Nga Londra
Muhamed Veliu
I dënuari me burgim të përjetshëm: "Më ktheni në Shqipëri të vuaj
dënimin atje"
Eduart Kuliçi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje,
ka tentuar të shfrytëzojë legjislacionin irlandez, në favor të
kërkesës për t'u transferuar në një nga burgjet shqiptare.
Transferimi
I cilësuar si një vrasës brutal nga policia irlandeze, shqiptari i
dënuar me burgim të përjetshëm në Irlandë, ka filluar aplikimet për
t'u transferuar nga qelitë "komode" të burgjeve irlandeze, në ato të
tejmbushura dhe me plot probleme në Shqipëri. Nga autoritetet
irlandeze të drejtësisë, mësohet se Eduart Kuliçi, 27 vjeç, vrasësi
i kamerieres pukjane, Lindita Kukaj, mund t'i "arratiset" vuajtjes
së dënimimit në burgjet irlandeze, vetëm disa muaj nga fillimi i
vuajtjes së dënimit. Kuliçi u ndëshkua me dënimin kapital nëntorin e
shkuar, për vrasjen me dashje të patriotes së tij 23-vjeçare, në
dhomën e saj në qytetin Sligo në 2003-shin
Aplikimi
Burime pranë policisë irlandeze janë shprehur se, vrasësi shqiptar,
nëpërmjet avokatëve, ka bërë aplikimin për vuajtjen e dënimit në
burgjet shqiptare. Nëse aplikimi do të jetë i suksesshëm, ai do të
lirohet për të mbërritur në Shqipëri. Hetuesit e policisë "Gardai",
që hetuan vrasjen e Kukajt, thanë se "Kuliçi ka lidhje me grupet
kriminale mafioze shqiptare. Kjo do të bëjë që ai mos të vuaj
dënimin e plotë në Shqipëri. Eduart Kuliçi është i pari shqiptar nga
pesë shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm në Britaninë e
Madhe, i cili kërkon transferimin në burgjet e tejmbushura
shqiptare. Që të kualifikohet për një transferim të tillë, Kuliçit,
sipas ligjit irlandez, i duhet të provojë se ai ka lidhje të forta
familjare me vendin e origjinës.
Shqetësimi
Një aplikim i tillë nga shqiptari vrasës, ka ngjallur pakënaqësi në
ambientet policore të Irlandës.
Një burim është shprehur në lidhje me çështjen se, "sistemi i
drejtësisë në Shqipëri është i korruptuar, duke shtuar se policia
shqiptare nuk i ka ndihmuar policët irlandezë (Sligo Gardai) gjatë
hetimit të vrasjes.
"Nëse Kuliçi do të qëndrojë në Irlandë, ai ka për të vuajtur dënimin
deri më një, por në Shqipëri mund të paguaj një bakshish të vogël,
duke dalë nga burgu. Nuk duhet lejuar që aplikimi i tij të merret në
considerate, pasi një vendim pro tij do ta kthejë atë në një njeri
të lirë. Miqtë e shumtë të Linditës do të zhgënjehen shumë, nëse ai
ia hedh duke vuajtur vetëm disa muaj burg", ka përfunduar burimi.
Vrasja makabre në dhomë
Gjatë procesit gjyqësor zhvilluar nëntorin e shkuar, prokurori i
çështjes, John O'Kelly, i ka treguar gjykatës detajet e një vrasjeje
macabre, siç e ka përshkruar ai. "Eduart Kuliçi i ka përdredhur
qafën Lindita Kukajt, me një forcë të atillë, e cila ka bërë që
varsja e mbajtur në qafë nga ajo të ngulej në fyt". Duke vazhduar më
tej, prokurori i tha Gjykatës Qendrore Kriminale irlandeze (Central
Criminal Court), e cila për herë të parë u mblodh në qytetin Sligo,
se "pas vrasjes, Kuliçi ia tregoi trupin e pajetë të Kukajt shokut
të tij, Bashkim Osaj, përpara se të pranonte që ai e kishte vrarë".
Prokurori O'Kelly tha se, "Kuliçi, i cili mohoi akuzat për vrasje më
22 shkurt 2003, udhëtoi për në qytetin Sligo së bashku me Bashkim
Osjen, duke përfunduar në darkë në apartamentin e Linditës, e cila
punonte si kameriere. Nga atje, ata së bashku shkuan në një pub
lokal dhe më pas në një klub nate, ku qëndruan deri në orën tre të
mëngjesit". Policia, mes dëshmive të mbledhura, ka arritur në
përfundimin se, Lindita dhe Eduarti, që kanë mbërritur në Irlandë në
vitin 2002, kanë patur zënka dhe mosmarrëveshje, duke mos sqaruar
nëse mes tyre ekzistonte ndonjë lidhje miqësore apo dashurie. Duke
shtuar, prokurori i ka shpjeguar gjykatës faktin se, Lindita pas
kthimit nga klubi i natës i ka kërkuar Eduartit që ata të tre të
flinin me një dhomë, ose ata të dy në njërën prej dhomave dhe ajo
vetëm në një tjetër. Ajo nuk ndjehej mirë, kishte pirë shumë dhe
ndjehej e sëkëlldisur. Prokurori ka vijuar duke thënë se, "Kuliçi e
çoi atë në dhomën e saj. Ajo donte që ai të largohej dhe ta linte
vetëm. Lindita i është drejtuar me fjalët: Mos më prek mua".
Dëshmitari i shokuar kur pa Linditën e vdekur
Bashkim Osaj, edhe ai i lodhur nga pija pas një nate të gjatë në
klubin e natës, e kishte zënë gjumi në dhomën tjetër, duke mosditur
se në dhomën përbri Lindita ishte vrarë nga miku i tij. "Më vonë,
gjatë natës, Kuliçi e ka zgjuar atë nga gjumi, duke i thënë se duhej
që të niseshin për në Dublin. Më pas, ai i ka thënë atij se "E vrava
…". Kështu e ka përshkruar prokurori momentin e vrasjes, sipas
dëshmisë së dhënë nga Osaj në polici. Ndërsa ka shtuar se Osja ishte
një gjendje shokuese nga ajo që sapo kishte dëgjuar nga goja e mikut
të tij. Po sipas prokurorit O'Kelly, Kuliçi, më pas ka hapur derën e
dhomës ku shtrihej Lindita e vdekur pas përdredhjes së qafës, duke
ia treguar Osajt. Më pas, ai e ka kërcënuar Bashkimin që mos t'i
tregonte policisë lokale "Garda" dhe të ngiste makinën për në
Dublin, nga kishin ardhur.Denoncimi i Osajt gozhdoi Kuliçin
Bashkim Osja, i cili dridhej nga vdekja e Linditës, ka bërë ashtu
siç është urdhëruar nga shoku i tij vrasës. Por, i frikësuar
njëkohësisht i dëshpëruar nga akti kriminal i Eduartit, ka gjetur
kurajon që ta denoncojë atë. E ndërsa Kuliçi gjendej në fundin e një
dyqani pranë një karburanti pranë qytetit, duke blerë diçka, Osaj i
ka thënë shitësit që t'i telefonojë policisë. Liria e vrasësit të
shqiptares ka marrë fund vetëm disa minuta pasi ata kanë lënë
karburantin. Disa momente më vonë, policia ka mbërritur pas
telefonatës së shitësit, duke urdhëruar shoferin që të hapte krahun.
Vrasësi është treguar me gisht nga Osaj, nga ku më pas është
prangosur. Dërgimi i menjëhershëm në qelitë e paraburgimit, zhveshja
e të gjitha rrobave nga trupi i vrasësit, të marra si prova kanë
qenë rezultative, njëkohësisht parësore për hetimin e suksesshëm të
vrasjes. Pikërisht pas ekspertizës për shenjat e AND-së, në rrobat e
tij është konstatuar se në të mbathurat e Eduart Kuliçit janë gjetur
njolla gjaku, që i përkisnin të vrarës Lindita Kukaj, duke sugjeruar
për një përdhunim përpara vrasjes. Një provë e pakontestushme si
kjo, së bashku me dëshminë e Bashkim Osajt, e kanë gozhduar pas
hekurave Kuliçin me akuzën për vrasje, duke i parapërcaktuar atij
destinacionin e ardhshëm të sigurtë, burgun edhe për shumë vite të
tjera.
Shqiptarët e dënuar me burgim përjetë në Britaninë e Madhe
Vaso Aliu nga Vlora
Dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda "Old Baily" në Londër, më 17
shtator 2002 për vrasjen e ish të dashurës holandeze, Margatite Van
Campenhout, më 11 janar 2002. Vrasja për motive xhelozie.
Isuf Kryeziu nga Laçi
Dënuar nga Gjykata e Krimeve në Belfast, më 13 janar 2002, për
vrasjen e irlandezit Thomas McAuley në Waterford Irlandë, më 13
gusht 2001. Vrasja për motive rivaliteti me viktimën, pasi kishte
për të dashur gruan e tij.
Afrim Krasniqi nga Kukësi
Dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda "Old Baily" në Londër, më 20
dhjetor 2003, për vrasjen e menaxherit të hotelit ku
banonte "Quadeer Abbas" më 13 shtator 2001. Vrasja për motive zënke
midis tyre.
Eduart Kuliçi nga Shkodra
Dënuar nga Gjykata Qendrore e Krimeve në Irlandë, më 4 nëntor 2004,
për vrasjen e Lindita Kukajt në qytetin Sligo, më 22 shkurt 2003.
Vrasja për motive xhelozie, pasi ajo përqafoi në një klub nate një
djalë tjetër.
White_Angel
Krijoni Kontakt