Berisha, më i preferuar si kryeministër



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rezulton të jetë më i votuari si kryeministër nga të anketuarit kundrejt kandidaturave të tjera, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama, Bamir Topi, Leka Zogu dhe Dashamir Shehi. Nga 397 e të anketuarve, 129 ose 32% janë përgjigjur se do të votonin për liderin e opozitës, Berisha, si kryeministër i ardhshëm i vendit. Ndërsa për kryeministrin aktual, Fatos Nano, vetëm 92 e të anketurave do të preferonin që ta kishin sërish kryeministër. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, radhitet i treti nga të anketuarit si kryeministri i ardhshëm i vendit. 57 anketues janë shprehur pozitivisht përgjigjes për të qenë Meta kryeministër i ardhshëm i vendit. Më pas radhitet kryetari i bashkisë, Edi Rama. Edhe ky i fundit ka marrë jo pak, por 34 vota, nga 397 qytetarët e pyetur të Tiranës, për të drejtuar ekzekutivin për katër vitet e ardhshme. Pretendenti për Fronin Mbretëror, Leka I Zogu, i cili ka deklaruar se do të ndjekë politikën e të atit, është parë si drejtuesi i ardhshëm i qeverisë vetëm për 14 qytetarë, ose 4% e tyre. Me 7 vota ose 2% është parë në pozicionin e kryeministrit nënkryetari aktual i Partisë Demokratike, Bamir Topi. Ndërsa Dashamir Shehi, shefi ekzekutiv i LZHK-së, ka marrë 5 vota. 19 anketues nuk kanë preferuar asnjë prej emrave të përfshirë në anketë si kryeministër i ardhshëm i vendit. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm, 10% e tyre, nuk kanë asnjë ide se cilin do të preferonin si kryeministrin e ardhshëm të vendit.