Megjithëse vetëm 13-vjeç ka realizuar 65 vjedhje dyqanesh dhe lokalesh në qendër të Tiranës

Hajduti i mitur, 20 herë i arrestuar
Policia nuk mund ta arrestojë për shkak të moshës së mitur


--------------------------------------------------------------------------------



TIRANE

Edhe pse nuk i ka mbushur ende 13 vjeç, endacaku korçar me inicialet S.S. ka vendosur rekord për sa u përket shoqërimeve në polici. Me plot 20 rastet e shoqërimit për vjedhje të ndryshme ai duket se i ka kthyer në shtëpi të dytë qelitë e izolimit në komisariate. Sipas burimeve policore, vetëm për këtë vit mendohet se ka realizuar 65 vjedhje banesash, dyqanesh e lokalesh, shumica të dokumentuara edhe nga gjurmët e gishtërinjve. Ka vjedhur në të gjithë cepat e Tiranës, dhe nuk u ruhet më shërbimeve të uniformave blu. Madje janë këta të fundit që i tremben 13-vjeçarit. Pasi e kanë provuar me të gjitha mënyrat për ta detyruar të heqë dorë nga vjedhjet, tashmë inspektorët e krimeve duket se kanë ndryshuar taktikë. Sa herë që e shikojnë endacakun thatim t'u afrohet zonave të tyre, inspektorët mundohen ta marrin atë me të mirë e ta largojnë. Ka edhe nga ata që për ta bindur, i japin atij edhe ndonjë lek. Herën e fundit që është shoqëruar, është e enjtja e kësaj jave. Kishte vjedhur tre dyqane dhe një farmaci në bulevardin "Bajram Curri", dhe përsëri mosha e mitur e ka shpëtuar nga përgjegjësia penale. Oficerët e policisë janë detyruar ta lirojnë sërish pas këshillimit disaorësh endacakun.

Kush është
Eshtë në top-listën e vjedhësve dhe nuk ka veç rrobat e trupit. 13-vjeçari që ka terrorizuar të gjithë shitësit dhe pronarët e dyqaneve e të lokaleve të qendrës së kryeqytetit, nuk ka asnjë çati për të futur kokën. Ai fle ku ta zërë nata, ndërsa nuk ka asnjë të afërm të interesohet për të. Ka ardhur vetëm 2 vjet më parë nga Korça, dhe falë shkathtësisë së tij ka arritur të mbijetojë i vetëm. Eshtë tip inteligjent dhe i shkathët, teksa destinacioni i të gjithë lekëve që nxjerr nga lekët janë lojërat "Straik" në kompjutera. Aty ai e kalon edhe shumicën e kohës. Vjedhjet i kryen në zonat më të frekuentuara të Tiranës. Ai u sillet vërdallë gjatë ditës dhe studion dyqanet që do vjedhë. Ndërsa natën, vetëm me një levë hekuri, arrin të shpërthejë drynët apo të thyejë xhamat për të hyrë e vjedhur brenda. Sendet e vjedhura i fsheh, për t'i shitur të nesërmen dhe gati të gjitha lekët që fiton i harxhon në lojëra elektronike. Megjithëse 13 vjeç, duket se endacaku ia ka mësuar të gjitha të fshehtat zanatit të vjedhjes. Shpesh ai ka hyrë në dyqane së bashku me vjedhës profesionistë dhe më të mëdhenj në moshë. Në disa raste policia ka arritur të zbulojë dhe të arrestojë tutorët e endacakut, të cilët e shtynin atë të vidhte, dhe i merrnin pjesën më të madhe të fitimeve nga ky aktivitet i paligjshëm. Madje policia ka zbuluar edhe "mësuesin" e tij në vjedhjet e fundit. Sipas burimeve, ai është Klevis Çela, aktualisht i arrestuar nga Komisariati i Policisë së Durrësit po për vjedhje.


Arratisjet nga qendrat e rehabilitimit në Tiranë

Karakteri rebel e ka bërë endacakun korçar të arratiset edhe nga qendrat e rehabilitimit, ku është dërguar në disa raste nga policia. Ai siç duket preferon më mirë të flejë në trotuaret dhe lulishtet sesa t'u nënshtrohet rregullave strikte të qendrave bamirëse. Sipas policisë, mungesa e një shkolle të mirëfilltë riedukimi e vështirëson shumë izolimin dhe rehabilitimin e moshave të mitura të implikuara në aktivitete kriminale. Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj ka premtuar disa muaj më parë ngritjen e një institucioni të tillë, por deri në atë kohë inspektorëve të policisë ndoshta do t'u duhet t'u japin lekë "kriminelëve të vegjël", për t'i detyruar ata të mos vjedhin më. Ndërkohë, një tjetër problem për policinë është survejimi dhe ruajtja e këtyre vjedhësve të vegjël nga ndonjë vetëgjyqësi e mundshme e ndonjë shitësi apo pronari dyqanesh.