Grupi Ndërkombëtar i Kizave kritikon partitë politike në Kosovë
Bruksel, 27 maj -
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar dje një raport të ri për Kosovën të titulluar: "Kosova pas Haradinajt". Raporti është një analizë e problemeve dhe tensioneve të brendshme në Kosovë dhe ndikimit negativ që do të kishin ato ndërsa komuniteti ndërkombëtar po përgatitet për të filluar procesin për statusin përfundimtar. Raporti ngre shqetësime serioze për gjendjen politike në Kosovë.
Raporti më i ri i Grupit Ndërkombëtar të Krizave është një kritikë e ashpër ndaj partive politike në Kosovë, që siç thuhet në të, me qëndrimet dhe luftën me njëra tjetrën, rrezikojnë të dëmtojnë procesin e pritshëm për statusin përfundimtar.
Mosbesimi ndaj njëra tjetrës i dy partive kryesore, LDK së dhe PDK së, shkruan raporti, po i pengon forcat kryesore politike të arrijnë një konsensus për bisedimet për statusin përfundimtar. Tensioni i kohëve të fundit mes tyre, thotë raporti, rrezikon që të pasohet edhe me vrasje.
Megjithëse komuniteti ndërkombëtar po fillon të lëvizë drejt një forme pavarësie për Kosovën, shkallëzimi i konfliktit të brendshëm politik, dhe vrasja e vëllait të ish kryeministrit Haradinaj, thekson raporti, tregojnë se rreziqet për paqëndrueshmëri janë serioze.
Aftësia, ose paaftësia, e partive në Kosovë për të bashkëpunuar gjatë muajve të ardhshëm, do të ketë pasoja për aftësinë Kosovës për të funksionuar si shtet në të ardhmen, kur prania e tanishme ndërkombëtare të shndërrohet në një mision të vogël vëzhgues.
Në Kosovë, thotë Grupi i Krizave, ekziston mundësia reale e fraksionalizmave, ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri. Partitë në Kosovë, duhet të jenë të ndërgjegjshme dhe të punojnë për të shmangur një skenar të tillë, ose përndryshe ato do të mbajnë përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për krijimin e shtetit.
Raporti përmban kritika edhe për UNMIK un, i cili, siç thuhet në të, ndonëse ka dalë nga plogështia, duket se po ndjek më shumë strategjinë si të dalë nga Kosova se sa si të ndërtojë aty institucione shtet formuese.
Nxitimi që vihet re tani për t'u përgatitur për proceisn e statusit, është i debatueshëm dhe nuk ka për t' rezistuar provës së kohës, thuhet në raport. UNMIK u, sipas Grupit të Krizave duhet të lëvizë me vendosmëri dhe shpejtësi për të mbyllur shërbimet e fshehta që mbajnë partitë politike, si dhe për të luftuar korrupsionin, që të lëni pa u zgjidhur, do ta dëmtonin rëndë Kosovën në të ardhmen.
Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave përkon me njoftimin nga Prishtina, se PDK ja krijoi një qeveri në hije, të quajtur, kabineti i qeverisjes së mirë.
Këto janë pikërisht kritikat që bën Grupi i Krizave në këtë raport. Ndonëse mendimi i Grupit të Krizave është se shpërbërja e koalicionit gjithëpërfshirës ka çuar në krijimin e një qeverisje më të efektshme për të plotësuar standartet, gjithsesi, çmimi që po paguan Kosova për shkak të tensionit politik dhe gjendjes së sigurisë është i lartë.
Grupi i Krizave thekson se Partia Demorkatike duhet ta pranojë humbjen në zgjedhjet e tetorit dhe të punojë për bisedimet për statusin përfundimtar dhe jo të kërkojë një rol qeverisës për vete nga komuniteti ndërkombëtar dhe të godasë ministrat e LDK së.
PDK ja, thotë raporti, ose beson gabimisht se ka ende shumë kohë para se të fillojë procesi për statusin, ose e quan kaq të papranueshëm sundimin e LDK së, sa që do të preferonte më mirë që procesi i statusit përfundimtar të mos fillonte derisa të gjendej një mënyrë për të dobësuar dominimin e LDK së.
LDK ja nga ana e saj, thuhet në raport, ka treguar paaftësi drejtuese.
Raporti e thekson qartë se partitë në Kosovë, me përjashtim të synimit të përbashkët për pavarësi, ende nuk kanë arritur të formojnë një pozicion të qartë, ende nuk është parë ndonjë vizion i strukturimit të një shteti të ardhshëm, ende nuk është vënë re ndonjë debat ose marrëveshje për këto çështje nga partitë kryesore. Grupit të Kontaktit nuk i është dorëzuar ndonjë dokument për këtë qëllim. Kushtetuta, flamuri, sistemi elektoral, statusi i pakicave dhe kushtet, në të cilat do të integrohej veriu i populluar nga banorë serbë, vazhdojnë të mbeten tema tabu, të patrajtuara.
Krijoni Kontakt