Dy agjenci ilegale martesash mundësojnë lidhjen e vajzave nga Shkodra me djem maqedonas nga Tetova
Numri i martesave të vajzave shqiptare me maqedonas është 300. Sociologia: U martuan me dëshirë
TETOVË - Të paguash 500 euro, për të gjetur nuse shkodrane. Kjo u ka ndodhur rreth 300 djemve maqedonas, kryesisht nga rrethinat e Tetovës, të cilët për kurorëzimin e tyre janë “ndihmuar” nga dy agjenci ilegale martesash, me qendër në Shkodër dhe Tetovë. Sipas “Koha Ditore” mësohet se për kurorëzimet mes maqedonasve dhe vajzave shqiptare luajnë rol kryesor agjencitë e mësipërme, selia e së cilës në Tetovë gjendet në fshatin Kopanicë, ndërsa në të punojnë shqiptarë edhe maqedonas që kanë lidhje të drejtpërdrejta me agjencinë e Shkodrës. Burime nga kjo agjenci pohojnë se djemtë beqarë mbi 30 vjeç, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të martohen në Maqedoni aplikojnë në këtë agjenci, për të gjetur një nuse shqiptare. Shuma që paguhet prej dy palëve për një shërbim të tillë është 500 euro, por në pjesën më të madhe të rasteve, janë paguar nga dhëndri.
Martesat shqiptaro-maqedonase
Gjatë dhjetë viteve të fundit, mbi 300 vajza nga Shqipëria janë martuar me maqedonas nga Tetova. Sipas Qendrës për Punë Sociale në Tetovë mësohet se kjo tendencë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti, madje vihet re një shtim i numrit të maqedonasve që martohen me vajza shqiptare.
Martesa e parë shqiptaro-maqedonase, zyrtarisht është regjistruar në vitin 1995 kur një vajzë nga Shqipëria veriore ka hyrë në lidhje bashkëshortore me një maqedonas, që në atë kohë ka qenë një befasi e madhe duke pasur parasysh përkatësinë nacionale të këtij çifti. Numri i martesave të këtilla, deri në vitin 2000 ka qenë tepër simbolik, kurse numri i tyre është shtuar me shpejtësi pas vitit 2001, kohë kur është shënuar edhe numri më i madh i martesave të tilla. Nada Bllazhevska, sociologe në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë, ka pohuar për një rritje të vazhdueshme të martesave të tilla. “Ende nuk dihet se cilat janë shkaqet që lidhjet bashkëshortore mes shqiptareve dhe djemve maqedonas shënojnë rritje vazhdimisht, por sigurisht përkatësia katolike e të dyja palëve dhe karakteri shumë i urtë i vajzave nga Shqipëria bën që ato të jenë shumë të kërkuara në Tetovë”,- ka thënë Vllazhevska.
Nuset maqedonase, nga Shkodra
Vajzat që martohen me burra maqedonas vijnë nga Shqipëria e veriut, kryesisht nga fshatrat e Shkodrës, kurse mbi 90 për qind e tyre janë katolike. Ato janë martuar me banorë të fshatrave të Tetovës, që janë me shumicë maqedonase si Brevenicë, Dobrosht, Ratajë, Tearcë, Dobrosht, Zhillcë, Vratnicë dhe Jegunovc. Mosha mesatare e këtyre vajzave është 24 - 35 vjeç. Për sociologët është interesant fakti se asnjëri prej këtyre çifteve të martuara me ndërmjetësinë e agjencive ilegale nuk ka parashtruar kërkesë për ndarje në institucionet përkatëse në Tetovë. Zyrtarët thonë se vajzat shqiptarë që janë martuar me djem maqedonas kanë pohuar se një hap të tillë e kanë marrë me dëshirën e tyre, ndërsa kanë shtuar se problemet në këto lidhje janë mosnjohja e gjuhës dhe e partnerit. “Në bisedat që kemi zhvilluar me këto vajza, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se ka hyrë në bashkëshortësi si pasojë e frikës apo presionit, por përkundrazi të gjitha na kanë deklaruar se me vetë dëshirë dhe me lejen e familjes së tyre kurorëzohen me qytetarë maqedonas”,- ka deklaruar sociologia Nada Vllazhevska.
Marre nga "Shekulli"
Krijoni Kontakt