Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926

    Dyqanet ushqimore, 10% e xhiros me listë, 25% e popullsisë në varfëri

    INVESTIGIMI/ Gazeta zbulon shifrën në dyqanet në periferi të kryeqytetit


    Dyqanet ushqimore, 10 % e xhiros me lista borxhesh


    25% e popullsisë në varfëri




    Mjafton të kalosh unazën e Tiranës për të zbuluar se edhe në kryeqytet ashtu si në të gjithë pjesën tjetër të vendit, të ushqehesh duke shënuar emrin në lista borxhesh nuk është tabu. Duke u përpjekur të zbulojë se në çfarë shifrash ka arritur ky fenomen, Gazeta organizoi ditët e fundit një investigim në disa prej dyqaneve ushqimore në zonën e Kinostudios dhe atë të Laprakës. Mbi bazën e të dhënave të siguruara nëpërmjet këtij investigimi në periferitë e Tiranës, zbulohet se përafërsisht rreth 10 për qind e xhiros ditore të këtyre dyqaneve nuk paguhet drejtpërdrejt, por shënohet në lista. Mbi bazën e këtyre shhifrave, numri i klientëve që përdorin listat në dyqane është i përafërt me numrin e popullsisë që sipas INSTAT jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë.
    LAJMI
    Në çdo dyqan ushqimor, në skutat më të thella të lagjeve, por edhe në rrugën kryesore të zonës, shitësit janë të detyruar të mbajnë një fletore të vjetër ku rendisin të gjithë ata që paguajnë vetëm në fillim të muajit apo edhe më keq… "kur të sigurojnë ndonjë euro nga fëmijët emigrantë". Më shumë se 10 për qind e xhiros në dyqanet e periferive të Tiranës paguhet vetëm me lista. Të varfrit e paguajnë bukën me emrin e tyre. Mjafton të kalosh Unazën e kryeqytetit për të zbuluar këtë fenomen. Shitësit e bukës, të ushqimeve e perimeve çuditen madje nëse i pyet a ekzistojnë "klientët e listave". Sipas tyre më e pranueshme do të qe një pyetje e drejtpërdrejtë, sa janë të tillë dhe sa e kur i shlyejnë borxhet. Pasi fletorja e veresijeve është në të gjitha dyqanet, në sirtar përbri lekëve të grumbulluar gjatë ditës. Gazeta prej disa ditësh e investigoi këtë çështje duke u interesuar në dyqane nëpër zona të ndryshme të Tiranës. Pothuaj në të gjitha periferitë është e njohur kjo hua e vjetër, duke lënë peng emrin. Diku më shumë e diku më pak në raport me lekët e grumbulluara, në varësi të bujarisë së shitësit. Në investigimin e saj, Gazeta ka pyetur pesë shitës të ndryshëm në dy zona periferike për të zbuluar më shumë mbi "popullin e listave".

    Dëshmitë në Kinostudio

    ( Kandidat per deputet i PS: Shpetim Idrizi shef i doganave te Shqiperise dhe pagues gjate udhetimeve te Fatos Nanos ne udhetimet turistike.
    Shenim i Antimafias)

    Rreth 60 mijë lekë të reja është totali i borxheve në dyqanin e Hamdi Kaçit, një dyqanxhi ushqimesh e perimesh në rrugën "Aleksandër Moisiu" pranë ish-Kinostudios. Shitësi i vjetër e njeh mirë këtë zonë të varfër, ku ai ia del biznesit duke shtrënguar dorën e duke e rezervuar huanë vetëm për ata më të këputurit. "S'kam ç'bëj, ndryshe falimentoj dhe unë. Vijnë të marrin me lista, janë shumë, s'u jap dot të gjithëve. Vetëm sot shënova 1 mijë lekë të reja dhe të mendosh se është vetëm paradite…". E shoqja, Afërdita që shet bashkë me të, ka llogaritur se në përgjithësi ajo çfarë jepet veresije kap 7 apo 8 për qind të xhiros ditore në ditët më të mira, ndërsa zakonisht mbetet 10 për qind. Mesa duket Hamdiu duket se është më strikt ndaj listave se kolegët e tij. 20 hapa më tej, në të njëjtën zonë, është dyqani i Majlinda Zinës, ku lista, medet, është aq e gjatë sa ajo ngushëllohet ta mendojë se është akumuluar prej dy vjetësh. Dhe ky borxh i madh nuk i ka rënduar njëherësh dyqanit të saj të vogël. Fletorja që ka mbushur me emra ajo vlen 700 mijë lekë të reja dhe, siç shpjegon, është një listë që zgjatet më shumë për së gjeri se për së gjati. Shtohen emra të rinj, por bri tyre shifrat e borxheve ndjekin njëra-tjetrën ditë pas dite. "Kumja… 2.700, 7.500, 4.800…..Hidja…3.200, 5.400…" e kështu me radhë, shitësja mbyll fletoren dhe e justifikon kapakun e saj të vjetër, të djegur me bishta cigaresh, të pistë "s'është dhe aq e vjetër, po kështu bëhet po ta hapësh 700 herë në ditë", shfryn Majlinda, duke u rrekur të gjejë një buzëqeshje për klientin që duket në prag dhe që s'është nga të shumtit e listës. "Ka ditë shumë të vështira dhe kur e shoh veten pisk, sidomos pasi kam derdhur ndonjë këst 600 mijë lekësh te tatimet, i kthej të gjithë. Iu them s'kam më t'u jap pa lekë. Po pastaj më vjen shumë keq, është buka e gojës". Zakonisht paguhet 10-12 për qind e xhiros ditore me lista, por falë zemërgjerësisë së saj, ka ditë që kjo shifër kalon edhe më tej.
    Shitësit në Laprakë
    Në periferinë tjetër të Tiranës, në zonën e Laprakës fenomeni është gjithashtu aq familjar, sa një shitëse e re pranë Spitalit Ushtarak, Mira Lame, të ndihmon të gjesh dhe dyqanet e vjetër të zonës, ku kalvari i borxheve i kalon të 5 vjetët. "Te unë lista s'është aq e gjatë, sapo kemi filluar. Prandaj edhe klientëve u lëshojmë pak më tepër pe. Japim deri 1 mijë lekë të reja në ditë me lista, ndërkohë që xhiro ditore shkon te 10 mijë lekëshi. Po mund të shkoni në dyqanin e Dritës, atje përtej. Ajo ka ç't'ju tregojë….". Por shitëses tjetër, e cila nuk pranon të tregojë mbiemrin, nuk i duket aq interesante të komentojë borxhet e klientëve të saj, që tashmë janë kthyer në rutinën e së përditshmes. Aq sa ajo i ka diferencuar ata që marrin gjithnjë me lekë dhe ata që vijnë duarbosh e i thonë pasi kanë zënë duart me qese me qepë, domate e tranguj: shënoji… "Nuk mund të them se kur kanë qenë më shumë, janë shtuar, janë pakësuar e të tjera si këto. Ka pasur gjithmonë. Madje unë duhet të ndihem e kënaqur që të paktën, gjatë netëve të festës së Vitit të Ri s'u mor veresije". Ndërkohë, shitësja Hide Mokra, dyqani i së cilës ndodhet disa rrugica më larg po në zonën e Laprakës, tregon se ka ditë që shkruan edhe 4.500 lekë të reja në lista. "Unë nuk di të bëj llogari me përqindje siç doni ju, por zakonisht bëj 10 mijë-14 mijë lekë të reja xhiro në ditë. Varet kur janë ditët e rrogave", thotë Hidja, e cila nxiton të shënojë një tjetër klient në listë.

    Shifra e lartë sepse llogariten dhe fshatarët, që marrin pensione minimale
    INSTAT: 25% e popullsisë në varfëri
    Jetojnë me 5 mijë lekë të reja për frymë
    Klientët e listave janë përafërsisht ata shqiptarë që jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë. Sipas një raporti të fundit të INSTAT, Institutit të Statistikave, më shumë se çereku i shqiptarëve jeton nën linjën zyrtare të varfërisë. E thënë shkoqur janë rreth 780 mijë persona që jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të reja në muaj për frymë, ndërkohë kur minimumi i pashpallur jetik vërtitet te 100 dollarëshi. INSTAT veçon brenda kësaj kategorie një tjetër më ekstreme, të ardhurat mujore të të cilëve janë diçka më shumë se 3 mijë lekëshi. Të tillë klasifikohen 5 për qind e shqiptarëve, ose rreth 150 mijë persona. Këta shqiptarë të varfër janë kryesisht të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, numri i të cilave sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror kapin shifrën 120 mijë. Duke iu referuar hartës së varfërisë ekonomike të SHSSH-së, Malësia e Mbishkodrës, pjesa më e madhe e qarkut të Kukësit e Dibrës, disa zona të Lezhës, Elbasanit, Korçës, ku qyteti i Pogradecit paraqitet ekstremisht i varfër, Beratit e Tiranës janë zonat e stacionuara nën nivelin zyrtar të varfërisë. Duke iu referuar kësaj harte, problemet sheshohen drejt perëndimit të vendit. Qytetet e pasura shtrihen përgjatë bregdetit dhe sidomos drejt jugut të vendit, Fieri, Vlora, Saranda. Por ndërkaq ka dhe një shpjegim tjetër për numrin relativizht të madh të shqiptarëve të deklaruar me pak të ardhura. Ka një popullsi të konsiderueshme që jeton në zonat rurale, pensionet e së cilës janë rreth 3 mijë lekë dhe të ardhura të tjera sigurohen privatisht nga bujqësia e blegtoria e tyre.








    -------------------------------------------------------------------------------------------------------


    --------------------------------------------------------------------------------------------------------





    Dëshmia e njërës prej klienteve të ushqimoreve me fletore: Po më mbarojnë dyqanet që më pranojnë

    "Si e mbajmë frymën me borxhin e listave"
    Rrëfimi i Lumes: Me pensionet s'ushqejmë dot 6 fëmijë


    Odeta Halili

    Pak para mesdite i takoi dhe dje ajo që për Lume Mënikun është kthyer në ankthin e madh të ditës. Katërqind metra rrugë deri në dyqanin që ende s'ia ka mbyllur dyert dhe vazhdon ta ushqejë, megjithëse me rreth 300 mijë lekë të vjetra të papaguara. Për të do të thotë 400 metra për të cilat s'do donte të mbaronin asnjëherë, pasi gjithnjë më pak gjen forca për të hyrë sërish në dyqan si përditë, pa lekë, me fjalë, buzëqeshje të stisura e urata për shitësen që s'ia kursen bukën e qumështin… Borxhet i janë grumbulluar në pak kohë, pasi ajo është vetë i teti për t'u ushqyer dhe shpenzimet e një dite nuk janë pak. "Po, unë të thashë që shënoji ato që mora, dy kile domate, gjysëm kile djathë e kastraveca", thotë me një frymë ajo sapo duket në derë të dyqanit, duke menduar se shitësja e thirri për këtë arsye, t'i kujtojë se mori diçka dhe harroi t'ia faturonte listës. Lumja është një nga ato që bëjnë pjesë në 10 për qindëshin e lekëve në fletore, që s'mban mend qysh se ka fjetur një natë pa menduar për borxhet e deritanishme dhe të rejat që do shtohen nesër, pasnesër… Eshtë 55 vjeç, pensioniste bashkë me të shoqin, pensionist. Kanë 6 fëmijë, 5 djem dhe një vajzë. Të ardhurat e sigurta janë vetëm pensionet e tyre, 7.600 lekë secili, nga duhet të zbriten faturat e përmuajshme të ujit e të dritave. "Djemtë s'janë bërë ndonjëherë dy në punë, sapo nis njëri, pushohet tjetri, tani janë në shtëpi që të gjithë", rrëfen pensionistja. Jetojnë tetë vetë në dy dhoma, po ajo s'mërzitet shumë për hapësirën jonormale që i takon secilit dhe për vapën e netëve të verës kur iu duhet të flenë dyshe e treshe. "Si t'ia bëj në tre vaktet e bukës? Po më mirë mos fol me mua, më shih emrin te fletorja e Majlindës. Më vjen turp t'i dal përpara, po ju s'e keni provuar ndonjëherë të ndjesh barkun bosh, s'e dini këtë ndjesi që të bën të hash bukë me turp. Më afër shtëpisë kam dhe 3 dyqane të tjera, po ato s'më pranojnë më. E kam emrin te të gjithë. Dhe ajo që mund të bëj është vetëm të pakësoj borxhet, po ato shtohen përditë shumë më tepër nga ç'kam fuqi të paguaj unë me dy pensione". Dhe i ka mbetur vetëm një derë, ku ende mund të trokasë për të siguruar bukën e ditëve të ardhme. Bukë, qumësht, zarzavate. E ka harruar shijen e mishit dhe të frutave. Trembet të mendojë se edhe kjo derë që i mbush këtë shportë të varfër do t'i mbyllet dikur. "Kjo është bërë të ikë 3 orë larg që këtu, thotë për shitësen. Nuk e di si ia del me ne të gjithë". Siç tregon, më parë ka punuar rrobaqepëse, ndërsa i shoqi ka qenë kuzhinier. Po ato ditë i duken aq të largëta dhe të përzëna nga monotonia e gjatë ditëve pa punë e bukë. Nuk mendon se premtimet e mëdha që kanë pushtuar televizionet e posterat e kandidatëve që sheh përditë do të ndihen në shtëpinë e tyre të varfër. "Ç'bëjnë këta? Asgjë. Vetëm të bërtasin gjithë ditën e ditës"…
    Fate Dushi është një tjetër nga "ata të listës". Po të ardhurat e saj të vetme janë ç'i siguron djali i vogël duke… lypur. Ka shtatë fëmijë, i shoqi i ka vdekur. "Dhe me ç'sy e faqe vij këtu të shënoj emrin në listë, vetëm unë e di. Pasi s'di në kam për t'i larë ndonjëherë ato që janë shënuar në emrin tim", rrëfen nëna e 7 fëmijëve, që përcjell çdo mëngjes të voglin në rrugët e Tiranës. Gratë e varfra shfryjnë duke treguar për hallet e tyre dhe mundimet e përditshme, por kanë pak besim gjërat mund të zgjidhen po të ngrenë zërin. E ndjejnë dhjetëfish peshën e qeseve të papaguara, që mbushen çdo ditë veresije. Përtypin ngadalë mjerimin pa shpresuar se një ditë do të gdhihen pa borxhe, pa qenë nevoja t'u fshihen shitësve, ku kanë lënë peng emrat…

    Ushqime falas deri në 3 korrik
    Fushata, kandidatët po paguajnë listat e votuesve
    Me bukë, qumësht, qepë e domate. Kaq blihen votat në periferitë e kryeqytetit. Emrat në listat e veresijeve janë shuar në sajë të bujarisë së kandidatëve për deputetë të ardhshëm. Këta të fundit kanë paguar borxhet e dyqaneve, duke fituar dy palë mbështetës: të varfërit që s'kanë para të sigurojnë as bukën e tri vakteve dhe shitësit e ushqimoreve që s'kanë shpresuar se do ta fshijnë nga defterët karvanin e gjatë të klientëve, të cilët e kanë paguar deri më sot bukën me emrin e tyre. 60 mijë i kushtoi kandidatit të zonës lista e njërit prej shitësve që intervistuam. "Po ne nuk kishim shumë, thotë shitësi, duke u munduar të tregojë me keqardhje kolegen përbri, e cila nuk mundi të përfitojë asgjë nga xhepi i kandidatit. "Ata erdhën dhe te unë, thotë shitësja, po unë s'i kisha mbledhur të gjitha borxhet. Iu thashë një shifër të përafërt dhe ata ma kthyen se 'do vijmë nesër'. Po s'u dukën më në dyqanin tim". Fletorja që ka mbushur ajo vlen 300 mijë lekë të reja dhe s'ka gjasa të shlyhet për efekte votash. Për të mos mbetur vetëm te listat e veresijeve, gjatë fushatës janë dëgjuar shpesh bujari të tilla, thasë mielli që iu ndahen familjeve të varfra dhe që llogariten t'i mbajnë me bukë këto familje deri për zgjedhje.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ChuChu
    Anëtarësuar
    03-06-2002
    Vendndodhja
    nyc
    Postime
    3,400
    Sa keq mos kesh kushtet minimale ?

    Viti 2005 ... neper bote ka probleme te tjera ne shqiperi akoma ekziston problemi themelor " Listat e ushqimeve " ...... shume keq !!

Tema të Ngjashme

  1. Rreth Përhapjes Së Islamit Ndër Shqiptarët
    Nga cobra në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 20-09-2012, 14:47
  2. Çamëria
    Nga artur në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 137
    Postimi i Fundit: 21-04-2010, 17:31
  3. Tetova - Informacione të përgjithshme
    Nga Davius në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 01-10-2007, 15:16
  4. Nga Iliret deri tek Shqiptaret!
    Nga tani_26 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 06-03-2007, 21:53
  5. Genocidi Dhe Masakrimi I Popullit Shqiptar Nga Helenasit
    Nga Sabriu në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-05-2006, 07:32

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •