kinez. Në Shqipëri gama e masazheve nuk është aq e madhe dhe masazhet thjesht relaksues janë të kufizuara në fërkime të lehta. Të vogla, por edhe disi të ftohta, ambienteve të masazhit u mungojnë shpesh qirinjtë dhe atmosfera e vërtetë relaksuese. Edhe kjo, me sa duket, bën pjesë në mungesën e kulturës së masazhit te vetë masazhatorët ose neglizhohet prej tyre. Klientët më të rregullt duket se janë ata që kanë probleme të ndryshme si dhimbje gjymtyrësh ose trupi, apo probleme me nervin shiatik e qëndrimin e keq gjatë punës, një pjesë snobësh që kërkojnë masazh me agopunkturë edhe kur nuk kanë nevojë për të, edhe ata që duan të largojnë stresin me masazhe të lehta shplodhëse.

Shqetësimet që kanë nevojë për masazh profesional

Dhimbjet e kokës
Dhimbjet e krahëve
Dhimbjet e mesit
Një pjesë e atyre që kanë nerv shiatik
Në rast artritesh, artrozash
Dhimbje të bërrylit
Dhimbje të gjurit
Cervikalet ose dhimbjet e qafës

Çmimet
Nga 10-30 lekë/euro për seanca nga 30 minuta në 45 min ose 1 orë

14/07/2005
KATEGORIA: Metropol Shekulli.