Skënderbeu”, përtej dëshmive të Marin Barletit
Alma Mile
Ka vendosur të mos mbështetet tek Marin Barleti, duke bërë të kundërtën e asaj që kanë bërë gjithë historianët para tij. Dje, në ditën e fundit të Panairit të tetë të Librit, historiani Kristo Frashëri ka promovuar librin “Skënderbeu” botuar nga shtëpia Botuese “Toena”. Për realizimin e këtij libri Frashëri ka shfrytëzuar një dokumentacion të pasur, të cilin e ka vjelë në arkiva të ndryshme, kryesisht në ato italiane, por edhe nga studime e libra të historianëve medievalë. Për ndërtimin e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, ai ka shfrytëzuar materiale që i përkasin shek. XV, mes të cilave letërkëmbime të vetë Skënderbeut me princër e figura të shquara të kohës, por edhe materiale të shkruara nga bashkëkohës të heroit shqiptar. Mes letrave të shkruara nga vetë Skënderbeu, mund të veçohet ajo 31 tetorit të vitit 1460, drejtuar Princit të Tarentit, ku dëshmohet jo vetëm për qëndresën që Skënderbeu u ka bërë ushtrive turke, duke u bërë mburojë për Evropën, por edhe për mungesën e ndihmës nga ana e vendeve Evropiane. Sipas akademikut Ylli Popa, për të realizuar këtë vepër, Frashëri, ndryshe nga gjithë historianët e tjerë që kanë shkruar për Gjergj Kastriot Skënderbeun, nuk u mbështet në veprën e Marin Barletit, e cila është shkruar me entuziazëm, madje dhe me ekzagjerime. Megjithatë, sipas Popës, pas hulumtimeve dhe punës me arkivat, Frashëri doli në përfundimin se ngjarjet e përshkruara nga Barleti janë të vërteta dhe janë vlefshme për tu shfrytëzuar si burime historike, edhe pse disi të ekzagjeruara.
“Himara”, përgjigje për historianët grekë
Kjo është një përgjigje për studiuesit grekë. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit, historiani 85-vjeçar, Kristo Frashëri i është kthyer edhe një herë Himarës dhe autoktonisë së saj. Në një libër prej 100 faqesh të titulluar “Himara”, Frashëri mundohet t’u kundërvihet të gjitha pretendimeve të historianëve grekë, sipas të cilëve Himara dhe zona të tjera përreth janë greke. Jo më kot e ka nëntitulluar këtë libër edhe “Bisedë me historianët grekë”. Ky libër i botuar po nga Shtëpia Botuese “Toena”, është i organizuar në dhjetë kapituj, ku trajtohen çështje që lidhen me përkatësinë e Himarës. Ai vë përballë pretendimeve greke argumente historike që datojnë prej periudhës së Skënderbeut e më pas, siç është defteri i sanxhakut të Delvinës, ku renditen të gjithë emrat e kryefamiljarëve të zonave të Himarës, Palasës e Dhërmiut. Sipas studiuesit Myzafer Korkuti, ky dokument dëshmon për prejardhjen e shqiptarëve. “Të gjithë emrat në këtë defter i përkasin onomastikës shqiptare dhe nuk ka aspak lidhje me atë greke”, - thotë ai. Për të përforcuar mendimin e tij, Frashëri sjell edhe disa dokumente, si mbishkrimin e gjetur mbi muret e një kishe të zonës të vitit 1751, ku janë gdhendur emrat e dy priftërinjve që janë tërësisht shqiptarë. Gjithashtu ai merret edhe me dialektet e zonës, ku shquan prejardhjen e banorëve të zonës, për të vazhduar me anën etnokulturore, me doket, zakonet, këngët, vallet, legjendat, të cilat janë të njëjta me ato të Shqipërisë e më tepër me ato të Labërisë.
Krijoni Kontakt