Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Dritëro Agolli: PS dhe LSI të bashkëpunojnë për zgjedhjet e 2005

    Panorama:

    --


    fushata te socialistet

    intervista




    “Biznesmenë në vend të kandidatëve të Nanos”

    Dritëro Agolli: PS dhe LSI të bashkëpunojnë për zgjedhjet e 2005
    “Njerëzit janë mësuar të votojnë një parti”

    Luljeta Progni
    Dritëroi nuk është fort mirë me shëndet. Ai rri gjysmë shtrirë në kolltukun e tij në cep të dhomës së “miqve”. Eshtë këndi më i përshtatshëm nga i cili mund të shikosh të gjithë studion.

    Për më pak se çerek ore ka pirë dy cigare. Të dyja i ka ndezur me nga një çakmak të veçantë. “Mbaj nga një çakmak në xhepin e majtë të xhaketës dhe një në xhepin e djathtë”. Një mënyrë e mirë kjo për të mos ngelur pa ndezur cigaren. Në bordurën e një mobilie jo fort të re është vendosur një gotë rakie e mbushur ose më saktë e mbetur përgjysmë. Edhe kjo është një ilaç. Sadies, gruas së shkrimtarit, i duhet të shkojë shpesh te dera. Për një orë kanë ardhur ta vizitojnë tre deputetë të majtë. “Më kanë ardhur edhe të djathtë”, thotë Agolli duke qeshur, pa e lënë ta pyesësh. Si shkrimtar, ai parapëlqen t’i shkruajë vetëm përgjigjet, kështu është më i sigurtë. Por këtë herë po bën një përjashtim. Ai e di që në kohë të tilla politike, mendimi i tij është shumë i kërkuar. Deputetët, ikin.
    Dritëro Agolli, është një socialist i vjetër që mendon mirë për emrat e rinj të Nanos. Megjithatë ai thekson se ndonjëherë mund të jesh shumë i aftë, por në paraqitjen në popull dhe në votime mund të mos dalësh mirë”.

    Mendoni se PS-ja ka të drejtë të pretendojë të rimarrë mandatin e tretë qeverisës, duke iu referuar atyre që ka arritur në tetë vite pushtet?
    Unë mendoj se PS-ja ka të drejtë morale që të kërkojë edhe një mandat tjetër. Ka të drejtë morale të kërkojë fitoren sepse, Shqipëria nuk është sot siç ishte para vitit 1997, vetëm nga ana vizuale, mund ta shohësh që ajo ka ndryshuar. Ka ndryshuar në pamjet e tyre të gjitha qytetet, ku vendin e parë e mban Tirana. Kanë ndryshuar rrugët, pasi atëherë nuk kishte një autostradë nga Tirana deri në Qafë Thanë, nga Tirana deri në Shkodër e gjetkë. Nuk kishte filluar asnjë proces pune si këto që thashë më lart, nuk ishin para 1997, institucionet shtetërore aq demokratike siç janë tani. Shteti është forcuar, ka ligje dhe njerëzit janë më të mbrojtur nga të gjitha anët. Kështu që e gjitha kjo bie erë shtet, ka aromën e shtetit, gjë që nuk ekzistonte më parë, pra që nga ‘90 deri në 1997. Prandaj kjo parti që i ka hyrë kësaj pune aq të vështirë dhe të mundimshme dhe ka arritur deri në këtë shkallë, unë mendoj se ka të drejtë të kërkojë edhe një mandat tjetër drejtimi. Në vitin 1997 PD-ja nuk mund të kërkonte një mandat tjetër, sepse e dimë se çfarë u bë jo vetëm në atë vit, por dhe më parë. Mirëpo zakonisht tek ne ndodh ky fenomen, që opozita gjithçka mohon dhe ata që janë në pushtet, gjithçka pohojnë se është bërë mirë. Njëra palë e bën shesh me gjemba, siç është opozita dhe pala tjetër e bën shesh me lule, që është mazhoranca. Dmth, nuk ka një pikë ku mund të bashkohen. Opozita thotë gjithmonë se nuk është bërë asgjë dhe nuk thotë që është bërë një gjë mirë dhe më pas të kërkojë pse nuk janë bërë të tjerat, ndërsa mazhoranca thotë se janë bërë të gjitha dhe nuk thotë se kemi këtë gjë pa bërë. Megjithëse ka njerëz të veçantë apo dhe drejtues të mazhorancës, që thonë se është punuar, por ka edhe shumë për të bërë, por pa u konkretizuar mirë gjërat. Opozita duhet të luajë rolin e oponentit, apo siç i themi në rolin e redaktorit. Ne që jemi krijues e dimë që kur është një redaktor, ai përpiqet që ndaj autorit, që këtë vepër ta nxjerrë sa më mirë, duke i thënë se këtu është mirë apo se këtu është gabim. Më pas është vet autori që merr përsipër të korrigjojë ato që redaktori i quan gabime. Me këtë dua të them se opozita, duhet të kritikojë atje ku duhet të kritikohet dhe të mos hezitojë të pranojë arritjet e qeverisjes së majtë. Dua të theksoj se PS-ja ka të drejtë të kërkojë edhe një mandat tjetër për arsye se ato punë të mëdha që kanë nisur duhet t’i kryejë deri në fund. Kjo për arsye se të tjerë që vazhdojnë këtë punë mund edhe të mos e vazhdojnë siç duhet.

    Çfarë mendoni se duhet të bëjë PS-ja për të arritur fitoren në këto zgjedhje?
    Në demokraci pushteti nuk është i përjetshëm, sepse nuk do të kishte kuptim fjala demokraci. Në demokraci ndryshojnë pushtete, por kjo arrihet kur piqen kushtet për të ndryshuar pushteti. Ndryshimi nuk vjen vetëm me ndërrimin e pushtetit nga një parti tek një parti tjetër. Ndryshimi vjen edhe kur e ka pushtetin një parti, e cila mund të synojë drejt ndryshimit të brenda vetes. Një parti ndryshon, duke shkuar drejt përmirësimit të të gjithë veprimtarisë së saj. Edhe PS-ja nëse dëshiron që të fitojë edhe këtë mandat, dhe unë si socialist e dëshiroj shumë këtë, duhet të ndryshojë shumë gjëra që mund të mos kenë ecur mirë gjatë pushtetit të saj. Në qoftë se PS-ja do të ketë një përpjekje më të madhe për të luftuar ato të meta që ka patur deri tani, të cilat i pranon edhe vetë, unë mendoj se do të arrijë fitore.

    Cilat janë të metat e qeverisjes së PS-së sipas jush?
    Korrupsioni për shembull është një fenomen negativ, të cilin edhe PS-ja e pranon si të metë të qeverisjes së saj. Nuk e kam fjalën për korrupsionin thjesht të ministrave, të drejtorëve apo të njerëzve që kanë pushtet, por që nga administrata më e thjeshtë, që nga ai i gjendjes civile dhe deri te kryeministri. Në qoftë se nuk ndryshon kjo gjë, atëherë është vështirë që edhe nëse do të fitojë ta mbajë mandatin tjetër. Për mua më e rëndësishme është përmirësimi i funksionit të administratës në mënyrë që administrata të jetë si një orkestër e madhe që ka violinën e parë, që ka pianon, që ka flautin e të tjera, ku secili të ketë rolin e tij dhe të gjithë të përpiqen t’i shërbejnë njerëzve. Kjo na mungon ne, sepse administrata është më e dobëta. Luftojmë shpesh që të funskionojë mirë Këshilli i Ministrave të japim orientime dhe të caktojmë koordinatat themelore për zhvillimin e vendit dhe nuk shikojmë funksionimin e administratës. Pika më e dobët gjatë këtyre viteve të qeverisjes së socialistëve si dhe më parë, ka qenë mosfunksionimi i gjithë administratës, që nga fillimi deri në fund. Edhe në natyrë pema zanafillën e ka te rrënjët dhe jo te maja, s’e ka nga fletët, kështu që duhet që edhe disa ligje të natyrës t’i kemi parasysh. Ne nuk shkojmë në rrënjë, por në majë menjëherë dhe atje synojmë të sulmojmë. Në qoftë se PS-ja lufton kundër këtij fenomeni dhe jep premtime dhe zotohet për t’i realizuar seriozisht këto zotime kundër korrupsionit, atëherë PS-ja do të fitojë. Por mund të fitojë vetëm nëse ka një projekt të besueshëm për luftën kundër korrupsionit dhe se në qoftë se thotë të vërtetën se sa në gjendje është të luftojë korrupsionin.

    PS-ja duket se ka vendosur të rinovojë grupin e saj parlamtar, duke u paraqitur me elementë të rinj kandidatë për deputetë. Kjo u duk me prezantimin e kandidatëve të kësaj partie në Tiranë nga Nano…?
    Mendoj se ende nuk janë bërë publike obkjektivat me të cilat do të shkojë PS-ja në zgjedhje, megjithatë ato kuptohen gjatë zhvillimeve dhe diskutimeve të drejtuesve të kësaj partie, veçanërisht të kryetarit tonë Fatos Nano. Dua të them se ato që thotë kryetari ynë, nëse realizohen janë synime dhe objektiva shumë të mira. Ai mendon se objektivat e vëna para partisë, t’i realizojë me një ekip njerëzish të zotët që i përkushtohen përparimit të vendit. Nano mesa duket një pjesë të tyre, i publikoi në Tiranë megjithëse ai theksoi se mund të jenë, kështu që akoma nuk është vendosur. Në bazë të punës së tyre në postet që drejtojnë, unë mendoj se janë njerëz me merita dhe me vlera megjithëse unë nuk i njoh aq mirë, sepse unë kam moshë tjetër dhe pak kontakte kam patur me këta njerëz. Unë besoj se në punën e tyre ata janë të aftë, por ndonjëherë mund të jesh shumë i aftë, por në paraqitjen në popull dhe në votime mund të mos dalësh mirë. Veçanërisht janë një kategori njerëzish që kanë qenë dhe janë në krye të disa institucioneve që kanë direkt lidhje me popullin, siç është energjia elektrike, siç janë taksat doganat apo të tjera, të cilat janë në qendër të vëmendjes, të vështrimit të popullit. Për këtë arsye duhet të mendohemi shumë imtësisht dhe shumë me logjikë, por edhe me një bindje të palëkundur se, a janë në gjendje të fitojnë apo jo.

    Jeni kundër këtyre kandidaturave?
    Jo por për mendimin tim kategoria që mund të përfaqësojë elektoratin në Parlament, janë personat publikë që nuk kanë patur pushtet në dorë dhe duhen njerëz, që janë shquar në fusha të ndryshme nëpërmjet aftësive të tyre profesionale. Kjo kategori mendoj unë se është e përshtatshme për kandidatë për deputetë. Nga ana tjetër unë mendoj se kandidatë për deputetë, mund të jenë edhe ata njerëz që kanë marrë përsipër të drejtojnë punë të mëdha private që quhen biznese dhe që kanë punësuar shumë njerëz dhe që përpiqen të transformojnë vendim me kontributin e tyre. Nga kjo kategori ka shumë njerëz të përgatitur, që mund të përfaqësojnë me dinjitet popullin në Parlament. E kam fjalën jo vetëm për PS-në, por edhe për parti të tjera. Mendoj se këto kategori njerëzish janë të besueshëm, që atë që premtojnë e materializojnë, pra e mbajnë premtimin. Por unë mendoj edhe këtë që Fatos Nano ka një zotësi të madhe në veprimtarinë e tij dhe ana pozitive e tij është se nuk është agresiv. Është njeri që e kupton progresin dhe përpiqet të japë diçka nga mendimet e tij dhe të mos ketë ndrojtje apo frikë për të vënë në krye edhe kundërshtarët e tij. Ai e ka bërë këtë dhe nuk mban mëri të gjatë siç bëri Saliu. Kjo vjen për shkak se ka besim te forcat e veta dhe e kundërta ndodh me ata që nuk aknë besim të vetja.

    Në fakt mëria e tij me ata që sot janë te LSI-ja zgjati deri në ndarjen e PS-së në dy parti...?
    Megjithatë janë dy parti të krahut të majtë dhe nuk janë larguar në krahë të kundërt. Të gjitha partitë në Shqipëri janë ndarë, nuk ka parti të pandarë dhe janë ndarë në krahë të kundërt. Megjithatë unë mendoj se nuk ishte gjë e mirë që u nda PS-ja në dy parti. Mirë do të ishte që ato kontradikta të zgjidheshin brenda për brenda PS-së, duke bërë të mundur ekzistencën e fraksioneve. Por ndarja ndodhi dhe nuk ke ç’i bën, pasi deri në atë gradë që kishin arritur nuk mund të shmangej. Unë nuk e kam menduar ndonjëherë që mund të ndaheshin kaq shpejt. Edhe kur kam shkruar para ndarjes, kamë thënë se nuk ma merr mendja që PS-ja ndahet, por kjo ndodhi. Është një fenomen jo vetëm shqiptar, por është europian, pasi edhe parti të tjera në Europë janë ndarë, siç është partia e Dalemës në Itali që u nda në tri parti. Problemi është që në diskutimet e tyre në polemikën mes tyre, PS-ja dhe LSI-ja duhet të lënë një hapësirë në ato sharjet e tyre, një hapësirë që tregon që edhe mund të bashkohen në të ardhmen. Nëse vazhdohet me këtë ashpërsi më vonë do të jetë e vështirë të ketë një bashkim të tyre në një koalicion, siç ndodh që e gjithë e majta bën një koalicion, ashtu siç mundohet ta bëjë edhe e djathta. Unë mendoj se është detyra e tyre që të mos acarohen në atë mënyrë sa më vonë të mos kenë mundësi për t’u bashkuar në një koalicion. Të dyja këto parti duhet ta vrasin mendjen për këtë çështje edhe ne socialistët edhe LSI-ja.

    Për herë të parë PS-ja paraqitet e ndarë në zgjedhje. Mendoni se kjo do ta rrezikojë fitoren e saj kësaj here?
    Ka disa rreziqe, por nuk mendoj se kjo e rrezikon aq shumë fitoren. Kjo sepse nëse nuk do një palë që të bëjë koalicion, atëherë pala tjetër bën koalicion me forca të tjera brenda së majtës. Mendoj se rreziku është relativ. Ma merr mendja se nuk do të rrezikohet shumë fitorja, sepse njerëzit janë mësuar me një parti, me PS-në, ka shumë përkrahës, veçanërisht njerëzit e moshave më të thyera, të cilët nuk i kanë humbur ende idealet e tyre. Kjo kategri do të votojë për PS-në, por edhe rinia do të gjejë veten brenda kësaj partie. Në qoftë se LSI-ja do të bëjë një fushatë jo agresive ndaj PS-së, sepse ata vetë kanë qenë socialistë dhe e quajnë veten socialistë, atëherë edhe kjo parti do të ketë përfitime më të mëdha në këtë mënyrë se sa në një mënyrë tjetër. Edhe PS-ja duhet të bëjë fushatë të matur në këtë anë, pasi do të marrë me vete shumë njerëz. Gjithmonë këto janë parashikime sepse realiteti gjithnjë del ndryshe, pasi tek ne është e vështirë të mendosh në mënyrë matematike, pasi në Shqipëri ndodh që një plus dy nuk bëjnë tre, por mund të bëjnë dhjetë ose minus dhjetë.


    --





    ...

    e bija me dhender i vodhen nja 1 meleon dollare e prandaj e do Mafien ky ..
    kush ma gjen ate poezine luftarake qe Driteroi ja drejtonte Zan Caushve te Vlores ne 97-ten?
    mbas asaj komunikate te vjershes se Driteroit shtypur ne mijra kopje erdhen ato shkaterrimet qe muarren mijra jet njerzish..
    edhe ne buz te varrit krokodil bolshevik mbetet devolliu pijanec..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 26-03-2005 më 08:14

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Per te gjithe ata antare te forumit, te cilet kane harxhuar ne jeten e tyre pak minuta per te menduar se cfar eshte ‘liria’ dhe cdo te thote ta humbesh ate, kam sjelle nje pjese te nje interviste me poetin Visar Zhiti.


    Intervistoi: Esmeralda Gjoka

    Qe loti yt te rrjedhe ne faqen time...

    "Qe loti yt te rrjedhe ne faqen time"...Me kete varg lejtmotiv, poeti dhe shkrimtari i njohur Visar Zhiti, percjell deshiren humane per te marre pjese ne hallet e tjetrit dhe per te ndare se bashku dhimbjen dhe lotet. Nje ndjesi disi e huaj per kohet moderrne, ku bota duket se eshte e orientuar drejt nje pragmatizmi te ashper. "Paraja po zevendeson te gjitha pasionet e njeriut" - thote poeti, duke mos e fshehur dot keqardhjen qe i shkakton nje realitet i tille.


    …- Kam lindur me 1952 ne Durres, ku kalova edhe femijerine. Krijimet e para erdhen pak me vone, ne periudhen qe vazhdoja gjimnazin, kohe kur pergatita edhe nje liber per botim. Me pas, m'u dha mundesia te vazhdoja Institutin e Larte Pedagogjik ne Shkoder. Ne bashkepunim me rrethin letrar, perfundoj librin dhe e coj per botim. Libri titullohej "Rapsodia e jetes se trendafilave" dhe per fatin tim, u pranua menjehere per botim. Nderkohe, zhvillohet pleniumi i katert i vitit 1972, qe godet te ashtuquajturat ndikime borgjezo-revizioniste ne kulture, letersi dhe arte. Ne fokus ishte festivali i 11-te, ku u arrestuan kengetare, muzikante, poete, dramaturge etj. Shtepia botuese mori urdher qe te gjithe librat e aprovuar botim, te anulloheshin dhe te rishiheshin. Gjate ketij procesi riparjeje, doli se libri im kishte te meta te medha ideore dhe artistike. Artistike, sepse sipas tyre kishte izma (ndikime te poezise moderrne). Keshtu qe libri u klasifikua si dekadent.
    …Une e terhoqa per ripunim dhe kur e dorezova per here te dyte, e nxorren me te gabuar se sa ne fillim. Kjo gje u perserit dy-tre here, derisa u mor vendimi dhe une u arrestova per poezite e mia qe i beja qellimisht "armiqesore" dhe u denova me dhjete vjet burg.

    Edhe akuza ishte nje recense dhe asgje tjeter. Ndoshta rasti im, eshte i vetmi ne Shqiperi dhe nder me te rrallet ne Evropen Lindore. Jo se nuk jane denuar shkrimtare, poete artiste etj. Por kjo ka ndodhur duke patur si motiv arratisjen, agjitacionin e propaganden kunder shtetit, sabotimin, themelimin e ndonje partie te fshehte apo shperndarje traktesh. Une kam si ekspertize, vetem recensen e nje libri. Aktakuza thote se poeti "eshte nje armik, eshte kunder udheheqesit". Nuk mund te them se ato vargje i kisha shkruar ne menyre te ndergjegjshme per te permbysur shtetin, nuk mund ta marr persiper kete mburrje. Ato vargje mund te kene brenda tyre pakenaqesite dhe deshiren e moshes per te pasur me shume liri.


    - Si e pritet momentin e arrestimit?


    - Ishte nje moment shokues. U arrestova ne vitin 1979 (27 vjec), u denova ne vitin '80 dhe dola nga burgu ne ‘87-en. Gjyqi ishte i hapur, salla ishte e mbushur plot me njerez alegro, sikur kishin ardhur per te pare nj- estrade. Kishte edhe njerez te brengosur, por qe perpiqeshin te mos e shfaqnin. Kur te hedhin prangat, eshte tamam sikur bie ne humnere dhe me nje shpejtesi marramendese, ben nderprerjen me realitetin. Thua me vete, "tani mbaroi gjithcka". Me ishin krijuar kaq shume ankthe dhe fakti qe nuk me pranoheshin as poezite, me bente ta ndieja veten si te huaj. Me dukej sikur nuk isha ne vendin dhe realitetin e duhur. Ndihesha i tepert, i vonuar ose i parakohshem, por jo ne kohen time. Prandaj arrestimi u shoqerua edhe me nje qetesi diabolike, ne sensin qe "ja e gjeta vendin tim, ate qe vertete me takon". Kjo eshte drama me e madhe e njeriut ne diktature. U denova me dhjete vjet burg, maksimalen e nenit. U bene edhe dy amnistime, qe nuk me liruan por me ulen 1/4-en e denimit te mbetur. Vec kesaj, ishte nje rregull qe ne cdo nje muaj pune, te zbrisnin rreth kater dite burg. Une punoja ne minierat e Spacit dhe te Qafe Barit, ku me dhune benim nje supernorme, sipas te ciles, duhej te mbushnim cdo dite disa vagona me mineral, aq sa mbushej nje skode me rimorkio. Keshtu, nuk bera dhjete vjet burg por me pak se tete vjet dhe kur u lirova, isha pa te drejte elektorale, pa te drejten e ushtrimit te profesionit dhe pa te drejten e votimit.


    - Megjithate, cfare ju mbajti "gjalle" ne burg?

    - Shpresa eshte gjithnje prezente, megjithese kishte momente kur njeriu nuk kishte me fuqi as te shpresonte. Puna ishte rraskapitese, punohej me tre turne ne miniere. Here-here, miniera ishte e nxehte dhe temperatura i kalonte 40 grade. Ashtu i rreckosur, sic kishe punuar brenda ne nje temperature aq te larte, te duhej te dilje jashte ne debore duke shtyre nje vagon me skutature ne nje temperature qe levizte nga (-10) ne (-15) grade. Pra, kishte momente qe nuk e dije se cfare doje me, qe humbte edhe shpresa. Megjithate, njeriu qenka i pafund. Nuk kisha kulture fetare, pasi ne rinine time kultet e fese u shkaterruan, por ne nje menyre krejt te natyrshme, ktheva syte nga nje superfuqi, qe ishte Zoti, duke shpresuar se nje dite Ai do te bente dicka. Ne menyre konkrete, une gjeja prehje tek poezia. Lexoja shume poezi, pasi per fat te mire, lejoheshin te hynin librat e botuar ne Tirane dhe permes familjeve apo miqve qe kishim jashte, siguronim libra qe gjendeshin ne shitje. Nuk isha nje lexues i etshem ne ato kushte, por libri me ndihmonte t'i largohesha realitetit per pak caste dhe te harroja veten time. Nga ana tjeter, leximi me jepte nje fare lirie, sepse me conte ne boten per te cilen fliste libri.

    - Cila ishte gjeja e pare qe bete pasi dolet nga burgu?

    - Une kam shkruar dy libra voluminoze ne proze; njeri eshte "Rruget e ferrit" ku flitet mbi arrestimin tim, gjyqin, hetuesine dhe burgun e Spacit dhe tjetri titullohet "Ferri i care", ku flas per Qafe Barin dhe lirimin. Ndoshta atje jam shprehur me mire per keto gjera. Gjeja e pare qe me mahniti kur dola ne rruge, ishin femijet e vegjel dhe grate. Kisha harruar qe kishte edhe njerez te vegjel ne trup sic ishin femijet, por qe ne nje fare menyre, ishin me te medhenj nga ata qe kisha pare une. Grate me bene pershtypje se si ecnin aq lirshem dhe aq shpenguar. Hyra ne nje librari dhe bleva nje fjalor te gjuhes shqipe dhe pastaj shkova drejt e ne shtepi. Madje per disa dite me rradhe, nuk kisha deshire te dilja fare nga shtepia…

Tema të Ngjashme

  1. Sejfi Protopapa
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 14-04-2014, 04:48
  2. Historiku i shkurtër i LDK-së, 1989-2004
    Nga Arb në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 20-07-2012, 08:58
  3. Dritëro Agolli: Historitë e sherreve të mia me Ismail Kadarenë
    Nga Fiori në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 30-08-2005, 15:39
  4. Strategjia e opozitës në zgjedhjet lokale
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 08-08-2003, 11:12
  5. Dritëro Agolli ky *apostull* i errësirës
    Nga Nika në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 03-04-2003, 01:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •