Porter Goss ka ardhur me avion special në Tiranë mëngjesin e së premtes dhe ka qendruar vetëm pak orë

Kreu i CIA-s, Goss, vizitë të fshehtë në Shqipëri

Drejtuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror e kanë mbajtur të fshehtë vizitën e kreut të CIA-s amerikane


TIRANË- Kreu i CIA-s viziton në mënyrë të fshehtë Shqipërinë. Porter Goss, kreu i shërbimeve sekrete amerikane, ka qenë në vendin tonë paraditen e së premtes. Ai ka marrë pjesë në hapjen e ceremonisë, Konferencës së Drejtorëve të Shërbimeve Informative të vendeve të Europës Jug-Lindore që u zhvillua javën e kaluar në kryeqytet. Pas kësaj, ai ka kryer takime edhe me drejtuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pasdite ai është larguar nga Shqipëria për të kryer një tjetër vizitë të paparashikuar në Bosnje. Burimet zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror nuk kanë pohuar asgjë në lidhje me vizitën e kreut të CIA-s në Tiranë. Ato kanë preferuar që ta mbajnë të fshehtë këtë vizitë ndërkohë që burime nga konferenca kanë deklaruar dje se Porter Goss ka marrë pjesë në hapjen e saj.
Mëngjesin e së premtes, në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit është njoftuar mbërritja e një personaliteti shumë të veçantë. Nën masa tepër të rrepta sigurie, për të mbajtur larg të gjithë personat e padëshiruar, ka zbritur në pistën e Rinasit një avion Charter. Avioni në fjalë ishte i CIA-s amerikane dhe në të udhëtonte kreu i shërbimeve sekrete amerikane Porter Goss. Ai është pritur në Rinas nga krerët e SHISH-t dhe më pas në fshehtësi të plotë është drejtuar për në “Hotel Sheraton” ku zhvillohej edhe Konferenca e Drejtorëve të Shërbimeve Informative të vendeve të Europës Jug-Lindore. Ai ka hyrë në sallën e konferencës por nuk ka mbajtur asnjë fjalë hyrëse ose përshëndetëse në këtë takim ku diskutohej për problemet e krimit të organizuar në rajon. Pasi ka qendruar disa minuta në këtë konferencë, pranë delegacionit amerikan, ai është larguar prej saj. Burime jo zyrtare nga Shërbimi Informativ Shtetëror pohuan se ai ka zhvilluar edhe disa takime me krerët e SHISH-it. Ndërkaq burimet zyrtare të shërbimit kanë preferuar që ta mbajnë plotësisht të fshehtë vizitën e kreut të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Porter Goss. Madje ato nuk kanë publikuar asgjë edhe në lidhje me konferencën e zhvilluar në fund të javës së shkuar në kryeqytet. Gos është emruar në postin e kreut të CIA-s vetëm pak kohë më parë, më 21 prill të këtij viti. Pas vizitës në Tiranë, Porter Goss është drejtuar për në Sarajevë. Ai ka zhvilluar një vizitë të paparashikuar edhe në Bosnje ku ka qendruar vetëm pak orë. Mbërritja e tij në kryeqytetin boshnjak është zbuluar nga një gazetë vendase, e cila ka publikuar edhe foton e avionit nga i cili ka zbritur kreu i CIA-s. Goss ka zhvilluar një takim pune me kreun e shërbimeve sekrete të Bosnjes dhe Hercekovinës, Almir Dzuvo në ambientet e aeroportit. Pas kësaj ai ka lënë Bosnjen. Sipas gazetës boshnjake, “Dnevni Avaz”, avioni me të cilin kishte udhëtuar kreu i CIA-s vinte nga Shqipëria.

KONFERENCA
18 krerë shërbimesh, tre ditë në kryeqytet
TIRANË- Konferenca e Drejtorëve të Shërbimeve Informative të vendeve të Europës Juglindore është zhvilluar në kryeqytet nga data 24 qershor deri ditën e djeshme. Pasditen e djeshme kjo konferencë ka përfunduar. Në konferencë kanë marrë pjesë krerët e shërbimeve informative të të gjitha vendeve të Europës Juglindore. Ndërkohë në të ka pasur edhe përfaqësues të vendeve të tjera si Belgjika. Në total numri i vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë ishte 18. Tema kryesore e konferencës së përvitshme ishte krimi i organizuar. Krerët e shërbimeve informative të Europës Juglindore kanë diskutuar për tre ditë në Tiranë për problemet e krimit të organizuar, drogës dhe prostitucionit. Duke qenë se këto fenomene janë ende shqetësuese për rajonin tonë, krerët e shërbimeve informative kanë studiuar strategjitë e reja në luftën kundër tyre. Në konferencë është diskutuar edhe për problemet e terrorizmit. Kjo konferencë është përshëndetur edhe nga kreu i qeverisë shqiptare, Fatos Nano. Fjala e Nanos ka qenë edhe i vetmi informacion zyrtar që ka dalë nga kjo konferencë pasi pjesa tjetër është mbajtur e fshehtë.