Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë vetëm pak javë larg dhe retorika e temperatura politike në vend është rritur ndjeshëm. Kjo duket në faqet e shtypit shqiptar, në aktivitetet elektorale të subjekteve politike edhe në debatet dhe diskutimet që vetë shqiptarët bëjnë si brenda edhe jashtë Shqipërisë. Pyetja që unë kam dëgjuar të bëhet më shpesh është: Kush do t'i fitojë zgjedhjet? Secili mundohet t'i japi një përgjigje kësaj pyetjeje në mënyrën e vetë, por nga të gjitha përgjigjet që unë kam lexuar deri më sot në faqet e shtypit apo në diskutime të ndryshme, ende nuk kam lexuar apo dëgjuar një përgjigje të pranueshme. Një gjë është e dukshme, interesi ndaj këtyre zgjedhjeve është i jashtëzakonshëm si në rradhët e vetë shqiptarëve edhe në rradhët e institucioneve ndërkombëtare.

Çfarë i dallon këto zgjedhje nga zgjedhjet e tjera?

Kushdo mund të shtrojë me shumë të drejtë pyetjen e mësipërme. Përse duhet të besojmë se këto zgjedhje janë kaq jetike për të ardhmen e vendit, ndryshe nga zgjedhjet e tjera të mbajtura në të shkuarën? Arsyet janë të shumta dhe unë po mundohem t'i rendis shkurt dhe qartë.

Arsyeja e parë është kriza elektorale që ka mbërthyer Shqipërinë që është kthyer në një krizë besimi. Me pak fjalë, shqiptarët nuk janë dot në gjendje që të mbajnë zgjedhje të lira dhe demokratike ku vota e çdo shqiptari numërohet dhe respektohet. Manipulimet skandaloze të zgjedhjeve janë kthyer tashmë në një serial si për shqiptarët që duhet të përjetojnë nga afër këtë maskaradë kriminale çdo katër vjet edhe për ndërkombetarët që kanë investuar kohë, njerëz dhe te ardhura në këto 14 vjetët e pluralizmit shqiptar, pikërisht për të bërë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Kjo është hera e pestë që shqiptarët do tu drejtohen kutive të votimit në zgjedhje parlamentare dhe është shansi i fundit për te mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike. Durimi i shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ka shterruar me institucionet shqiptare dhe klasën e vetë politike.

Arsyeja e dytë është e lidhur me krizën politike dhe ekonomike të vitit 1997. Katër vjet më parë, në qershor 2001, faktori ndërkombëtar ishte përgatitur që të shikonte një proçes zgjedhor konform standarteve demokratike, pasi vetëm në këtë mënyrë do ti jepej fund njëherë e mirë krizës politike të vitit 1997. Zgjedhjet e mbajtura në vitin 1997 në Shqiperi u etiketuan nga vetë faktori ndërkombëtar si "të pranueshme", edhe pse ishin jashtë çdo standarti demokratik. Por e tillë ishte situata atëherë dhe kjo situatë e diktonte diçka të tillë. Në zgjedhjet e 2001 kriza jo vetëm që nuk u zgjidh por u thellua më tej me manipulimet e dokumentuara mirë të partisë në pushtet me të cilat u njoh gjithë bota. Pra vetë nderkombëtarët ndihen sot bashkëfajtorë në një farë mase për minimin e institucionit të votes së lirë në Shqipëri pasi preçedenti i zgjedhjeve të 1997 në këto 8 vjet është kthyer në një krizë shqiptare të gjithanshme që e vuajnë jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por edhe vetë ndërkombëtarët. Nami i keq i implikimit në trafiqe, krim të organizuar dhe korrupsion i instancave më të larta të shtetit shqiptar ka pushtuar edhe kryeqytetet e vendeve evropiane. Dhe jo vetëm aq, por vetë shoqëritë e këtyre vendeve janë prekur nga tentakulat e krimit të organizuar shqiptar që origjinë ka Shqipërinë.

Arsyeja e tretë është e lidhur me tranzicionin e gjatë politik shqiptar. Periudha e tranzicionit politik shqiptar është e lidhur me një seri reformash demokratike që qeveria shqiptare duhet të ndërmerte në mënyrë që të bënte të mundur ndërtimin e një shoqërie të re demokratike mbi shoqërinë e vjetër komuniste. Reformat do të ndërmereshin me asistencën direkte teknike dhe financiare të institucioneve më të mëdha politike dhe ekonomike në botë. Këto reforma jo vetëm që kanë dështuar, por sot Shqiperia shihet si një shtet i dështuar nga shumë investitorë të huaj që i qëndrojne larg asaj. Vendin e Shqipërisë demokratike e ka zënë Shqipëria mafioze e mbytur në krim dhe korrupsion. 15 vjet tranzicion janë shumë dhe këto zgjedhje do të shënojnë ose një kthese 180 gradë të Shqipërisë, ose një vazhdimësi në rrugën e krimit dhe korrupsionit që do ta izolojë Shqipërinë nga bota e qytetëruar më shumë se çfarë është izoluar. Ose Shqipëria do t'i japi fund tranzicionit të tejzgjatur për t'u kthyer në një shoqëri demokratike, ose do të vazhdojë rrugën e tranzicionit kriminal që të prodhoje më shumë mafioze, trafikantë e kriminelë.

Arsyeja e katërt është e lidhur me klasën politike shqiptare. Ky është shansi i fundit për të, ose do t'i bindet verdiktit të sovranit popull dhe do të respektojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve, ose do të përballet me izolimin dhe denoncimin e hapur publik të gjithë botës së qytetëruar që do ta bëjë jo vetëm të pamundur qeverisjen, por do të bëjë të pamundur edhe jetesën në mes të Shqipërisë dhe Evropës. Siç e zura në goje më sipër, si shqiptarët edhe perëndimi që ka investuar shumë në Shqipëri e kanë humbur durimin me klasën politike shqiptare. Të gjithë duan të shohin që pushteti të ndryshoje duart me votë dhe jo me dhunë në Shqipëri. Se sa demokratike është nje shoqëri, kjo duket jo vetëm tek numri i partive apo ardhja në pushtet me votë, por edhe tek dorëzimi paqësor i pushtetit atëherë kur po ata njerëz që të besuan pushtetin e kanë humbur besimin tek ti. Një mësim demokratik ky që klasa politike shqiptare nuk e ka përvetësuar siç duhet. Falë kontakteve ndërkombëtare dhe presioneve brenda dhe jashtë Shqipërisë, besoj se në këto zgjedhje gjithë klasa politike shqiptare e ka të qartë se çdo të thotë "kush luan me votën, luan me kokën". Ata që ende nuk e kanë mësuar, do ta mësojnë pas 3 korrikut.

Arsyeja e pestë dhe ajo më kryesore është e lidhur me vetë shqiptarët e thjeshtë që do t'u drejtohen kutive të votimit. Gjithë shqiptarët dhe gjithë bota në 3 korrik do ti ketë kthyer sytë në Shqipëri, për të mësuar jo se kush fitoi zgjedhjet, por se a u mbajtën në Shqipëri zgjedhje të lira dhe demokratike. Nëse në Shqiperi mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike, të gjithë kanë fituar, si ata që votuan për partine që do të dalë fituese, edhe ata që votuan për partinë që i humbi ato zgjedhje. Se cila parti i fiton ato zgjedhje është e një rëndësie dytësore, rëndësia madhore, jetike, kombëtare është që më në fund në Shqipëri të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike ku vota e çdo shqiptari numërohet dhe respektohet, dhe në fund fiton ajo parti që ka arritur të marri shumicën e votave të shqiptarëve. Pra duhet të fitojnë shqiptaret, duhet të fitoje demokracia shqiptare dhe jo mafia; krimi dhe kriminelët që nuk e kanë për gjë të vënë dorë edhe në institucionin më të shenjtë të lirisë: Votën e Lirë. Me fjalën e lirë fitoni të drejtën të shprehni mendimet tuaja. Me voten e lirë fitoni të drejtën të ndërtoni të ardhmen tuaj!


Fjalën e kanë shqiptarët

Partitë politike mund të bëjnë shumë përgatitje për zgjedhjet. Mediat mund të perpiqen t'u shtyjnë me forcë në fyt propagandë të shumëllojshme. Ndërkombëtarët mund të bëjnë vizita dhe monitorojnë zgjedhjet sa të duan, por prapë këto nuk mund të garantojnë dot zgjedhje të lira dhe demokratike. Vetëm ju, votuesit e thjeshtë shqiptarë mund të garantoni dhe mbroni votën tuaj. Kur një votë vidhet apo manipulohet, ajo nuk është as një copë letër, as një "votë e Berishës" apo "votë e Nanos", ajo është vota e një shqiptari të thjeshtë, ajo është vota juaj. Ajo votë simbolizon fjalën tuaj te lirë, simbolizon ëndërrat tuaja, simbolizon fatin e jetës suaj dhe të fëmijëve tuaj. Është ky një tjetër mësim demokratik që çdo shqiptar duhet të ketë parasysh kur i drejtohet kutive të votimit këtë 3 korrik.

Misioni i çdo shqiptari në këto zgjedhje duhet të jetë dalja në votime, hedhja e votës dhe mbrojtja e votës së hedhur. Çdo shqiptar që zgjedh të mos votojë, zgjedh që të heshti dhe kush hesht dhe tregohet indiferent në zgjedhje, i bën një nder gjithë atyre që nuk u bëhet vonë për votat e shqiptarëve, pasi Shqipëria për ta nuk është e shqiptarëve, është e tyre. Kjo është pra sfida e vërtetë e 3 korrikut, çlirimi i Shqipërisë nga hajdutët e votave njëherë e përgjithmonë. Mos lejoni që t'iu vjedhin edhe atë pak liri dhe atë pak dinjitet njerëzor që iu ka mbetur. Nuk ia kini borxh vetëm vetes apo historisë, ia kini borxh edhe fëmijëve tuaj që nuk duhet të rriten nën tirani, por në liri.

Dueli i 3 korrikut është një duel midis shqiptarëve që duan të ndërtojnë demokraci dhe atyre që duan të shohin tirani; atyre që duan drejtësi dhe atyre që ushqehen me krim; atyre që u dhimbset Shqipëria dhe shqiptarët dhe atyre që nuk u bëhet vonë as për familjen e tyre; atyre që duan të shohin një Shqipëri të varfër por me nder në familjen evropiane, dhe atyre që duan ta shohin Shqipërinë si një çiflig të tyre në mes te Evropës të ngritur mbi ekonominë e krimit dhe korrupsionit; atyre që duan të punojne e ndërtojnë me djersën e tyre dhe atyre që duan të pasurohen mbi fatkeqësine e 3 milion shqiptarëve.

Pas 15 vjetësh pluralizmi dhe tranzicioni, keni qënë ju që i keni jetuar dhe vuajtur të gjitha. Keni qenë ju që keni dëshmuar historinë e shkuar, ashtu siç keni jetuar në kohën kur PD ishte në pushtet për 5 vjet dhe kur PS ka qenë në pushtet për 8 vjet. Keni qënë ju që keni përtypur dhe ripërtypur propagandën e gazetave dhe televizioneve të paguara në Shqipëri. Keni qenë ju që jeni përballur me premtime boshe dhe gënjeshtra në dite me diell. Prandaj kësaj here, nuk keni nevojë të dëgjoni asnjeri, krejtësisht asnjeri pasi keni qenë ju vetë që i keni vuajtur në kurriz të gjitha. Shkoni pra drejt kutive të votimit dhe votoni ndërgjegjen tuaj.


Kush do t'i fitojë zgjedhjet?

Une jam i bindur se në 3 korrik shqiptarët do të vrasin me votën e tyre të lirë krimin dhe korrupsionin politik. Dhe nëse dikush do të guxojë që të vërë dorë përsëri mbi votën e shqiptarëve, të gjithë shqiptarët do të mbushin sheshet e Shqipërisë dhe të mbarë botës për t'u numëruar jo më si një copë letër, por trup më trup e kokë më kokë. Zgjedhjet e 3 korrikut vetëm shqiptarët mund t'i humbin dhe vetëm ata mund t'i fitojnë. Dhe atë ditë, gjithë bota do ta marrë vesh nëse shqiptarët fituan apo humbën në 3 korrik.

Ilirjan Papa
Philadelphia, SHBA
18 qershor 2005