Projekti grek supozohet të bëhet pjesë e planit francez, pasi transformimeve për hir të kazinosë do t’u nënshtrohet edhe parku Rinia. Hyatt zotohet të sjellë në Tiranë rreth 100 mijë turistë jo shqiptarë vitin e parë të aktivitetit
Regency Hyatt Casino deklaroi se në rast triumfi mbi patriotët e Club Hotel Loutrakki, do ta ngrejë kazinonë e saj në ambientet e qendrës Tajvan, duke përfshirë edhe parkun Rinia në transformimet e nevojshme për të mirëpritur lojtarët e ardhshëm. Sipas përfaqësuesve të kompanisë greke, sipërfaqja që do të përdoret si kazino dhe në funksion të saj do të jetë 1687 m2, duke përfshirë, përveç sallave të bixhozit, edhe restorant, klub nate, sallë konferencash, etj. Investimi llogaritet ta kalojë shifrën 10 milionë euro, ndërkohë që Hyatt Casino ka ngrirë në Bankën Kombëtare të Greqisë, dega Tiranë, 9 milionë euro, shumë kjo e shoqëruar me një deklaratë nga banka. Sipas kompanisë greke, projekti mendohet të përfundojë në fund të muajit tetor. Ian Gosling, nënkryetar i kompanisë, deklaroi se kishin parashikuar të sillnin rreth 100 mijë turistë të huaj në kazinonë e tyre në qendër të kryeqytetit. “Ne jemi të interesuar për vëllimin e klientëve; ne duam mijëra njerëz të kalojnë nëpër dyert tona, mbi një bazë mujore apo javore, pa pasur efekte negative mbi ta,” tha Gosling, duke shtuar se synohet edhe frekuentimi i klientëve shqiptarë. Sipas tij, Tajvani synohet të kthehet në një qendër të mirëfilltë dëfrimi, pasi kumari duhet kuptuar së pari si zbavitje. Kazinoja te parku Rinia do të ketë 20 tavolina loje dhe 220 slot machine. “Ne jemi të vetmit që kemi punuar sipas standardeve të Nevadës,” deklaroi nënkryetari i Regency Hyatt Casino. Besnik Sulaj, pronar i qendrës Tajvan, njëherësh president i Dinamos, prezantoi një pjesë të projektit të kazinosë. Sulaj, i vetmi aksioner shqiptar i njohur për momentin i kazinosë së Hyatt, sqaroi se transformimi i parkut Rinia është projektuar nga një studio e njohur austriake. Sipas tij, ky investim pritet ta kalojë shumën e 3 milionë eurove. Regency Hyatt Casino filloi të ekzistojë në vitin 1996. Ajo i përket një konsorciumi të përbërë nga kompania e hoteleve Hyatt – 50 për qind të aksioneve (me interesa amerikane, sipas medias greke); kompania Laskaridis – 40 për qind; dhe kompania N.I. Theocharakis – 10 për qind. Në sipërmarrjen aktuale për hapjen e kazinosë në Tiranë, Laskaridis Group merr pjesë me 49 për qind të aksioneve të palës greke. Nga ana tjetër, krejt pjesa që grekët së bashku zotërojnë, përbën 51 për qind të aksioneve të kazinosë që shpresojnë të ngrejnë në Tiranë, ndërsa 49 për qind zotërohet nga partnerë shqiptarë. Familja Laskaridis dhe familja Theocharakis njihen si dy mbështetësit kryesorë të Hyatt-it në Greqi.
Krijoni Kontakt