Në letra të zverdhura nga koha gjenden kujtimet e Muharrem Llanajt për orët dhe çastet e fundit me tre heronjtë e “Kodrës së Kuqe”. Nuk dihet se kur i ka shkruar ai episodet e asaj ngjarjeje tronditëse. Ndoshta menjëherë pas Çlirimit, se datë nuk ka. Gjithsesi është shkrimi i tij, ku mund shquhen lehtë edhe gabimet ortografike. Ndoshta sepse ka dashur të hedhë në letër mendimet, ashtu shpejt e shpejt, si i kanë ardhur dhe si ka ndodhur ngjarja pa e limuar e zbukuruar atë. Ato për vetë faktet dhe dëshminë që mbartin janë ndoshta me një vlerë arkivore të jashtëzakonshme në interes të korrigjimit të të vërtetave historike në të cilat mbështetet krenaria jonë kombëtare.
“Ka qenë ora 11 e datës 7 nëntor të vitit 1942 kur në lagjen e “Kodrës së Kuqe” në kryeqytet u vra mbi tank, Vojo Kushi. Ishte çasti që pas 6 orë luftimesh, në një kohë kur i ishin vrarë dhe dy nga shokët e tij, Xhorxhi dhe Sadiku, ai me një guxim të jashtëzakonshëm u hodh mbi një tank fashist që po vinte drejt murit mbi të cilin kishte zënë pozicion. Kishte qëllim që me atë tank ai të mund të çante rrethimin e qindra e qindra milicëve që kishin zotëruar të gjithë lagjen. Goditjet nga tanku tjetër erdhën të menjëhershme aq sa ai nuk mundi të bënte asgjë”. Këto janë disa nga shënimet e regjistruara në ditarin e kujtimeve të Muharrem Llanajt, personi që ka qenë bashkë me Vojo Kushin në atë betejë historike, por që mundi të mbetej gjallë. Ai është pikërisht luftëtari i katërt që megjithëse ka qenë bashkë me Vojon Kushin deri sa u vra, por që nuk është përmendur në historinë e popullit të tij. Muharrem Llanaj, në momentin që u vra dhe shoku i tretë i tij Vojo Kushi, ndërkohë që kishte marrë më parë dhe një plagë në kokë, ra pa ndjenja nën trarët e çatisë së rrëzuar nga tanket. Atij për faktin se nuk i shpërtheu granata e fundit që kishte ruajtur për vetëvrasje, ra i gjallë në duart e milicisë fashiste.
Por si ka ndodhur në të vërtetë ajo ngjarje e jashtëzakonshme, që do të ngulitej fuqishëm në historinë e popullit shqiptar, por që çuditërisht emri i Muharrem Llanajt do të mbetej në harresë të përjetshme. Për këtë gjë flasin pikërisht shënimet e tij të përgatitura prej vitesh.
Po çfarë shkruan Muharrem Llanaj për faktin se si ai u ndodh pranë Vojo Kushit në momentet e rrethimit.
……”Në fillim të tetorit 1942, Miladin Popoviçi, Spiro Bakalli dhe Ramadan Çitaku më nisën përsëri në Tiranë, ku përveç atyre që kishin shkruar në letër më porositën me gojë që të bisedoja me qendrën dhe t’u komunikoja se u duhej patjetër një radiodhënëse e marrëse për Teqen e Martaneshit, për të mbajtur lidhje me qendrën. U duheshin dhe para për furnizimin e tre njësiteve partizane si dhe disa të dhëna në gjuhën sllave për Miladinin. Mbërrita për herë të fundit në Tiranë.
Ishte mëngjesi i 6 tetorit i 1942-it në shtëpinë e Ije Farkës, ku kisha qenë edhe herë të tjera. Tani shkoja përsëri me një mision. I pari që takova ishte Sadik Stavaleci. I dhashë parullën dhe u përqafuam. U përqafova edhe me Xhorxhi Martinin, që strehohej në shtëpinë e nënë Ijes, se ishte plagosur në kockën e këmbës e mezi lëvizte. Menjëherë i dhashë letrën Sadikut për shokun Hysen (Gogo Nushin). Në orën tre të mbasdites erdhi “Tarzani” (Vojo Kushi). Këtë e kisha njohur që në Pezë. Pastaj erdhi me Sadikun shoku Hysen, këtij i dhashë letrën e dytë që i adresohej “Tarasit”(E.Hoxhës). Pas ndonjë ore Hyseni do të vinte përsëri, por kësaj here me “Tarasin”. Në këtë shtëpi “Tarasi” mori takim me mua, Xhorxhi Martinin, Sadik Stacvalecin, Anastas Lulon dhe më në fund me Vojo Kushin, duke u dhënë urdhër të largoheshim nga ajo shtëpi. Disave u caktoi edhe destinacionet nëpër rrethe të ndryshme, meqë shtëpia ishtë lënë vetëm për Vojon.
Gogua më dha edhe 200 napolonë për njësitet e veriut, më dha edhe disa udhëzime për radion, që do të merrja me vete.
Pse atë natë fjeta në shtëpinë e Ije Farkës.
Unë u bëra gati të ikja në një bazë tjetër, por prita shumë orë sa erdhi materiali në gjuhën sllave. Mbas kësaj ore ishte vendosur ndalimqarkullimi. Kështu që të gjithë të tjerët u larguan nga shtëpia e Ije Farkës përpara ndalimqarkullimit. Unë me Xhorxhin dhe Sadikun na ngeli të largoheshim të nesërmen në mëngjes. Mirëpo atë natë ishte vendosur nga fashistët që të kontrolloheshin të gjitha shtëpitë e “Kodrës së Kuqe”. Ishin qindra milicë, që bënin kontroll shtëpi më shtëpi. Ne kishim ngrënë darkë, kishim ngrënë edhe hashure, që i kishte përgatitur nënë Ija e pas shakave kishim rënë për të fjetur. Kur pas pak dëgjojmë zërin e Ijes, e cila bënte roje pranë portës, të na thoshte: “Çohuni djema, se armiku po lëviz nëpër rrugë e rrugica”. Ishte pothuajse në të gdhirë. Ne morëm armët, që i kishim nën jastëk. Por Xhorxhi kishte 15 ditë që qe plagosur në këmbë dhe mezi lëvizte, kurse Sadiku vuante nga turbekulozi. Dëgjonim zhurmën e hapave të milicëve fare afër shtëpisë. Vojua m’u drejtua mua: “Merr thesin në krah dhe shiko jashtë milicët për ku janë drejtuar” Menjëherë u gjenda në rrugë i maskuar siç qesh me brekushe e qeleshe dhe me një palë mustaqe të mëdha. Ashtu kisha ardhur nga Mati. Fashistët bënin roje pranë çdo dere, vetëm te dera jonë akoma nuk kishin ardhur. Milicët kur më panë më bërtitën: “Largohu, kthehu mbrapsht, futu brenda……”, dhe më drejtuan pushkët. I vura shpejt e shpejt llozin portës e u thashë shokëve: “Milicët po afrohen, janë shumë……” Vojua na foli: “Ejani pas meje të kapërcejmë murin që të kalojmë në bahçen tjetër”. Në atë kohë nënë Ija me të shpejtë pruri një kanë me qumësht dhe na dha nga një bardhak të gjithëve, duke na thënë: “Ua kam bërë hallall hyzmetin, tani çani rrethimin”.
Çfar bëmë për të shpëtuar nga ajo situatë.
I dhashë nënë Ijes të 200 napolonat që më pat dhënë Gogua. I pari, që kaloi murin ishte Vojua, pastaj ne të tjerët. Kaluam bahçe më bahçe e u gjendëm në oborrin e një shtëpie. Këtu doli e frikësuar e zonja e shtëpisë, e kur na pa me revolverë e bomba në duar hapi portën që të na nxirrte në rrugicë, por u fut shpejt brenda. “Ka ushtri italiane”,na tha. Dhe ne i pamë me sytë tanë milicët me mitraloza e pushkë që i drejtuan nga ne, duke thirrur: “Komunistët, komunistët…” U larguam ne një bahçe tjetër. Këtu kishte një pus. Grisëm të gjitha dokumentet, që kishim e i lidhëm me gurë e i hodhëm në pus.
Kur filluam betejën.
Në këtë kohë Vojua më urdhëroi të ngjitesha tek një pemë e madhe që gjendej aty për të parë se ku ishin milicët. Iu ngjita pemës në majë, por më diktuan. I kisha parë që ishin shumë milicë. Një mitraloz mbi pullazin e një shtëpie filloi të më qëllonte dhe Vojua më tha: “Zbrit shpejt!” Ishim të rrethuar. Dëgjonim zërat e milicëve që thoshin: “Janë shumë, është udhëheqja e Partisë Komuniste…….Kujdes se kanë mitralozë çekosllavë.”
Kjo ndodhi se automatiku i Vojos nisi të shtjerë dhe pas tij filluan edhe ne të qëllonim me revolverë dhe të hidhnim bombat e dorës. U bë një rrëmujë e madhe, dëgjoheshin të thirrurat: “Na vranë”.
U vendosëm në një gropë gëlqereje, Vojua dhe unë, kurse në një gropë tjetër Xhorxhi dhe Sadiku.
Luftuam ndonjë orë aty. Por u zbuluam dhe kishte rrezik të vriteshim! Prandaj Vojua, përmes predhave kaloi mbi një mur që ishte rreth 30 metra larg nesh duke rënë në oborrin e një bahçevani. Kështu bëra dhe unë. Në këtë kohë Vojua u plagos në kofshë dhe mua më kapi shkarazi një predhë në kokë. Shqyem astarët e xhaketës së Vojos për t’i lidhur kofshën. Por ai hoqi këpucën dhe pamë që ishte mbushur me gjak.
Kur mora plagën e parë në kokë.
Unë po mundohesha me sa të mundja që të lidhja plagën e Vojos, por ai më tha: “Muharrem edhe ti qenke plagosur, gjaku po të mbulon fytyrën, fshije……”
Në mes të plumbave çamë rrethimin e u vendosëm në një shtëpi të boshatisur. Përsëri kaluam në një mur e u vendosëm në një shtëpi tjetër, që në atë orë e kishte kaluar kontrollin e milicëve. Matanë nuk po dëgjoheshin më revolverët e shokëve tanë. Xhorxhi dhe Sadiku ishin vrarë. Mbetëm Vojua dhe unë, të rrethuar e me milicët, që na ndiqnin këmba-këmbës. U pozicionuam mirë në një shtëpi tjetër fare afër milicëve. Kishim vendosur të luftonim, të vrisnim sa më shumë prej tyre e të mos binim të gjallë. Vojua pa një oficer, që jepte komandë dhe u thoshtë shokëve: “Mos kini frikë, mos u tërhiqni…” E qëlloi me automatik. E ai thirri: “Më vranë, më vranë…”(Është pikërisht ai togkomandanti i milicisë fashiste për të cilin në letrën sekrete të kuestorit P.Papalilo thuhet se: “U plagos rëndë e vdiq në spitalin ushtarak”.
Çfarë shkruan për vrasjen e Vojos.
Muharrem Llanaj përmend se midis armiqve pati të vrarë e të plagosur të tjerë. Lavdëron shkathtësinë e trimërinë e Vojo Kushit, madje e adhuron atë. Ai shkruan: “Nga që s’kishim rrugëdalje Vojua iu vërtit mbi shpinë një tanku, donte që me të të çante rrethimin e disa qindra milicëve. Por një tank tjetër e qëlloi e ngeli për një çast i ngrirë atje, mbi tank. Kurse unë hodha njërën nga dy bombat që më kishin mbetur. Bombën tjetër e mbajtja për vetëvrasje, por ajo nuk më ndezi. Shtëpia nga e cila luftova u rrëzua nga tanket, ku mora edhe plagë të tjera në kokë dhe mbeta pa ndjenja poshtë mureve të rrëzuar”. Në orën 11 të paradites së 7 tetorit 1942, beteja e “Kodrës së Kuqe” kishte përfunduar.
Çfarë ndodhi më tej me Muharrem Llanaj.
Prokurori i përgjithshëm i shtetit kishte nxjerrë një “urdhërburgimi” për Muharrem Llanajn. Ai ishte dënuar me vdekje në mungesë. Dhe sipas shkresës së 6.6.1943 “i kërkohej milicisë dhe agjentëve të kapnin e të sillnin në burg të lartpërmendurin”.
Por Muharrem Llanaj ishte i burgosur, mbante një emër tjetër, emrin e një të dënuari me 15 vjet, që ishte arratisur me 25 të tjerë nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm.
Torturat e ushtruara mbi të.
Në kuesturë pa u mbyllur plagët që kishte marrë në “Kodrën e Kuqe” filluan torturat më çnjerëzore, me anën e djegies në vendet e plagosura, shtypje me korrent të organeve seksuale, fryrje me pompë etj. Por ata nuk mësuan dot të vërtetën se nga vija unë, veçse më mbajtën në birucat e Kuesturës si njeri i rrezikshëm. Më njohu njëri prej agjentëve të tyre dhe si provë më nxorën nga dosja fotografitë që kisha dalë në Pezë. Mbas 15 ditëve në kuesturë më çuan në burgun e ri ku qëndronte i dënuar me vdekje Shyqyri Ishmi. Mbas vrasjes së tij qëndrova i burgosur po në atë birucë për 5 muaj!
Mënyra si i shpëtoi pushkatimit.
Pastaj më çuan tek të burgosurit e tjerë politikë. Pas një jave më 1 mars 1943 na kërkojnë nëntë veta për të na pushkatuar pa gjyq, ndërmjet tyre ishte edhe emri im. Por Ali Demi mblodhi kolektivin e burgut dhe na porositi që të gjithë të burgosurit të rezistonin, të viheshin barrikada dhe të mos lejohej pushkatimi pa gjyq. Nga ana tjetër ishte marrë vesh ky vendim dhe Qarkori i partisë për Tiranën thirri popullin në demostratë për të na mbrojtur. Kryeministri Eqerem Libohova foli për këtë ngjarje duke u tërhequr me takt. Ai erdhi vetë në burg dhe u justifikua se gjoja nuk dinte gjë e se do të merrte masa ndaj shkaktarëve.
Si i shpëtoi ekzekutimit të dytë.
Aty nga fundi i prillit 1943, pas një pune të gjatë që u bë nga ne të burgosurit për hapjen e një tuneli që do të na nxirrte jashtë qelive me ndihmën edhe të njësitit guerril të Tiranës, dolën nga tuneli 25 të burgosur politikë. Sipas ndarjes së skuadrave,unë isha i 35-sti në listë, por meqë u diktuam përsëri mbetëm ne të tjerët në burg. Po këtë natë(3 prill 1943), organizata e partisë në burg më thirri mua dhe 9 shokë të tjerë për të marrë pëlqimin që të ndrronim emrat tanë me emrat e disa prej atyre që ishin arratisur nëpërmjet tunelit e kështu të mos paraqiteshim në gjyq. Prej tyre unë pranova ndrrimin e emrit,kurse të tjerët kishin frikë se po të zbuloheshin pushkatimin e kishin të sigurt. Përfundimisht këta shokë u dënuan me vdekje dhe u vranë,(7 prej tyre ishin maqedonas). Unë ndenja në burg me emrin “Petro Madelli” i cili ishte dënuar me 15 vjet burg por që ishte arratisur prej tunelit. Më 20 maj 1943 u bë gjyqi im dhe u dënova me vdekje në litar –në mungesë. Asnjë prej fashistëve nuk mori vesh se unë gjendesha në burg me një emër të rremë, falë solidaritetit dhe konspiracionit tonë.
Si munda të dal i gjallë nga burgu.
Me kapitullimin e Italisë Fashiste dhe burgu do të binte në dorë të gjermanëve nga frika se mos më zbulonin si të dënuar me vdekje organizata e partisë së burgut vendosi që unë të dilja nga burgu.Dhe rasti u gjet, ju dola gjermanëve i veshur si gardian burgu…….”
Krijoni Kontakt