Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Perla arbërishte të Greqisë, më në fund në steré

    Botohen pas 150 vitesh tekstet e vjetra shqipe të Greqisë, mbledhur nga dijetari gjerman Karl Reinhold prej patër Vasil Saqelarit dhe arbëreshësh të tjerë më 1850-1860. Transkriptuar në alfabetin e sotëm nga dr. Ardian Klosi

    Perla arbërishte të Greqisë, më në fund në steré


    Elsa Demo


    Fletoret e famshme të Karl Reinholdit, të cilat i përmendnin një numër albanologësh nga Gustav Meyeri e këtej, shohin dritën e botimit rreth 150 vjet mbas mbledhjes së tyre. Prej vitit 1998, qyshkurse i rigjeti ato në Arkivin tonë Qendror të Shtetit dhe në Bibliotekën Marciana të Venecies, dr. Ardian Klosi është marrë me deshifrimin, tranksriptimin dhe shpjegimin e tyre. Libri, rreth 460 faqe, ka dalë këto ditë me titullin “Netët Pellazgjike të Karl Reinholdit” nga shtëpia botuese “K&B”, është i pajisur me një parathënie të gjatë e disa fjalorë, dhe do të prezantohet sot me një performancë poetike-muzikore në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në ora 19.00

    Intervista

    Dy vite më parë, ju do të paralajmëronit botimin e këtij kërkimi. Në të vërtetë, si ratë në gjurmë të teksteve arbëreshe të Karl Reinholdit dhe çfarë përfaqësojnë në tërësi këto fletore të dijetarit gjerman?
    Kur punoja ende në Mynih pranë Institutit të atyshëm të gjuhësisë së krahasuar dhe indoeuropiane, hasja disa herë referime ndaj këtyre fletoreve. Një libërth i vogël me titullin “Netët Pelazgjike”, ku ishin përfshirë këngë erotike e satirike, një fjalor me fjalë e shprehje të rralla si dhe një përshkrim gramatikor, qe botuar nga Reinholdi më 1855. Por pas kësaj, doktori-filolog, kryemjeku i ardhshëm i flotës mbretërore greke, nuk mundi të botonte më asgjë. Referimet bashkë me koordinatat e përafërta i gjeje te albanologët më të vjetër Emilio Teza e Carlo Tagliavini (për pjesën e fletoreve që e pati blerë i pari), Gustav Meyer e Gustav Weigand (për atë shumicë materiali që i kishte rënë në dorë Meyerit); ndërsa referencat më të fundit te Jup Kastrati dhe dy gjermanët më bashkëkohës që janë marrë me shqipen e Greqisë: Claus Haebler dhe Hans-Jürgen Sasse. Pra në fund të vitit 1997, kur nisa punën, dija se trashëgimia e Tezës ndodhej në një bibliotekë të Venecies, kurse trashëgimia e Meyerit kishte përfunduar në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Kjo ngatërresë e fundit m’i zgjati edhe disa muaj kërkimet, sepse në të vërtetë fletoret ruheshin në Arkivin tonë të Shtetit, nën gërmën K si Karl dhe jo R si Reinhold.

    Cila është arsyeja që askush nuk do ta prekte këtë lëndë albanologjike deri tani, edhe pse pjesa më e madhe e saj ndodhej në Shqipëri?
    Reinholdi u dashurua pas detarëve shqipfolës të flotës së Greqisë dhe e mësoi gjuhën në imtësitë më të vogla, “më mirë se na” siç u dëshmua më vonë. Veç kësaj ai krijoi një sistem të vetin transkriptimi, që mund të përmbajë mbi njëqind karaktere të ndryshme (po të llogariten edhe ato me thekse, pika etj.). Vështirësia e tretë që i stepte studiuesit, ishte që Reinholdi shpjegimet për fjalët e frazeologjitë që mblidhte i jepte së pari në arbërisht, pastaj në greqisht, pastaj në latinisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht. Natyrisht kjo nuk përbënte vështirësi për mjeshtër si Gustav Meyeri, që veçse më i madhi albanolog ishte edhe më i madhi grekolog (helenist) i kohës së vet; dhe vërtet, vetëm Meyeri boti disa fabula e shqipërime nga fletoret, duke deshifruar e shpjeguar gjithçka, por pastaj u sëmur dhe fletoret i kaluan balkanologut tjetër të njohur, Gustav Weigand. Ky, pasi e mbajti materialin për gati 40 vjet, pati mirësinë t’ia dhuronte shtetit shqiptar më 1928 me një letër shoqëruese, ku shpreh dëshirën që këto tekste një ditë të botohen nga “një shqiptar filolog“. Pra tek e fundit duhej një shqiptar që të hynte në pyllin e harlisur të dorëshkrimeve, sepse vështirësia më e madhe qëndronte te shpjegimet arbërishte të fjalëve e shprehjeve arbërishte. Përse kjo punë nuk u bë në mbi 60 vjet në Shqipëri, nuk di ta shpjegoj, por padyshim që shteti shqiptar do duhej të ngarkonte nja 3-4 vjet një filolog që ta kryente punën, dhe interes politik për këtë nuk kishte, sidomos në kohë të izolimit. Unë pata prej vitit 1999 fatin që të merrja një bursë prej Shoqatës Shkencore Gjermane (DFG) në mënyrë që të arrihej deshifrimi i teksteve dhe studimi për to: Është një mirësi e veçantë, por edhe paradoks: për thesare të vendit tënd gjen mirëkuptim më parë jashtë kufijve të Shqipërisë sesa brenda... Megjithatë nuk mund të mos falënderoj së fundi edhe Ministrinë tonë të Kulturës, që dha një grant për botimin e librit.

    Përse autori bën cilësimin “pellazgjike”? A ka lidhje me një opinion popullor dhe vetëpëlqyes tek ne, se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, apo se
    shqipja qëndron në gjenezë të gjuhëve?
    Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dua të theksoj se autori i vërtetë i shumicës së teksteve është prifti i Porosit, Vasil Saqelari. Kjo madhësi e panjohur e letrave tona, e padëgjuar deri më sot, duhet të hyjë pa vonesë në tekstet e shkollave e të fakulteteve. Ai është autori i dialogëve, letrave, mbledhësi i këngëve dhe i përrallave, përkthyesi i fabulave të Ezopit, i fragmenteve nga Bibla dhe i përrallave nga “1001 net”, i 30 letrave të epistolarit. Ka një penë të pazakontë për nga shkathtësia, pasuria dhe humori, një frymë që është kuintensencë e popullit të vet. Reinholdi i merrte prej tij tekstet me gërma greke, pastaj, i rishkruante ato me alfabetin e vet, i cili,në sajë të njohjes së shqipes që kishte filologu, ishte në gjendje të pasqyronte shumë më tepër nuanca sesa bënte greqishtja.
    Sa për “pellazgjiken” kjo ishte një mitologji e kohës, në të cilën nuk dëshiroj të futem. Reinholdi i mban miqtë e tij arbëreshë, që atëherë popullonin rreth 1/3 e steresë greke dhe shumë ishuj si Hidra, Porosi, Salamina etj., për pellazgë, por ky më duket më fort një emërtim poetik sesa ndonjë tezë e tij, i marrë siç e ka gjetur në librin e madh të Hahnit “Studime shqiptare“ (1854). Në shpjegimet e veta është tepër shkencor; për ta kuptuar më mirë gjuhën shqipe bën, p.sh., në njërën nga fletoret një zbërthim të gjuhës së Pjetër Budit. Nuk merret asnjëherë me histori a etimologji të fjalëve.
    Libri nuk është aspak në serinë atyre që përmendni ju: Përfaqëson mbledhjen e një gjuhe në një kohë kur kjo ruante pothuajse një fazë mesjetare (në krahasimet që bëj, do të shihni p.sh. se është shumë e afërt me gjuhën e Lekë Matrangës nga Sicilia dhe “Doktrinën e krishterë“ të tij (1595), na e tregon historinë e shqipes si nën një lupë të kthjellët, me fuqi të veçantë zmadhuese.

    Ç’vend zë kontributi i mjekut gjerman në hierakinë albanologjike, nëse mund të përfytyrojmë një të të tillë, ku bëjnë pjesë kryesisht studiues gjermanë, si von Hahn, Gustav Meyer, Norbert Jokl e të tjerë?
    Në radhën e dijetarëve eruditë që përmendët, të cilën unë shumë më tepër se hierarki, do ta quaja punëtori, Reinholdi, sikurse edhe Hahni është ndër punëtorët më të mëdhenj, përsa i takon mbledhjes së materialit, me kritere shkencore e shije të veçantë. Ndërsa Meyeri, Pederseni, Jokli ishin shkencëtarët deduktues, sidomos i pari që na ka lënë edhe të vetmin fjalor etimologjik të shqipes deri më sot, njohësi më i mirë i arbërishtes së Greqisë e të Italisë, Reinholdi është gurra mbi të cilën Meyeri ka ngritur veprën e tij, pak a shumë siç e ka ngritur Çabej veprën e vet mbi Buzukun dhe autorët e tjerë të vjetër të shqipes.

    Si shpjegohet që duke pasur një gjuhë të tyren arbëreshët e Greqisë, që më pas i quajtën e u quajtën arvanitë, nuk do të ishin aq të zëshëm në fushën e kulturës, sa dhe arbëreshët e Italisë?
    Kjo mund të marrë përgjigje thjesht nga fakti që mbretëria e Greqisë e krijuar më 1832 nuk ishte mbretëria e Napolit; ndërsa e dyta u lejoi arbëreshëve të atyshëm, sidomos pas mesit të shekullit 19, e më pas mbretëria italiane, jo vetëm gazeta e libra por edhe shkolla e kolegje, e para nuk u lejoi asgjë që mund të përcaktohet si kulturë e shkruar dhe e mësuar. Pas pavarësisë së shtetit grek, shqipja që flitej aty në masë (edhe në vitet 1880 Meyeri na njofton se gjuhë e marinës është përgjithësisht shqipja) e pa veten në ndrydhje dhe tërheqje të vazhdueshme; sikurse e dimë të gjithë, kisha ortodokse çdo të krishterë të atyshëm e identifikonte me grek dhe nuk njihte as gjuhë e as etni shqiptare.
    Por duhet thënë se edhe nga vendi mëmë nuk rrezatohej ndonjë identitet a kulturë e dëshirueshme – kusht i domosdoshëm për çdo diasporë që të mbijetojë. Të mos harrojmë edhe se, ndërkohë që shumë shqiptarë luftonin në anën e kryengritjes greke, heronj si Boçari, Kolokotroni, Miauli, Bubulina etj., të tjerë shqiptarë si Omer Vrioni, Lleshi i Zi luftonin në anën e sulltanëve bash për të shtypur këtë kryengritje. Edhe kjo nuk besoj se e ka bërë Arbërinë vendin e ëndrrave, sikurse ndodhte matanë detit në Kalabri dhe Sicili.
    Pastaj erdhi shteti i dobët shqiptar, më pas izolimi i gjatë i Shqipërisë, që e largoi atë pjesë të etnisë edhe më shumë nga trungu mëmë, deri në kohën e sotme, kur arbërishtja e Greqisë mund të quhet e asimiluar në pjesën e saj më të madhe.

    Mund të na thoni ku konkretisht qëndron vështirësia e traskriptimit të teksteve të vjetra që ju keni bërë në alfabetin e sotëm?
    Vështirësia më e madhe ishte leximi i shumë fragmenteve të errët, të errësuar ose të njollosur nga koha; ndërsa sistemi i Reinholdit, mbasi kuptohej, nuk ishte më i vështirë për t’u zbërthyer. Unë kam bërë një transkriptim që i afrohet shumë alfabetit të sotëm, por duke ruajtur njëkohësisht të gjitha nuancat e regjistrimit reinholdian, sipas parimit: Të kuptohet gjithçka, por edhe të mos humbet asgjë. Do të kishte qenë punë e lehtë ta ktheja gjithë lëndën në Alfabetin Fonetik Ndërkombëtar (API), por kjo do t’i bënte tekstet pothuajse të papërdorshme për publikun e shkollat shqiptare.

    Çfarë mund të bëhet për njohjen e këtyre teksteve në shkolla?
    Shumë. Në vitet 50-60 të shekullit të kaluar antologjitë e shkollave të mesme fillonin me Buzukun, Matrangën, Varibobën. Sot jo më nxënësit, po as studentët e filologjikut nuk dinë ta lexojnë shqipen e vjetër. As brezi im i Fakultetit të Letërsisë nuk dinte t’i lexonte autorët e vjetër. Është në të vërtetë një turp për sistemin tonë arsimor, sepse shqipja e para 400 vjetëve ndryshon nga e sotmja më pak, të themi, se anglishtja e sotme nga ajo e Shekspirit. Ne vërtet nuk kemi Shekspir nga ajo kohë, por kemi një pasuri të veçantë gjuhësore, që nuk e vlerësojmë, nuk e rigjallërojmë. Pikërisht për këtë do të provojmë t’i lexojmë tekstet sot me aktorë dhe ju siguroj që është një kënaqësi e veçantë.
    Sikur të futen në librat mësimorë tekstet e Reinholdit, gjuha historike shqipe merr një dimension tjetër. Njihnim deri më sot De Radën, Markianoin, Skiroin dhe këngët e mrekullueshme të arbëreshëve të Italisë. Të njëjtën gjë, mund të themi se e kemi tani me patër Saqelarin dhe Karl Reinholdin. Pra jo vetëm një gurrë të madhe për gjuhësinë, por edhe një histori, një folklor, e një ëndje letrare të veçantë.

    Somario

    Është në të vërtetë një turp për sistemin tonë arsimor, sepse shqipja e para 400 vjetëve ndryshon nga e sotmja më pak, të themi, se anglishtja e sotme nga ajo e Shekspirit. Ne vërtet nuk kemi Shekspir nga ajo kohë, por kemi një pasuri të veçantë gjuhësore, që nuk e vlerësojmë, nuk e rigjallërojmë.

    22/06/2005
    KATEGORIA: Kulture Shekulli.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Citim Postuar më parë nga Xhuxhumaku
    [I]

    Somario

    Është në të vërtetë një turp për sistemin tonë arsimor, sepse shqipja e para 400 vjetëve ndryshon nga e sotmja më pak, të themi, se anglishtja e sotme nga ajo e Shekspirit. Ne vërtet nuk kemi Shekspir nga ajo kohë, por kemi një pasuri të veçantë gjuhësore, që nuk e vlerësojmë, nuk e rigjallërojmë.

    22/06/2005
    KATEGORIA: Kulture Shekulli.
    Kjo fjala Somario duhet te jete arberishte e vjeter me siguri.

  3. #3
    i/e larguar Maska e GL_Branch
    Anëtarësuar
    02-11-2003
    Vendndodhja
    Arbany
    Postime
    1,592
    Rreth librit “Netët pellazgjike të Karl Reinholdit”, Tekste të vjetra shqipe të Greqisë, mbledhur nga Karl Reinhold (1850-1860), transkriptuar e shpjeguar nga Ardian Klosi

    Thesar i çmueshëm prej të folmeve arbërore të Greqisë


    Prof. dr.Gjovalin Shkurtaj

    Kohët e fundit, në vargun e botimeve filologjike, na duket fort i mirëseardhur libri “Netët pellazgjike të Karl Reinholdit”, Tekste të vjetra shqipe të Greqisë, mbledhur nga Karl Reinhold (1850-1860), tejshkruar (transkriptuar) e shpjeguar nga Ardian Klosi, K&B, Tiranë, 2005, 463 faqe, i cili vë në shërbim të studiuesve të interesuar, kryesisht filologëve dhe albanologëve shqiptarë e të huaj, një lëndë të pasur e të çmueshme gjuhësore dhe etnofolklorike prej ngulimeve arbërore të Greqisë, mbledhur plot 150 vjet më parë nga dijetari gjerman Karl Reinhold, por që nuk kishte parë dritën e botimit. Dihej se K. Reinholdi, asohere kryemjek në shërbim të Flotës Greke, kishte mbledhur shumëçka nga gurra popullore e shqiptarëve të Greqisë dhe vetëm një pjesë të vogël të asaj lënde e pat botuar në Athinë nën titullin “Noctes pelasgigues”. Por, për fatin e keq të mbledhësit dhe të botës shkencore, pjesa më e madhe e asaj lënde do të mbetej në dorëshkrim, e pabotuar dhe duke kaluar sa nga një arkiv në një tjetër, duke u përmendur e, ndonjëherë, edhe cituar nga albanologë të huaj e shqiptarë, por pa iu vënë ndonjë sish punës për të bërë gatitjen për shtyp e pajisjen me shpjegimet e nevojshme. Këtë punë, pasi kanë kaluar plot 150 vjet, e ndërmori dhe e kreu me zell e përkushtim të lëvdueshëm dr. Ardian Klosi.
    Pak javë më parë, me rastin e përurimit mjaft origjinal të këtij botimi, një treshe aktorësh të talentuar të Teatrit Kombëtar na kënaqën me leximin mjeshtëror të disa pjesëve të zgjedhura, duke na ndjellë kureshtjen për ta shtënë në dorë këtë libër.
    Libri çelet me një parashtresë hyrëse të titulluar “Një thesar gjuhësor që fjeti 150 vjet”, në të cilën z. Klosi vlerëson elementin etnik të diasporës së moçme shqiptare në Greqi, duke vënë në pah jetësinë dhe forcën ruajtëse që ka shfaqur në rrjedhë të shekujve, si dhe përmasat e peshën që kanë pasur shqiptarët e Greqisë qysh nga shek. XV e deri në kohën e revolucionit grek. Sipas vlerësimit të historianëve e filologëve më të besueshëm të asaj kohe, rreth një e treta e popullsisë së Greqisë ishullore ishin arbëreshë, ndërsa në disa ishuj si Hidra, Poros, Specia, Andros, Salaminë etj. arbëreshët ishin banorët e vetëm. Në revolucionin grek arbëreshët morën pjesë gjallërisht dhe nxorën një plejadë luftëtarësh e prijësash të shquar, porse, më pas, paradoksalisht, emri i tyre vjen duke u zbehur e dëgjuar përherë e më pak, derisa meket e gati shuhet në atë shkallë saqë përpjekjet e disa figurave si Kupitori, Kullorioti etj. do të mbeteshin akte krejt te veçuara. Ndryshe nga diaspora arbëreshe e Italisë, e cila në shek. XIX vetëdijësohet në shkallë të lartë e nxjerr figura të përmasave të mëdha: historianë, poetë, njerëz të kulturës me famë, madje edhe burra shteti që mbërrijnë deri në postin e kryeministrit të Italisë, arbëreshët e Greqisë nuk ecin më tej as në shtigjet e letrave, as në qasjen ndaj rrjedhave të mëtejshme politiko-shoqërore të Greqisë. Për një kohë të gjatë, prej atyre mjediseve, si një shpëtim do të ndiqej vetëm sa jepnin tekstet gojore që do të mblidhnin albanologë evropianë, më të shumtët gjermanë, në ngulimet arbëreshe dhe do të citohej si një lëndë e çmueshme për folklorin dhe të folmen shqipe të tyre. Ndërsa paraqet këtë situatë, me të drejtë z. Klosi shtron edhe pyetjen se çfarë ndodhte në atë kohë me arbëreshët e Greqisë dhe jep shpjegime, shqyrtime e vlerësime interesante në sythin e titulluar “Lindja e albanologjisë dhe K. Reinholdi”. Ky syth është shkruar me dije të sigurta, sjell të dhëna me vlerë për jetën e Reinholdit dhe për figurën e tij, mbështetur në literaturën përkatëse në gjemanisht dhe duke ftilluar mjaft bindshëm se puna e Reinholdit në Greqi ishte pjesë e një vargu specialistësh gjermanë nga fusha të ndryshme, të cilët ndihmuan në ngritjen e shtetit të ri grek. Me interes është shpjegimi që jepet aty për Reinholdin, i cili “ndryshe nga shumë kolegë të tij, nuk thithet nga helenizmi dhe helenët, por nga vëllezërit e tyre të një gjuhe tjetër: arbëreshët që i ka njohur të shumtë nëpër anije ose në fshatrat e Peloponezit dhe të ishujve përreth”. Edhe Reinholdi, si shumë dijetarë të tjerë të shek. XIX, shqiptarët i pandeh si pellazgë dhe, pra, më të hershëm e pararendës të grekëve në gadishull. Vihet në spikamë rrethana tejet interesante se në atë kohë (pra, këtu e 150 vjet më parë) gjuha e flotës greke ishte në një masë të madhe shqipja, gjë që nuk mund të mos lidhej edhe me luftën trimërore që bënë asohere detarët arbëreshë të Hidrës, Salaminës etj. kundër flotës turke. Një pohim i tillë i Reinholdit ishte kureshtar për studiuesit, prandaj më 1896, vetë Gustav Majeri do të shkonte në Greqi për të verifikuar regjistrimet e Reinholdit dhe, me atë rast, njoftonte se “si në marinën luftarake ashtu edhe në atë tregtare, gjuha e komunikimit të detarëve e oficerëve është në më të shumtën shqipja”. (Albanische Studien, V, 1896, f.1).
    Nga hyrja e thukët e z. Klosi del qartë se Reinholdi punoi me ngulm e dashuri për të mbledhur lëndë gjuhësore e folklorike, grumbulloi e regjistroi fjalë, frazelogjizma për një fjalor të shqipes në Greqi, porse atij dikush “ia shtynte urët” dhe dorëshkrimet e tij do të pësonin një “shko-e-eja” të çuditshme, e cila zhdavaritet në sythin “Odiseja e dorëshkrimeve”.
    Për lexuesit e thjeshtë, po edhe për filologët specialistë, janë të nevojshme shpjegimet dhe shqyrtimet e Klosit rreth kësaj kujtese historike që “shëtiste” nëpër disa kryeqendra të dijes evropiane pa gjetur asgjëkundi shtytjen që do ta nxirte në dritë. Rrethana është paradoksale sepse, ndërsa qysh në vitet ’30 të shek. XX fillon “gjumi “ i gjatë i dorëshkrimeve të Reinholdit, por nuk ra fashë interesi për të folmet arbëreshe të Greqisë. Ashtu si në kohën e Reinholdit, Majerit etj., përsëri, hulumtimet në diasporën arvanite do t’i kishim po nga studiues gjermanë: Më 1965, do të botohej monografia e Klaus Heblerit (Claus Habler) për të folmen shqipe të Salaminës, kurse më 1991 studiuesi tjetër gjerman, Jurgend Zase (Sasse) do të na japë paraqitjen e së folmes shqipe të Vurkotit, studime që, sipas Klosit, “të dyja e kapin arvanitishten në një fazë të përparuar të dekadences apo vdekjes gjuhësore”.
    Një fazë të tillë të rënies e gërryerjes së dukshme gjuhësore të shqipes në mjediset arvanite nën trysninë e greqishtes do të na e dëshmojnë edhe studimet sociolinguistike të amerikanit Piter Tradgill (Shih: Reduktimi dhe thjeshtimi në të folmet e shqipes në Atikë dhe Beoti, përkthyer shqip dhe përfshirë në përmbledhjen “Ndikimet ndërgjuhësore” nga Dr. Vesel Nuhiu, Prishtinë, 1990).
    Sidoqoftë, kjo “dalje nga skena” e arbëreshëve të Greqisë e bën studiuesin A. Klosi të shtrojë një pyetje me rëndësi parimore: “Nuk kuptohet arsyeja përse askush në Shqipëri, ku ndodhej edhe pjesa më e madhe e materialit reinholdian, nuk i hyri përpunimit të tij filologjik dhe botimit…”. Bashkohemi plotësisht me vlerësimin e dr. Klosit se “po të kishte dalë në dritë gjithë kjo pasuri, arbërishtja e Greqisë do të kish qenë njohur në shkollat tona e kudo, të paktën po aq mirë sa edhe arbërishtja e italisë e asaj kohe, pra e shek. XIX”.
    Lënda e mbledhur nga K. Reinholdi na vjen me një vonesë të gjatë plot 150-vjeçare, porse edhe me një kalim “dorë më dorë” që, sado e shëndoshë të ketë qenë metoda e tij si mbledhës, nuk mund të mos merrte edhe ndonjë “njollë” teksa mbartej, së pari, qysh në krye të herës dhe që lidhej me metodën dyjare të zbatuar nga vetë Reinholdi. “Nga letërkëmbimi “me patërin” kuptohet edhe mënyra si ka funksionuar mbledhja e teksteve nga Reinholdi. Miku i tij, prifti, me të cilin është njohur në flotë, i dorëzon rregullisht tekste shqipe, që janë ose pjesë popullore (këngë, përralla, anekdota etj.) ose sajime të vetë atij, sikurse dialogët, ose shqipërime sipas porosisë së doktorit…Dorëshkrimet i jepen Reinholdit të hedhura me gërma greke (shih faksimilen në f.319), mjeku-filolog i kthen ato në alfabetin e vet latin.” (Shih: sythin me titull “Patër Vasili dhe Karl Reinholdi”, f. 15 të hyrjes së shkruar nga A. Klosi).
    Do të mjaftonte edhe vetëm kaq që çdo filolog ndopak buzëhollë (e sidomos dialektologët) të vinin një pikë dyshimi, kur dihet sesa sqimatare dhe e sertë është dialektologjia si shkencë ndaj rreptësisë së regjistrimit të tingujve (fonema ose variante të tyre). Këtë e di mirë edhe vetë dr. Klosi, i cili në vlerësimin e punës së kujdesshme që ka bërë K. Reinholdi mbi shënimet e priftit arvanit na thotë shprehimisht: “Pa nxitjen dhe sponsorizimin e tij, patëri nuk do ta kishte kapur penën; pa skrupulozitetin e tij filologjik (janë regjistruar me nuancat më të holla të gjitha fonemat kryesore dhe ato të ndërmjetme të shqipes në fjalë, duke përdorur edhe gërma greke dhe shumë shenja diakritike), nuk do të kishim pasyra që kemi sot, me një saktësi që e zëvendëson në çdo pikëpamje diktofonin modern”. Ndërkaq, pas heshtjes aq të gjatë, gëzimit se, më në fund, dikush i doli zot gatitjes për shtyp dhe botimit të lëndës së mbledhur nga K. Reinholdi, lind (dhe nuk mund të ndodhte ndryshe) edhe një pikë tjetër dyshuese tek filologët, e cila mund të shtrohet pikërisht kështu: Po dr. A. Klosi çfarë ka bërë me dorëshkrimin e K. Reinholdit?
    Kësaj pyetjeje, ashtu siç pritet në çdo punë që mëton të jetë serioze dhe frymëgjatë, vetë z. Klosi i është përgjigjur mjaft gjerë në sythin me titull “Mbi mënyrën e transkriptimit të teksteve”, ku na jepet edhe lista e plotë e grafemave të përdorura prej Reinholdit, duke vënë në të djathtë të tyre barazvlerëset e alfabetit të sotëm të shqipes si dhe shenja diakritike që z. Klosi e ka parë të udhës t’i mbajë për variantin që na jep në libër. Bëhen aty edhe disa shënime vlerësuese e komentuese me të cilat jo gjithmonë mund të jemi të një mendjeje.
    Në hyrje z. Klosi jep edhe një varg të dhënash me karakter dialektologjik, duke u rrekur të bëjë tiparizimin dhe të përcaktojë vendin që i takon së folmes arvanite (siç e quan ai SHPP) në strukturën dialektore të shqipes. Libri i dr. Klosit u shtohet denjësisht botimeve që janë bërë edhe më parë për arvanitët dhe gjuhën e tyre. Kemi parasysh, ndër të tjera, librin “Arvanitët dhe shqiptarët në luftën çlirimtare të popullit grek” të Dh. Grillos (1985), studimin e A. Kostallarit me titull “Disa veçori të arbërishtes së ngulimeve të Atikës” ("St. fil.", 1, 1987), një artikull të Mahir Domit e Gj.Shkurtajt në “Kultura popullore” dhe disa studime të tjera, sidomos të studiuesve arvanitë A. Koljas, J. Marugas, Maria Velioti dhe të folkloristit arbëresh A. Bellushi.
    Libri i Reinholdit priti kaq shumë, por, më në fund, në personin e dr. Ardian Klosit gjeti një njohës të mirë të filologjisë shqiptare dhe të gjermanishtes, që në këtë rast, ishte e domosdoshme. Për punën e mundimshme, për zellin dhe përkushtimin që ka treguar për tejshkrimin, pajisjen me shpjegime e shënime si dhe për të gjitha punët aq të koklavitura që kërkon gatitja për shtyp e botimi i një libri si ai i “Teksteve” të K.Reinholdit, dr. A. Klosit i takojnë urime dhe përgëzime të merituara prej studiuesve shqiptarë dhe albanologëve të huaj që do ta marrin në dorë këtë libër.


    21/08/2005 (Shekulli)

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 17-01-2013, 12:29
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Himarë, mësimi nis me himnin grek
    Nga karaburuni në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 134
    Postimi i Fundit: 15-08-2009, 04:07
  4. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  5. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •