Për verën, të lira vetëm vetëm vendet e klasit të parë. Presidenti
i "Alban Travel": Rritje kërkesash
Angli, krizë biletash për emigrantët
Mungojnë linjat direkte, spekullime me çmimet
Nga Londra, Muhamed Veliu
Mungesa e një linje direkte fluturimi Londër-Tiranë dhe anasjelltas
ka provokuar një krizë të thellë biletash, përfshi rritjen e çmimit
për emigrantët shqiptarë në Angli. Gazeta Shqiptare ka mësuar se
pothuajse të gjitha biletat për sezonin veror korrik-gusht, të
standardit ekonomik, janë shitur, ndërsa në tregun e agjencive të
fluturimit ka vetëm bileta me çmime të larta që i përkasin klasit të
lartë. Një situatë e tillë që po përsëritet për të dytin vit
radhazi, rrezikon të lërë pa pushime mijëra emigrantë, ku shumë prej
tyre, shumica familjarë, kërkojnë të shijojnë pushimet në atdhe pas
shumë vitesh, kjo si pasojë e mospasjes së dokumenteve të udhëtimit
në të shkuarën. Edhe pse fillimisht u fol se në fillim të muajit
korrik në shërbim të udhëtarëve do të vihej një linjë direkte nga
Londra për në Tiranë, një lajm i tillë është përgënjeshtruar nga
kompania angleze "British Airways". Kjo kompani as që e ka disktuar
vënien në dispozicion të një avioni të tillë.
Problemi
Një rritje e menjëhershme e kërkesës për të udhëtuar gjatë muajve të
verës nga Londra në Tiranë ka shkaktuar rritjen e çmimit të
biletave. Sikur mos të mjaftonte vetëm kjo, problemi është bërë më i
mprehtë pasi linjat ekszituse nuk kanë bërë shtimin e fluturimeve në
drejtim të Tiranës. E nëse gjatë muajve të tjerë të vitit një biletë
për të udhëtuar me këto linja për në Tiranë mund të blihej me 270
paund (1 paund këmbehet me afro 200 lekë), ditët e fundit si pasojë
e shtimit të kërkesave, një e tillë kap shifrën e 330 deri në 380
paund. Një panoramë aspak e këndshme në lidhje me biletat rezulton
se u ka ngrirë buzëqeshjen mijëra shqiptarëve, sidomos ka krijuar
pakënaqësi tek fëmijët e tyre, që prisnin pushime të këndshme në
Shqipëri. Por asnjë nga familjarët emigrantë nuk mund t'i paguajë
këto shuma, që me të drejtë mund të quhen si çmime në stratosferë,
pasi i bie që një familjeje me 4 persona, vetëm biletat t'i
kushtojnë 1 320 paund, pa llogaritur këtu shpenzimet e pushimeve.
Përveç mosrealizimit të dëshirës për pushime në atdhe, një krizë e
tillë biletash do të thotë një humbje e konsiderushme për ekonominë
shqiptare dhe turizmin vendës në veçanti. Pas një sërë artikujsh në
disa gazeta të Tiranës, ku raportohej rreth fillimit të fluturimeve
Londër-Tiranë më 1 korrik, rezulton se një lajm i tillë nuk është
aspak i vërtetë. Një zëdhënëse shtypi e kompanisë britanike "British
Airways", e ka mohuar kategorikisht një lajm të tillë. Ajo tha
se "British Airways" nuk do të fluturojë direkt për në Tiranë nga
Londra, por gjithmonë rishikohet mundësia për hapjen e linjave të
reja kur të shihet edhe ana ekonomike. "Por një linjë direkte që të
lidhë dy kryeqytetet do të bëhet vetëm atëherë kur edhe kompania
jonë mund të ketë përfitime ekonomike", ka pohuar i njëjti burim.
Nik Berisha, presidenti i së vetmes agjenci shqiptare fluturimesh në
Londër, "Alban Travel", shprehet i shqetësuar për situtën e krijuar,
pasi çdo ditë ai dhe stafi i tij marrin me qindra telefonata nga
emigrantët që duan të bëjnë pushimet në atdhe. "Vihet re një rritje
e jashtëzakonshme e kërkesave për bileta këto ditët e fundit, por
fatkeqësisht nuk jemi në gjendje të përmbushim kërkesat e klientëve
të shumtë" shprehet ai.
White_Angel
Krijoni Kontakt