Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 36 prej 36
  1. #21
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919
    Gjakmarrja vs. gjakdhënia

    As më shumë e as më pak, ky fenomen, është një nga ato që ka tronditur shoqërinë shqiptare në shekujt e fundit. Bëhet më i prekshëm në ditët tona, sepse objekti i studiuesve të etnografisë në Shqipëri, është një ligj sundues në një pjesë të konsiderueshme të territorit të shqiptarëve

    Nga Ervin Hatibi

    Është e ditur, se nga gjithë spektri i plagëve që ka Shqipëria sot, më e kobshmja është gjakmarrja. Gjakmarrja është një term teknik për të pëshkruar një ritual gjahu të vdekjes. Në dallim nga gjithë krimet e tjera të rënda, ajo përbën një zhanër pervers kompleks. Kështu gjakmarrja nënkupton një stratagjemë terrori që çon në privim kolektiv nga liria, duke u kulmuar me një vrasje me paramendim. Përmes fjalëve të një aktivisti anti-gjakmarrje: "Sot realisht janë në hasmëri 670 familje, duke lënë pa shkollë 160 fëmijë, nga të cilët 73 të rrezikuar për jetën. Në vitin 2003-2004, 54 familje, të kërcënuara seriozisht, janë larguar me rrugë ilegale jashtë Shqipërisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka mbështetur dhe mbrojtur ato duke iu siguruar azil të përhershëm. Për mosacarimin e situatës, familjet në hasmëri nuk ua deklarojnë organeve të rendit ngujimin, ndaj shifrat zyrtare të policisë janë gjithnjë më të ulta se numri real" (cituar nga shtypi Gjin Marku, drejtues i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar) Ndërsa dëshmitari i mësipërm ka shënuar thjesht numrin e fëmijëve të privuarve nga mësimi, organizata ndërkombëtare si PNUD e vlerësojnë deri në 1.450 totalin e fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes.
    Nëse gjakmarrja zinte vendin e parë në kob, duke qenë se nënkupton një vrasje ceremoniale, në Shqipëri gjithashtu ka edhe forma më të komplikuara vrasjesh informale. Njerëz të varfër e të pashpresë, të infektuar me viruse që nga ata të hepatiteve e deri të Sidas, shkojnë e shesin gjak nëpër qendra grumbullimi, për nevojat e të sëmurëve dhe të aksidentuarve. Gjatë këtij viti në bankën e gjakut të qytetit të Durrësit ndodhi që personi që kishte shitur gjakun pesë herë brenda vitit ishte i infektuar me virusin HIV. Në komunitetin prej rreth 500 fëmijësh talasemikë që duhet të marrin çdo muaj gjak për të jetuar, pas një ekzaminimi të më pak se gjysmës së tyre, janë zbuluar 4 fëmijë të infektuar me virusin e Sidas.
    Deri më tani janë 12 mijë të ashtuquajtur "dhurues me pagesë" kryesisht të papunë dhe pa të ardhura të tjera financiare, por që jetojnë me paratë që fitojnë nga shitja e gjakut. Nëpër sportelet e gjakut ata këmbejnë 300 gram gjak për 30 dollarë, ndërkaq që në tregun e zi të bluzave të bardha, familjet e pacientëve në hall, shpesh janë të detyruar të japin edhe 100 dollarë për 300 gram gjak... Shumicën e nevojave për gjak, rreth 65 %, i plotësojnë shitësit e gjakut-fukarenj apo të dëshpëruar të tjerë të cilët nuk kanë leverdi të tregojnë saktësisht detaje teknike përmbi shëndetin apo sjelljet private, sepse kanë nevojë për para. « Mblidhet 10 herë më pak gjak nga sa duhet për minimumin e nevojave. Jemi shumë pesimistë për momentin në lidhje me situatën e gjakut. Mesatarisht duhen 40 dhurime gjaku në një mijë banorë, në një kohë që ne marrim dhjetë herë më pak, pra 4 dhurime për një mijë banorë » (cituar nga shtypi, drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro)
    Në fakt përgjegjës për vrasjet e tërthorta me Sida apo infektimet e tjera, nuk janë një grusht rrezikzinjsh, që halli ua ka erëësuar gjykimin. Një shoqëri e tërë, me qëndrimet e veta ka edhe këtë herë autorësi kolektive në krim, me indiferencën e papërgjegjësitë e veta. Ajo ua ka besuar detyrën e furnizimit me gjak një grushti të hallexhinjsh të prekshëm nga sëmundjet e të ligat. E turbulluar sa ç'është në tru, ajo nuk prodhon dot gjak të pastër për fëmijët e vet. Përqindjet e prejardhjes së gjakut spitalor, ngjajnë më shumë si rezultate referendumi për t'u pranuar në histori. 65 % është gjaku i shitur, 30 % sigurohet në nevojë nga familja e të sëmurit apo të aksidentuarit (pra rastësisht dhe tribalisht), kurse vetëm 5% dhurohet. Këta të fundit, ata që dhurojnë gjakun, janë disa pak qindra shqiptarë. Mbase po aq pak në numër sa edhe punëtorët e Rilindjes... Aq sa shokët e Mujo Ulqinakut të Ditës së Prillit, sa studentët e Natës së Dhjetorit...

    Paralele të parehatshme
    Fenomeni i hershëm i gjakmarrjes, ishte i shtypur deri në asfiksi gjatë periudhës së diktaturës. Shteti ishte ai që kishte i vetmi të drejtën mbi jetën, dhe çdo ndërmarrje tjetër paralele shihej më tepër se një krim: shihej si konkurrencë ndaj shtetit nga privatët... Me liberalizimin e jetës në vend dhe dobësimin e rolit të shtetit, shqiptarët rinisën si e do zakoni, t'i marrin sërisht gjak në vetull njëri-tjetrit...
    E kundërta e gjakmarrjes është gjakdhënia. Jo për ndonjë opozicion foljor, por për nga natyra e gjërave. Ndërsa gjakmarrja është akt i të kërkuarit simbolik të gjakut të një të afërmi ndaj vrasësit apo të afërmve të tij, gjakdhënia është pasimi fizik i gjakut tënd një tjetri që ka nevojë për të. Në kundërshti të plotë si fenomene, edhe dinamika e gjakdhënies ka ndryshuar drastikisht me kalimin në vitet e liberalizmit. Që prej vitit 1990 në Shqipëri numri i dhuruesve të gjakut ka rënë nga 10.000 dhurues vullnetarë, në 1000. Me shumë pak fjalë: janë shtuar gjakmarrësit dhe janë pakësuar gjakdhënësit.
    Shqipot janë një shoqëri patriarkalo-maçiste, dhe kështu në kornizën e drunjtë të virtyteve virile do lexuar edhe ky raport, kjo marrdhënie gjaku. Dhënia e gjakut është një gjest femëror, më saktë amësor: është si të dhuruarit qumësht me gji. Ama edhe çdo dhënie, dhurim tjetër, çdo vullnetarizëm, edhe pa atë sistemin hidraulik të amësisë, gjithashtu përmban pak vulnerabilitet altruist femëror. Prandaj këto punë nuk kanë këtu sukses.
    Ndërkaq që e kundërta e dhurimit femëror, kompeticioni mashkullor ( i rrënjosur fort në natyrën kompetitive të gjenitaleve) është edhe një çelës për të kuptuar gjakmarrjen. "Ne jemi një vrasje përpara në krahasim me fisin tjetër, ne jemi më të fortë, ne jemi më shumë vëllazëri, ne kemi kullë më të fortë dhe fishekë më shumë..."
    Gjatë kohës së diktaturës, mashkulli dhe fisi më i fortë ishte partia, dhe subjektet e veta i kishte reduktuar në një status nënshtrimi e përdhunimi. Kështu, shndrruar në një rend gjithëfemëror, shoqëria kishte shumë më pak mundësi për gjakmarrje. Ndërsa gjakdhënia ishte një lloj territori lirie kur individi shpëtonte përkohësisht nga dhunimi duke u dhuruar, duke u madhështuar përmes vetëmohimit humanist, duke e marrë veten në pronësi përmes një gjaku që nuk ia mbante ta derdhte ndryshe...

  2. #22
    i/e regjistruar Maska e Albin
    Anëtarësuar
    06-03-2004
    Vendndodhja
    ???
    Postime
    242
    Hakmarrja e pulave

    E gjithë Bota është në kaos, por më shumë nga të gjithë, duket se është propaganda. Nuk di kush ma ka mësuar këtë fjalën tjetër të urtë që fillonte me temeo danaos: “I Kam frikë grekët edhe kur dhurojnë pula”…Një fantazmë sillet nëpër Evropë, bile jo vetëm nëpër Evropë! Një fantazëm pulash!

    Nga Ervin Hatibi

    Kaq i stërpërdorur është ky parafabrikat nga “Manifesti…”, sa nuk të bëhet më ta lexosh gjëkund, e jo më ta shkruash vetë (është të paktën e dyta herë që e përdor në shkrime këto vitet e fundit). Po gjithsesi përherë e më adapte duket për t’u përdorur. Nuk është kësaj radhe ndonjë konspiracion, as ndonjë pritshmëri dialektike klasore. Një fantazmë përmbi Evropë… Duke ndjekur me sy në TV atë rripin e lajmeve që gjarpëron në buzën e poshtme të ekranit, paralel me numrin e viktimave që vdiqën nga shpërthimet e sotme në Bagdad, mëson se…në Britani kanë ngordhur 30 kanarina… pritet me padurim të dalë ministri i Brendshëm apo i Shëndetësisë të japë ndonjë konferencë shtypi… Në një apartament në Bruksel për shembull a në Milano, mëson në lajme se u bënë bastisje dhe u arrestuan të dyshuar si terroristë të Al Kaidës, dhe sheh policët anti-terror me maska e skafandra. Me po të tilla maska e skafandra i sheh andej nga Rumania duke arrestuar nëpër fusha ndonjë patë apo gjeldet të dyshuar për mbartës të një epidemie apo pandemie që mund të vrasë disa qindra herë më shumë njerëz se Bin Ladeni e Xhorxh Bushi bashkë.

    Me sy nga qielli rrijnë njerëzit, duke parë nga kufinjtë e lindjes se mos nxijnë me helmin imagjinar tufa lejlekësh e dofarë zogu infektues: fermerë, pularritës, zoofilë, nëna të alarmuara, epidemistë, ornitologë, detektivë të scoop-it, mileniaristë që presin apokalipsin e rradhës, rrijnë me sy prej qiellit. Në shtypin ndërkombëtar bile u hodhën edhe hipoteza të tilla që e lidhnin gripin e pulave me strategjitë e luftës baktereologjike të terrorizmit ndërkombëtar. Ka diçka të vërtetë në frikën e se mos pulat i ka infektuar Al Kaida: edhe turqve kështu u pat dalë nami aty nga fundi i mesjetës kur bombardonin kështjellat e rrethuara me qen e pula të sëmura…

    Tendenca që kanë për t’u bërë të rrezikshme kafshët këto vitet e fundit është e pabesueshme dhe në rritje: nuk është turp të trembesh nga pak me qentë e tigrat e gjarpërinjtë, hajde de edhe me shqiponjat, po …pulat! Të ruhesh nga pulat, apo nga lopët mos çmenden! Proporcioni i rrezikshmërisë është në përpjesëtim të zhdrejtë me pamjen dhe namin që kanë kafshët.

    Në fillim ishte lopa! Tashmë pula është ajo që bëhet logoja e katastrofës së rradhës, ajo e cila tradicionalisht nuk na ka bërë ndonjë të keqe: më e madhja çudi që kemi pritur prej saj është ndonjë kokërr vezë me dy të kuqe… Kaq! Gjithë ajo kohë që kemi kaluar duke lëmuar karakterin e njerëzve më të butë se ç’duhet me shprehjen “është pulë fare”, apo kompozitat “zemërpulë” kanë dalë për momentin jashtë objektivi, me po atë shpejtësi me të cilën syri të rrëshket në menu nga pjatat ku turfullon shpendi problematik (Shënim: devijimi nga menuja me pulë ka vetëm arsye psikologjike, dhe aspak fiziologjike. Sigurisht që autori nuk merr përsipër të jetë duke prodhuar ndonjë panik në lidhje me të ushqyerit me pula.)

    Në vitin 1994 doli filmi “Chicken Park”, film që karikaturizonte “Jurassic Park”-un e Steven Spielbergut. Si pasojë e ca alkimive të dështuara nëpër laboratore, një soj i ri gjigand pulash niste të persekutonte personazhet e filmit duke i ndjekur këmba-këmbës nëpër një labirint korridoresh deri në fund të filmit. Makthi që provohet tek versioni me dinosaurë i ndjekjes, është relative, për sa kohë që dinosaurët njëherë e mirë janë zhdukur, e nuk i sheh me sy. Po pulat janë prezente dhe janë kthyer në faktor global frike.

    Disa pak kohë më parë, arkipelagut tragjik me varre kolektive ballkanike, të njohura apo jo, autoritetet sanitaro-kufitare të Republikës i shtuan një njësi të re, mbushur kësaj radhe plot me pula të dyshuara nga Greqija. Pula ende gjallë, mijëra flatra dhe kokoritma pa ajër, bllokuar nën një dhé ekskavatorësh. Pamja makabre, e cila gjithsesi u rrotullua edhe në ndonjë ekran evropian, më kujtoi një shprehje të vjetër që ma ka mësuar gjyshja, e cila, ndjesë pastë, komentonte kështu veprimtarinë gërmuese dhe të zellshme të pulave tona në oborr. Shprehja thotë: “pula nxjerr të vdekurin prej dheut”. Nuk ka mundësi që kjo fjalë të ketë dalë kështu kot e kot…Gjithsesi, gojët e liga, ato që nga anët tona janë të shumta dhe e hapin ditën duke u helmuar esëll me kafe, këto gojë pra mëtuan se Greku, si edhe Turku gjatë mesjetës, po e mësynte vendin e Shqipeve, me Pula të infektuara, të cilat po ashtu si Kali i Trojës, nën pamjen e paqme, të mirënjohur dhe të sipërpërmendur, fshihnin vdekjen.

    Nuk di kush ma ka mësuar këtë fjalën tjetër të urtë që fillonte me temeo danaos “I kam frikë grekët edhe kur dhurojnë pula”…


    ABC nr.12-Ervin Hatibi

  3. #23
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919
    Drejtësi

    Në kuptim të përgjithshëm, drejtësi do të thotë të respektosh masën, kriterin. T'i japësh të drejtën atij që i takon, duke marrë meritën për bazë. Në gjithësi, çdo gjë e krijuar është e matshme dhe e peshueshme, gjë që përbën një argument themelor të vendosjes së drejtësisë. Aty ku s'ka drejtësi, ka rrëmujë.

    Ndërkaq bota është një përmendore harmonie, në çdo qenie të bie në sy një përshtatje e mbështetur në sensin e masës. Edhe përshtatshmëria midis shpirtit dhe trupit përsëri tregon drejtësi. اdo qënieje i jepet një trup në përshtatje me mundësitë e veta.

    Organet e bletës, si mjeshtre e prodhimit të mjaltit, janë në përshtatje të plotë me punën që bën. Po ashtu edhe delja, me gjithçka që bën, ka arritur kështu, të përfitojë favoret e drejtësisë së pafundme. Kjo vërehet te të gjitha gjalllesat.

    Shembulli më i shkëlqyer i së vërtetës së drejtësisë shihet tek njeriu. Njeriu i dërguar në botë me aftësi të tilla si të mësuarit, të menduarit, të lexuarit, të shkruarit dhe të biseduarit, që s'gjenden në qënie të tjera, është pajisur me organe përshtatur shpirtit të tij.

    Cdo njeri ka mundësi të kuptojë se Zoti i tij, që e ka krijuar gjithësinë sipas një kriteri të caktuar, është procedues i drejtësisë së pafundme. Mjafton që gjithësinë ta shqyrtojnë e ta mendojnë me kujdes. Me që Allahu është zotërues i drejtësisë së pafundme, do të sillet i drejtë në çdo veprim të Tij. Kurrë ai nuk do ta miratojë keqbërjen ndërsa keqbërësit do t'i ndëshkojë.

    Ndërkaq, shihet shpesh që vdesin e shkojnë dhunuesi pa u ndëshkuar dhe i pafajshmi pa marrë të drejtën e vet. Kjo botë nuk duket fort si shprehje e së drejtës. Në këto kushte njerëzit do të ringjallen do të ngrihet gjykata e madhe, do të kërkohet llogari, do të peshohen punët, do të dëgjohen dëshmitarët, do të jepen vendimet. Do të mbushet burgu i Skëterrës, kurse mjedisi lumturor i Parajsës do të përfshihet nga hareja. Të dhunuarit do të marrin dhe shijojnë të drejtën dhe shpërblimin e tyre, të mohuar padrejtësisht në këtë jetë, kurse keqbërësit do të provojnë ndëshkimin dhe vuajtjen.

    Mosndëshkimi i të këqijave në këtë botë rrjedh nga "e fshehta e provimit". Po të ndëshkohej menjëherë çdo e keqe, provimi i njerëzve s'do të kishte më asnjë kuptim. Prandaj për këtë shkak, edhe ndëshkimi edhe shpërblimi lihen për në botën tjetër. Në këtë vështrim, as që mund të bëhet fjalë për harresë të drejtësisë.

    Shtyrja e çështjeve gjyqësore bëhet për shkak të përmasave të tyre. Gjykimi i fajeve të mëdha është një proces i madh. Ndërkaq, blasfemia, kundërshtimi dhe keqbërja janë faje të dhunshme. A është e mundur të mbeten këto të pandëshkuara?





    LUMTURI



    Njeriu që e njeh Zotin, që s'e di ç'është jeta e pastajme dhe që nuk fiton vetëdijen e të qenit rob ndaj Krijuesit, as edhe i lumtur nuk mund të jetë. Sepse shijet e kësaj bote janë të përkohshme. Ku mbaron kënaqësia, fillon vuajtja. Kjo alternativë zvarritet gjer në vdekje. Vetëm mendimi se deliktet janë mortore, është i mjaftueshëm për ta errësuar kënaqësinë e jetës. Ata që marrin kënaqësi nga jeta, në kuptimin e plotë të fjalës, janë vetëm ata që besojnë.

    Ata e dinë se shijet janë të përkohshme, kurse Zoti, dhuruesi i të mirave, është i përhershëm. Ai zotëron edhe fuqinë për të realizuar vazhdimësinë e të mirave të konsumuara. Edhe po s'i dha në këtë botë, mund t'i japë në botën e përjetme, që është vendi i lumturisë së amëshuar. Në këto kushte, është pa kuptim të mjerohesh duke menduar se shijet do të marrin fund një ditë. Një njeri i varfër që mërzitet nga mendimi se kënaqësitë do të mbarohen -ende pa u mbaruar, ndoshta pa u filluar - p.sh. mollët në shportën diku aty në shtëpi e për këtë i cënohet edhe shijimi i tyre, po të mësonte se mbreti nuk do ta linte pa mollë, por do t'i jepte sa herë që t'i mbaroheshin, do të gëzohej e do t'i shijonte plotësisht. Ja, pra, kësaj i përngjan shija që merr besimtari nga të mirat e kësaj bote.

    Tipari më i rëndësishëm që e ndan njeriun nga kafshët, është mendja, mirëpo ky kapacitet i posaçëm bëhet burim të këqijash po s'u përdor me vend. Sepse ekziston mundësia që në sajë të mendjes të mendohet e shkuara dhe e ardhmja. Mosbesimtari mjerohet duke menduar ditët e bukura të ikura një herë e përgjithmonë, ndërkaq që e ardhmja është plot rreziqe të panjohura. Për ata që e pandehin vdekjen fundin e gjithçkaje, e shkuara është atdheu i të paqënave, kurse e ardhmja, perspektiva, goja e një kuçedre që do të gëlltisë atë vetë e të dashurit e tij. Me që nuk i është mbështetur Zotit, çdo ngjarje ia drithmon shpirtin. Nga jashtë duket i lumtur, ndërsa bota e brendshme i është kthyer në një ferr të vërtetë hidhërimesh.

    Sa për besimtarin, vdekja s'është asgjësim, por vetëm një fillim, është një mjet për të kaluar në botën e pastajme. Ndërsa e ardhmja është nën urdhërin e Zotit, poseduesit të mëshirës së pafundme. Bota, me ç'ka brenda, është e përkohshme, kurse Ai është i Përhershëm.

    Po qe se njeriu do të mbështetej përjetësisht në këtë botë, ndoshta kënaqësive do t'u jepej rëndësi më tepër se ç'u takon. Por në faqe të tokës çdo çast fryjnë erërat e vdekjes. Jemi dëshmitarë të mjedisit që na rrethon, të luftës për jetë a vdekje. Në çdo krijesë shohim fytyrën e vdekjes, lulet që buzëqeshnin dje në degë, sot janë shkelur me këmbë. Pemët - nuset bleroshe të pranverës dhe të verës, dimrit vishen me qefin. Një lëmsh puplash - ja çka mbetet pas prej zogjve që fluturojnë të lirë qiejve të kaltër. Veç kur të shohësh që të rinjtë me trupin e drejtë si filiz, janë përthyer si degë të shtrembëta pas disa vitesh. Sytë e përshndritur nga shkëlqimi e ngazëllimi, mbushen me dhe. Të dashurit na braktisin një e nga një.

    Të gjitha udhët të çojnë në varr.

    Nuk kemi asnjë dyshin së fundi ynë normalisht është pleqëri dhe vdekje. Në këto kushte, në çështjen e pushtetit e të zotërimit në të cilin vdekja nuk mbetet aspak prapa nga jeta, ajo (vdekja) duhet të kërkojë diçka nga ne! Ja, pra, kjo është çështja parësore e njeriut dhe kësaj të vërtete askush nuk do të mendet t'i bëjë bisht!

    Ndërsa njeriu i dhënë pas delikteve dridhet para vdekjes, muslimani, përkundrazi është i qetë. Sepse për të vdekja s'do të thotë groposje e kalbje, por bashkim me Profetin e vet dhe me të dashurit e vet, Azraili, që i lëshon të tjerët në tmerr, është një bartës amaneti të besueshëm. Për ata të amanetit, ceremonia funebre dhe ceremonia e dasmës janë e njëjta gjë.

    Nëse udha të çon te mëshiruesi e bamirësi, varri kthehet në lulishte!







    Pse Jetojmë?



    "Uniteti i së tërës" - siç përkufizohet forma më e përsosur e harmonisë, është në gjithësi. Cdo krijesë kryen pa të metë detyrën që i takon. Jogjallesat i shërbejnë jetës. Dhe forma më e lartë e jetës i është dhënë njeriut. Mund të themi pa u lëkundur se gjithësia punon për njeriun. Bimët janë nën pushtetin e kafshëve, ndërsa kafshët - nën pushtetin e njeriut.

    Sipas rregullsisë hyjnore që çdo krijesë është bërë për një qëllim të caktuar, edhe njeriu është krijuar për një synim të caktuar. E kundërta do të na çonte në alogjizëm. Në këto kushte, ç'lloj synimi do të jetë ky?

    Përgjigjja e kësaj pyetje ndodhet te fjala e Zotit tonë. Të gjitha librat hyjnorë, duke u përqëndruar në të njëjtën pikë, thonë: "Detyra juaj kryesore është që, duke njohur Zotin tuaj, që ju krijoi, nga mosqenia dhe ju jep mundësi të jetoni mes të mirash, t'i silleni si rob atij. Po dëshiruat një rini të përhershme, një lumturi të përjetshme dhe kënaqësi të përsosura, bindjiuni urdhërave të Tij e shmangiuni veprimeve të ndaluara. Kënaqësitë tokësore i ngjajnë mirazhit mashtrues të shkretëtirës. Po qe se harroni objektivin tuaj të vërtetë, duke u dhënë pas tërheqjes së shijeve të kësaj jete të përkohshme, do të bëheni ndër ata që merituan ndëshkim. Mos harroni se kundërshtimi dhe mohimi janë shenja mosmirënjohjeje ndj Zotit xh.sh.

    Mysafiri duhet t'i bindet të zotit të shtëpisë. Ai që nuk ia vë veshin personit që e ushqen dhe i siguron prehjen, por bën si t'i vijë, është mosmirënjohës. Mysafiri që kërkon të mos njohë të zotin e shtëpisë, ndërkohë që ka për detyrë ta falenderojë atë, është i denjë për ndëshkim.

    Ja, pra, shembullit të mësipërm i përngjet situata e njeriut që vjen mysafir në këtë botë, ku rrethohet me gjithë ato të mira, ndërsa ai nuk e njeh të Zotin e kësaj bote, atë Zot ndaj të cilit njeriu është rob.

    Në një film fantastiko-shkencor tregohet mjaft mirë të qenit rob ndaj zotit: një njeri i pasur ngre një fabrikë për të prodhuar robotë duke harxhuar shumë pare synimin, për t'i shfrytëzuar ata në disa punë të rëndësishme. Prodhohen robotët, por, sidoqoftë, u prishën aparatet komanduese dhe ata revoltohen; siç nuk punojnë, ashtu edhe sjellin dëm, mbërthehen nga dëshira e verbër për të jetuar kot si endacakë. Njeriu i shkatërron robototët sa s'njihen më, kurse fabrikën e mbyll.

    Ato mjete të përparuara u përngjajnë njerëzve. Fabrika e gjithësisë u ngrit për ne. Të gjitha krijesat e gjalla e jo të gjalla na shërbejnë neve. Jemi krijuar për një synim të lartë, siç është adhurimi. Gjithashtu, ndërkohë ne vihemi në provë me anë të të mirave, të shijeve e të kënaqësive.

    Eshtë krejt pa vend të mendojmë se nuk do të vijë ajo ditë kur do të kërkohet llogari, dhe se do të asgjësohemi pas vdekjes. Sepse duhet të konkludiojmë që kjo gjithësi e krijuar me gjithë këto të të mira të pafundme, funksionon kot së koti, gjë që do të ishte absurditeti më i madh.

    Në këto kushte do të krijohet bota e pastajme, do të vijë dita e llogarisë, mosbesimtarët do të ndëshkohen, ndërsa besimtarët do të shpërblehen. Ata që kanë shfrytëzuar të tjerët për rehatin e vet, shpejt a vonë do të meritojnë dënimin.



    Shënim: Deliktet: është fjala për tërë kompleksin e sensualizimit të njeriut, që, në ndryshim nga ndjenjat dhe kënaqësitë sublime, ka një natyrë thellësisht neurovegjetative, për pasojë, të përkohshme e të pasur me deziluzione. Kjo ndodh veçanërisht, nëse ai zhvishet nga çdo lloj karakter i cili në fakt përbën dallimin esencial të të njëjtave procese neurovegjetative nga kafshët te njeriu.

  4. #24
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919
    DEVOCIONI

    Natyra ka determinizmin, njeriu ka fatin. Pranimi i keti fati eshte porosia
    me e larte dhe e sprasme e Islamit.

    A ekziston dhe si ajo qe quajme fat?- Ta veshtrojme jeten tone personale dhe
    te shohim ç'mbeti nga planet tona me te dashura ose nga enderrimet rinore. A
    nuk erdhem ne jete pa vullnetin tone dhe ndeshen vetveten me tere natyren
    tone, me intelektin me te madh a me te vogel, me dukjen qe mund te jete
    simpatike a antipatike, me kurmin qe mund t'i ngjaje xhuxhit e atletit; ne
    shtepine e mbretit a te lypsit, ne kohe te shqetesuar a te qete, gjate
    sundimit te tiranit ose te nje princi te virtytshem dhe ne pergjithesi ne
    rrethanat politike, gjeografike e shoqerore per te cilat s'na pyeti askush?
    Sa e kufizuar eshte ajo qe eshte vullneti yne, nderkaq sa e madhe dhe e
    parerfshishme eshte ajo qe eshte fati yne!

    Njeriu eshte "flakur ne bote" dhe varet nga shume fakte mbi te cilat s'ka
    kurrfare pushteti. Edhe me te largetat veprojne ne jeten e tij sikur me te
    afertat. Gjate invazionit te aleateve ne Evrope, me 1944, u be nje
    çrregullim i gjithmbarshem ne radiolidhje, qe do mund te ishte vendimtar per
    operacionin qe zhvillohej. Me vone u konstatua se çrregullimi ishte pasoje e
    eksplodimit te madh ne Andromede, sistem yjesh disa miliona vitesh drite
    larg nesh. Nje lloj termetesh katastrofale ne planetin tone eshte pasoje e
    ndryshimeve ne syprinen e Diellit. Me shtimin e njohurive tona per boten,
    shtohet edhe vetedija jone se s'do te behemi kurre zoter teresisht te fatit
    tone. Madje edhe po te supozojme progresin me te madh te mundhsem te
    shkences, masa e rrethanave te pushtuara ne krahasim me masen e masave te
    papushtuara e te papushtueshme, do jete pa ndonje peshe. Njeriu dhe bota
    s'rrine ne proporcion. Njesia e ecjes se gjerave s'eshte njeriu dhe jeta e
    tij njerezore. Se kendejmi pasiguria e amshueshme e njeriut, qe ne aspektin
    psikologjik mund te manifestohet me pesimizem, zhgenjim ose - me
    devocionndaj fatit dhe vullnetit te Perendise.

    Islami si perpjekje per rregullimin e botes me ndihmen e edukimit e te
    ligjeve eshte rrafsh me i ngushte i zgjedhjes, devocioni me i gjere.

    Drejtesia individuale nuk munde te permbushet kurre ne kushtet e
    ekzistencen. Ne mind t'i pasojme te gjitha normat e Islamit, qe me ne fund
    duhet te na sigurojne lumturine "ne te dy boterat"; per me teper ne mund t'i
    pasojme edhe te gjitha normat e tjera mjekesore, shoqerore e morale,
    megjithate, per shkak te nderliksjes se tmerrshme te fateve, te aspiratave
    te vetedijshme e te rasteve te pakontrollueshme, te pesojme shpirterisht e
    fizikisht. Ç'e ngushellon nenen qe humbe te jetmin djale? Ç'ngushellim mund
    te gjeje njeriu qe ne nje aksident te paparapare mberet i gjymtuar? "Bindemi
    me poziten tone njerezore. Ne jemi gjithashtu ne situata… Une mund te veproj
    qe te nderroje situata. Mirepo ka situata qe jane ne esence te
    pandryshueshme, madje edhe kur manifestimi i tyre merr pamje tjeter dhe kur
    pushteti i tyre ngadhenjyes fshihet pas velit: duhet te vdes, duhet te vuaj,
    duhet te luftoj, i nenshtrohem rastit, nderliksem ne menyre te pashmangshme
    me fajin. Keto situata themelore te ekzistences sone i quajme "situata
    kufitare" (Karl Jaspers, hyrje ne filozofi). "Ne boten reale njeriu duhet te
    permiresoje çdo gje qe eshte e mundshme: pas kesaj femijet edhe me tej do te
    vdesin pa te drejte, madje edhe ne shoqerine e perkryer. Ne perpjekjen e vet
    me te madhe njeriu mund t'ia veje vetes per detyre vetem ta zvogeloje ne
    menyre aritmetike dhembjen e botes. Mirepo padrejtesia e dhembja do te
    ngelin dhe, sado te kufizuara, ato nuk do te pushojne te jene shemti"(Albert
    Camus, L'homme revolte). Devocioni a rebelimi - keto jane dy pergjigjje te
    kunderta ne dilemen e njejte.

    Devocioni permban nga diçka prej çdo urtie njerzore, perveç njeres:
    optimizmit te ceket. Ai eshte rrefim per fatin e njeriut, per kete gje fryn
    pesimizem, sepse "secili fat eshte tragjk e dramatik, po t'i shkohet deri ne
    fund" (Gasset) Devocioni ndaj fatit eshte pergjgjje tronditese ne temen e
    madhe te njerezimit mbi pesimin e pashmangshem. Ai eshte njohje e jetes
    çfare eshte dhe vendim i vetedijshem se do duruar e perjetuar çdo gje. Mbi
    kete pike Islami ndryshon esencialisht nga optimizmi i ceket i filozofise
    evropjane dhe nga perrallat e saj naïve per "boten me te mire nga te gjitha
    te mundshmet". Devocioni eshte drite e bute pertej pesimizmit.

    Mirepo, si rezultat i ndjenjes se pafuqise e te pasigurise, devocioni behet
    vete fuqi e re dhe nje siguri e re. Besimi ne Zot dhe ne idene e Tij na jep
    nje ndjenje te atille sigurie qe s'do te zevendesohej e kompensohej me asgje
    tjeter. Te gjitha racat heroike besonin ne fat - pohon Emersoni. Sepse
    devocioni s'eshte pasivitet, siç mendojne teresisht gabim shumica. S'eshte
    fjala qe t'i dorezohemi fatit, sepse raporti yne ndaj fatit ka randesi
    morale. Devocioni eshte qendrim i brendshem i njeriut ndaj teresise se botes
    dhe ndaj rezultateve te veprimit te vete. Devocioni ndaj vullnetit te Zotit
    do te thote pavaresi ndaj vullnetit te njerezve. Ky eshte raporti i ri
    ndermjet njeriut e Zotit, ndaj edhe raport i ri ndermjet njeriut e njeriut.

    Prandaj: te pranosh fatin do te thote te ndjehesh i lire deri ne fund.
    Mirepo kjo eshte liri qe pushtohet duke e permbushur fatin tende, duke u
    pajtuar me te. Ajo qe angazhimin dhe luften tone e bene njerezore dhe te
    arsyeshme, ajo qe i jep vulen e maturise e te qetesise eshte bindja se
    rezultati definitiv i çdo gjeje s'eshte ne duart tona. E kemi per detyre te
    perpiqemi e te veprojme, rezultati eshte ne duart e Zotit.

    Prandaj: Ta kuptosh mirefilli jeten tende ne kete toke do te thote te
    fillosh te besh perpjekje pa ambicie qe te perfshihet e te pushtohet çdo
    gje, por te jeshe gati ta pranosh vendin e kohen tek je lindur, vendin e
    kohen qe fati yne quhet e qe vullneti i Zotit eshte. Devocioni eshte
    shtegdalja e vetme njerezore e dinjitoze nga absurdi i jetes, shteg pa
    rebelim, pa deshperim, pa nihilizem dhe pa vetevrasje. Eshte ndjenja heroike
    jo e heroit, por e njeriut te rendomte ne te papriturat e pashmangshme te
    jetes, ose ndjenja tragjike e shehidit qe beri detyren e vet dhe qe pranon
    fatin e vet.

    Islami s'e mori emrin sipas ligjeve, urdherave e ndalimeve te veta, sipas
    mundimit te kurmit e shpirtit qe kerkohet, por sipas nje diçkaje qe ngerthet
    dhe i tejshkon te gjitha keto, sipas nje çasti njohjeje, sipas forces se
    shpirtit qe te matet me kohen, sipas gatishmerise qe te durohet e tera qe
    ofrohet gjate nje ekzistence, sipas se vertetes se devocionit.

    Devocion, Islam e ke emrin !

    Alija Izetbegoviq
    Ndryshuar për herë të fundit nga ORIONI : 22-12-2005 më 08:55

  5. #25
    Sami Frasheri Maska e Arrnubi
    Anëtarësuar
    19-07-2003
    Vendndodhja
    dynja
    Postime
    741
    Eshte klas ky djale!

    Unë flas, ti flet, ai flet…(Ata shikojnë…)

    Që nga momenti jo fort i largët i hyrjes në fuqi të ligjeve të reja për të drejtat e autorit, ekranet shqiptare befas u çglobalizuan me një shpejtësi trishtuese. Befas gjithë ajo mori filmash hollivudianë të shfaqur nonstop, gjithë ato videoklipe muzikorë nga më të nxehtët e momentit apo të memorjes, gjithë ata dokumentarë kulturorë, shpesh edhe të papërkthyer hiç, u zhdukën nga ekranet, sapo u njoftua ora policore.

    Ervin Hatibi

    Në agoni e sipër ndonjë ekran rebel vazhdonte të emetonte në mënyrë të kundraligjshme imazhe lamtumire të yjeve tanë të dashur anglishtfolës në shuarje e sipër, përmes ndonjë filmi apo koncerti. Shijak-TV, televizion i me CV të admirueshme rebelimi, rroku fuqishëm flamurin e piraterisë, dhe e valëviti për disa javë jashtë territorit të ligjit, deri sa gjoba të rënda fare nga komisionet shtetërore të vigjilencës, ia shkulën me gjithë duar flamurin. Qyteti i fundit i rezistencës televizive kishte rënë. Trupat e huaja të Hollywood-it dhe MTV-së ishin tërhequr përfundimisht, dhe mbi antenat e shqiptarëve u ngrit flamuri kombëtar i izolimit krenar. Politika anti-pirateri, një operacion selektiv i cili nuk prek pirateritë në fushën e shkrimit përshembull, ishte një nga sukseset e rradhës të implikimit të interesave të biznesit të madh (në këtë rast televiziv) me politikën, për të falimentuar kështu televizionet e vogla, që e mbanin shtëpinë vetëm me miell borxh. Filloi të lulëzojë tregu i antenave parabolike, të cilat, në një krahasim të cilin nuk jam i sigurtë në e bëj unë i pari, tashmë kanë zëvendësuar me ovalitetin e tyre metalik formën e njohur po ovale të bunkerëve ushtarakë; ndërsa bunkerët ishin helmeta të maskuara me ngjyra e bimësi për të mbrojtur shqiptarët nga sulmi i të huajve, antenat e bardha parabolike janë shënjestra-targete të bardha që shqiptarët ngrehin kudo nëpër tarraca a ballkone për t’u thënë të huajve:- aman këtu jemi, qëllonani mu në kokë me ndonjë film a me ndonjë këngë se plasëm, na u thanë sytë!
    Qytetarët-shikues e kanë zgjidhur duke ngrehur në ajër velat e bardha të antenave satelitore, kurse televizionet vetë, vendin bosh që e mbushnin me mall kontrabandë përpiqen ta mbushin me programe të bëra vetë. (Alternativa e dhimbshme e mallit të huaj, nuk vonoi të vinte në formë telenovelash latinoamerikane, krejt uniforme, me të njëjtat lloje dekoresh e grash e dialogjesh, të cilat të japin përshtypjen, se sado ta përdorësh telekomandën, në ekran të del vetëm një stacion…)
    Po ndërkaq, rruga më e shkurtër për ta mbushur programin është të kurdisësh një talk-show. Merr një gjysëm duzine me burra a gra dhe vëri të krihen me shoku-shokun për ndonjë temë të madhe apo të vockël të ditës, për korrupsionin a për luftën në Irak, për tatuazhet në vende ekzotike të trupit, për bashkëjetesën pa kurorë, për krimin në familje a për kënaqësinë e të ngarit të makinës pa patentë… E gjitha nën dekorin e duhur shumëngjyrësh, me gazetarin-moderator, nën stratagjemën e njohur “hedh budallai një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot”. Por problemi i vetëm është se gati të gjitha stacionet televizive gati përditë organizojnë nga një apo dy talk-show-e, dhe kështu në një vend kaq të vogël si Shqipëria, me gjithë atë rrjedhje truri për në Perëndim, gati të gjithë njerëzit e mençur kanë dalë të paktën nga një herë të debatojnë në këto lloj programesh. Dhe detyrimisht, të dëshpëruar, me frikën dhe ngasjen e piraterisë në zemër, organizatorët e talk-show-eve u janë drejtuar në mënyrë të padiskriminuar gjithë qytetarëve: me shkollë, pa shkollë, me gjuhë të trashë, me gjuhë të hollë, dhe ja... e mbushëm programin edhe sot…
    Po mundohem gjatë t’I gjej ndonjë fjalë zëvendësuese shqip termit talk-show, ndonëse lehtësisht thuajse gjithkush e kupton. Nisa pra për argëtim të përzgjidhja nëpër fjalorin personal diçka më kumbuese e spektakolare se “bisedë televizive”, ndonjë metaforë mbase. Jashtëzakonisht kollaj, në vazhdën noliane të orientalizimit të zhargonit, teknikë që prej vitesh shkakton breshëri gazi ndër gjimnazistët tiranas, në mend s’po më vinte gjë më piktoreske se “muhabet-sehir”, po ama edhe kjo nuk më kënaqi. M’u kujtua pastaj, se mbase ndonjë term më adapt do kërkuar në traditën jo edhe aq modeste të komunikimit masiv të krijuar gjatë epokës socialiste. Në këtë periudhë shoqërizimi të detyrueshëm, edhe debati, biseda, kritika, doemos që duheshin bërë në kolektiv, ndonëse pa dëshminë e kamerave. Fjalimi i fundit i shokut Enver, trendi i fundit në kursim apo riciklim i ndonjë kooperative bujqësore, përvjetoret e historisë kombëtare-revolucionare apo Dita e Novatorit a e Elektrifikimit të Vendit, ngjyrat e ndezura në veshje apo flokët më të gjatë se norma të çunakëve rebelë, situata aktuale në frontin Viet-kong, thatësira e gjatë apo tërmeti apo çdo lloj fenomeni tjetër mediatik natyror, të gjitha ishin tema të denja për të mbledhur kolektivin profesional apo territorial në talk-show-in e rradhës. Duke insertuar citimet më në modë nga raportet e Kongesit apo Plenumit më të afërt, që ishin si të thuash edhe bursa e vlerave idologjike, diskutimet kishin rolin e madh formues për gjithkënd, pasi personat e ushtruar për të marrë fjalën e për të diskutuar, të mësonin sa e si duhej hapur goja për momentin e dhënë historik. Të paktë janë ata që i kanë shpëtuar diskutimit, kritikës apo autokritikës, zotimit publik në talk-show-et e socializmit. Të cilat ishin pasardhëse të kulturës patriark-kolektiviste të odave të burrave, dihet. Me dallimin thelbësor se me kalimin e kohës kishte humbur thjeshtë elementi i burrërisë si edhe efekti skenik i tymit shtëllungëtar të duhanit. Seriozitet mbytës i jepte mexhliseve të burrërisë tymi mistifikues i duhanit, i cili mbulonte me maskë shprehjet e padëshirueshme të fytyrave mustaqellie, siç metaforat mbulonin mesazhet politike apo verdiktet gjyqësore apo paralajmërimet diplomatike që shqiptoheshin nën po atë tym e mustaqe. Ndërsa në odat socialiste duhej shkoqje e fjalës, sllogane të kontrolluara rituale, gjithçka doemos të dukej e qartë dhe pa ekuivoke para shqisës së kudondodhur të Partisë. Interesant është të kujtojmë, për ta mbyllur këtë shpjegim termi, se kushdo që të mblidhej nëpër këto grumbullimet diskutuese, qofshin reparte punëtorësh a ushtarësh, klasa shkolle tetëvjeçare a të mesme, banorë të një njësie, pavarësisht grupmoshave, ajo që i bashkonte në një të vetme të gjitha këto mbledhje-talk-show-e, ishte skenografija dhe toni. Skenografia mbytej në gjak nën ikonostaset puritane të marksizmit blegtoral shqiptar, me portetet e Enverit dhe të Mësuesve të Tjerë të Mëdhenj, dhe slloganet plot panik të ndërgjegjësimit për vogëlsinë tënde para Partisë e Popullit. Kurse toni, absolutisht serioz përshkonte vertikalisht të gjithë brezat e diskutantëve. Nuk besoj që një diskutim pionierësh për pyllëzimin apo ngjarjet më të fundit në Kosovë kishte më pak seriozitet e solemnitet sesa një diskutim me të njëjtën temë në kolektivin e Akademisë së Shkencave të Republikës.
    Sot veç dekorit, është toni që është çtensionuar. Siç e thashë, dyndja masive nëpër ekranet e traumatizuara nga erozioni i imazhit, ka bërë që kushdo të ngjitet e të japë pak mend në publik. Lirshëm fare. Ai tipi që ishte ulur me ty në kafe deri tani dhe të kërkoi leje sapo pa orën, për disa minuta del e të shfaqet në ekranin e televizionit mbi banakun e lokalit dhe me të njëjtin ton të shpenguar vazhdon bisedën që kishte lënë përgjysëm me ty pak më parë.
    Sa budalla eshte "Odisea"

  6. #26
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-09-2004
    Postime
    2,389
    Arrnubi,

    Ku shkrun Ervini?

  7. #27
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198
    81. Tekwir 1. Kur dielli të jetë mbështjellur (dhe errësohet),
    2. Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur),
    3. Dhe kur kodrat të kenë udhëtuar (e bërë pluhur në ajër),
    4. Dhe kur devetë e shtrenjta të lihen pa bari në fushë,
    5. Dhe kur egërsirat të jenë bashkuar (tubuar).
    6. Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakruar,
    7. Dhe kur shpirtrat të jenë bashkuar.
    8. Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla,
    9. Për çfarë mëkati ato janë mbytur,








    Pa gra: Filma dhe gjasa të frikshme nga India


    Mungesa e grave është bërë ulëritëse në Indi. Gratë e Indisë fusin barkun në skaner dhe shohin me tmerr se mos brenda aty fle symbyllur fetusi femër si një kancer femëror, i cili duhet çrrënjosur sa nuk është vonë.



    Nga Ervin Hatibi



    Një tradicionalizëm pervers i cili vështron mashkullin si fat dhe femrën si fatkeqësi, është pajisur me teknologjinë, dhe kështu skaneri është kthyer në gijotinë për fetuset-femra të nënkontinentit indian. Gratë po çrrënjosen nga India. Ato janë çifutët gjinorë të nacional-maskilizmit, i cili ideologjizon burrërinë si forcë pune, dhune dhe krenarie komunitare ndërsa femrën si thembrën e Akilit, si pikë dobësije dhe turpërimi. Për të kuptuar deri në çfarë pike ka shkuar halli, le të shohim pak statistikat: nga minus 3.5 milion femra në vitin 1901, një shekull më tej, më 2001, numri i indianeve që mungojnë është 35 milion. Pika midis treshit dhe pesës është fshirë mu si të ishte një pikë bojë jeshile apo e kuqe në ballin bollivudian të një indianke kërthizëjashtë me sari lajlelule dhe flokë me këna… E thënë ndryshe, për momentin kemi vetëm 1000 indianka, me ose pa pikë në ballë për 1072 burra indianë me mustaqe. Njerëzit kuptojnë më mirë numrat sesa shkronjat, prandaj më në fund shoqëria është vënë në alarm. Gjithë njerëzit me sadopak fantazi po e përfytyrojnë të ardhmen si një peiz
    azh të egër gladiatorësh, gërryer prej një adrenaline shkumëzuese ku meshkujt e ndezur indianë, të ndarë edhe kështu si janë, në kasta, fe, sekte, gjuhë e dialekte të shumta copëtohen midis njëri-tjetrit për të rrëmbyer femrat e pakta që kanë tepruar: edhe ato të shëmtuarat, edhe ato të kastës më të ulët, edhe ato të një fare e qumështi, edhe ato që ngjajnë si femra…

    Matrubhoomi: kombi pa gra

    Në Indi, Matrubhoomi, (mëmëdheu) dita-ditës po bëhet Patrubhoomi, (atdheu) (Shënim 1: autori i këtij shkrimi, ndonëse aspak poliglot, bën thirrje të meditohet seriozisht mbi faktin se pse rrënja inoevropiançe matr tek ne del motër, kur gati gjithkund tjetër po del nënë?!)
    “Mëmëdheu: kombi pa gra” është titull i një filmi franko-indian, me autor 24 vjeçarin indian Manish Jha. Sipas autoritetit të revistës globaliste “Time”, ky ishte një nga dhjetë filmat më të mirë të 2003.
    Një nga skenat fillestare të filmit, tregon një foshnjë femër të sapolindur tek vritet nga i ati duke e mbytur në një enë me qumësht. Megjithëse ngjan si sajesë e sforcuar meshash satanike, skena është jo edhe aq e panjohur në fshatra të Indisë. Ky detaj makabër hap perdet drejt një të ardhmeje të imagjinuar ku foshnjëvrasja femërore e ka sjellë shoqërinë, gjithnjë e më njëgjinore, në çastin e asfiksisë seksuale kolektive.
    Ngjarjet lokalizohen në një familje pesë vëllezërish plus të atin, në një fshat ku nuk ka mbetur gjë tjetër veç burrave dhe kafshëve. Përditshmëria e meshkujve të fshatit është pornografi, homoseksualizëm, bestialitet. Një ditë dikush dëgjon diku në një breg liqeni një këngë grarishte: është një vajzë që këndon dhe mashkulli e ndjek këmba-këmbës deri sa arrin t’ia gjejë shtëpinë e largët, ku i ati i vajzës bie dakord që ta shesë të bijën kundrejt një paje. Duhet vënë re se në Indi pajën zakonisht, e sjellin gratë.
    Vajza e shkretë vjen në fshatin e meshkujve, dhe e sheh veten praktikisht të martuar njëkohësisht me të pesë vëllezërit, plus të atin e tyre… Ditët e saj janë një ferr i qelbur abuzimi e përdhunimi. Dikur, më i vogli vëlla nis e tregon ca njerëzillëk ndaj të burgosurës seksuale të familjes, dhe kështu të dy bien në një si dashuri. Mirëpo kjo lloj marrëdhënie e panatyrshme në fshatin tashmë të kafshëruar, jep shembull të keq, prandaj vëllai i madh merr dhe e vret të voglin e mirë.
    Një prej skenave të pakta gjysmëhumoristike të një filmi të rëndë si ky, tregon sesi një grup burrash reagojnë me dënesje e përlotje emocionale ndaj pamjes së një pornostareje të zhveshur në televizor. Është gjithsesi malli për nënat që u kanë vdekur e për motrat a bijat që i kanë vrarë. Po ashtu skena që kritika nuk ka mbetur pa e nënvizuar si simbolikë nga më qendroret në film, është kur një burrë kryendezur abuzon keq me një lopë. Dhe dihet se lopa është një kafshë e veshur me shenjtëri në kulturën hinduse…
    Pas përdhunimeve që shtrihen edhe përtej kufirit “familjar”, viktima mbetet shtatzanë. Fruti i barkut të saj të masakruar, është vajzë. Fund i filmit.
    “Matrubhoomi: kombi pa gra” u shoqërua, veç vlerësimeve, edhe me reagime të forta kundërshtuese e shenja proteste. Spektatorë jo të paktë edhe në botë, shumica prej diasporës indiane, qoftë për arsye etike, qoftë për nacionalizëm, kanë braktisur me poterë shfaqjet; ndërkaq që gjithë lehtësimi për kaq sa shkrova është se shyqyr që është vetëm film: “ ëndrra në beze”, si thoshin tiranasit. Nga ato që të nxjerrin gjumin ama.



    Kombi me kinema

    Ndonëse i duartrokitur e i vlerësuar në një gjysëm duzine festivalesh në perëndim, filmi në fakt është për Indinë. I përkthyer në një gjysmë duzine gjuhësh që fliten atje, filmi kërkon të prekë, të neverisë, të revoltojë indianin.
    Yje të ndryshëm të spektaklit e sportit, klerikë të të gjitha feve kanë bërë thirrje e hedhur parrulla kundër vrasjes së foshnjave femra, po gjithë ç’kanë përdorur kanë qenë, sigurisht, fjalë.
    Ndërsa në fakt India njihet si vendi me prodhimin më të lartë të filmave në botë, ku kinemaja është dëfrimi dhe arti më popullor. Universi indian, i pyllëzuar prej mijëvjeçarësh me imazhe dhe grupe statujash pafund, që përsëriten në çdo kthim koke, që dalin nga tempujt, ecin rrugëve e zvogëlohen e futen në çdo shtëpi, është si të thuash, një lloj pararendësi i motion pictures, imazhit lëvizës kinematografik. Kush e ka parë idhullin e Shivës, me duar të shumëfishta që e qarkojnë si aureolë sipas stilit të Gjon Milit, e kupton më mirë sesi dokumentimi i lëvizjes së imazhit ka qenë imperativ, shumë më i vjetër se ç’na e kanë mësuar arkeologët e kinemasë. Nëse Hollywood-i është quajtur fabrika e ëndrrave, sepse fundja në tokën e fabrikave duhet të bëjë të ëndërrojë popullin e mërzitur të fabrikave, Bollywood-i do quajtur tempulli i zhgjëndrrave, sepse në tokën e tempujve i duhet me këngë e valle të zgjojë prej ëndrrash popullin meditativ të tempujve…

    Kështu kolektiva të ndarë në kaq kasta e klasa, komunitete e divinitete, për të ruajtuar kufijtë ekonomiko-emocionalë përballë njëri-tjetrit, asgjësojnë në heshtje vulnerabilitetin e personifikuar tek gratë e veta, pa qenë të ndërgjegjshëm se po asgjësojnë veten. Duke luftuar përmasën e vet femërore, (altruiste?) murosin portat e pranimit të tjetrit, por njëkohësisht edhe helmohen brenda vetes nga asfiksia. Ama kinemaja i përfshin të gjithë brenda dhe i birëson si fëmijë të vetët, komunitet unik nën të njëjtin qiell prej bezeje të shndritur, duke i bërë të reagojnë në unison ndaj shëmtisë dhe neverisë që po përgatisin.
    (Shënim 2: autori i këtij shkrimi, ndonëse askund filozof, bën thirrje që distanca me Matrubhoomi Indinë në këtë parabolë, të mos matet as me kutin nënë-motër si në shënimin numër 1.)

  8. #28
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919
    Ju rrëfej takimin tim me Nexhmije Hoxhën

    nga Ervin Hatibi

    Dhjetor I vitit 1995. Atë vit, sapo na kishin dhënë titullin e lartë “Pionierë të Enverit”, dhe po ashtu me të njëjtin emër kishin pagëzuar edhe hidrocentralin e Komanit, portin e Durrësit, Universitetin e Tiranës (vini re si shkëlqen simbolika hidro-iluministe që përfshin gjithë objektet e emërtuara me Enver. Bile edhe emri “Enver” në origjinalin arabisht mu kështu do të thotë, “I përndritur”.) Unë isha atëherë pionieri I vogël I shkollës tetëvjeçare “Mihal Grameno”. Mësuesja kujdestare, a ndonjë tjetër figurë që kujdesej, më kishte zgjedhur edhe mua, ndonëse jo edhe aq i dalluar në mësime, ndër ata 4-5 pionierë që do të përfaqësonim shkollën tonë periferike dhe problematike në një mbrëmje tematike të kremtimit të vitit të ri ku do vinte (merr frymë thellë!) edhe vetë xhaxhi Ramiz. I cili gjithsesi nuk kishte atë llamburitjen budike dhe as të ngopte deri në velje si figura e plotë “xhaxhi Enver/e ke gojëm me sheqer”, por ama ishte faktikisht udhëheqësi I parë I Partisë dhe I Shtetit. Takimi tematiko-argëtues do të zhvillohej në Pallatin e ri të Kongreseve, dhe aty do të vinin pionierë nga e gjithë Shqipëria. Para se të hapeshin digat administrative, dhe në Tiranë të vërshonin bindshëm fshatarët e të gjitha zonave të thella endogamike, numri I fëmijëve flokëverdhë në qytet nuk ka qenë edhe aq I madh. Tani që I mendoj më mirë ca gjëra e kuptoj sepse krahas epitetit …racist “kokëlakër” apo “gjerman” me të cilët ma merrnin shpirtin e vogël, flokët e mij të verdhë ishin një arsye më shumë, ishin artifici dekorativ që I shtynte mësuesit të më përfshinin në çdo grumbullim të zgjedhur kalamajsh edhe mua. Me një llaf u duhesha për kolor. Megjithatë, njëditëzaj, ndërsa shkonim si çdo pasdite tek Pallati I Pionierëve për të bërë provat e këngëve që do t’u këndonim udhëheqësve, mua dhe ca të tjerëve, na komunikuan në sy të dhjetëra e dhjetëra fëmijëve, se nuk do të vinim në natën e festës, natë ku do të na ndanin edhe dhurata me lodra, natë ku do të isha përkrah sidomos me të gjitha ato gocat e vogla që rrotulloheshin si kullulla me kurdisje duke kënduar me klithma këngët e partisë dhe të lumturisë me tekst nga Jorgo Papingji dhe Zhuljana Jorganxhi, nën drita të forta djersitëse, nën dekoret shpërthyese me të kuqe dhe të kuqe. Dikush po më shkulte dhunshëm, dikush po më arrestonte midis gjithë kësaj rave-party, duke ma sekuestruar gjithë ekstazinë e përfytyrimeve. Jam kthyer në shtëpi dhe e dija sepse mërzitesha. Kur im atë u nis edhe pyeti organizatorët në Pallatin e Pionierëve përse po më përzinin nga festa, përgjigjen ( e mbaj mend si sot) ia dhanë midis kësaj, se “o është numër I madh pjesëmarrësish e s’ka vend për të gjithë, o për shkak të origjinës klasore”. Pra një pionier I Enverit si unë, duhej ndërgjegjësuar se përveçse në klasë të pestë, bënte pjesë edhe në klasën e të deklasuarve. Të nesërmen e këtij informacioni, nëna ime, me mua përdore u nisëm të takonim një shoqen e saj në Komitetin e Partisë së Rrethit (tani selia rozë e Partisë Socialiste). Pas ca telefonatash gjithçka u ndreq nga e para. Isha aty prapë, me çunat e gocat e tjerë, duke pritur festën e vitit të ri… Nata e festës është edhe arsye pse mora të shkruaj këto rreshta. Këto rreshta mora t’I shkruaj për të dëshmuar edhe unë. Atë natën e festës midis ndriçimit ëndërror, midis shatërvanëve dhe inoksit e mermerit flakëritës, midis kalamajve të zhurmshëm e agresivë nga gjithë Republika, ja ku hyri Udhëheqja. Ishin aty afër fytyrat e porcelanta që I kishim parë në televizor, figurat që në raste festsh I kishim parë buzëqeshëse e madhështore pikturuara në telajo gjigande që bllokonin fasadat e gjithë ndërtesave në Sheshin Skënderbej. Ata ishin aty, me ecje të nga daltë dy e nga dy, dhe ne një divizion me pionierë gumëzhitës I prisnim me lule në dorë e me bletë brenda në kokë. Një errupsion fëmijësh rrethoi hyrjen e Ramiz Alisë. Në grumbullimin kacafytës rreth Udhëheqësit, u ndie një lloj deklamimi retorik, si formula para një atentati. Një pionier nga veriu, I veshur me kostumin tipik “bardhë-zi-kuq”, qeleshe përfshirë, kishte recituar një strofë të posaçme me dialekt për xhaxhi Ramizin, dhe pastaj “hopa!” iu lëshua xhaxhi Ramizit si kamikax në një përqafim violent fluturimthi. Xhaxhi Ramiz gati sa nuk u thye në mes. Dy tre shoqërues rendën ta shkëpusnin si midhjen nga guacka fëmijën-malësor që nuk shkulej prej xhaxhi Ramizit, dhe dikur ia arritën kësaj. Filloi shpërndarja e buqetave me lule: targeti prapë ishte xhaxhi Ramizi dhe udhëheqësit përreth që I ngjanin ose nga pamja po sigurisht nga veshja. Kisha mbetur si I hutuar me lulet e mija, të cilat dukeshin sikur do më vyshkeshin në duar. Kur ja midis tallazisë plot me fëmijë shallakuq, udhëheqës kostumebezhë, fotoreporterë, shoqërues, shquaj nga larg konturet e një gruaje të veshur me të zeza, mbetur ca më larg grumullit. Ishte Nexhmije Hoxha, një grua të cilës atë vit I sapo I kishte vdekur burri. Nuk e pata të vështirë të lejoj magnetizmin të më transportojë drejt saj dhe t’I dhuroj tufën time me lule, të vetmen (ndërsa udhëheqësit-burra gati sa nuk po mbyteshin midis mullarëve me lule që u vërshonin nga të gjitha anët).Ajo I mori lulet dhe tha zëulët diçka që duhet të ishte falenderim. U ndjeva I realizuar, I mirë. Vërtet, gratë sidomos, ma kanë këputur përherë shpirtin. *** Nuk është ndonjë gjë çuditshme nëse edhe unë shkruaj diçka në lidhje me kujtimet e udhëheqjes së lartë komuniste. Për gjithkënd që minimalisht ka akses në Sh.Sh.Sh.Sh. (shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip), pra në botën e shkrimit shqip, I është I njohur trendi më I fundit, trasgresioni më epshor I faqeve të para (që nuk skuqen kurrë) të gazetave. Kësaj rradhe ajo është rrëfimtaria në vetë të parë e dëshmitarëve më të lartë të jetës së udhëheqjes komuniste shqiptare. Nëse psh. vite më parë njerëzia, lexuesit, nxisnin kërkesë-ofertën mediatike me uri dhe etje për të lexuar kujtimet e të burgosurve dhe përndjekurve politikë, nëse pak më vonë në cepat e faqeve të para nisën të dukeshin gjithnjë e më shpesh intervista (shumica të sajuara) me prostituta apo narkomanë a sieropozitivë anonimë… ka gjithato muaj që vendin e të gjithë këtyre e kanë zënë intervista me ish-polit-byroistë, ish-gjeneralë Traktati Varshave, ish-ambasadorë, ish-gjellëbërës blloku, ish-përkthyes delegacionesh, ish-kolegë gjuetie diktatorësh, ish-vjehrra pashallarësh të kuq apo nuse bijsh etj-ish etj. Në për qoshket e gazetashitjes mëngjes për mëngjes sheh sesi plaken fotografitë e Enver djalit që nga mosha kur I ngjante Rodolfo “latin-lover” Valentinos e deri ato të fillimit të epokës diabetike (me shëndoshjen e shpejtë bolshevike pas lënies së duhanit), tip Marlon “Godfather-Padrino” Brando, deri në fotot e fundit tip “Hanibal Lecter” me flokë të gjata, të bardha para vdekjes (kujt I kujtohet bejtja e vjetër subversive “Koh’t e fundit rriti flokët / ky vampir që hante shokët”). Mega-tituj të tillë që fillojnë me strukturë orteku nga maja e gazetës drejt e mbi kokat mazokiste të lexusve shqiptarë, me atë formulën nauzeante “ju rrëfej” (ngjan sikur thuhet “Ju vjell!”) :“Ju rrëfej takimin e Enverit me Çu En Lain” (kujt I plasi), “Ju rrëfej si u zu nusja e djalit të Enverit me me nënën e djalit të gruas së tij”, “Ju rrëfej si zuri Hysni Kapo të gjallë Anastas Lulën”, “Ju rrëfej si zuri Enveri një goxha krap dhjetëkilosh në Ujin e Ftohtë”, “Ju rrëfej mbledhjen e 81 partive në Kremlin”, “Ju rrëfej gjyqin e Beqir Ballukut ose të Teme Sejkos ose të Kadri Hazbiut….” Ata që rrëfejnë përgjithësisht janë ish-bashkëpunëtorë apo ish-shërbëtorë të afërt të ish-drejtuesve komunistë, dhe shpesh nuk e frenojnë dot fare nostalgjinë apo simptoma të tjera më të rënda të sëmundjes veneriane të veneracionit për diktaturën dhe përbindëshat që e udhëhoqën atë. Në të gjitha rastet, si në rastin e rrëfimtarisë të ish-të burgosurve a internuarve, si në ato të prostitutave, narkomanëve apo veteranëve të kuq ethja perverse për dëshmi përfshin sferën e të errtës, sferën e vuajtjes, sferën e të keqes, anën tjetër të gjysëmhënës që njohim. Nëse e mbaj mend mirë, në një pasazh të Tom Sojerit, ky I thotë shokut të tij të vockël zezak se po t’a ndihmonte të lyente gardhin me bojë, ky si shpërblim do të zbulonte fashon dhe do t’I rrëfente (ohhhh) plagën, gishtin e vrarë. Nuk është quazi-parabola biblike me Shën Thomanë që nuk beson po nuk vuri dorën në plagë: jo, është një devijancë kjo: striptiza me plagët. Si I torturonin me shufra hekuri banorët e Burrel-burgut, si u derdhnin ujë të ftohtë në mëngjes esëll gjatë dimrave nën zero, si e patën rrëmbyer vajzën e pafajshme nga Rrogozhina, përdhunimi I parë në grup, markat e cigareve të ndryshme që I fiknin në trup, si shoku Enver shokë na shkelte me këmbë. Është shkruar kaq shumë për këtë fenomenin e kujtimeve komuniste, dhe mbase nuk është lidhur me këto kujtimet e tjera në të njëjtin bistak tematik. Me të drejtë dikush I ka quajtur “telenovela” seritë me histori banale e bajate e të panevojshme mbi jetën e drejtuesve komunistë këto pallavra që botohen gazetave të Tiranës, të cilat po e banalizojnë dhe desensibilizojnë dhimbjen që duhet të shkaktonte në fakt publikimi në faqe të para I fotove të Enverit, qoftë edhe I veshur si Baba Dimri rrethuar me nipa e nuse. Para disa kohësh në Hungari në mjediset e një ndërtese të shërbimit sekret komunist, është hapur një muze I quajtur “Shtëpia e Terrorit”. Në muret e kësaj shtëpie janë varur të gjitha fotografitë e të vrarëve nga diktatura, janë afishuar dokumente mbi krimet komuniste dhe janë rikrijuar qeli burgu e vegla torturash. Vizitorë të këtij muzeu, sidomos të rinjtë, tronditen dhe revoltohen pas eksperiencës së vizitës aty. Sepse në fakt për të prodhuar këto ndjenja, për ta mbajtur të gjallë ndjeshmërinë qytetare, kujtesën për të keqen e kanë ndërtuar muzeun burrat e mençur të Hungarisë, të një vendi që siç duket e ka marrë seriozisht ndarjen me të keqen. Kurse në Shqipëri Enverit I venë mjekrrën e pambuktë të Baba Dimrit. Në fakt plagët e pambyllura të Shqipërisë e duan një çikë pambuk sipër.

    Kete shkrim ia kushtoj Bashkim Shehut

  9. #29
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919
    Probleme të gjinisë dhe racës së emrit mashkullor në gjuhën shqipe


    Në masën që mashkulli i shkretë fsheh veten, në atë masë i shton vetes territor femëror plus

    nga Ervin Hatibi





    Në të shfletuarit shpejt të një antologjie poetike, bëjmë identifikimet e duhura, duke u nisur fillimisht prej emrit të autorit ose prej rrathëve që përhap titulli i vjershës a ndonjë trop më tej në nënujësinë e vargjeve poshtë portit të titullit. Nëse kemi edhe më kohë në dispozicion, fiksojmë kalimthi në shfletim, si në një tren që ecën me shpejtësi, portretet e posaçme fotografike të poetëve, që ata vetë i kanë zgjedhur për t'u përfaqësuar, bashkë me poezitë e veta. Kur ke më shumë vakt, veç poezisë që më në fund e lexove, nis edhe shijon pastaj një situatë romani në të dhënat biografike, vetëpërkufizimet, stacionet profesionale, gjithnjë duke u rrotulluar rreth pamjes së gatshme të personazhit në foto... Krejt kështu, në më të fundit antologji që mora në duar, po vija re një gjë interesante; atë se poetët meshkuj që dukshëm vinin gati të gjithë nga provinca, kishin dhënë në biografitë e tyre vetëm datën e lindjes, pa vendlindjen pranë, siç bënin poetët pa komplekse apo ata nga qyteti. Pasi kishin refuzuar të dëftonin vendin e lindjes, një koordinatë fatale, shkruanin thjesht formulën "Jeton dhe punon në Tiranë", për të na thënë kështu në formë gjëagjëze se nuk ishin hiç të kënaqur të numëroheshin si ish-katundarë; tashmë ata ishin konvertuar born-again qytetarë. Kurse femrat poete, e kishin parë të parrezikshëm shënimin e emrit ekzotik të vendlindjes dhe kishin vendosur të fshihnin dukshëm vetëm datëlindjet paksa të largëta, diku thellë në shekullin e kaluar... Duke parë sesi mashkullorët përgjithësisht kishin problem të fshehin fshatin e lindjes, kurse gratë moshën, u bëra gati të abuzoj filozofikisht, se burri sigurisht është koha, kurse gruaja hapësira, por pastaj vendosa ta lë këtë paralele për më vonë e të merrem me faktin e dhimbshëm të burrave shqiptarë, që fshehin targën, mundimshëm, në botë a në metropol, me të dy duart, në një pozë mjerane si të mbrojtësve të futbollit gjatë goditjeve brenda zonës së rreptësisë. Duke fshehur burri fshatin e vet, gjuhën, emrin e tij, të gjitha këto veçori, ai fsheh në fakt kështu edhe një pjesë të të qenit vetja, të të qenit burrë. Në përfytyrimet e sakta të traditave të lashta, krejt natyrshëm mashkulli përfaqëson të dukshmen, dielloren, të shpallurën, sepse e tillë është edhe natyra e gjërave të veta gjinore, krejt ashtu si te femra brendshmëria e organeve gjinore, përcakton simbolikën e të fshehtës, hënores, të tërhequrës. Në masën që mashkulli i shkretë fsheh veten, në atë masë i shton vetes territor femëror plus. -Vendlindja? Lëre atë muhabet tashti... Jeton dhe punon në Tiranë! Emri? I negociueshëm. Ose më thërrit thjesht Jani. (Në postën e vogël të qytetit verior N., mbaj mend të shkruar në kabina, si në shkëmbin e Gramatës, dhjetëra numra të gjatë telefoni, dhe bri tyre emra tipikë grekë, të cilët prindërit e emigrantëve i kishin po aq të vështirë sa numrat për t'i mbajtur mend, sa detyroheshin t'i shkruanin para se të kërkonin bijtë me to.) E femra përveç moshës (mosha si datë apo si rrudhë) nuk fsheh më gjë. Nuk e ka më të nevojshme. Përballimi me të si hapësirë, si vend, si pamje, e zhvlerëson çdo lloj falsifikimi të karakterit gjeopolitik. Në një shoqëri të disenjuar nga totalitarizmi mashkullor, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, nuk bien pikët nëse kjo goca është rumune apo shqiptare apo nga ai fshati i humbur fare, që të bën të skuqesh kur i shqipton emrin, si të kesh përmendur fjalë turpe; fatkeqësisht femra vlerësohet jo për atë që mund të bëjë, po për atë që mund të bëjë mashkulli me të. ("Kërkojmë dy punonjëse të moshave nga 18 deri 25 vjeç..."). Në ndryshim nga shoku Enver që kishte vetëm ditëlindje, femra në këtë lloj shoqërie ka vetëm ditëvdekje, prandaj, që të jetojë sa më shumë "kontrabandë", e kemi lejuar ta rrumbullakosë ca moshën, duke i falur me bujari ndonjë pesëvjeçar siç i falim kamarieres kusurin në kafe. E kemi lejuar po ashtu edhe të kapërcejë normat e fonetikës dhe të na fusë në ligjërim lloj-lloj xhingla-minglash të ëmbla, të cilat ajo vetë i ndryshon dekadë pas dekade, për variacionin tonë, si të ishin ringtone celulari. Kur kam qenë i vogël p.sh. mbaj mend se gratë e shqiptonin rë-në duke e shartuar me një lloj shë-je. Kisha një mësuese historie që m'i ngrinte qimet përpjetë kur çdo copë herë thoshte "mish... mish" (lexo: mirë, mirë.) Kurse sot, vë re se e njëjta rë ka pësuar një lloj përsosje rotacizmi (po po) , duke u bërë si rë-ja e italianëve, duke u ngjethur pak në qiellzën pranë dhëmbëve, në vendin ku ne shqiptarët prodhojmë në përgjithësi të-të. Po ashtu gratë dhe vajzat tona, kanë nisur që a-të t'i shqiptojnë si e, si edhe e-të vetë t'i hapin duke iu shtuar nga një gjysëm a-je nga pas. Kjo e fundit, e-ja me një gjysëm a-je brenda, të jep përshtypjen e greqishtes kur e dëgjon sidomos në reklama. Problemi është se, në dallim me shqetësimin e akademikëve se mos po na zhbëhet shqipja dhe identiteti i saj standard nën prurjet e huaja të përditshme, shqetësimi im është për identitetin personal, se këto lodrinat fonetike, me të cilat gocat e reja kërkojnë të na tërheqin vëmendjen drejt tyre e mallit që reklamojnë në TV, këto po instalohen si e folur zyrtare në Shqipëri, duke u bërë timbri tipik i emisioneve të lajmeve, i komunikimit në shitblerje të shtrenjta apo në mjedise të ndriçuara fort organizatash qeveritare e joqeveritare. Një lloj politese e bezdisshme e veshur me këto fonema hibride, ka arritur të bëhet zhargon zëvendësministrash apo zyrtarësh të tjerë të rangut të dytë, që siç duket, edhe pozicioni vartës ua kërkon ta vajzërojnë dhe më tej sjelljen (në përpjestim të drejtë kjo me sa pasha e ndjen veten shefi në institucionet shqiptare të konceptuara si hareme private). Shqetësimi im numër dy është se veç kësaj, në të gjitha këto nivele të komunikimit që përmenda, shto këtu edhe shtypin e shkruar, kam vënë re një shtim të pazakonshëm, por që nuk shqetëson më njeri, të një lloj komunikimi arbëresh të tipit "ai u skuzua pas incidentit", gjë që prapë mund të shfajësohet tek ndonjë vajzuke që do të duket çapkëne, por kurrën e kurrës te ndonjë burrë. Para disa ditësh, tek ndiqja shkarazi në ekran pjesë nga një debat për punë të shërbimit sekret, më zu veshi se një figurë goxha e njohur, ish-kryeministër bile, tha diçka të përafërt me: "e kemi diskutuar xha këtë problem." Njëri nga të pranishmit rrumbullak tryezës, u hutua, "si xha? Ç'domethënë kjo?" Mori përgjigje, se kjo xha (gia-italisht) ishte forma "ndryshe" dhe kontemporane e të thënit fjalën "ndërkaq". E kisha dëgjuar xha këtë fjalëz edhe në të tjera rastisje jo vetëm në dialogje të sforcuar me ndonjë sporteliste apo sekretare, por edhe në TV, nëpër spektakle apo intervista. Publikisht në gojë ministrash sesi tingëllonte... Po t'i mbledhësh më në fund krejt këto latimet dhe importimet fonetike, fjalëza italike, ndryshime emri me rrënjë e degë, si edhe faktin se maskimet identitare nga halli, nëpër botë apo në metropol të shqiptarëve të shkretë, shoqërohen edhe me ndryshim (zbutje, mekje) të zërit saherë përballesh me autoritetet... të gjitha këto na japin një tablo të trishtuar të emrit shqiptar të gjinisë mashkullore; plotësuar kjo edhe me faktin e mirënjohur se ndotja e mjedisit dhe e ushqimit, përhapur tashmë edhe ndër ne, shkakton dëme serioze në potencën dhe riprodhimin mashkullnor.


    Marrë nga gazeta “Tema”, 17.06.200

  10. #30
    Sami Frasheri Maska e Arrnubi
    Anëtarësuar
    19-07-2003
    Vendndodhja
    dynja
    Postime
    741
    Shkrimtari shqiptar në metropolin socialist të viteve ’60.

    Lexim paralel i “Dragoi prej fildishi” nga F. Kongoli dhe “Muzgu i perëndive të stepës” nga I. Kadare.

    Tregimtari-studenti-shqiptar pret “trolejbusin” në një metropol postrevolucionar të Lindjes së kuqe, duke mbajtur ndërmend emërmbiemra të vështirë vajzash të huaja. Memuaristika poetike e viteve ’60, fjalën “trolejbus” e rimon me fjalën “rus”. Në fund të viteve ’90, stacionet e trolejbusëve përskuqen edhe më në lindje; rima bëhet e pamundur në Kinë. “Në stacionin e Parkut zoologjik zbrita, mora linjën e trolejbusit pak më tutje”.(176d[*]); ”…trolejbusët ishin të ngadalshëm si drerët e përrallave.”(210m[*][*]). ”Ndërrova trolejbus. Në fund m’u desh të ecja në këmbë dhe pas një kthese dola në një rrugëz (…) ku e kisha lënë të shihesha me Sui Linin.”(176d). I kapur si pasagjer në hekurin mbajtës të fjalës “trolejbus” gjatë shfletimit të parë fizarmonik të romanit “Dragoi i fildishtë”, direkt mendja më vajti tek Ismail Kadareja dhe “Muzgu i perëndive të stepës”, tek vargjet e tij për shpikjen e avionit nga malli për atdheun, ku nëse më kujtohet mirë tymi kaltërosh i një duhani shqiptar që pi një rus, mbështillet rreth mallit të poetit në trolejbus. Në një lexim ekonomiko-politik në Shqipërinë manualo-mekanike para ’90-tës, anglicizmi “trolejbus” e transporton përshkrimtarin në një status moderniteti e lirie, sado kjo e jetuar në një vend të Lindjes. Trolejbusi për lexuesin kthehet në autobusin blu të Jim Morrison-it, autobus me një shofer ëndërrimtar, autobus i evadimeve psikedelike. Sensi i evadimit me trolejbus, pas daljes nga tuneli i Komunizmit, sigurisht humb sharmin fillestar. Problemi qëndron se fjala ama më shërbeu si artific për të mbledhur edhe të tjera paralele midis “Dragoit…” dhe “Muzgut të perëndive të stepës”. Që në fillim përballohemi njëlloj me saga të jetës studentore, me elemente të Bohemës. Në të dyja rastet kemi njëlloj një funksionin gati fiziologjik të letërsisë nëpërmjet efektit të formalinës apo balsamosjes për ruajtjen me çdo kusht të rinisë së ikur. Në të dyja rastet kemi koloninë e rinisë, një vizion paradiziak i ndalimit të kohës në dy metropole të utopisë së kuqe kthyer në makth. Metropole që pluskojnë mbi spirancat ngulur në trashëgimitë madhështore mitiko-kulturore. Në të dyja rastet kemi ritualet iniciatike (më shumë tek Kongoli) apo dodonike të seksit dhe transit alkoolik. Në të gjitha rastet kemi ikonostaset e pop-artit bolshevik me Mao dhe klasikë të tjerë komunistë që numërohen e bashkëveprojnë me personazhet në çdo hap të përditshmërisë. Që në fillim romanet mbartin mu në titull spirancat e nënrealitetit socialist, nënshtresës mitike. Tek Kadareja kemi përmendjen e kulteve shamanike të peisazhit primitiv rus: “Ndër mend m’u përfytyrua koka mitologjike sllave, që frynte bulçinjtë, e llahtarshme midis stepës.”; ”…hyjnitë e rrëgjuar të stepës më rrinin të palëvizshëm në tru si në një presidium.”(327m). Tek Kongoli: “…atëherë midis reve më shfaqej një dragua. Ai dilte nga humbëtirat e reve e mua më dukej e pabesueshme. Dragoi madhështor, me luspa fildishi, orvatej mundimshëm të më jepte mesazhe.” (34d). Dragoi del si vegim dhe si dekoracion gjatë gjithë vëllimit të romanit. Ai herë-herë godet edhe tavolinën me panxha, por është edhe një souvenir i lirë kinez i blerë me pare studenti.
    Në universin dualist kinez Dragoi është një shenjë yang force dhe mashkullsie, i trupëzuar më vonë edhe si simbol i perandorit. Në “shenjat rrugore” të kozmogonisë kineze, ai është simbol i Lindjes gjeografike. Obsedimi me një figurë kaq primare dhe të fuqishme mashkullore, kthehet në tension antagonist me narratorin-student dhe mashkull. “Atëherë, kur tutorëve të popullit u tha mendja të prisheshin me rusët e të ndreqeshim me Kinën, ne nuk vuanim për bukë…(…) Na mundonte uria seksuale. Kina i kishte gjitha potencialet për të shuar urinë tonë seksuale.”(54d). Turizmi seksual në Lindje, shumë i përfolur dhe në modë, nuk është Tailanda e shumëpërfolur e perëndimorëve të mirëfilltë; çunat tanë të etur shqiptarë kanë mësyrë Rusinë dhe Kinën. Rrëmbimi i “tanushave” sllave e mongoloide e ka spostuar ritualin e egzogamisë në një qerthull gjithsesi të mbyllur të familjes së rreme socialiste. Martesa larggjaku, kulti i motrës dhe shfrimi seksual mbi të huajtë, merr fytyrë në kanalizimin vëllazëror të pasionit për vajzën me emrin Nirvana: ”Ajo rezatonte magjepsjen e femrës që e pashë gjithnjë me sytë e vëllait.”(56d). (Kongoli tek “Dragoi i fildishtë” njeh në botën e narratorit edhe mekanizmin e përdhunimit të armikut-prerjen e kokës së burrit luftëtar/ përdhunimin e gruas së tij.)
    Gjithsesi tensioni seksual është i përmbajtur tek rreshtat e Kadaresë; kurse Kongoli çlirohet deri edhe me bërtitje të urimit panseksual, ogurzi, orgjiatik “Të q… Kina nënën!” Në rolin e planifikuesit administrativ të seksualitetit, apo të një lloj prezervativi politiko-administrativ, kemi figurën e ambasadës shqiptare, e cila është objekti që më shumë ndan e tëhuajzon studentët meshkuj të Shqipërisë nga trupi i madh i Rusisë edhe Kinës. “…sipas informacioneve nga kanale zyrtare, del se ju paskeni përdhunuar gjysmën e vajzave të Pekinit. Prandaj hapni sytë sa nuk është vonë. S’ju mbrojmë dot pastaj.” (135d); “…do të ishte më mirë që tani për tani të kishit marrdhënie sa më të kufizuara me vendasit. Sidomos është fjala për vajzat…”(314m). -thotë punonjësi i ambasadës në Moskë, i veshur me të zeza dhe i zbehtë. Specializimi seksual i studimeve tek shqiptarët e kohës del haptas në rreshta të tillë të Kongolit: “Zakonisht i flisja në rusisht.(…) E quaja Raisa.” (172d); (Eksperienca është një fotokopje, një rimarrje nga Rusia në Kinë.) “…do të vazhdoje të masturboje me ritme frenetike si shumica e bashkëmoshatarëve para se të mbërrinim në Kinë.”(…d).
    Elementet e Bohemës dhe të pritshmërive të revolucionit kundërkulturor të ’60 sigurisht që i gjejmë edhe tek dehjet kolektive të institutit “Gorki” të Kadaresë edhe në konviktin pekinez të Kongolit. Për arsye të mirëkuptushme, ngjarjet janë më eksplicite te pena e viteve nëntëdhjetë e këtij të fundit. Vështrimi i shkrimtarit të pasnëntëdhjetës është i lirë të zbresë në pjesë të fryra dhe erogjene të trupit femëror të një gjysme duzine racash e kombësish, si edhe më vonë të përfshihet në “ildisje erotike” (flirte) me to.Veç përmendjes së Elvis Presley-t, Louis Armstrong dhe twist e rock n’ roll-it, Bohema e Kongolit duket më e prejardhur dhe më e besueshme prej viteve të para të shekullit të 20-të. Sublimimi përmes markave të konjakëve e kalvadosëve të Remarkut, (ky i përmendur me emër në fq.19), u vë atmosferave së seksit e alkoolit kornizën e romaneve-kult të rinisë shqiptare të viteve të socializmit, si “Tre shokët “etj.
    Në enumeracionet dhe përshkrimtaritë e personazheve të të gjitha racave që popullojnë bursat studentore socialiste, ka paralele të mëdha. Nëse tek Kadareja me vizë në mes gjejmë studentët sovjetoaziatikë të “grupit të Kara-Kumit”, tek Kongoli po me vizë ndarëse në mes kemi grupin “arabo-afrikan”. Paralelja është edhe grafikisht.(- -), e këtë e themi për pak humor. Ndërkaq kemi tek Kongoli enumeracionin dekreshendo “ithtarë të Konfucit, studiues të budizmit, shkrimtarë të cilësuar të djathtë e të dënuar gjatë viteve ‘50, aktorë opera, ushtarakë mançu të karrierës.”(146d). Tek Kadare: të”akuzuar për stalinizëm, për nacionalizëm borgjez, rusofobi, folklorizëm, shovinizëm të shtetit të vogël.” (215m). Kemi zhargonet e detyrueshme studentore që nga montimi përshëndetjes “bon aksham” tek Kadareja deri tek ndërtimi i një “Kafje të Xhafës” përmbi një kafe të Pekinit nga Kongoli.
    Gjithashtu mitologjia folklorike apo nacionaliste u ofron autorëve një travesti vetëbesimi në tokat e kulturave madhështore ku u duhet të përballen jo si provincialë me seksin e dobët e të bukur. Kongoli: ”Qëndrova para Lui Sinit pa fjalë. Ajo ngriti kokën. Kështu e ka parë Roksana Aleksandrin, mendova. (…) Po unë s’jam Aleksandri i madh, megjithëse ai ka qenë gjaku im.”(176d). Por një faqe më pas narratori ndërron mendim:_”… desha të ulërija: Unë jam Aleksandri i Madh”. Tek Kadare kemi: “ishim prapë mbi të njëjtin kalë, të vdekur e të gjallë si në legjendën e Konstandinit me Doruntinën.”(292m). Po aty kemi edhe personalizimin brenda këngës së nizamit: “…atje në Jemen është një urë i thashë …(…) …. ajo dëgjonte si e topitur.(…) Në pyettë ç’nuse mori/ Lida Snjeginën nga Saratovi.”(325m).
    Në një paralele edhe me përshkrimet e të vetmit personazh kinez tek “Muzgu…”, kinezit Ping, por e pasuruar kjo edhe me dijen paraprake për atmosferën e “Koncert në fund të dimrit” edhe tek “Dragoi…” ka një frymë të dukshme superioriteti racor e kulturor të personazheve-narratorë, apo edhe kritika ndaj dukjeve e prekjeve nga Kina e kinezët. Rastet janë të shumta, (“majmunë të verdhë”, “Kina nuk ka nevojë për bukë, po për tru” etj, etj.) por mjaftohemi të përmendim tek “Dragoi…” si një lloj parathënie të kësaj fryme, paragjykimin para nisjes në Kinë që ka personazhi për “vendsikterin” e përfytyruar të mallkimeve popullore: ”Vafsh në Çinimaçin.”(35d).
    Ernesto Sabato i madh ka një ese përmbi funksionin evangjelik të romanit, që e titullon “Romani- ringjallja e unitetit primordial”. Unë e kam lexuar togun “unitet primordial”, si term për rigjetjen e harmonisë primare të njeriut në Eden apo në kulturat tradicionale, unitet gati i njëjtë për të cilin flet skema e bashkimit spiritual tek platonizmi. Në utopinë e kolonisë rinore, të mbushur me solidaritet e dashuri, gjuhë të ndryshme, seks, dehje e bashkëpërjetim, kemi arketipin e thyer të familjes së madhe patriarkale dhe të poligamisë. Permes rivizitimit të kameratizmit dhe euforisë komunare. Kapërcimi i tribalizmit përmes arritjes së harmonive të vogla në Babelin studentor, na jep projektin intim të globalizmit përmes rreshtimit për dy të njerëzimit në yin e yang, në meshkuj e femra, në simpatikë e josimpatikë, të ndershëm dhe jo.




    --------------------------------------------------------------------------------
    [*] d-“Dragoi i fildishtë”, Fatos Kongoli, “Çabej” Tiranë,1999[*][*]m-“Muzgu i perëndive të stepës”, Ismail Kadare, “Naim Frashëri”, 1981
    Sa budalla eshte "Odisea"

  11. #31
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198


    Pashallarë të Kuq dhe Blu: Mbi islamizimin me dhunë të armikut në diskursin publik shqiptar.

    (Ervin Hatibi)

    Një nga gjetjet më të bujshme me të cilën na qerasin shpesh kohët e fundit fotoreporterët shqiptarë, është loja me aureolat. Sahera, faqe të para gazetash hapen me ndonjë portret kryesisht politik, i ujdisur ky në fokus në një mënyrë të këtillë, që personazhit të fotografuar t’ia kopsisin kokën pas ndonjë objekti a shenje të rrumbullt, çfarëdo qoftë: rrethi me yjet evropianë të flamurit, stema ovale e kryeministrisë, ndonjë O apo Q kapitale nëpër banderola ceremoniale, ndonjë tollumbac festiv… Çdo objekt rrethanor rrumbullak ngarkohet me misionin e qerthullimit të kokës së personazhit me një lloj sfondi qarkor, tip kurore mbretërore apo brerore shenjtërore. Gjuha e dhunës në shtyp, më e ashpër dhe piktoreske gjatë viteve ’90, tashmë që është shtruar ca, duket se ia lënë misionin e demonizimit përmes karikaturizimit artit objektiv të fotografisë. Kështu, gazetat shpesh e pikturojnë kundërshtarin politik me poza të sforcuara tipizuese, të tilla që shfrytëzojnë rastin p.sh. përgjatë ndonjë teshtime apo ndonjë kruajte vetvrasëse hunde, gjatë shqiptimit të mundimshëm të ndonjë bashkëtingëllorje, gjatë ndonjë gromësime parlamentare a pultitje rutinore të pafaj syçkash apo çdo mrrolje e tendosje tjetër të lëkurës së mimikës. Poza që në fakt duheshin hedhur në kosh nga profesionisti i ndershëm. Rrethorja që përmendëm, në të tilla raste negative nuk e rrethon më kokën politike si aureolë a kurorë: ajo bëhet thjeshtë rrethi koncentrik në dylbinë e snajperit: bëhet shënjestër ekzekutimi.
    Herë pas here shënjestra e dëshiruar ovale, nuk gjendet edhe aq kollaj në mjedisin rreth politikës: ndonjëherë flamuri evropian është tepër i dallgëzuar për t’u fokusuar adhe tollumbacet nuk janë domosdo më të vogla se kokat e ca politikanëve për t’I mirëpritur këto si kornizat. Dhe fotografët heqin keq… Por përherë ka një zgjidhje: montazhi dhe kolazhi, në traditën më të mirë të agjit-propit stalinist! Me një ndërhyrje cezariane, personit të urryer, ashtu si në magjinë e zezë voodoo i masakrohet mishërimi fotografik. Truku grafik më i përdorur botërisht për më se 60 vjet me rradhë për të përdhunuar imazhin e kundërshtarit është shkarravitja kozmetike e një palë mustaqkave të vogla Hitleri mbi buzën e portretit. Në Shqipëri, për vite me rradhë, rolin e aksesorit ndëshkues, me sukses e ka zëvendësuar një anti-aureolë: çallma e bardhë e hoxhës! Mos na thotë kush tani se nuk i ka parë e stërparë gjatë viteve të fundit foto-fletërrufetë me çallmën montuar apo shartuar drejt e mbi Sali Berishë në shtypin e majtë apo të njëjtën përmbi Fatos Klosin në shtypin e djathtë! (Shënim: Kurse çallma mbi kokën e të ndjerit hafiz Sabri Koçi kudo nëpër foto është autentike. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë dinjitarë të bashkësisë islame, imamë e dervishlerë, hoxhallarë e baballarë, nuk e kanë me të keq këtë punën e çallmave: është thjeshtë një traditë e tyre shumë e vjetër.) Sigurisht, i madh e i vogël e di se kjo nuk bëhet për inat të hoxhallarëve, dhe as në shenjë përngjasimi me ta, po kryesisht për mbivendosje me Osamën, logon momentale të së keqes pereniale orientale.
    Anti-aureola ekziston edhe në variantin femëror. Ajo është shamia e besimtareve praktikante muslimane, e njohur më shpesh në zhargonin mediatik e politik shqiptar si "ferexheja", një anakronizëm i sforcuar me të cilin asnjë femër e mbuluar shqiptare nuk e emërton kryembulesën e vet, një orientalizëm i cili është një anti-aureolë më vete, e llojit gjuhësor kësaj here. Në këtë funksion e përdori edhe kryeministri i vendit gjatë një fushatë zgjedhjesh të paradokohshme në qytetin e Elbasanit, kur ftoi njerëzinë që të votonin "kundër ferexhesë politike", (si edhe gjithashtu "kundër Haxhi Qamilit" dhe pro "Kostandin Kristoforidhit.") (Po si nuk gjeti gjetiu nja dy shembullorë të tjerë që të ndajnë të njëjtë fe e të mos na ndajnë edhe më tej ne të tjerëve kur të votojmë pastaj për ta, po u gjet një i keq musliman dhe një i mirë i krishterë, me Shkumbinin përmes… ) Jemi në nivelin e garderobës pluraliste dhe sfilatës identitare: në një pikëpamje aspak cinike, si çallma ashtu edhe "ferexheja", në fakt, janë kryesisht veshje. Dhe në këto kohëra supersonike e virtuale, globaliste e multikulturaliste, robit të shkretë i qëllon të vishet lloj-lloj, për qejf a për hall, për sport a për eksport. Gazetare të pashme, me shaminë hedhur muslimançe mbi sy, nusërojnë para kamerave të lajmeve nëpër rrugët e Kabulit, presidenti amerikan gjatë vizitës në Kinë vishet si mandarin perandorak, po askush ama nuk ua nxjerr këto foto jashtë kontekstit, për t’ua përdorur si ndonjëfarë mini-shantazhi qesharak. Kurse në një faqe të parë të një gazete të madhe tiranase ("Korrieri"), gjejmë të vendosur një foto-poster të gruas së kryeministrit, të mbuluar me një foulard të bardhë në kokë gjatë vizitës së një xhamije në Liban. Diçitura na diktonte se Zonja e Parë kishte veshur « rrobat e grave islamike », dhe sigurisht diçitura nuk mund të jetë kaq enciklopedike sa të qartësojë edhe për lexuesin e thjeshtë e të çuditur se gjithë turistet apo vizitoret femra të xhamive dhe të shumë kishave, në shenjë respekti ndaj traditës u sugjerohet të mbulojnë flokët me një shami që shpesh ua ofron guida turistike në derë të tempullit. Ama gjithë operacioni foto-diçiturë, në një mënyrë qëllimshëm arbitrare kërkon të të lërë shijen e (larg qoftë) ndonjë inklinacioni të gabuar shpirtëror, qoftë edhe momental, të gruas së kryeministrit, e kush e di, mbase edhe të të shoqit… Toni që përshkonte shkrimet e numrit të gazetës merret me mend se ishte tejet kritik ndaj çiftit, sigurisht për arsye të politikës, por truku i "ferexhesë" i kishte vënë pikën mbi i imazhit të mëtuar problematik. Po kështu u veprua kur kundërshtia për shpalljen zyrtarisht të z.Xhoana Nano si First Lady protokollare, mobilizoi në protestën e rradhës teatrin politik nëpër rrugët e Tiranës. Djemtë e vajzat e lëvizjes "Majft", organizatorë të mitingut kritik ndaj kësaj shpallje, e panë të arsyeshme që Xhoana Nanon ta riemërtojnë "Xhemile" për ta tallur në karikaturat e posterat e protestës.
    Tentativa për "islamizim të armikut" nuk prek vetëm fatkeqët që kanë lindur nën kubetë e rënda, jeshile e të vjetëruara të emrave dekonspirues muslimanë. Mirë ata që mund t’I akuzosh po të të dojë qejfi për konspiracione reaksionare për integrizëm oriental kundër integrimit oksidental: tentativa për islamizim të dhunshëm po prek edhe banorët e pafajshëm të emërmbiemrave të tjerë. Epshi konvertues në fakt thjesht mëton për ta mbyllur në një "Abu Graib" poshtërues e degjenerues, qoftë edhe vetëm gjuhësisht e përkohësisht, kundërshtarin politik. Kështu në një editorial të një tjetër gazetë të rëndësishme ("Koha Jonë"), mu pas një vizite të përfolur në Dubai (përtej "Perdes së Hekurt Identitare") Fatos Nanos i këndohet kjo lloj formule çpagëzimi: "Nano kryeministër mund të ketë një ditë dëshirën surrealiste por të sinqertë, të shkojë për pelegrinazh në Mekë…". Pjesa tjetër e editorialit është minuar me sulme e shpoti të tjera, dhe ndonëse krejt pa takt e pa vend, dëshira për t’I shkuar deri në ekstrem operacionit të tëhuajzimit final, shpie në internimin e imazhit mu në qendrën e Orientit reaksionar, aty "përtej urës së Qabesë" ku shkon e nuk kthehesh veçse Haxhi, si Qamili simbolik… (Martohu sa të duash në kishë ti! Tjetri lutet e mezi pret të të rrëshkasë këmba e të vesh në esfel!)
    (Gjatë muajit të Ramazanit, më e forta ishte të shihje në një tjetër gazetë të madhe tonën ("Albania") një listë të gjatë me emrat e gati gjithë deputetëve të Kuvendit, që jo me ndonjë paramendim kanë lindur nga prindër me emra muslimanë. Pra kanë më shumë mundësira për haxhillëk se Nano. Me një procedim që të kujtonte atë të militantëve të partisë kur testonin me cigare e shishe uji të dyshuarit si agjërues në vitet e diktaturës, gazetari u qe afruar të gjithëve këtyre me pyetjen aspak etike : a po agjëron? Lista e pafundme e emrave në shumicë dërrmuese përgjigjej me mohore. Që pas 1997, duke kaluar edhe përmes 11 shtatorit, numri i burrave të politikës tonë që pozojnë rrotull xhamive, ka rënë drastikisht. Ndërkaq më kujtohet mirë sesi në fillimet e demokratizimit të Shqipërisë, në kohët ende të arta të inercisë antisovjetike të aleancës afganoamerikane, shumë nga këta burrat ofronin edhe pa ua kërkuar kush sinjale të panevojshme identifikuese me Islamin. Sot u duhet të kalojnë prova të tilla fyese e trishtuese për të provuar të kundërtën. Kështu dora vetë Sali Berisha, kaq i sulmuar për hapjen e vendit me botën islame, sot deklaron literalisht se flamuri i Shqipërisë është flamur i Krishterimit, frazë që nuk besoj se do guxonte ta thoshte ndonjë ish-president amerikan, të themi, apo gjerman, italian, francez... (lista vazhdon.)
    Ky shkrim magazinon përciptas vetëm disa shfaqje nga më interesantet e kohëve të fundit. Nuk është hera e parë që shkruaj për orientalizimin e armikut në kulturën tonë, për racizmin e islamofobinë që nuk çudit më asnjeri, për Berishën që deputeti-kryeredaktori i gazetës së partisë në pushtet ("Zëri i Popullit"), e shpotit me « muslimani Berisha », për Berishën që e godiste Ilir Metën kur ky qe kryeministër me llagapin « Sheiku Metullah », për editorialin famëkeq të njërës prej gazetave më të mëdha në vend ("Korrieri") ku difekti i qeverisë Nano ishte mbiemri Islami i ministrit të jashtëm, për fyerjet publike standart me termat "anadollak", "çeçen" apo më rrallë "jeniçer", që kanë kolonizuar imagjinarin politik me hordhi barbarësh orientalë. Zhurma e kohëve të fundit përmbi zhdukjen e poemës "Pashallarët e Kuq" të Kadaresë, na rikujtoi ndër të tjera, se pas sagës politike noliane, publicistikës françeskane apo asaj para-bolshevike të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit, tendenca për ta bërë synet të ligun, zelli për të montuar një "kokë turku" mbi armikun, tashmë është futur akoma më e komplikuar dhe agresive në diskursin shqiptar. Ashtu si gjashtë shekuj më parë, kur feudalët ndërluftues arbër, thirrën në ndihmë mercenarët turq të vriteshin për ta, edhe sot konfliktualiteti në shoqërinë tonë po i thërret rishtas nën armë. Po ta vazhdojmë këtë krahasim mekanikisht deri në fundin e vet, zbulojmë se çmimi që paguan feudalët për këtë qiramarrje, rezultoi tepër i lartë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga forum126 : 12-11-2006 më 13:11

  12. #32
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198
    Miss Futbolli

    Ervin Hatibi

    Pasqyra opake e rinisë së gjithkujt

    Na ishte se ç’na ishte një herë e një kohë një princ djaloshar. Ky princ ishte i mbuluar i tëri në ar, dhe prandaj njerëzia e quanin Princ i Lumtur. Në variantin e Oscar Wilde-t, princi qëndron majë një shtylle në mes të qytetit, dhe ata që e shohin lumturohen me të, me rininë e pasurinë e tij të paluajtshme, ndërsa princi vetë trishtohet përditë me mjerimin e tyre aty poshtë. Si në një krishtërim të ri apokrif e socialist, princi pak nga pak, e zhvesh gjithë arin e trupit të vet dhe me anë të një dallëndysheje (jo pëllumbi) ua dërgon të varfërve të qytetit për t’u dhënë lumturi, derisa edhe rubinët e syve ua dhuron e nuk ka më ç’të dhurojë. Të nesërmen e gjithë vetëdhurimit martir, mbi piedestal ka mbetur një qytetar si të gjithë, një që nuk shkëlqen nga lumturia, dhe prandaj, e neveritur popullata e rrëzon përtokë statujën e vetes dhe e hedh në plehra.
    Në variantin e dytë, por më të vjetrin, princi i vogël quhet Siddharta. i ati shpreson që Siddharta të bëhet perandor i gjithë indisë, por një parashikues i ka thënë që i biri do të bëhet murg shëtitës në kërkim të së vërtetës. Babai i vet e di se çfarë i çon njerëzit tek feja, dhe ajo që më së shumti i çon është kimia e kohës mbi materialet, dhe prandaj ia ka mbyllur rrugët e njohjes së vetes Siddhartës material duke e mbyllur në një kopësht të mrekullueshëm e të trefishtë indian, rrethuar me shatërvanë e shërbëtorë e oborrtarë të rinj, të bukur e të shëndetshëm, e me lodra e harera, që ky të mendojë se rinia e shkëlqimi është bota dhe jeta dhe se halli nuk ekziston. Por një ditë Siddhartës i shfaqet përpara një plak fort i vjetëruar, e princi i lumtur nuk e kupton se çfarë lloj gjallese na qenka kjo pamje e mjerë. i thonë se ky është njeri si ne, por që vjen nga një kohë tjetër: nga koha e ardhme që na vjen të gjithëve. Përfshirë edhe ty. E nis gëzimi i jetës e fiket brenda Siddhartës, se ky sheh më pas edhe të sëmurin dhe të vdekurin e parë në jetën e vet, dhe kupton se ne jemi çdo i vdekur dhe çdo i sëmurë dhe çdo plak dhe se gjithçka është thjesht çështje kohe dhe se gjithçka që është nën kohë është vuajtje...

    Ashtu si princi Siddharta edhe ne jemi fortifikuar mirë pas një muri mental që vazhdimisht trashet dhe na mbron nga koha. Me hir dhe hare dekorative kemi qëndisur retinën tonë dhe e me të vulosim lart e poshtë kohën dhe e privatizojmë atë dhe e quajmë rini. Me këto lloj syzesh për të mos parë, po për të na parë, si Siddharta e kemi rrethuar veten me statuja Princash të Lumtur që na bëjnë hipnozë e shoqëri dhe na bindin me rini dhe na e dhurojnë pak e nga pak arin e rinisë së vet njëpërdorimshe deri sa harxhohet, po ne vrik shpaketojmë një Princ fringo nga ambalazhi kërkëritës, për ta aktivizuar buzëqeshës si oborrtarin e rradhës. Mbi altaret shtëpiake mbajmë fort të ndezur budat televizive mbushur plot shërbet shkumëzues vajzurinash të zhurmshme e plot djelmoshë dhëmballëbardhë plurifunksionalë, bisturia estetike na i tendos vazhdimisht velat e lëkurës e ne lundrojmë përpara gjithmonë përpara në një moshë kur në fakt duhet të pushonim (Tokë ! Tokë !), një konspiracion rinie mbush revistat dhe rrugët e qytetit dhe shitëset të buzëqeshin pa të njohur, fëmija-mbret qeveris botën, detyron njerëzit të veshin këpucë atletike e pantallona të shkurtra si ai dhe të përdorin fjalë gjithnjë e më të shkurtra lojcake, kamikaxi i papunë palestinez, rokstari overdozë emër njërrokësh, personazhi kryesor i ikonave është përherë një djalë i ri eternal nën 33 vjeç, rini, rini, rini, sukses dhe shëndet nëpër manekinë plastikë që nuk plaken, nuk skuqen dhe nuk kanë ftohtë këtej e andej vitrinës, eutanazia i heq spinën pasqyrës së adoleshentit të rrudhur nga të parët tronditës të puçrrave mbushur me reçel mollësh të ndaluara gjenetikisht të modifikuara: dritat fiken. Në azil ka gjumë të detyrueshëm pas një farë ore. Vetëm një ekran i fshehtë pa zë vazhdon të lëpijë e restaurojë me dritë rinie spektakolare rrudhat e përlotura të infermieres gardiane roje nate në plakje.

    intermexo muskuloze

    Edward Said shkruante se anglezët kur kolonizuan indinë, guvernatorët dhe funksionarët e vet nuk i linin të plakeshin. Në mungesë të mediave dhe kirrurgjisë plastike, thjesht sapo funksionari kolonial plakej, Kurora e zëvendësonte direkt me një funksionar të ri më të ri: indianët duhet ta shihnin pushtetin përherë riosh, vital, muskuloz e performant. Viril. Mirëpo indianët kishin dhjetëra shekuj që i kishin kapërcyer muret e parabolës së Siddhartës. (Princi i ri, siç dihet u ndriçua e u bë Buda që njohim, si midhja që bëhet perlë, fill pasi zgjodhi vdekjen e dëshirave e vlerave konsumiste në rrugën e askezës e moderacionit.) Muskujt djalosharë anglezë i mposhti përkorja dhe urtësia e një Gandi të imët. Megjithatë imazhi i pushtetit vazhdon të këmbëngulë në më të sigurtën : në një metaforë muskujsh.

    Diskursi etik dhe konkursi fizik ose Kush s’ka kokë, s’ka kohë


    Në epokat moderne diskursi i të mirës dhe të keqes, është zëvendësuar gjithnjë e më shumë me një lloj konkursi midis të bukurës me të shëmtuarën, të fortës me të dobtën, kurse sekularizimi i bukurisë dhe i forcës, bën që gjithnjë e më masivisht, e bukura dhe e forta të jenë para së gjithash sinori i tyre fizik. Populli i zgjedhur i të bukurve dhe të fortëve, është pra padyshim populli i të rinjve, ose atyre që janë konvertuar në të rinj me anë të njërit apo tjetrit sugjestion bioteknologjik.
    Paralel me rënien poshtë të njerëzisë në peshoret e këtij konkursi laboratorik fizik të vlerave, ka pllakosur masivisht një kulturë foshnjërore imazhi, në dëm të kulturës të shkronjës. Leximi është një proces dekodifikimi dhe interpretimi shenjash konvencionale, i cili kërkon kohë : kërkon përvoja e njohje për t’i dhënë minutazhin e duhur nëntëmujor farës së shkronjës që të bujisë pastaj si jetë brenda kokës që të mos abortojë fjala në mes të vetes: fjala kërkon njëfarë pleqërije për t’u kuptuar. Ndërkaq që imazhi nuk ka nevojë fare për eksperiencën njerëzore që ta bëjë të jetojë, sepse ndërkaq është. imazhet bile nuk kanë fare nevojë jo vetëm për dijen dhe ekperiencën njerëzore që të jetojnë të pavarura, ato nuk kanë nevojë as për rracën njerëzore. Korbat vazhdojnë të tremben nga dordoleci, dhe këtij i mjafton vetëm ekzistenca e korbave për të patur kuptim, kurse tabela « Ju lutem mos na e hani grurin në arë! » i le indiferente sorrat, korbat dhe përvojat e tyre, ndërsa ka kuptim vetëm për një kategori njerëzish. imazhi është mediumi i mungesës së eksperiencës dhe mediumi i rinisë së përhershme. Kush hyn në imazh nuk plaket më, dhe kush kundrron një imazh nuk ka nevojë hiç të ketë një të kaluar, të ketë kaluar pra ndonjë kohë për të kuptuar e mësuar gjëra: imazhi mirëpret këdo, dhe të strehon patjetër diku në vete, qoftë dhe në sipërfaqje…


    Po të zbresim nga shifra e këtij qytetërimi rinie nevojat e kapitalizmit për ushtarë & mish të ri blerësish nepsqarë, mund ta reduktojmë thyesën deri në rrëzë dhe të vijmë në gjykimin se sipërfaqësimi i portretit të Njeriut si i Ri, dhe sipërfaqësimi i këtij të fundit si mish fizik, dhe sipërfaqësimi i këtij të fundit fare (mishit) si imazh, e merr formën e vet bruto në konkurset e bukurisë femërore eros dhe ato të forcës mashkullore thanatos që anasjelltas aplikohen në fakt nga të gjitha sekset njëherësh pa dallim gjinie. "(S)tadiumet, këto bordelle të lavdisë…” “…ku do të vdesim fare në një onanizëm kolektiv”, shkruante nja dy-tri vjet më parë në një “Manifest kundër mjerimit të sportit” shkrimtari meksikan Alvaro M. Shtresa (gjithnjë e më të gjëra) të shoqërisë, duke përfaqësuar rininë e vet në ikje e sipër dhe boshin e kohës brenda fanellës identitare të skuadronit sportiv, mallëngjehen dhe madhështohen në farsa të vogla betejash për poshtërimin e “atij tjetrit” më pak të fortë, në ankthin pa kosto të lartë të të qenit edhe vetë viktima.

    Miss Albania-Miss Greqia 2-1

    Populli ynë i zgjedhur me djemtë e vet më të zgjedhur të sportit më të zgjedhur (ai që bëhet me këmbë) triumfoi para ca javësh mbi djemtë më të zgjedhur të një populli tjetër, jo të zgjedhur. Ne ishim më të fortë. Populli u derdh rrugëve, jehona pushtoi qiellin, flamurët pushtojnë qytetin, nata bëhet ditë, birra bëhet lumë, nuk flihet më gjumë, daullet, lodrat, krismat, fishekzjarret, klaksonat: zhurma zallamahike e festës bëhet fibri komunitar që na bën të gjithëve shqiptarë sapo e dëgjojmë dhe boja e kuqe e flamurit rrugëpërmbytës na hyn nëpër sy e më pas nëpër deje si në enët komunikuese varg, e na bën të gjithëve barazisht, duam apo s’duam shqiptarë. Qeveria, si e do adeti, zgjidh qesenë dhe paguan shtrenjtë trofenë duke i gostitur gjithë djemtë e topit me para të madhe për atë sesi na bënë të ndjehemi.
    Në territorin e grave, konkurset e bukurisë shënohen edhe ato me zhurmë e bujë specifike, sigurisht jo aq të madhe si e stadiumit, në mënyrë që gratë e reja të mos i zerë paniku e të braktisin me të katra pasaralelën, ashtu gjysëm çipllak. E veçanta e konkursit të bukurisë ndër shqiptarët është se i pari syresh, në fillim të viteve ’90 u emërtua Miss Albania. Vuajerizmit thelbësor rreth këtij panoptikoni epidermik, i shtohej ideja se në fakt nuk janë vetëm meshkujt shqiptarë dhe nënat e plakura të konkuruesve që vëzhgojnë me sy e gojë të njoma të adhuruarat e tyre, po ama edhe krejt bota po na i shikon vajzat tona… e kështu edhe ata ta kuptojnë se ne jemi si Ata (me këmbë, duar, gollgane etj, etj) dhe me anë të këtij konfirmimi kuptojmë pastaj edhe ne vetë se jemi si bota, (sigurisht, bota e qytetëruar). E shpjeguam pak më lart në fakt, dallimin midis eksperiencës paraprake që lyp shkronja, dhe asgjësë që s’lyp imazhi, e pra nuk dihet sesi u gjet e nevojshme që të përkthehej ky muhabet në Miss Albania kur bënte mu paraprakisht edhe pa anglisht, edhe pa fjalë hiç. Por e veçanta tjetër e jonë është se duke qenë një popull me pikpamje të ndryshme për veten, hiq missrat e rrangut lokal, kemi kështu veç Miss Albanias edhe Miss Shqipërinë, Miss Dardaninë, Miss Kosovën, ndoshta Miss Çamërinë e tanimë edhe Miss Diasporën. Njëlloj si edhe Miss Albania, ky Miss i fundit (konkretisht: Miss Albania in italia 2004) është një konkurs për eksport, dhe kërkon mbase që të ngeshmit (po ama ata shumë të ngeshmit) në Evropë, ta marrin vesh mirë forcën dhe vlerën e bukurisë shqiptare, jo më të asaj që për pak euro bëhet e jotja natën nën dritën mistike të semaforit, jo harroje atë, fshije, kujto këtë tjetrën, me gati po atë veshje, nën dritën zyrtare të prozhektorit në skenë. Ndërkaq, Miss Albania e vërtetë, Zonjusha Shqiptare më e njohur e gjithë kohërave, që s’po ia përmendim emrin në këtë paragraf në shenjë respekti, me po aq shpenzime për t’i promovuar në botë shqiptarësinë sa edhe organizimi i vetëm një konkursi mishi, mund të na e ndihmonte një milion herë më tepër reputacionin globalisht. Por ama, përfundimisht, qeveria e bizneset e mëdha shqiptare a arvanite (si telefonitë e bankat p.sh.) kanë zgjedhur të derdhin para pa hesap kryesisht vetëm për misset & futbollin.
    Tranzicioni i shumëpërfolur i vendit duhet parë si një nomadizim, ku në shpërnguljen e përhershme drejt mirazhit, objektet e vetme kulturore reduktohen në ato mobilet, lehtë të transportueshmet: letërsia orale (në rastin tonë zhargoni, mish-mashi gramatik, jingle-t e reklamava dhe titujt skandalistikë) si edhe tatuazhet ( në rastin tonë korporalizimi i kulturës, anonimati ultraegzibicionist në modën përdita ). Në këtë peisazh të lëvizshëm, gjithnjë me atë motivimin për konkursin e vlerave rinore që thamë, (për të rrëfyer se edhe ne jemi si Ata, biles herë-herë edhe më të fuqishëm dhe më të bukur), gjithë paraja, zhurma dhe publiciteti për futbollin e missin, duket se motivohen nga një lloj nacionalizmi light , nacionalizëm pa mit e shpirt, por me mish e sport, pa kokë, por me këmbë (ose na falni për shprehjen, shalë). Bakshishet e majme qeveritare dhe sponsorizimet e fuqishme të biznesit për këmbësorinë nacionaliste të misseve dhe futbollistëve, janë në fakt para që shpenzohet për kultin e rinimit publik, janë para për një lifting kolektiv, për një operacion të dëshpëruar pajisjeje me vlera qoftë edhe nga ato të lirat fare, qoftë edhe vetëm me mbathje, para pasqyrës së botës ku prej kohësh vetëm skuqemi…

  13. #33
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198


    Mendime të shpejta pas pilafit (ose Pilatit) elektoral


    Ngjyra e demokracisë edhe këtë vit ishte mavi. Si përherë, duke diskriminuar egërsisht gjithë frymorët e tjerë të Republikës, një përqindje e konsiderueshme e humanoidëve me shtetësi shqiptare u vunë në rresht me gishtin gati. Keshtu është shkruar: padrejtësia numer një e barazisë së shtetasve bëri që edhe këtë vit vota e maskarait të numërohej po aq sa e budallait, kur dihet botërisht se një budalla nuk është i njëjti me një maskara. Ama që të dy u vendosën në rresht me të tjerët, edhe budallai edhe maskarai edhe i treti në rresht ishte një burrë i mirë që nuk i bie në qafë kujt, biles as të shoqes (me gjithë ankesat e saj) dhe i katërti ishte po ashtu një burrë i mirë me të shoqen dhe fëmijët, familjarisht as budallenj as maskarenj, po ama barazisht gishtat ua fashuan me të njëjtën manushaqe boje dhe vota e tyre u numërua barbarazisht. Eshte krejt çudi per t'u çuditur: për të marrë patentën e makinës duhet të paraqisësh lloj-lloj dokumenti mjekësor, po për të votuar asgjë veç pasaportës. Një shofer i patalentuar mund të shtypë një sasi të kufizuar frymorësh, kurse një votues i patalentuar mund të ndihmojë me votën e tij shtypjen e një popull komplet. Pa iu nënshtruar asnjë kursi minimal i cili do të provonte aftësinë e votuesit për të dalluar të nxehtën nga e ftohta, nuk e di si mund t'i marrësh seriozisht këto punë (votimet e kam fjalën), po nejse. Le të merremi pak me bojën. Me bojën me të cilën qendrat e votimit u ngjyejnë gishtin votuesve fill pasi votojnë.

    Sistemi pretendon të ruajë veten me këtë lloj gjesti dehumanizues (kush je ti mor mjeshtër që vjen e më privatizon trupin tim me shenja sikur të isha ndonjë bagëti apo territor!) Sistemi pretendon se me këtë damkosje si ajo e prostitutave në mesjetë, do arrijë të na mbushë mendjen se jemi ashtu si thonë udhëtarët anglezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e poshtë, barbarë të paqytetëruar. Sistemi pretendon se të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke qenë të barabartë, janë po ashtu të gjithë barazisht maskarenj që paskan ndërmend të votokan nga dy a tri herë. Këta të mjerë (sistemi e kam fjalën) nuk e dijnë se ka burra të tille trima ky vend (kujto Mic Sokolin që futi parakrahun në grykën e topit armik) trima të cilet po ua desh qejfi mund të shkojnë e të votojnë sa të pëllcasin, deri në gishtin e fundit, sepse po aq here sa sistemi ua bojatis gishtin pas votimit, ata trak! e presin për hir të demokracisë dhe shkojnë të votojnë pa u diktuar me gishtat që u mbeten pabojatisur. Të paktën kështu sugjeron vëllai im, që ka parë disa filma me samuraj dhe me ndeshkimet e mafies japoneze.

    Sa të bukur dhe aktuale e bëri manikyra biopolitike atë shprehjen e bukur shqipe: nuk kam gisht në këtë punë! Të dashur të gjithë: unë nuk kam fare gisht në atë që ndodh prej vitesh në këtë vend! Ja, shikojeni vetë! (Deklarata shoqërohet me zë të dridhur dhe me ngritjen para trupit gjykues të gishtit të posaçëm dhe të panjollë.)

    Disa po na thonë se të mos votosh është shenjë pasiviteti apo joqytetarie, duke harruar kështu jo vetëm revolucionin, por mbase gjithë krenarinë antiegalitare që krenarisht shumë njerëz provojnë, po sidomos duke harruar se sistemi është i globalizuar dhe monopolar pra skena politike është homogjenizuar kaq njëtrajtësisht sa kudo që ta fusësh gishtin është gati e njëjta shije ndonëse propozohet nën ambalazhe të ndryshme.

    Tashmë ne jemi ndarë në dy klasa të dallueshme edhe me sy të lirë për disa ditë me rradhë, votuesish dhe jovotuesish, por problemi eshte se pas disa dekadash votimi e mosvotimi, pasi bojatisja të përsëritet me insistim mbi lekurë, do të kthehemi patjetër në dy raca të ndryshme dhe më mirë kështu. Ne që do jemi raca krejt-e-bardhë do kërkojme më në fund një status minoriteti ndaj mazhorancës gishtmavi dhe do mëtojmë fill pas kësaj për një territor tonin: më pas kur të bëjmë votime, premtojmë se do t'i marrim në provim votuesit për të kuptuar a ia kanë haberin apo jo, a i njohin ndopak idetë dhe njerëzit që votohen dhe a i kanë të gjitha letrat medikolegale në rregull. Gjithsesi fushatën antielektorale po e lëmë të hapur që tani. Mos votoni (për mua!)!



    "...Lum kush do të rrojë/të të shohë zonjë...."


    ervin hatibi
    Ndryshuar për herë të fundit nga forum126 : 03-03-2007 më 15:42

  14. #34
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Ky eshte nje shkrim i fundit i Ervinit qe mu duk e arsyeshme ta postoj tek kjo tema.

    “Emisioni radiofonik i mbrëmjes”


    Ervin HATIBI

    Që me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja për të drejtat e autorit, ekranet shqiptare befas u çglobalizuan me një shpejtësi trishtuese. Befas gjithë ajo mori filmash të huaj, shfaqur nonstop, gjithë ato videoklipe muzikorë nga më të nxehtët e momentit apo të memorjes, gjithë ata dokumentarë kulturorë, shpesh edhe të papërkthyer hiç, u zhdukën nga ekranet sapo u njoftua ora policore. Në agoni e sipër, ndonjë ekran rebel vazhdonte të emetonte në mënyrë të kundraligjshme feksje lamtumire të yjeve tanë të dashur anglishtfolës në shuarje e sipër. Një televizion i njohur me linjë antikomuniste rroku fuqishëm flamurin e piraterisë dhe e valëviti për disa javë jashtë territorit të ligjit, deri sa gjoba të rënda fare nga komisionet shtetërore të vigjilencës ia shkulën me gjithë duar flamurin. Qyteti i fundit i rezistencës televizive kishte rënë. Trupat e huaja të Hollywood-it dhe MTV-së me shokë ishin tërhequr përfundimisht (imagjino malin me repetitorë të Dajtit, tek njësitë e policisë televizive shqepin një pas një V-të e O-të e mbetura nga logoja …ywood.): në antenat e shqiptarëve u ringrit flamuri kombëtar i izolimit krenar. Politika anti-pirateri, një operacion selektiv i cili nuk preku pirateritë në fushën e shkrimit përshembull, ishte një nga sukseset e rradhës të biznesit të madh televiziv për të falimentuar kështu atë më të voglin, që e mbante shtëpinë vetëm me miell borxh. Filloi kështu të rilulëzojë nga e para (paralel me harlisjen në eter të paketave kabllore - “kabllovike” u thotë Kosova) tregu i antenave parabolike, të cilat, në një krahasim, të cilin nuk jam i sigurtë në e bëj unë i pari, ia arritën të zëvendësojnë me ovalitetin e vet metalik siluetat e bunkerëve ushtarakë. Nëse bunkerët ishin helmeta të maskuara me ngjyra e bimësi për të mbrojtur …psikologjikisht shqiptarët nga sulmi i të huajve, antenat e bardha parabolike janë shënjestra-targete dorëzimi që shqiptarët ngrehin kudo nëpër tarraca a ballkone për t’u thënë të huajve:- aman këtu jemi, qëllonani mu në kokë me ndonjë film a me ndonjë këngë se plasëm, na u thanë sytë!

    Qytetarët-shikues e kanë zgjidhur hallin disi përmes arratisë, duke tendosur kabllo abonimesh e duke ngrehur në ajër velat e bardha të antenave satelitore, kurse televizionet vetë, vendin bosh që e mbushnin me mall kontrabandë, përpiqen ta mbushin me programe të bëra vetë. Rruga më e shkurtër për ta mbushur programin është të kurdisësh një talk-show. Merr një gjysëm duzine me burra a gra dhe vëri të krihen me shoku-shokun për ndonjë temë të madhe apo të vockël të ditës, për korrupsionin a për luftën në Irak, për tatuazhet në vende ekzotike a për bashkëjetesën pa kurorë, për krimin në familje a për kënaqësinë e të ngarit të makinës pa patentë… E gjitha nën dekorin e duhur shumëngjyrësh, me gazetarin-moderator, nën stratagjemën e njohur “hedh budallai një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot”. Por problemi i vetëm i kësaj formulës popullore “1x100” në një vend të vogël si yni, është rrjedhja e rregullt e trurit për në Perëndim. Të gjitha stacionet televizive gati përditë organizojnë nga një apo dy talk-show-e, e kështu gati të gjithë ata pak burra me mend që na tepruan, janë stacionuar tashmë si dekor në këto lloj programesh, sa rrezik t’i ngatërrosh me vetë moderatorin. Rrjedhimisht, organizatorët e talk-show-eve u kanë drejtuar prozhektorët në mënyrë të padiskriminuar gjithë qytetarëve, me shkollë, pa shkollë, me gjuhë të trashë, me gjuhë të hollë, dhe jo se nuk po funksionon…

    Përbri boshit që la gjithë ajo kinematografi e përzënë (kryesisht amerikane: ja pse na vjen ndërmend ndërmend qielli i helikopterëve evakuues mbi Saigon), bosh i cili nuk e nuk po mbushet dot nga Zhoao Amazonat e serialeve braziliane, televizionet shqiptare na mësuan se talk-show është vazhdim i filmit me mjete të tjera. Me talk-show, konflikti, dialogu e tipizimi dramaturgjik është po aty, me po ata gjashtë personazhe kryesorë të analistëve të përmbrëmshëm meshkuj dhe me pritshmëritë tona instaluar mbi ta, me kusurin e figurantëve fjalëkursyer “nga rruga”, me shkrirjen në kor grek të debatit në pikën e vlimit- prag degjenerimit, me ndërprerjen e aksionit në prag të edicionit të lajmeve a reklamës së rradhës: gjithë kjo situatë komplet paratelevizive-thuajse radiofonike e rindërtimit të botës me forcat tona rreth një tavoline, në një lojë të madhe fjalësh, në një fjalëkryq karaokesh kakofonike që shket nga një ekran e del në tjetrin, për ta vijuar deri s’dihet se ku megatelenovelën më të ndjekur shqiptare këto vite: TALK-SHOW.

    Po mundohem gjatë t’i gjej ndonjë fjalë zëvendësuese shqip këtij termit, ndonëse lehtësisht thuajse gjithkush e kupton. Nisa pra për argëtim të përzgjidhja nëpër fjalorin personal diçka më kumbuese e spektakolare se “bisedë televizive”, ndonjë metaforë mbase. Jashtëzakonisht kollaj, në vazhdën noliane të orientalizimit të zhargonit, teknikë që prej vitesh shkakton breshëri gazi ndër gjimnazistët tiranas, në mend s’po më vinte gjë më piktoreske se “muhabet-sehir”, po ama edhe kjo nuk më kënaqi. M’u kujtua pastaj, se mbase ndonjë term më adapt do kërkuar në traditën jo edhe aq modeste të komunikimit masiv të krijuar gjatë epokës socialiste. Në këtë periudhë shoqërizimi të detyrueshëm, edhe debati, biseda, kritika, doemos që duheshin bërë me spektatorë, në kolektiv, ndonëse jo detyrimisht në dëshminë e kamerave. Fjalimi i fundit i shokut Enver, trendi i fundit në kursim apo riciklim i ndonjë kooperative bujqësore, përvjetoret e historisë kombëtare-revolucionare apo Dita e Novatorit a Elektrifikimit të Vendit, ngjyrat e ndezura në veshje apo flokët më të gjatë se norma të çunakëve rebelë, situata aktuale në frontin Viet-kong, thatësira e gjatë apo tërmeti apo çdo lloj fenomeni tjetër i mediatizueshëm, të gjitha ishin tema të denja për të mbledhur kolektivin profesional apo territorial në talk-show-in e rradhës. Duke ndërkallur citimet më në modë nga raportet e Kongesit apo Plenumit më të afërt, që ishin si të thuash edhe bursa e vlerave ideologjike, mbledhjet kishin atë rolin e madh formues për gjithkënd, pasi personat e autorizuar si dollibashë të diskutimit (analistët e kohës), demonstronin qartas sa e si duhej hapur goja për momentin e dhënë historik. Të paktë janë ata që i kanë shpëtuar diskutimit, kritikës apo autokritikës, zotimit publik me ovacione në talk-show-et e socializmit. Të cilat ishin, për nga rendi të paktën, pasardhëse të kulturës patriark-kolektiviste të odave të burrave. Me dallimin thelbësor se me kalimin e kohës kishte humbur thjesht artifici i burrërisë si edhe efekti skenik i tymit shtëllungëtar të duhanit. Seriozitet mbytës i jepte mexhliseve të burrërisë tymi mistifikues i duhanit, i cili mbulonte me maskë shprehjet e padëshirueshme të fytyrave mustaqellie, siç metaforat mbulonin mesazhet politike apo verdiktet gjyqësore apo paralajmërimet diplomatike që shqiptoheshin nën po atë tym e mustaqe. Ndërsa në odat socialiste duhej shkoqje e fjalës, sllogane të kontrolluara rituale, gjithçka doemos të dukej e qartë dhe pa ekuivoke para shqisës së kudondodhur të Partisë. Interesante është të kujtojmë se kushdo që të mblidhej nëpër këto grumbullimet diskutuese, qofshin reparte punëtorësh, ushtarësh a të burgosurish, klasa shkolle të lartë a të mesme, banorë të një blloku a të vetë Bllokut, ajo çka uniformizonte strukturalisht kolektivitetin dhe situatën, ishte skenografia dhe toni. Skenografia mbytej në gjak prej fuzionit të flamurit kombëtar drejt atij proletar në ikonostaset puritane të marksizmit blegtoral lokal, me portetet e Enverit dhe të Mësuesve të Tjerë të Mëdhenj dhe fontin standart të slloganeve e plot panik të ndërgjegjësimit për vogëlsinë tënde para Partisë e Popullit; kurse toni, absolutisht i tendosur përshkonte vertikalisht të gjithë brezat e shtresat e diskutantëve. Nuk besoj që një diskutim pionierësh për pyllëzimin apo ngjarjet më të fundit në Kosovë kishte më pak seriozitet e solemnitet sesa një diskutim me të njëjtën temë në kolektivin e Akademisë së Shkencave të Republikës.

    Sot veç dekorit, është toni që është çtensionuar. Siç e thashë, dyndja masive nëpër ekranet e traumatizuara nga erozioni i Imazhit, ka bërë që kushdo të marrë Fjalën, të ngrihet e të japë pak mend në publik. Lirshëm fare. Ai tipi që ishte ulur me ty në kafe deri tani dhe të kërkoi leje sapo pa orën, për disa minuta del e të shfaqet në ekranin e televizionit mbi banakun e lokalit dhe me të njëjtin ton të shpenguar, vazhdon bisedën që kishte lënë përgjysëm me ty pak më parë.


    http://kohaere.eu/index.php/sheshi/8046.html
    "Shoku Mjekesise"

  15. #35
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Per te gjithe ato qe se dine zbritja e fese Islame dhe Kuranit ka zgjatur plot 23 vite prandaj dhe Hatibi e pershkrun si nje simetrike midis 1944-19967-1990

    Ervin Hatibi

    Në kontekstin e vet më të njohur buzë Nilit, piramidat konsideroheshin trupëzim i diellores, prandaj besohet se edhe syprina e tyre shpesh punohej prej gurësh të lëmuar, të tillë që të mund të reflektonin dritë deri larg
    23 vjet pasi kishin marrë në dorë krejt pushtetin tokësor, më 1967, “komunistët” shqiptarë vendosën ta shtrijnë këtë pushtet formalisht edhe gjetkë, duke filluar kështu aksionin e madh për zhdukjen e fesë, përmes mbylljes e prishjes së tempujve e institucioneve fetare, kriminalizimit e ndalimit të shfaqjeve të besimit. 23 vjet më pas kësaj, erdhi viti ’90 dhe pushteti i diktaturës mori fund - pushteti tokësor të paktën, ai i kohshmi. Ka shumë mundësi, ndërkaq, që në një përmasë të pamatshme, pushteti i mëtuar simbolikisht më 1967, ai nga përbrenda, të mos ketë marrë fund ende.
    Simetria kabalistike e dy njëzetetreshave që puqen me kulmin e 1967-s, na e figuron diagramën e ngjarjes së diktaturës si një trekëndësh që mbyllet mbi hartën e Shqipërisë. Ky vit është në fakt ditëlindja e plotë e diktaturës, e thelbit nga buron pushteti përnjëmend totalitar.
    Me dy brinjët kalendarike dhe bazën gjeografike, trekëndëshi që formuam fiton potenciale interesante: nga kulmi i tij kuptimplotë rrezet radioaktive zbresin me abstragimet tona edhe në rrafshe të tjera veç kohëhapësirës (nga mentalet tek materialet) dhe shëmbëllimi që përftojmë nis e duket si piramidë.
    Përqasja strukturore e diktaturave me piramidat është banalizuar deri në bajatje, por në rastin tonë, tundimi për ta ribërë maketin e njohur të këtij krahasimi nuk ka në vizore kultin e individit, hierarkitë burokratiko-klerikale mbi shpinat e popullit etj.&etj. si këto. Piramida na shërben këtë herë si një emblemë u-kronie, një skemë a formulë lojcake për prerjen midis kohës dhe pushtetit radikal revolucionar. Përtej skemës numerologjike, piramida duket gjithsesi e gatshme ta marrë këtë rol - personifikimin e diktaturës - e investuar siç është me përkorje parake pa lajle, si vetë estetika enveriste, me asfiksinë e saj të fortifikuar pa dalje, me misterin e prodhuar sforcueshëm, thjesht prej murosjes shqisore.
    Nuk është nevoja të ndjesh detyrimisht si besimtar për të kuptuar se 1967, data e asgjësimit publik të fesë, është kulmi i diktaturës shqiptare. Pas kësaj nuk ndodhi më asgjë e re për t’u shënuar në 23 vitet e fundit. Fashitja apo ndalimi i fjalës së lirë kishte ndodhur që në fillimet e diktaturës, por 1967 ishte përfundimtare, sa kohë që ndalesa rrekej të prekte të paprekshmen, fjalën e Zotit. Ndalimi i pronës private po ashtu kishte ngjarë më parë, por me vënien dorë mbi shtëpitë e Zotit, shpronësimi doli prej cakut tokësor. Njerëzisë i merrej kështu edhe fjala e fundit e pashtetëzuar nga goja, edhe ajo pëllëmbë e fundit dheu nën këmbë dhe gjithë territori e ligjërimi njëtrajtësohej pastaj në një miting të vetëm. Rrafshimi i tempujve dhe shkrumbimi i liturgjive nuk ishte vetëm prishje e fetares, por edhe e sekulares, për sa kohë nuk kishte më ndarje midis të dyjave. Gjithë hapësira shenjtërohej paskëtaj nën një kult të vetëm fitimtar dhe kthehej ashtu në një tempull të madh, mbyllur në faqe të një piramide që hapej nga lart prej një cepi final, ku shfaqej në Një lideri, partia, fundi i përshpejtuar i historisë dhe mendimit.
    Hapësira e shenjtëruar e diktaturës përfundonte në kufinjtë politiko-administrativë të shtetit, përtej të cilit shtrihej si rrethim jo vetëm profania, por literalisht ferri. Kufiri bëhej eskatologjik dhe tentativa për të dalë përtej tij sillte vetiu vdekje, edhe pa plumbat e kufitarit, edhe pa cerberin e kufirit kremtuar si totem zyrtar e shumëfishuar me lehje si sistem alarmi në letërsi e arte që nga abetaret e deri në muralet. “Piramida kufiri” quheshin zyrtarisht monumentet vendshënuese që skërmiteshin përqark perimetrit të Shqipërisë si dhëmbë të bardhë (“në gojë të ujkut hedhim valle” thoshte hiti i kohës) dhe në fakt gjithë këto piramidat midis amshimit e vdekjes ishin projeksione të asaj më të madhes (e anasjelltas), pra ishin pemët që fshihnin pyllin, duke dhënë e marrë kuptime e funksione mesveti.
    Në kontekstin e vet më të njohur buzë Nilit, piramidat konsideroheshin trupëzim i diellores, prandaj besohet se edhe syprina e tyre shpesh punohej prej gurësh të lëmuar, të tillë që të mund të reflektonin dritë deri larg. Me këtë detaj piramida plotëson akoma edhe një tjetër kusht të fshehtë për të qenë shënjuese e diktaturës enveriste (“enver”- përthyerje e fjalës “nur”, “dritë” nga arabishtja): “fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut” ishte një metaforë popullore po aq e trumpetuar për Shqipërinë sa edhe ajo e “kështjellës së pamposhtur” në po ato ato brigje. Piramida shqiptare ishte drita, prandaj shënonte vetëm kufirin e vetes: dritë prometeane mes oqeanit obskurantist, Fanar i ortodoksisë ideologjike mes herezisë globale. Ndriçimi, ma do mendja, vinte falas prej flakadanëve të ’67-tës.
    "Shoku Mjekesise"

  16. #36
    God Bless You Maska e _Mersin_
    Anëtarësuar
    21-05-2008
    Vendndodhja
    ne nota humori
    Postime
    2,593
    Të gjitha kafshët e politikës

    Ervin Hatibi

    http://kohaere.eu/index.php/sheshi/9482.html


    Për politikanët e shpurat e tyre gazetareske pak gjë do të ndryshonte nga ditët e vjetra kur armiku dehumanizohej mes brohoritjesh, kur kafshërohej për ta vrarë pa të vrarë ndërgjegja

    Fundi i verës 2010 në Shqipërinë e mediave dhe politikës, e pruri Zodiakun nën shenjën e lepurit. Shfletimi i të përditshmeve e bëri të pamundur të mos lexoje tituj të mëdhenj që merrnin hov në faqe të para, duke iu sjellë rrotull deri në shterim gjithë fjalëve të urta të mundshme me lepur të shqipes artizanale: “Korrupsioni i lejeve të ndërtimit i fut Edvinit lepurin në bark”, (22-08-2010/Gazeta 55); “Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Kryeministrit”, (26-08-2010/Shqip); “Bogdani-Ramës: Dil nga vrima e lepurit dhe ballafaqohu me akuzat për korrupsion”. (31-08-2010/ Gazeta 55); “Xhaçka: Berisha, ferra që fsheh lepurin e korrupsionit”. (26-08-2010/ Gazeta Shqiptare); “Vokshi: Rama frikë nga denoncimet, kërcënon se vetëm ai dhe lepujt duhet të merren me biznes në Shqipëri”, (25-08-2010/Gazeta 55), etj., etj..

    Gjithë kjo larmi e gëzueshme, gati fëminore, që ilustroi gjatë gjithë gushtit e në vijim faqet e para dhe debatin publik në Shqipëri, i detyrohet një personazhi nga bota baroke e biznesit tiranas, të njohur prej të interesuarve me pseudonimin Tan Lep(u)ri, i cili u përfol si i lidhur me grupe të politizuara të korrupsionit ekonomik në vend. Nofka rinore e biznesmenit, shumëzuar shfrenueshëm nën prozhektorë mediatikë nga zëdhënës të dy kampeve kryesore partiake, u përdor fillimisht për të shpotitur vetëm personin e mbiquajtur ashtu dhe partnerë të tij të supozuar ndër politikanë të majtë; por fill pas kundërsulmit të këtyre të fundit, nofka e fajësuar u rimor për të goditur të djathtët, si të qe ndonjë shënjues arketipal për korrupsionin politiko-ekonomik. Funksioni i ri i fjalës, e kapërceu kronikën, i humbi lidhjet me ndonjë person konkret të mbiquajtur rastësisht Lepuri, dhe me konsensus u kthye provizorisht në një simbol të lidhjes së elitës politike me krimin ekonomik, në një vegël akuze e sulmi retorik ndaj korrupsionit të kundërshtarit, kushdo që të ishte ky.

    Spektakli ndërpartiak që zëvendëson përballjen ideologjike, programative midis kampeve, ka nevojë të dëshpëruar për personazhe e incidente e batuta të reja si çdo lloj tjetër seriali i përditshëm që konkurron për vëmendje; ndërkaq, ekipeve të skenaristëve në të dyja kampet rasti në fjalë nuk u ofroi vetëm trukun e rradhës për më tepër argëtim se dje, por njëkohësisht, duke e stërpropozuar lepurin për javë me rradhë në koreografi nga më evokueset, ata patën rast të ricaktojnë nivelin e dëshiruar parashkollor për debatin publik dhe të zbrazin sa mundin nga mprehtësia dukurinë e lidhjeve korruptive politikë-biznes, duke e barazlarguar në të njëjtën maskotë trivialiteti. Figura e repertorit të folklorit qytetas, rrjedhur padashje në kronikën mediatike, funksionalizuar më pas për luftën e ftohtë kundër korrupsionit - dukurisë më të përfolur nga propaganda e përditshme, tregon asgjë më shumë se një lloj përmbajtje, një lloj hezitimi, një lloj mëshire për veten përmes butësisë në sulmin ndaj tjetrit. Figura, krejt duke ndjekur hullinë që i kanë hapur në shekuj përrallat, vulnerabilizon kundërshtarin, e bën të kontrollueshëm, por kjo fill pasi e ke pranuar edhe mbi vete të njëjtën çehre të brishtë vulnerabilizmi. Lepuri empatik hyn midis dy supefuqive si një cak detante kështu, në një parodi shtantazhi MAD (Mutually Assured Destruction), veshur me pellushin S(acher)-M(asoch).
    *
    Për të imunizuar veten nga sulme të mundshme dehumanizuese apo nga zhvillime të paparashikuara metaforike, kampet politike në Shqipëri duket se kanë filtra të fortë; e kjo që kur nisi loja politike në vend, kështu që në asnjë libër historie e në asnjë listë elektorale nuk do të gjeni dot politikanë me mbiemra të tillë si Kau, Peshku, Derraj, Bilbili, Shqarthi e Çakalli me shokë, të cilët mbiemra, përndryshe popullorë, do të mund të gjenden lehtësisht në Facebook apo në çdo numërator telefonik. I pari dhe i fundit që prishi rregullin, qe mbreti Zog, kur shkurtoi mbiemrin Zogolli e nuk vuajti fare nga kjo, sa kohë që gjesti i tij kuptimplotë ishte pjesë e aksionit kombëtarizues në gjuhësi dhe gjithsesi, paralelja me shpendët përfundonte pa dalje në kafazin e flamurit; (fundja dallimi midis monarkut e subjekteve duhet të jetë kategorik e mitik në rradhë të parë, si ai midis njerëzve, në këtë rast, me krijesa të tjera, qiellore).

    Por gjatë periudhës republikane, sidomos në atë më domethënësen socialiste, shoqëruar me rritjen e pandalshme të komunikimit vizual, mbi kafshët u testua gjithë imazheria e ksenofobisë dhe luftës së klasave, në karikatura, fletërrufe, fjalime e teatër kukullash, ndërtuar mbi përvojat e freskëta blegtorale të shumicës së komisarëve të propagandës. Potencialet e përhershme simbolike të kafshëve u kompromentuan edhe më tej në funksione ideologjizimi e poshtërimi për dekada me rradhë dhe me këtë traditë hymë në kapitalizëm e demokraci. Në ligjërimin socialist për shoqërinë kapitalisto-pluraliste, kjo e fundit ishte një “xhungël” ku mbretëronte “ligji i xhunglës” dhe “njeriu për njeriun ishte ujk”; e me këtë skript në dorë shqiptarët nxituan t’u futeshin roleve të reja. (Shkrimtari Bashkim Shehu do ta gjykojë si një lloj profecie vetëpërmbushëse egërsinë e kapitalizmit të sotëm shqiptar, lëvruar rëndshëm nga ish-“komunistët”). Për politikanët e shpurat e tyre gazetareske pak gjë do të ndryshonte nga ditët e vjetra kur armiku dehumanizohej mes brohoritjesh, kur kafshërohej për ta vrarë pa të vrarë ndërgjegja. Për të cituar vetëm rastet më flagrante ku kafshërimit i shkohet deri në skaj, kujtojmë si politikanit e botuesit të njohur Nikollë Lesi me kohë kundërshtarët ia deformuan mbiemrin në “Lehësi” e po ashtu sesi kolegut të tij, Sokol Olldashit, vite më parë ia çaftësuan përkohësisht mbiemrin në “Oll-delja”. Prandaj, për të vijuar pa trauma spektaklin politik partitë protagoniste insistojnë fort në dallimin e qartë midis njeriut e shtazës në rradhët e tyre, duke i mbajtur glosarët të mbyllur për emra problematikë, gjithë duke mos harruar, me dorën tjetër, veterinaren, të provojnë çdo mundësi për të shartuar gjallesa gjithëfarë mbi kundërshtarë. Nëse sot u ka ardhur ora për të emërtuar kundërshtarin ca krijesave jotipike në luftë politike, të investuara maksimalisht me përkëdheli e butësi, (lep’ri) kjo do lexuar patjetër si rritje e vetëdijes klasore në solidaritetin ndërpartiak; por merita kryesore për këtë rihumanizim të pjesshëm të kundërshtarit i do njohur urbanitetit me qerpiç të Tiranës, që ia heq cepat sa herë i jepet rasti konflikteve, me zhargonin e vet rrumbullak
    "Shoku Mjekesise"

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Artikuj argjendarie
    Nga Marijuana85 në forumin Bukuri dhe estetikë
    Përgjigje: 31
    Postimi i Fundit: 11-04-2009, 09:32
  2. A mund të hap artikuj gazetash në forum?
    Nga Kryeplaku në forumin Pyetje - përgjigje
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-03-2004, 13:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •