Prishtinë, 24 maj
- Në rezidencën e Presdentit të Kosovës Ibrahim Rugova në Velani, sot me një ceremoni solemne u shënua për herë të parë 24 maji - Dita e Presidentit të Kosovës, e cila do të jetë festë tradicionale. Në këtë ceremoni morën pjesë nxënës dhe studentë të institucioneve shkollore dhe universitare dhe ministri i Arsimit Agim Veliu dhe ai i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Astrit Haraçia.
Presidenti Rugova tha se Dita e Presidentit të Kosovës do të jetë 24 maji, kur më 24 maj të vitit 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para të lira nacionale për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Këto zgjedhje, theksoi Presidenti Rugova, ishin konfirmim i Deklaratës për pavarësinë e Kosovës të 2 korrikut të vitit 199O, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në shtator të vitit 199O dhe të Referendumit për pavarësinë e Kosovës, shtator 1991.
"Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjihë populli i Kosovës, me pjesëmarrje të gjerë e masive. Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës", përkujtoi me këtë rast Presidenti Rugova.
Ndërkaq, duke folur për zhvillimet e pasluftës, Presidenti Rugova vlerësoi se pas gjashtë vjetësh në liri Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Institucionet e Kosovës, tha ai, tash janë duke punuar me miqtë tanë për vlerësimin e progresit në njohjen e pavarësisë së vendit.
"Unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së vendit tonë nga SHBA-të, BE-ja. Pra, një Kosovë e pavarur e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të. Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës, i shprehur më 1991 me referendum".
Në vazhdim Presidenti Rugova foli për kulturën shtetërore dhe
kuptimin e fjalës President, duke thënë se "dita e presidentit është ditë e postit më të lartë të shtetit, të një vendi që simbolizon mbrojtjen, unitetin, sigurinë dhe prosperitetin". Të njëjtën kuptim, tha ai, e ka edhe fjala shqipe kryetar, do të thotë njeriu që është në krye të vendit, që mbron shtetin.
Ndërkaq, duke falenderuar pjesëmarrësit e rinj për vizitën dhe për urimet në Ditën e Presidentit në këtë solemnitet, Presidenti Rugova tha se kjo do të jetë ditë tradicionale që do të festohet çdo vit si ditë e simbolikës shtetërore.
"Ne e kemi të ngjashme me traditën amerikane, por që ditën e presidentit e kanë edhe vendet e tjera.
Do të jetë festë popullore dhe do të shënohet sipas dëshirës së qytetarëve dhe me ceremoni zyrtare si sot. Sigurisht në të ardhmen do të pasurohet me forma të reja festive", njoftoi Presidenti Rugova.
Me këtë rast Presidenti Rugova bëri të ditur se me një dekret të veçantë ka vendosur të dekorojë me Medalje të Artë të Pavarësisë veprimtarin e shquar Tahir Berisha nga rrethina e Pejës, për merita për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tahir Berisha u vra në atë kohë nga pushtuesi, në mëngjes të 25 majit 1992, pasi ishin numëruar votat në një vendvotim.
Dorëzimi i Medaljes do të bëhet në një ceremoni të veçantë solemne.
Në këtë solemnitet u lexua një letër që ia kishte dërguar Presidenti Rugova një nxënës i klasës së gjashtë nga Lipjani me rastin e Ditës së Presidentit që kishte lindur më 24 maj të vitit 1992.
Ministri i Arsimit Agim Veliu i uroi Presidentit Rugova me rastin e kësaj dite. Në emër të një delagacioni të shkollave të mesme të Prishtinës uroi Donik Sollova.
Krijoni Kontakt