Fillon gjykimi në ngarkim të Rizvan Matrazhiut. Prokurori: Ja përse
e ekzekutoi Dritan Përdorën

Hetues anglezë, dëshmi për vrasësin

Dëshmojnë në gjykatë për ekzekutimin në Londër


Artur Korriku



DURRES
Tre detektivë anglezë kanë hyrë dje njëri pas tjetrit me dosje në
duar në gjykatën e Durrësit, ku dje ka nisur procesi gjyqësor në
ngarkim të Rizvan Matraxhiut, me origjinë nga Kukësi dhe banues në
Hamallaj. Matraxhiu akuzohet se në vitin 2003 ka ekzekutuar
lezhianin Dritan Përdoda, në periferi të Londrës, në Angli. Por
vetëm njëri prej tyre ka mundur të flasë, pasi dy të tjerët do të
shprehen në seancën e ardhshme. Në seancën e djeshme kryetari i
trupit gjykues, Fejzo Hysi, ka vendosur që ajo të zhvillohet,
ndonëse avokati i Matraxhiut ka kërkuar shtyrjen e saj, për faktin
se ai ditën e enjte kishte marrë në duar dosjen me një volum prej 2
mijë faqesh, të cilën nuk e kishte studiuar mirë për shkak të kohës
së shkurtër në dispozicion.

Anglezët

Për procesin ishin thirrur nga Anglia tre dëshmitarë, të cilët ishin
dedektivë dhe që ishin marrë me hetimin e kësaj vrasjeje, pas një
letër-porosie të dërguar nga Prokuroria e Rrethit të Durrësit. Njëri
prej tyre, oficeri Sajmon Worri, ka treguar para trupit gjykues disa
prova shkencore të grumbulluara gjatë hetimit të çështjes. Ai ka
paraqitur një hartë të rajonit të Hertfordshire dhe të parkut ku
është gjetur viktima gjysmë i varrosur. Gjithashtu, gjykatës së
Durrësit i janë parqitur disa foto të vendit të ngjarjes, si dhe i
është dorëzuar trupit gjykues kaseta me përgjime telefonike të
kryera nga Matraxhiu. Sipas anglezit, është vërtetuar se durrsaku me
origjinë nga Kukësi kishte një të dashur angleze, e cila jetonte
pranë parkut në të cilin u gjet viktima, gjë që vërteton se ai e
njihte mirë këtë rajon. Gjithashtu, sipas dëshmisë së tij, është
vërtetuar se ai është larguar nga Anglia me automjetin "Opel" me
targë PH 120 PSD. Ndërsa dy dëshmitarët e tjerë, oficerë anglezë, do
të pyeten në seancën e ardhshme, ditën e premte. Ndoshta ata kanë
sjellë edhe ndonjë përgjigje për thikën, armë kjo që i është gjetur
Matrazhiut në shtëpi në momentin e arrestimit në Durrës, e cila i
është dërguar Londrës për ekspertizë.

Akuza dhe ngjarja

Prokurori i çështjes ka thënë dje në seancë se Rizvan Matraxhiu
është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Lezhës. Kjo, sipas tij,
pasi Gjin Përdoda nga Lezha ka denoncuar se Matraxhiu është autori i
vrasjes së djalit të tij Dritan Përdoda në Angli, më 31 dhjetor
2003. Këtë akuzë, sipas prokurorit, ai e kishte bazuar në faktin se
disa kohë para vrasjes në shtëpinë e tij kishte shkuar babai i
Rizvanit dhe i kishte kërkuar që të shlyente një borxh prej 13 500
paundësh (rreth 2.7 milionë lekë), të cilat Dritani ia kishte marrë
borxh Rizvanit, përndryshe ky i fundit do ta vriste atë. Ndërkaq,
policia e Durrësit e ka arrestuar Matraxhiun në datën 15 prill 2004
në banesën e tij, në fshatin Hamallaj të rrethit të Durrësit. Në
vitin 2002 ai kishte shkuar në Angli dhe rastësisht ishte njohur me
Përdodën. Këtij të fundit ai i kishte dhënë dhe 13 500 paund borxh,
por që nuk ia kishte kthyer. Sipas prokurorit, i cili u referohet
provave që ka sjellë pas vrasjes policia londineze, në datën 16
nëntor 2003 është vërtetuar se ai ka shkuar në banesën e Dritanit ku
ka kontaktuar me vëllanë e tij Sajmirin dhe, sipas këtij të fundit,
ka qenë shumë i revoltuar. Madje, atij i ka thënë se po ta kapte
Dritanin do ta vriste. Pas kësaj date Dritani nuk është parë më.
Ndërsa në datën 31 dhjetor 2003 një banor i Londrës, i rajonit
Hertfordshire, në veri të Londrës, teksa shetiste në park ka parë
një kufomë dhe ka njoftuar policinë. Kjo e fundit pas ekpertizës ka
mundur ta identifikojë viktimën, i cili ishte Dritan Përdoda. Ndërsa
në bazë të dëshmive e provave të tjera, policia angleze ka akuzuar
Rizvan Matrazhiun për këtë vrasje





*****