Gjakmarrja vs. gjakdhënia
As më shumë e as më pak, ky fenomen, është një nga ato që ka tronditur shoqërinë shqiptare në shekujt e fundit. Bëhet më i prekshëm në ditët tona, sepse objekti i studiuesve të etnografisë në Shqipëri, është një ligj sundues në një pjesë të konsiderueshme të territorit të shqiptarëve
Nga Ervin Hatibi
Është e ditur, se nga gjithë spektri i plagëve që ka Shqipëria sot, më e kobshmja është gjakmarrja. Gjakmarrja është një term teknik për të pëshkruar një ritual gjahu të vdekjes. Në dallim nga gjithë krimet e tjera të rënda, ajo përbën një zhanër pervers kompleks. Kështu gjakmarrja nënkupton një stratagjemë terrori që çon në privim kolektiv nga liria, duke u kulmuar me një vrasje me paramendim. Përmes fjalëve të një aktivisti anti-gjakmarrje: "Sot realisht janë në hasmëri 670 familje, duke lënë pa shkollë 160 fëmijë, nga të cilët 73 të rrezikuar për jetën. Në vitin 2003-2004, 54 familje, të kërcënuara seriozisht, janë larguar me rrugë ilegale jashtë Shqipërisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka mbështetur dhe mbrojtur ato duke iu siguruar azil të përhershëm. Për mosacarimin e situatës, familjet në hasmëri nuk ua deklarojnë organeve të rendit ngujimin, ndaj shifrat zyrtare të policisë janë gjithnjë më të ulta se numri real" (cituar nga shtypi Gjin Marku, drejtues i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar) Ndërsa dëshmitari i mësipërm ka shënuar thjesht numrin e fëmijëve të privuarve nga mësimi, organizata ndërkombëtare si PNUD e vlerësojnë deri në 1.450 totalin e fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes.
Nëse gjakmarrja zinte vendin e parë në kob, duke qenë se nënkupton një vrasje ceremoniale, në Shqipëri gjithashtu ka edhe forma më të komplikuara vrasjesh informale. Njerëz të varfër e të pashpresë, të infektuar me viruse që nga ata të hepatiteve e deri të Sidas, shkojnë e shesin gjak nëpër qendra grumbullimi, për nevojat e të sëmurëve dhe të aksidentuarve. Gjatë këtij viti në bankën e gjakut të qytetit të Durrësit ndodhi që personi që kishte shitur gjakun pesë herë brenda vitit ishte i infektuar me virusin HIV. Në komunitetin prej rreth 500 fëmijësh talasemikë që duhet të marrin çdo muaj gjak për të jetuar, pas një ekzaminimi të më pak se gjysmës së tyre, janë zbuluar 4 fëmijë të infektuar me virusin e Sidas.
Deri më tani janë 12 mijë të ashtuquajtur "dhurues me pagesë" kryesisht të papunë dhe pa të ardhura të tjera financiare, por që jetojnë me paratë që fitojnë nga shitja e gjakut. Nëpër sportelet e gjakut ata këmbejnë 300 gram gjak për 30 dollarë, ndërkaq që në tregun e zi të bluzave të bardha, familjet e pacientëve në hall, shpesh janë të detyruar të japin edhe 100 dollarë për 300 gram gjak... Shumicën e nevojave për gjak, rreth 65 %, i plotësojnë shitësit e gjakut-fukarenj apo të dëshpëruar të tjerë të cilët nuk kanë leverdi të tregojnë saktësisht detaje teknike përmbi shëndetin apo sjelljet private, sepse kanë nevojë për para. « Mblidhet 10 herë më pak gjak nga sa duhet për minimumin e nevojave. Jemi shumë pesimistë për momentin në lidhje me situatën e gjakut. Mesatarisht duhen 40 dhurime gjaku në një mijë banorë, në një kohë që ne marrim dhjetë herë më pak, pra 4 dhurime për një mijë banorë » (cituar nga shtypi, drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro)
Në fakt përgjegjës për vrasjet e tërthorta me Sida apo infektimet e tjera, nuk janë një grusht rrezikzinjsh, që halli ua ka erëësuar gjykimin. Një shoqëri e tërë, me qëndrimet e veta ka edhe këtë herë autorësi kolektive në krim, me indiferencën e papërgjegjësitë e veta. Ajo ua ka besuar detyrën e furnizimit me gjak një grushti të hallexhinjsh të prekshëm nga sëmundjet e të ligat. E turbulluar sa ç'është në tru, ajo nuk prodhon dot gjak të pastër për fëmijët e vet. Përqindjet e prejardhjes së gjakut spitalor, ngjajnë më shumë si rezultate referendumi për t'u pranuar në histori. 65 % është gjaku i shitur, 30 % sigurohet në nevojë nga familja e të sëmurit apo të aksidentuarit (pra rastësisht dhe tribalisht), kurse vetëm 5% dhurohet. Këta të fundit, ata që dhurojnë gjakun, janë disa pak qindra shqiptarë. Mbase po aq pak në numër sa edhe punëtorët e Rilindjes... Aq sa shokët e Mujo Ulqinakut të Ditës së Prillit, sa studentët e Natës së Dhjetorit...
Paralele të parehatshme
Fenomeni i hershëm i gjakmarrjes, ishte i shtypur deri në asfiksi gjatë periudhës së diktaturës. Shteti ishte ai që kishte i vetmi të drejtën mbi jetën, dhe çdo ndërmarrje tjetër paralele shihej më tepër se një krim: shihej si konkurrencë ndaj shtetit nga privatët... Me liberalizimin e jetës në vend dhe dobësimin e rolit të shtetit, shqiptarët rinisën si e do zakoni, t'i marrin sërisht gjak në vetull njëri-tjetrit...
E kundërta e gjakmarrjes është gjakdhënia. Jo për ndonjë opozicion foljor, por për nga natyra e gjërave. Ndërsa gjakmarrja është akt i të kërkuarit simbolik të gjakut të një të afërmi ndaj vrasësit apo të afërmve të tij, gjakdhënia është pasimi fizik i gjakut tënd një tjetri që ka nevojë për të. Në kundërshti të plotë si fenomene, edhe dinamika e gjakdhënies ka ndryshuar drastikisht me kalimin në vitet e liberalizmit. Që prej vitit 1990 në Shqipëri numri i dhuruesve të gjakut ka rënë nga 10.000 dhurues vullnetarë, në 1000. Me shumë pak fjalë: janë shtuar gjakmarrësit dhe janë pakësuar gjakdhënësit.
Shqipot janë një shoqëri patriarkalo-maçiste, dhe kështu në kornizën e drunjtë të virtyteve virile do lexuar edhe ky raport, kjo marrdhënie gjaku. Dhënia e gjakut është një gjest femëror, më saktë amësor: është si të dhuruarit qumësht me gji. Ama edhe çdo dhënie, dhurim tjetër, çdo vullnetarizëm, edhe pa atë sistemin hidraulik të amësisë, gjithashtu përmban pak vulnerabilitet altruist femëror. Prandaj këto punë nuk kanë këtu sukses.
Ndërkaq që e kundërta e dhurimit femëror, kompeticioni mashkullor ( i rrënjosur fort në natyrën kompetitive të gjenitaleve) është edhe një çelës për të kuptuar gjakmarrjen. "Ne jemi një vrasje përpara në krahasim me fisin tjetër, ne jemi më të fortë, ne jemi më shumë vëllazëri, ne kemi kullë më të fortë dhe fishekë më shumë..."
Gjatë kohës së diktaturës, mashkulli dhe fisi më i fortë ishte partia, dhe subjektet e veta i kishte reduktuar në një status nënshtrimi e përdhunimi. Kështu, shndrruar në një rend gjithëfemëror, shoqëria kishte shumë më pak mundësi për gjakmarrje. Ndërsa gjakdhënia ishte një lloj territori lirie kur individi shpëtonte përkohësisht nga dhunimi duke u dhuruar, duke u madhështuar përmes vetëmohimit humanist, duke e marrë veten në pronësi përmes një gjaku që nuk ia mbante ta derdhte ndryshe...
Krijoni Kontakt