Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625

    Disa e kundërshtonin atë

    Shekulli:

    Në 105 -vjetorin e tij të lindjes asnjë institucion shtetëror nuk u kujtua për politikanin që guxoi t’i kërkonte pluralizëm dhe zgjedhje të lira Enver Hoxhës, që kërkoi social-demokracinë dhe jo komunizmin, që kërkoi të mos dënoheshin Fishta e Konica. Mungonin edhe social-demokratët, pararendës i të cilëve ishte Sefulla Malëshova

    Sefulla Malëshova, Social-Demokrati i harruar

    Belina Budini

    TIRANË – Megjithëse i damkosur “oportunist i pashërueshëm” dhe i degdisur magazinier i thjeshtë nga diktatura, emri i Lame Kodrës edhe në diktaturë gjithkujt i sillte ndërmend poetin. Ndërsa heshtja e mbuloi Sefulla Malëshovën, harresa nuk e mbuloi asnjëherë Lame Kodrën. Kështu shpëtoi poeti, por humbi vazhdimi i tij. Njerëzit nisën të shqetësoheshin për këtë heshtje të gjatë të tij derisa kuptuan se “kishte rënë”.
    Ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, ish-ministri i Arsimit, ish-kryesekretari i qeverisë së Nolit, publicisti dhe vjershëtori i dikurshëm, do të bashkëjetonte deri në moshën 71 -vjeçare kur u nda nga jeta, me heshtjen, vetminë, persekutimin dhe vuajtjet. Sepse kishte guxuar fillimisht të kritikonte Enver Hoxhën, partinë e tij si terroriste, se kërkonte zgjedhje të lira, se më vonë kishte mbrojtur Fishtën dhe Konicën... Nga të paktët që kuptoi dhe guxoi të thoshte gjithçka që në fillim... Dhe që e pagoi me harresë dhe vetmi, pasi e vulosën “armik”.
    Hera-herës duket sikur dënimi me harresë vazhdon ende kundër Sefulla Malëshovës (alias Lame Kodra). Sikur dikush të trembej akoma prej figurës së tij! Social-demokratët vetë e kanë harruar, megjithëse social-demokracia e Sefulla Malëshovës lexohet qartë. Nën zë thuhet se i tremben humbjes së elektoratit po të kujtohen për social-demokratin e parë. 105 -vjetorin e tij të lindjes vetëm pak ditë më parë, më 2 mars, nuk e organizoi asnjë institucion shtetëror, por një bashkëfshatar i dashuruar pas vjershëtorit. Ende mungon një monografi e botuar për të ashtu sikundër mungojnë për shumë të tjerë, në fakt. Pas vdekjes së të motrës e cila e vetmuar e kishte shoqëruar karrocën e komunales që çonte trupin e të vëllait drejt banesës së përjetshme, nuk ka kush ta kujtojë më vëllain, burrin e babain që nuk qe kurrë dhe birin me fat tragjik.
    Librat e kujtimeve janë varkat e shpëtimit të njerëzve nga harresa. Pikërisht një varkë të tillë shpëtimi ka ndërtuar për Sefulla Malëshovën Niko Tyto, një mësues letërsie dhe bashkëfshatar i Sefulla Malëshovës. I janë dashur katër vjet për të mbledhur 107 kujtime të njerëzve të ndryshëm për vjershëtorin e tij të preferuar. I ka futur në “varkë” një nga një dhe vazhdon të kërkojë ende kujtime për të ndërtuar vijimin e librit të parë, “Për Safulla Malëshovën”. Niko nxiton me frikën për kohën që ia merr dëshmitarët, siç ia mori të motrën e Sefullait pas kujtimit të parë të saj botuar në librin “Për Sefulla Malëshovën”.
    Kujtimet për Sefulla Malëshovën nisin me ato që mbajnë mend të afërmit dhe miqtë e paktë të tij të përmbledhur si kujtime nga farefisi, mandej vijojnë kujtime të bashkëfshatarëve të Sefulla Malëshovës që ndiqen nga pjesa më dramatike e kujtimeve për Sefullain: kujtimet nga Ballshi dhe Fieri ku jetoi në mjerim dhe pasojnë kujtimet më të rëndësishme që janë ato për veprimtarinë e Sefulla Malëshovës ku përmblidhen copëra kujtimesh të Ymer Dishnicës, Skender Luarasit, Nafiz Bezhanit, Petro Markos, Odhise Grillos, Kolë Jakovës, Rrahman Parllakut dhe në fund një sërë vlerësimesh për Sefulla Malëshovën nga Fan S. Noli, Faik Konica, nga kritiku Koço Biku, nga Ymer Dishnica, nga Pashko Gjeçi, deri tek Robert Elsie e të tjerë.


    Nga kujtimet e Rrahman Parllakut për Sefulla Malëshovën
    “Kur Malëshova kërkonte pluralizmin në Parlament”
    Belina Budini

    “Me Sefulla Malëshovën jam njohur personalisht kur zhvilloi punimet Kongresi i Përmetit. Emrin ia kisha dëgjuar, po ashtu edhe disa vjersha ia kisha lexuar. Pra isha kureshtar për ta njohur, ndaj e mbaj mend këtë ditë. Njohjen më të plotë e bëra gjatë zhvillimit të kursit tremujor me kuadro kryesore të zhvilluara në Tiranë më 1946. Leksionet na i jepnin Enver Hoxha, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica etj. por leksionet e Sefullait ishin të një natyre tjetër. Ai dallohej për një kthjellim në mendime, për një fjalor të pasur dhe për një logjikë bindëse. Ai i mëshonte mendimit se ekonomia jonë duhej të zhvillohej si NEPI në BS. ...Kujtoj gjithashtu bisedat që zhvillonim në prag të zgjedhjeve për deputet, ku Sefullai ngulte këmbë që Parlamenti duhej të bëhej pluralist e jo vetëm me komunistë, ose me kuadro të dalë nga lufta. Kur ishim deputetë, Sefullai dhe dy deputetë të tjerë ishin me kulturë gjuhësore dhe bënin shpesh vërejtje për gabim të shkruara në përpilimin e ligjeve. Në fillim të vitit shkollor 1945-1946 Sefulla Malëshova erdhi i deleguar në gjimnazin e Shkodrës dhe zbuloi pllakën përkujtimore me emrin “At Gjergj Fishta”. Më vonë lëre si vajti fati i Fishtës...”

    Kujtim i shkurtër nga e motra, Zenepe Çafka

    Kur e varrosa vëllanë ishte me të vërtetë një skenë e dhimbshme kur e përcolla me karrocën e komunales. Veç, dua t’u them që, për çudinë tonë, kishte shumë njerëz, anëve të trotuarit, që duke bërë shëtitje, na shoqëronin me zemër e me sy. Madje, disa prej tyre, për kënaqësinë tonë, na shoqëruan deri në varreza, gjithmonë të distancuar deri në 20-30 metra lart. Siç mësova më vonë, ata ishin miqtë e familjes sonë, shokët dhe miqtë që kishin njoftuar njëri-tjetrin. Më ka ardhur shumë keq për këta miq që me prezencën e tyre na lehtësuan peshën e dhimbjes, por që unë nuk munda dot t’i falenderoja”.
    Kanë thënë për Sefulla Malëshovën (Lame Kodra)

    FAN NOLI
    “Rikëndova me interes vjershat, të shkruara me një shqipe të bukur dhe të frymëzuara me zjarrin e shenjtë”...

    Koço Biku, kritik
    “Mund të themi pa mëdyshje se panorama e letërsisë përparimtare që u zhvillua në vitet ‘20-‘30 do të ishte shumë e mangët pa Lame Kodrën”

    Ymer Dishnica
    “Lame Kodra është një erudik klasik. Të perifrazosh dhe të dokumentosh vjershat e Lame Kodrës është njësoj sikur të duash të belbëzosh e të thuash keq ato që janë thënë me aksent bilbili. Vjershat e Lame Kodrës dëgjohen, ndihen, shijohen, meditohen jo vetëm një herë, por shumë herë. Çdo vjershë është një xhevahir me shumë faqe që shndrit secila më shumë e më bukur se tjetra. Gjuhë në toskërishte e shtruar, e kulluar, në traditën e Naimit, Çajupit, të Faikut e Fan Nolit.... Lame Kodra, ky revolucionar me temperament, është edhe një erudit klasik, sevdali i tonit në harmoni me formën. Realizmi i Lame Kodrës nuk është një realizëm terre- ç’terre, por një realizëm i gjallë, veprues e revolucionar”.

    Agim Vinca, shkrimtar kosovar
    “Lame Kodra është poeti i frymëzuar kombëtar, shoqëror dhe politik, çka do të thotë se optika e tij si poet ëshët e drejtuar kah problemeve tokësore... Lame Kodra angazhohej për një poezi të fortë, luftarake, por edhe gjuhësisht të krehur e elegant, ndërsa poetin ai e shikon jo vetëm si mjeshtër të fjalës, por si flamur të idealeve shoqërore”

    Kasem Trebeshina, shkrimtar
    “Unë e kam mbiemrin Trebeshina dhe Sefullai ka dy vargje që i donte veçanërisht: “Unë e dua Shqipërinë/ për një stan në Trebeshinë.” Trebeshina u bë Baba Tomorri ynë. Sefulla Malëshova vetë kishte një madhështi Trebeshine dhe një jetë të vrullshme si të Vjosës. Kur përmend fjalën “Njeri”, me germë të madhe, më vete mendimi te Sefullai. Për herë të parë e kam takuar në Bibliotekën Kombëtare më 1966, me buzët që i dridheshin dhe me mëngët e xhaketës të ngrëna nga vjetërsia. Po fukarallëku nuk ia vrau shpirtin e bukur...”

    Robert Elsie, studiues
    “Malëshova ndoqi një kurs, relativisht, liberal dhe pajtues për kohën, me qëllim të inkurajonte riintegrimin e forcave jokomuniste në strukturat e pushtetit. Ai nuk qe nga ata që dënonin të gjithë shkrimtarët e paraluftës si reaksionarë, si Gjergj Fishtën, as nuk qe për shkëputje të plotë nga Perëndimi”

    DISA VARGJE TË SEFULLA MALËSHOVËS

    Si e dua Shqipërinë

    S’kam çiflik e s’kam pallate,
    S’kam dyqan me katër pate,
    Po e dua Shqipërinë,
    Për një stan në Trebeshinë,
    Për një shkarp e për një gur,
    Për një gardh e për një mur,
    Për kasollen mbi Selishte,
    Për dy ara në Zallishte,
    Për një lopë e një gomar,
    Për një balo, një manar.

    Shkruar në 1939, botuar në 1941 në gazetën “Liria” në Amerikë

    Klithma e Dragobisë

    Natë e errët mi Shkumbin,
    Mi Bujanë,
    Dhe mi Vjosën valë-trumbull,
    Anëmbanë.
    Dergjet bota punëtore,
    Botë e ngratë,
    Shpirt e zemër pikëlluar
    Zorrët thatë.

    JETA E SEFULLA MALËSHOVËS

    1900
    I lindur në vitin 1900, Sefulla Malëshova vdiq në gjendje të mjeruar, pas një jete me fat tragjik, në 1971.

    ‘19
    Fillimisht është shkolluar në Limar e në Vlorë, ndërsa studimet e larta i nisi në Shën Mitër Koronë të Italisë për mjekësi, por i la përgjysmë për shkak të angazhimeve politike që mori. Udhëhiqte katër shoqata studentore në Itali dhe u bë kryetar i konfederatës së studentëve shqiptarë në Itali.

    ‘24
    Në vitet njëzet përfshihet në shoqërinë “Bashkimi” ku bashkëpunon me Avni Rustemin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin etj. Në moshën 24 -vjeçare mori pjesë në qeverinë e Nolit ku u emërua kryesekretar.

    ‘25
    Ndërsa pas dështimit të revolucionit të qershorit, bashkë me 800 shqiptarë niset drejt Italisë për t’u bashkuar me KONARE-n. Ndërkaq vjershat e nënshkruara me pseudonimin e tij letrar Lame Kodra ishin botuar në shumë gazeta të kohës dhe ishin bërë të njohura.

    ‘30
    Itinerari i tij vazhdoi me Rusinë (në Leningrad) ku mbaroi studimet në akademinë e lartë politike-ushtarake, pasi kishte fituar një bursë studimi me ndërmjetësinë e Nolit. Madje në Moskë mbrojti edhe një gradë shkencore: “Doktor për filozofi” dhe dha leksione në Universitetin e Moskës. Ishte bashkëpunëtor shkencor i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik. Thuhet se në Moskë u martua për tre muaj me një skiatore mongoleze. Ka qenë anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik por më pas u përjashtua prej saj.

    ‘35
    Në 1935 kthehet në Shqipëri si klandestin, i ngarkuar me detyrë nga Kominterni. Por u zbulua shpejt. Ishte simpatizant i Luftës së Spanjës.

    ‘40
    Viti 1940 e gjeti në Francë ku udhëhiqte lëvizjen e shqiptarëve antifashistë dhe ku u burgos. Kthehet në Shqipëri në verën e vitit 1943 dhe merr pjesë në luftën antifashiste.

    ‘44
    Në vitin 1944 zgjidhet në forumet udhëheqëse të qeverisë që doli nga Kongresi i Përmetit.

    ‘44
    Në qeverinë demokratike provizore në Berat merr detyrën e ministrit të Kulturës dhe të Propagandës, më 20 tetor 1944.

    ‘45
    Zgjidhet sekretar i përgjithshëm i Frontit Demokratik në Kongresin e Parë të Frontit Demokratik në gusht 1945.

    ‘45
    në tetor 1945 zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ndërsa kryetar nderi i saj u zgjodh Noli. Po këtë vit botoi edhe tre libra: një që përmbante artikujt dhe ligjëratat e tij dhe ku përmblodhi publicistikën që kishte shkruar në artikuj të ndryshëm në shumë gazeta, një vëllim me vjersha me pseudonimin Lame Kodra dhe një broshurë për rolin e gruas në shoqërinë e kohës.

    ‘46
    Në plenumin V, shkarkohet nga funksionet e larta partiake

    ‘47
    Këtë vit shkarkohet edhe nga funksionet e larta shtetërore si ministër i Arsimit me motivacionin zyrtar “Për paaftësi”

    ‘49
    Deri në 1949 megjithatë mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve. Për shumë vjet ishte punonjës shkencor i letërsisë ruse, por pa të drejtë botimi me emrin e tij.

    ‘56
    Pikërisht pas Konferencës famëkeqe të Tiranës, më 1956 internohet në Ballsh për dy vjet dhe 13 vjet të tjera i kaloi në Fier me detyrën e magazinierit.

    ‘71
    Nuk u martua kurrë dhe vdiq në mjerim më 11 qershor 1971. Tashmë, pas viteve ’90, është dekoruar nga presidenti i Republikës me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar të Klasit të Parë” dhe është qytetar nderi i Këlcyrës.


    Në riedukim si adhurues i Sefulla Malëshovës
    Belina Budini

    I dashuruar pas tetërrokëshit karakteristik të vjershave të Lame Kodrës, Niko Tyto tregon se madje në një mbledhje të organizatës së rinisë është kritikuar për këtë “simpati të tepruar” të tijën për Sefulla Malëshovën. “Në gjirin tuaj ka njerëz që janë adhurues të armiqve të partisë. N.T. është viktimë e Sefulla Mlëshovës”, - kishte theksuar ish-sekretari i parë i Komitetit të Rinisë. Niko Tyto thotë se nuk kishte hequr dorë nga dashuria për poetin as në universitet kur në ndonjë rast ilustronte figuracionet me vargje të marra nga vjershat e Lame Kodrës të cilat i di ende përmendësh pothuajse të gjitha.
    Niko tregon se si mësues letërsie për 30 vjet me radhë ka komentuar me zjarr e pasion për nxënësit e viteve të katërta prozën e bukur poetike “Zgalemi” të Gorkit të përkthyer nga Sefulla Malëshova, pa harruar asnjëherë të flasë në klasë për meritat e përkthyesit, për gjuhën aq të pasur e elegante, për thjeshtësinë e zhdërvjelltësinë e stilit si dhe për figuracionin artistik aq të goditur. “Veç gjithmonë kam qenë i tensionuar dhe i shqetësuar, duke iu ruajtur pyetjes nga klasa: Cili është përkthyesi i kësaj proze poetike?..”. Tanimë Niko Tyto thotë se thuajse në mënyrë të papërgjegjshme ka shpjeguar edhe pikëpamjet e Sefulla Malëshovës në letërsi e në artin e realizmit socialist.
    Aq sa në 1967 e riedukuan “si adhurues e nxitës i veprës së Sefullait”. “Ka qenë ky vit, kur disa persona, me “porosi të veçantë”, u ngarkuan me detyrë të rëndësishme për të zbuluar enigmat... Pikërisht këtë muaj hoqa me dhimbje të madhe nga biblioteka ime vëllimin “Vjershat” të Lame Kodrës të cilin ma kishte dhuruar një miku im, mësues në Ballsh”. Niko kujton edhe një episod kur gjatë një bisede në tryezë me poetët Dritëro Agolli e Niko Nikolla kur flisnin për poetët kishte pyetur “Po Sefullai a është poet i vlerave të mëdha?” dhe Dritëro Agolli ishte përgjigjur menjëherë “Po, është një poet i vërtetë”, por biseda nuk kishte zgjatur më tej në këtë pikë.
    Por Niko Tyto shprehet se nuk pati guxuar t’i afrohej asnjëherë personalisht vjershëtorit të vet të preferuar për arsye që dihen. “Madje edhe kur bisedoja me ndonjë mik të ngushtë rreth poezisë së Lame Kodrës, bëja thjesht një vlerësim për të si poet e shqipërues dhe asnjëherë nuk e lakonim si politikan”, - tregon ai.


    Sefulla Malëshova në kujtimet e Ymer Dishnicës. Nga njohja në Paris, tek Pleniumi i Beratit kur goditi Enver Hoxhën dhe tha që Partia Komuniste ishte një parti terroriste dhe deri tek dënimi publik pasi mori në mbrojtje Fishtën e Konicën

    Ymer Dishnica kujton se e ka njohur Sefulla Malëshovën në vitin 1939 në Paris, kur ishte emigrant politik dhe merrej me organizimin e drejtimin e shoqatave antifashiste. “Gati një vit e gjysmë kemi qenë bashkëpunëtorë për këto probleme me rëndësi për kohën. Unë kujtoj se si rezultat i kësaj pune intensive e me përgjegjësi, Sefullai, në qershor të 1944, është burgosur dhe se në burg ka shkruar poezinë e bukur “Pas tërmetit”. Më ka mbetur në mendje strofa e fundit për idenë e saj: Do të rrjedhë jeta plakë/pa anë e kufi/dhe do ketë si kurorë/punë e dashuri... Për ne Sefullai ishte lideri i lëvizjes revolucionare në mërgim. Nga Parisi, në verën e 1943 ai erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë gjerësisht në Luftën Nacionalçlirimtare...”, -kujton Ymer Dishnica në librin e përgatitur nga Niko Tyto. Ai shprehet më tej se sidomos si poet emri i tij u bë shumë i njohur aq sa veç pseudonimit të tij “Lame Kodra” mori nga kritika letrare edhe pseudonimin “Poeti rebel”. “Kur u zhvillua Pleniumi i Beratit Sefullai mbajti një peshë të madhe. Në diskutimin e tij, ai goditi sekretarin Enver Hoxha dhe kur shprehu mendimin që Partia Komuniste deri më tani ishte kthyer në parti terroriste, kujtoj që salla e miratoi plotësisht”, - kujton më tej Ymer Dishnica. Ai tregon se Sefulla Malëshova shpesh shprehej se me shkopin e diktatit nuk shkohet përpara, se ai ishte plotësisht demokrat dhe se Enver Hoxha duhej të hiqej me zgjedhje të lira. “Partia sipas Sefullait, duhej të reformohej me elementë demokratë për ta udhëhequr sa më mirë. Por ngjarjet u zhvilluan ndryshe. Kongresi jo vetëm që nuk u zhvillua siç po mendohej, por u bënë gjithë ato spastrime e pastaj u zhvillua më 1948”, - shprehet Ymer Dishnica. Më tej ai shton se tek Sefullai kishte dalluar një personalitet të kompletuar, një njeri me intuitë të rrallë dhe me zemër bujare. Dishnica sqaron se megjithë Sefulla Malëshova u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, ai ishte më tepër formal dhe pa funksione politike. Ndërsa më 1949 kur u përjashtua nga posti i sekretarit të lidhjes, u akuzua si deviator dhe mbrojtës i poetëve dekadentë si Fishta e Konica. “Mua më kujtohet që Sefullai në fjalën e tij, kur bëri diskutimin, duke mbrojtur Fishtën e Konicën, dy figurat e mëdha të botës letrare shqiptare, kritikoi byronë politike, që i kishte lënë mënjanë këto figura të ndritura”, - shprehet Ymer Dishnica. Dhe të nesërmen ishin dënuar në gazetën “Zëri i Popullit” publikisht jo vetëm Sefulla Malëshova por edhe Skënder Luarasi e vetë Ymer Dishnica të cilët e kishin mbrojtur mendimin e Sefullait. Për Sefulla Malëshovën Ymer Dishnica thotë se gjatë kohës kur të dy gjendeshin në Tirana shkëmbenin vizita me njëri-tjetrin, megjithëse survejoheshin nga sigurimi që “na u ngjit si rodhe gjithë jetën”. Ymer Dishnica thotë se Sefulla Malëshova ishte miku më i afërt i familjes së tij, por kur morën rrugën e internimeve, Dishnica në Berat e Malëshova në Ballsh e më vonë në Fier, u takuan më rrallë.


    Nga kujtimet e shkrimtarit Kolë Jakova për Sefulla Malëshovën:
    “Treshja e çmendur që i binte murit të diktaturës me kokë”

    “...Konferencën (është fjala për konferencën themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve, tetor 1945) e drejtonte burri i shtetit Sefulla Malëshova. Fjala e tij u dëgjua me vëmendje të madhe nga të gjithë. Vërehej një entuziazëm... Nuk ishte e thënë që frymë entuziazmi dhe vëllazërimi të zgjaste gjatë. Ministri i Arsimit dhe Kulturës, Sefulla Malëshova e kishte braktisur makinën dhe kishte blerë biçikletë. Atë e kishin pushuar nga puna. Sigurisht, ai ishte liberal. Rrinte me peshkopë që bënin duvanë e Amerikës dhe të kapitalizmit në përgjithësi dhe nuk i faleshin Titos, udhëheqësit shpirtëror të komunistëve shqiptarë.... Në një konferencë të tetorit, 1949 u luftuan pikëpamjet “oportuniste dhe liberale” të Sefulla Malëshovës. Me këtë rast u luftua edhe Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi. Të tre i hodhën poshtë akuzat... Ata qëndronin të patundur në mendimet e tyre. Akuzën e çmendur se gjoja ishin armiq të kombit e të pushtetit nuk e pranuan kurrsesi. Përkundrazi, deklaronin e letërsia dhe Organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve kishte rënë në dorë të njerëzve të paaftë e servilë... Ymer Dishnica u ngrit dhe tha se krahas kuadrove të Naimit, të Nolit dhe të Migjenit, duhej të ishte edhe kuadri i Sefulla Malëshovës. Vetë Sefullai qëndronte i qetë dhe i kundërshtonte akuzat qëllimkeqëse me logjikën e tij të hekurt... Por unë u çudita si Marku (Mark Ndoja që më vonë u godit nga partia në pushtet) u sul kundër Sefulla Malëshovës dhe shokëve të tij, duke mbajtur ison e DH.SH, SH.M, Z.S... Në këtë mbledhje u përjashtuan të tre këta shkrimtarë (Sefulla Malëshova, Skënder Luarasi, Ymer Dishnica), ... Unë “treshen” për atë kohë e quajta të çmendur që i binin murit me kokë”.
    wrong verb

  2. #2
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Letra e Skënder Luarasit drejtuar Enver Hoxhës


    B.Budini
    Më 1972 Skënder Luarasi iu drejtua Enver Hoxhës me këtë letër:

    Në veprat tuaja Vol.VI f. 321 lexova:
    “Në Konferencën e shkrimtarëve pati edhe ndonjë element, si S.L (Skënder Luarasi) që bërtiste të lejohej të fliste S.Malëshova se “te ne ka liri fjale”. Tipa si ky kanë një kuptim borgjez për lirinë e fjalës dhe janë gati në emër të saj të mbrojnë e të kënaqin interesat e tyre të ngushta prej intelektuali të sëmurë e arrivisti pa princip”.
    Jam i sigurtë, shoku Enver, që këto fjalë nuk janë authentikisht tuajat, po të hequra nga raporti që do t’i kenë drejtuar Komitetit Qendror Kryesia e Konferencës së tretë, e cila përbëhej nga (X, Y, Z ) të cilët më përpara na e kishin paraqitur kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve ( S.Malëshovën) si birin më të shquar të Shqipërisë.
    1. Unë s’kam patur të bëj me Sejfulla Malëshovën dhe do të kisha bërë një akt të padenjë të çështjes socialiste sikur të kisha bërtitur: Të mos lejohet S.Malëshova të flasë se TE NE NUK KA LIRI FJALE. Ç’kuptim kam patur unë për lirinë e fjalës e kam provuar me punën time në shkollë si arsimtar që prej 1920 e gjer më 1967.
    2. Që unë nuk kam çarë kokën për të mbrojtur e kënaqur interesat e mia të ngushta është një e vërtetë që as kam nevojë ta mbroj se e di gjithë bota: që prej moshës së njomë kam qenë edukuar të mbroj e të kënaqem vetëm me mbarëvajtjen e interesit të popullit shqiptar.
    3. Në këtë paragraf cilësohem si intelektual i sëmurë. Si i tillë nuk mund të kem qenë para motit 1960 se atëhere as do të më kishin emëruar docent në degën e filologjisë në Fakultetin e Filologjisë ( ).
    4. Fjalët “arrivist pa princip” nuk janë për mua. Ata gjenden në puthadorët, të cilët janë të shumë ndër ato shtresa të borgjezisë shqiptare që ka bërë tregti me interesat e Shqipërisë. Unë jam fshatar shqiptar që kam rrëmbyer pushkën për të mbrojtur atdheun tim: së pari më 1914 kundër vorioepirotëve; së dyti më 1924 kur lashë mësimet në Austri dhe tok me vëllanë tim e 50 bashkëfshatarë shkuam në Gramoz të mbronim kufinë; dhe të tretën herë më 1936 kur i pari nga Shqipëria shkova vullnetar në Brigadat Ndërkombëtare të Republikës Spanjolle.
    Kush është arrivist?

    Në mungesë të dokumenteve arkivore (që janë zhdukur në mënyrë të mistershme bashkë me arkivën e Lidhjes së Shkrimtarëve), mes rreshtave zyrtare mund të zbërthehen disa nga pikëpamjet e Skënder Luarasit që u kritikuan në referatin përmbyllës të delegatit të Komitetit Qendror në konferencën e shkrimtarëve
    Ja çfarë shkruhet në referat : (Marrë nga “Literatura jonë”, gusht 1949, faqe 11-15)
    “Në diskutimet e kësaj konference u tregua një interesim i madh nga të gjithë. Kjo tregon se revolucioni vepron mbi ne dhe na tërheq gjithnjë dhe më me fuqi drejt të ardhmes...
    Zoti Skënder Luarasi ngriti “çështjen e intelektualëve” dhe të trockizmit dhe thotë se shumë gabime të intelektualëve duhet t’ia atribuojmë trockizmit.
    Por ne nuk jemi dakord as me shprehjen e Skënderit kur tha se intelektualët janë pjesa më e zgjedhur. E thënë kështu nuk mund të interpretohet veçse gabim. Intelektualët janë një shtresë që ka edhe të mirat edhe të këqijat e saja… Por kur flitet për lëvizje të masave, kur flitet për revolucion është klasa punëtore ajo që është pararoja dhe “më e zgjedhura”.
    Tha Skënderi mbasandaj se intelektualët kanë qëndruar në bisht… Zoti Skënder Luarasi kërkon ta gjejë pergjegjësinë e rendimentit të pakët të shkrimtarëve dhe të njerëzve të artit vetëm jashtë njerëzve të kulturës dhe të artit.
    “Duhet të gjejmë fajin dhe t’i vemë gjërat drejt-tha Skënderi”. Është kollaj që t’u hidhet faji të tjerëve por kjo nuk përmirëson dhe nuk ndreq. Duhet të udhëhiqemi edhe në kritikë dhe në autokritikë nga Komiteti Central. Një gjë duhet ta kemi gjithmonë parasysh: rolin udhëheqës dhe ndihmës të partisë në fushën e literaturës dhe të artit. Nuk është e mundur që të shkruajnë e të prodhojnë gjëra të dobishme në qoftëse nuk kanë ndihmën dhe orientimin e partisë. Kjo duhet të jetë e qartë, këtë duhet ta ndiejnë të gjithë…”
    U ngrit këtu çështja e të vajturit poshtë, e kontaktit me masat etj. Në lidhje me këtë z. Skënder Luarasi e ngriti çështjen jo plotësisht të drejtë. Të thuhet se “nuk shkruhet vetëm në Tiranë” kjo nuk është e drejtë…
    Z. Skënder Luarasi duke u nisur nga një kuptim i gabuar rreth tipave që simbolizojnë patriotizmin më të kulluar dhe atdhedashurinë më të plotë arriti në konkluzione të gabuara. “Duhet të njihen vlerat”, -tha ai. Po ku më tepër se në Demokracinë tonë Popullore ku më tepër sesa këtu vihen në dukje vlerat dhe i jepet secilit haka… Por çështja është që tu vemë vlerat në shërbim të popullit dhe që t’i vëmë këto vlera në shërbim të popullit duhet të kemi frymën e partisë…
    Duhet të ruhemi nga shenjtërimi pasiv i së kaluarës. Komunistët janë vlerësonjësit më konseguentë të traditave të parëve tanë.
    (Marrë nga “Literatura jonë”, gusht 1949, faqe 11-15)

    Petro Luarasi, djali i Skënder Luarasit

    Heronjtë dhe të dënuarit e diktaturës që perceptohen akoma si dje

    “...Edhe pas rrëzimit të diktaturës, krahas ndryshimit të sistemit politik, në Shqipëri u zhvilluan paralelisht strategjitë e ristrukturimit dhe rrënimit të institucioneve të vendit nga forca të caktuara, për qëllime përfitimi politik e ekonomik, për të ndjekur rutinën e ngjarjeve apo për të modifikuar të shkuarën e palavdishme. Në këtë kuadër, duhet të trajtohet edhe çështja e Lidhjes së Shkrimtarëve që gjithnjë e më tepër po degjeneron. Ndërsa dikur, formalisht, LSH i kushtohej vëmendje, iu dha ndërtesë, fonde, pajisje, ishte gjithnjë nën kontrollin e pushtetit, tashmë kërkohet t’i merret godina, fondet janë të pakta, nuk duan t’ia dinë për shkrimtarët.
    Në kushtet kur dokumentet është “e vështirë” për t’u disponuar, po shihet përditë e më qartë retushimi i historisë dhe personazheve të saj. “Heronjtë” e dikurshëm po shkëlqejnë ende nën diellin e lavdishëm, ndërsa të përbuzurit e të dënuarit nxijnë në përjetësi.
    Janë zhdukur apo pengohet “zbardhja” e arkivave e transparenca e ngjarjeve dhe fakteve, ushtrohet presion i gjithanshëm për deformimin e realitetit nga individë e forca të cilëve nuk u intereson e vërteta. Rëndom inkuizitori etiketohet “personalitet liberal”, spiuni- “bashkëpunëtor i devotshëm”, përndjekja- “logjikë e kohës”, i nëpërkëmburi-“bashkëfajtor-bashkëvuajtës”, sqarimi i rrethanave- “groposje”, demaskimi -“përbaltje””.
    wrong verb

  3. #3
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Skënder Luarasi: Si më përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve


    B. Budini
    Enver Hoxha përgatit klimën për Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve
    Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH më datë 7 qershor 1949 Enver Hoxha mbajti diskutimin: “Letërsia jonë të ecë në rrugën e realizmit socialist”. Në këtë mbledhje u ftuan disa nga drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve (Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Mark Ndoja) dhe u dëgjua raporti i tyre mbi problemet që mendonin të ngrinin në Konferencën e Tretë.
    Që në fillim të diskutimit E.Hoxha thekson: “Dëshirojmë të dimë si mendoni ju të zhvillohet Konferenca e Tretë e LSH në mënyrë që të kemi edhe ne mundësi t’ju ndihmojmë me këshillat tona. Në materialin tuaj ku janë hedhur idetë kryesore të referatit, flitet shumë për shkrimtarët e paraluftës, ndërsa për shkrimtarët e Luftës Nacionalçlirimtare e të pas luftës flitet pak. Në këtë mënyrë shkrimtarët e vjetër eklipsojnë të rinjtë. Ne dëshirojmë që ju të na thoni si keni ardhur në këto rezultate dhe pastaj, siç thashë, t’ju japim dhe ne ndihmën tonë. Sipas pikëpamjes sime, Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shevqet Musarajt. Të mos merremi me diskutime boshe për autorë reaksionarë si Fishta e Koliqi por të vemë në dukje vlerat e atyre që shkruajnë për popullin. Me gjithë këto, studimi që ka paraqitur Dhimitër Shuteriqi është i mirë. Kjo është një punë që në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvleftësohet. Si kudo edhe në fushën e letërsisë, ne duhet të qëndrojmë fort në pozitat e partisë. Shkrimtarëve të vjetër ua kemi vënë mirë në dukje si anët pozitive, ashtu edhe të metat, po të keni kujdes që si në referat, edhe në konferencë kjo çështje të mos bëhet problem central. Organizimin që mendoni, bëjeni pse koha kërkon të keni një drejtim më të shëndoshë. Në punimet e konferencës të keni parasysh të kapeni mirë nga përmbajtja ideologjike e krijimtarisë letrare” (E.Hoxha, vepra 6, f.188-197). Preokupim i Enver Hoxhës pasqyrohet edhe në shënimet “Këshilla për shkrimtarët e rinj”, qershor 1949 ( Vepra 6, f.207)

    Kujtime të Skënder Luarasit për Konferencën
    S.Luarasi kujton: “Që kur u ktheva në Shqipëri nga kampet e përqëndrimit në Francë, më 13 qershor 1945 dhe gjer në tetor 1949, kur u mbajt Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve, këta katër vjet isha akoma i dobët, që të mos them i sëmurë, porse ndihesha i lumtur, në atdheun tim. Mund të kisha vdekur i gëzuar si në një ëndërr-agoni, por i helmuar prej njezëve keqdashës, të cilët në marrëdhëniet tona shoqërore, duke mos i njohur fare mirë, i quaja shokë.
    Gjithë qortimet e fyerjet që më bëheshin i ndieja siç i ndien i sëmuri inxheksionet e mjekut, sepse besoja se më bëheshin me dashamirësi nga shokë marksistë të Kryesisë së Lidhjes të cilët deklaronin se “Ne jemi ushqyer me marksizëm-si foshnja që ushqehet me qumështin e nënës. Marksizmin e kemi ngrënë me lugë të madhe!” Por me kalimin e kohës u binda se më bëheshin me dashakeqësi dhe këtu nuk ishin vlera materiale që humbisja, por vlera morale
    Ditën e 11 tetor 1949, u zgjova nga ajo ëndërr euforie. Që në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve, (7.10.1946) më patën zgjedhur anëtar të Komitetit, porse në mbledhjet e saj nuk më thërrisnin, veçse kur sekretari i Lidhjes të kishte ndonjë interes të vetin për të kënaqur. Sidoqoftë, në Konferencën e Tretë më ftuan edhe mua, me këmbëngulje, ndonëse isha i sëmurë. Dhe shkova me vendim të prerë që të mos ndërhyja në punët e ngatërruara të komisionit, por edhe jo të qëndroja indiferent ndaj tyre.
    Seancën e parë, ku mernin pjesë të ftuarit e delegacionet e huaja e hapi Dhimitër Shuteriqi i cili propozoi presidiumin e lexoi rendin e ditës. Prej komitetit të shoqatës zunë vend në kryesi nënkryetari Shefqet Musarai, anëtari Mark Ndoja, vetë sekretari Dhimitër Shuteriqi e të tjerë. Binte në sy mungesa e kryetarit Sejfulla Malëshova.
    Zihni Sako më pati porositur që ditën e parë të çeljes së konferencës, të sillja një ekzemplar të dramës Boris Godunov që kisha përkthyer në shqip. Kur shkrimtari sovjetik Arkadi Pervencov pati mbaruar fjalimin e tij në seancën plenare, dhe në pushim po bisedonte me shkrimtarët shqiptarë, shoku Zihni më prezantoi, dhe ia dhurova shokut Pervencov përkthimin tim”. (Mos ishte kjo arsyeja e ftesës?!)

    Programi si u zhvillua Konferenca
    Në revistën “Literatura Jonë” përshkruhet programi i zhvillimit të Konferencës së Tretë
    (Jeta kulturore e vendit: Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë nr.8, tetor 1949, f.43-46). “Më 9-12 tetor u zhvillua në Tiranë Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Seanca e parë u çel në orën 10 të mëngjesit, dt.9 tetor në sallën e Teatrit Popullor, ndërsa seancat e tjera në sallën e Klubit të Punëtorëve të Artit dhe të Kulturës. Ishin të ftuar sekretari i PPSH Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Liri Belishova, Nexhmije Hoxha si dhe shkrimtari i lauruar me çmimin Stalin, Arkadi Pervencov, etj. Shoku Dh. Shuteriqi, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve e hapi mbledhjen dhe propozoi për në presidium shokët: A.Xhuvani, Sh.Musaraj, Dh.Shuteriqi, M.Ndoja, M.Treska, Z.Sako, K.Jakova, S.Spasse, S.Caci.
    Kryeson shoku Dhimitër Shuteriqi i cili lexoi rendin e ditës
    1Përshëndetje
    2.Referati
    3.Zgjedhja e Komisioneve
    4.Diskutimet
    5.Statuti
    6.Zgjedhja e Komitetit Drejtues
    7.Rezolucioni
    I jepet fjala Arkadi Pervencev që përshëndet në emër të shkrimtarëve sovjetikë, e më pas e merr fjalën Shefqet Musarajt i cili mban referatin. Në fund të referatit Dhimitër Shuteriqi propozon sekretarët e konferencës: A.Varfi dhe I.Zamputi (Mbyllet seanca e parë në orën 13)

    Skënder Luarasi kujton:
    Dhimitër Shuteriqi ia dha kryesinë n/kryetarit Shevqet Musaraj, i cili lexoi përpara ndo njëqind anëtarëve raportin e tij të gjatë me akuza rreth “oportunistit” Sejfulla Malëshova. Tani kuptuam përse nuk u duk në presidium edhe kryetari i Lidhjes, atë e patën rrëzuar nga pozita e tij më përpara, pa dijeninë e anëtarëve të Lidhjes. Të gjithë kthyen sytë nga Sejfulla Malëshova të çuditur se si nuk u qe njoftuar ky fakt më përpara.
    Më bënë përshtypje mbi të gjitha citimet:
    “(Shquhen) Pas shpalljes së indipendencës më 1912 Çajupi, Noli, Ndre Mjeda, Sejfulla Malëshova dhe i riu Millosh Gjergj Nikolla, i cili përfaqëson përpjekjen letrare të të rinjve përparimtarë të viteve të fundit të regjimit zogist”
    “Me Gjegj Fishtën e Ernest Koliqin në krye që i ndanin një herë e mirë llogaritë me popullin tonë, që i shkuan tradhtisë gjer në fund duke vënë pa rezerva në shërbim të okupatorëve fashistë gjithë talentin e tyre. Kjo rrymë bëri kë më shumë e kë më pak shumë nga shkrimtarët e njohur e të afirmuar të kohës”.
    “Mitrush Kuteli për të mbjellë konfuzion në radhët e letrarëve të luftës shkruante më 1 maj 1944 “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk duhet medoemos shtizë, dyfek a mitraloz. Mjafton që të shkruash bukur në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike”.
    “Që në themelimin e saj Lidhja u influencua shumë nga fryma oportuniste e Sejfulla Malëshovës që ishte atëhere ministër i Kulturës dhe u zgjodh në Konferencën e Parë edhe Kryetar i Lidhjes”.
    Skënder Luarasi shkruan:
    “Në një anë vlerësohej S.Malëshova në një rang me Cajupin, Nolin, Mjedën e Milosh Gjergj Nikollën në anën tjetër dënohej për frymën e tij oportuniste kur qe kryetar i Lidhjes dhe në të njëjtën kohë ministër i Arsimit
    Shkruanin tani kundër Fishtës e Koliqit ata që dikur i thurnin lavde. A nuk kishim të bënim me dublicitete fjalësh e “oportunizëm”
    Dhimitri Paskon ( Mitrush Kuteli) e njihja për patriot e të talentuar e jo siç na paraqitej në raport.
    Sa mbaroi Sh.Musaraj së lexuari raportin, u ngrit S.Malëshova jashtëzakonisht i nevrikosur dhe kërkoi që t’i jepej fjala për t’iu përgjigjur akuzave
    “Mjaft ta kemi dëgjuar zërin tënd prej korbi!”, -i bërtiti X. Filloi një farë grindje si tek çezmat e arave qëmoti në Korçë, midis grash që kërkonin të pranditnin njëra-tjetrën. Kjo m’u duk e pështirë për një mbledhje të lartë intelektualësh, sidomos ajo e folura cinike e dy-tre vetave të komisionit më bëri që të kërkoj fjalën, të cilën kryesia e nderuar ma dha. Thashë: “Në këtë mbledhje që në fillim u shkel rregulli parlamentar. Duhet të ishte zgjedhur prej të gjithë anëtarëve një kryesonjës i paanshëm. Të gjithë anëtarët e lidhjes kanë të drejtë të marrin fjalën, ca më shumë ish -kryetari. Duam të dimë edhe pikëpamjet e tij, se mund të zbulohen edhe të tjerë oportunistë. Jemi demokratë dhe punët duhet t’i zhvillojmë sipas rregullave parlamentare. Këtu jemi mbledhur të kërkojmë llogari prej komitetit të Lidhjes. Që në fillim shohim se kryetari paska qenë shkarkuar përbrenda komisionit, që mbledhjen e çeli sekretari, i cili i dha drejtimin e mbledhjes n/kryetarit, në vend që t’ua linte delegatëve të zgjidhnin një “chairman” dhe pastaj të lexohej e të gjykohej raporti. Të gjithë ne që jemi anëtarë të Lidhjes kemi të drejtë të kërkojmë fjalën dhe të na jepet. Na intereson ta dimë çka të na thotë kryetari i pushuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në gjyq edhe një krimineli i jepet e drejta të thotë fjalën e fundit”.
    Urdhëroi gjeneral Bedri Spahiu: “Seanca mbyllet. Hapet pas dreke”
    Udhës tek ecja për në shtëpi mendova në do të ishte më mirë të kisha ndjekur këshillën e një shoku (Nonda Bulka) i cili më këshilloi të mos çaja kokën për hallet e botës. Porse m’u kujtua se ç’pata thënë në Kongresin e Parë të Frontit Demokratik: “Ta vrasim indiferentizmin kudo që ta hasim!” Pas shumë pëshpëritjesh e skërmitjesh më në fund të nesërmen (pasi kaloi një seancë diskutimesh), në seancën e tretë ia dhanë fjalën Sefulla Malëshovës

    Si paraqitet vazhdimi i Konferencës
    Seanca e dytë hapet në orën 16. Kryeson Shefqet Musaraj i cili propozon Zgjedhjen e Komisioneve dhe më pas kalohet në diskutime (Seanca e dytë mbyllet në orën 19)
    Të nesërmen ,10.10.1949, ora 10, hapet seanca e tretë. Kryeson Shevqet Musaraj. Vazhdojnë diskutimet. Fjala i jepet S.Malëshovës i cili në diskutimin e tij, jo vetëm përpiqet të mbrojë pikëpamjet e tij oportuniste-likuidatore, po shkon edhe më tej duke goditur referatin, Komitetin Drejtues, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe vetë vijën e Partisë.
    (Fjala e Sefulla Malëshovës botohet e copëtuar dhe e perifrazuar në broshurën “Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve”): “S.Malëshova nuk është dakord me disa pika të referatit të komitetit drejtues të cilën e gjeti skematik dhe artificial… Përgjithësisht ka patur gabime por nuk ka pasur një oportunizëm në përgjithësi. Pikpamjet e S.Malëshovës ndonëse të veshura me frazelogji marksiste gjetën disaprovimin e plotë të konferencës... S.Malëshova në diskutimin e tij jo vetëm që përpiqet të mbrojë pikëpamjet e tij likujdatore por shkon edhe më tej duke goditur referatin, komitetin drejtues, Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe vetë vijën e partisë. Këto pikëpamje antimarksiste, antiparti, konferenca, e ndihmuar nga KQ, i dënoi rëndë, duke forcuar kështu Organizatën e Shkrimtarëve dhe për një punë më të madhe dhe më të shëndoshë mbi baza të drejta marksiste-leniniste (f.44 po aty)

    Skënder Luarasi kujton:
    Sefulla Malëshova, alias poeti Lame Kodra, shkruante një shqipe të pastër, të bukur, por e fliste keq, e copëzonte. Kur foli ai, disa nga anëtarët e komitetit e ndërprisnin herë pas here, e qeshnin dhe e përqeshnin, u mungonte serioziteti, qenë dehur prej keqdashjes. Ish -kryetari tha se nuk ishte dakord me sa thuhej në raporte kryesisë dhe e mbylli fjalimin duke thënë se çdo vendim, për çdo veprim , e patën marrë së bashku, me miratimin e të gjithëve, dhe po ashtu duhej ta mbanin edhe përgjegjësinë.
    “Diskutuan të tjerë”. (Mbyllet seanca e tretë në orën 12.30) Ndër diskutantët që mbajtën qëndrim të pavarur janë Nonda Bulka e Milto Sotir Gura

    Shënim në broshurë:
    Diskutimi i profesorit Nonda Bulka që foli në përgjithësi… “Shoku Mark N. e hapi këtë rrugë dhe bëri mirë. Ai goditi me sëpatën e dardharit dhe bën mirë veçse në dy pika nuk jam në një mendje me shokun Mark. Aty ku nuk puqem me shokun Mark është: Kur jemi vetë shkrimtarë dhe duam të bëjmë kritikë më e mira gjë është të fillojmë nga vetja jonë: në gjininë e tij ka ka si pikë të dobët përsëritjet, proeleksitetin, i cili aty këtu është i errët. Po ashtu mund të thuhet për poemën “Ptoleme” i cili ka frymëzim të lartë, bukuri të gjallë, por edhe atij i mungon ajo cilësi e domosdoshme që quhet kthjelltësi. P.sh. çdo Haxhi Qamili aty? S’hyn gjëkundi. Në diskutimin e tij Milto S.Gura thotë: Vetëm shoqërorë s’kanë qenë shokët e drejtimit! Nuk ka fuqi më të madhe se fuqia e fjalës”.

    Ç’thuhet në raport për Luarasin
    Seanca e katërt hapet në dt. 11tetor, ora 9. Pas disa diskutantëve e merr fjalën Skënder Luarasi i cili diskuton në një mënyrë konfuze duke mbrojtur pa rezerva pikëpamjet oportuniste armike të Sejfulla Malëshovës, pikëpamje të cilat ai i fsheh nën një lloj anarkizmi pseudorevolucionar të përzier me llagomani pa fre. (f.45 po aty) (Fjalimi i S.Luarasit nuk jepet.) Në broshurën shkruhet:… I jepet fjala Skënder Luarasit.
    Skënder Luarasi e filloi diskutimin e tij me disa shpjegime rreth “dublicitetit” të fjalës, rreth “ambiguitetit dhe kuptimit të keq që ka njeriu nga një fjalë për të thënë se ai ka qenë mësonjësi i “Qemal Stafës”(!) dhe se është i interesuar të përvetësojë marksizmin për shumë vjet duke filluar të këndojë libra marksiste që kur ishte student në Vjenë”. Kritikoi referatin që ishte i gjatë dhe i cekët, kërkoi nga X të njohë më shumë, “luftën e madhe që kanë bërë prindërit tanë për të krijuar lëvizjen tonë kombëtare” dhe u bashkua me mendimin e S.Malëshovës që “të mos u lëmë as kaq armiqve nga ajo që është e jona”. “Kisha për të folur më shumë për këto gjëra-përfundoi S.Luarasi por pasi S.Malëshova i tha të gjitha unë u lehtësova. Tre vjet kanë qenë për ne tre vjet zie…Si s’kemi plasur si s’kemi vrarë veten. Po kjo konferencë i varrosi të gjitha në të shkuarën, sot e tutje të vështrojmë të vëmë secilin në vendin e merituar”.
    Pas tij( S.Luarasit) e mori fjalën Ymer Dishnica që siç pritej, jo vetëm i mbajti ison Sejfulla Malëshovës por tha edhe ato që s’pati guxim t’i thoshte shoku i tij.
    Bëhen dhjetë minuta pushim. Seanca hapet përsëri. Kryetari i seancës Misto Treska pasi vë në dukje se diskutimet kanë marë fund, u jep fjalën shokëve të presidiumit të cilët kanë vërejtjet e tyre në lidhje me diskutimet e zhvilluara. Diskutojnë me radhë X,Y,Z. Që të tre me argumente dhe fakte rrëzojnë plotësisht pikëpamjet oportuniste dhe antimarksiste të Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe të Skënder Luarasit, duke bërë të qartë për të gjithë inkopetencën e këtyre të treve në fushën e interpretimit të çështjeve tona historiko-letrare’’.

    Shkrimtarët kundër shkrimtarëve
    “Ja çfarë thanë shkrimtarët dhe anëtarët e Lidhjes kundër tre personazheve që më vonë u përjashtuan nga lidhja”
    X: Sefulla Malëshova nuk i shfaq sot këto ide oportuniste. Sot ai mbron vijën e tij të vjetër, vijën e thellë oportuniste që u solli kaq dëme punës sonë letrare… Kaq kisha për Sefullain.
    S.Luarasit nuk i paska zënë syri gjë tjetër, veçse zi në punën tonë letrare. Ne dëgjuam këtu kaq vetë që folën gjatë gjithë seancave të ndryshme të konferencës. Asnjë nga shokët nuk e paraqiti situatën të zezë si e paraqiti Luarasi. Ai që shfaqi opinion të ngushtë personal i cili s’ka me vete asnjë nga anëtarët e kësaj konference (S.Luarasi kujton se ndërkaq ai shtoi: kaq ta bësh dhëmbin ne s’të lëmë ty të shkruash për Migjenin- dhe Y! Ashtu de! Mirë ia bëre! Sipas shënimeve të Luarasit)
    Raporti vazhdon më tej: Më në fund Skënder Luarasi nuk u tregua i sinqertë kundrejt konferencës: e nisi diskutimin “kisha të thosha por ç’të them? S’do të bëj autokritikë, por vetëm do të kritikoj (Skënder Luarasi i përgjigjet: “Ç’autokritikë? Që më vjen keq që nuk shkova pas Mustafa Krujës e Ernest Koliqit apo me automobilin e regjentit fshatrave të Labërisë?” …Sipas shënimeve të S.Luarasit)
    Ja edhe fjalët e shkrimtarit Y: “Do të them diçka edhe mbi sa foli Skënder Luarasi. Skënder Luarasi ka tre vjet që shikon vetëm zi në vendin tonë- kështu na tha. Por Skënder Luarasi ka 40 vjet që shikon zi dhe që nuk shikon kurrë dritë të bardhë. Nuk di se çfarë shikonte në kohën e Nolit. Në kohën e Zogut domosdo ka parë zi. Po që sot tre vjet, pse sheh vetëm zi Luarasi? Ky njeri mbeti me kritikën te buza si një varrmihës i vërtetë”.
    “Luarasi foli këtu për dublicitetin e fjalëve dhe të mendimeve. Po ja që fjala është fjalë dhe s’ka pse të jetë duble po të mos e duam ne. Çfarë desh të provojë Skënder Luarasi mbi dublicitetin e “fjalëve dhe të fjalive”? Sigurisht të kritikojë po kritikë tërthorazi. Në fakt qe ai vetë që na foli këtu me fjalë e fjali duble, që bëri dublicitet.
    Luarasi tha se gjatë këtyre tre vjetëve ai s’ka pushuar së foluri kundër “padrejtësive” që paska bërë kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kjo s’është e vërtetë. Këta tre vjet Skënder Luarasi s’ka kritikuar lidhjen, por është marrë vetëm me sulme personale kundër meje e Z. Ku qe shkaku? Skënder Luarasi imagjinon shkaqe. Një prej tyre duhet të ketë qenë sepse nuk u ngarkua edhe ai të punojë për historinë e letërsisë shqipe. Që atëherë Skënder Luarasi mbeti me dekadendizmin në gojë duke u bërë kundër tij mbrojtës i flaktë i letërsisë shqipe. Por si vepron. Vete në klasë, sulmon shkrimet e mia veçanërisht duke mos u marrë me ato që i ka caktuar shteti në program, por duke zhvarrosur të tjera. Kjo është mënyrë prej varrmihësi. Skënder Luarasi të mos merret vetëm me të metat, atij nuk i mbushet mendja se Naim Frashëri qe prej familje feudale dhe për këtë ka ngritur kundër meje një grindje të kotë. Atij nuk i mbushej mendja që feudalët luajtën rol gjatë lëvizjes. Ne e dimë që shpirti i lëvizjes qenë edhe Kristoforidhi, Vretua, Vaso Pashua, dhe Koto Hoxhi me shokë, bij zanatçijsh tregtarësh e bujqish. Luarasi ka të drejtë nëse harrojmë rolin e tyre. Por Skënder Luarasi nuk kërkon të gjejë të drejtën. Ai kapet pas një çështje që nuk njeh, dhe bën kështu luftë personale, pa princip, aspak të ndershme. Me kritika të tilla kalon kohën dhe vetë nuk ka bërë as sa ngreh miza më lehtë, për të na sqaruar mbi ndonjë çështje që ai njeh.
    Edhe një fjalë, kur foli për marksizëm-leninizmin Luarasi tha se ka filluar ta nxerë që kur ishte student në Austri, dhe akoma nuk di a do të arrijë tek omega kur të vdes. Unë do t’i thosha? Pse është nisur për tek omega? Alfa, beta, gama janë mjaft. Aty kishim të bëjmë me një manifestim megallomanie të Luarasit. (S. Luarasi kujton se iu përgjigj: “Se ma ngjalle dëshirën ti me leksionet e tua ku thoshe se “Ne e kemi ngrënë marksizmin me lugë të madhe!””)

    S.Luarasi kujton:
    Kur mbaroi seanca dhe u nisëm për në shtëpi, asnjëri prej shokëve me të cilët isha takuar në mbledhje nuk më shoqëroi në shtëpi-përveç Nonda Bulkës. Ky më tha udhës: “Sa i fortë u tregove kur të shanë dhe aspak s’u zemërove, por qeshe!”
    I thashë: “O sa do të isha zemëruar po të më kishin lavdëruar ata njerushka!”
    Sharja më e madhe në Konferencën e Tretë m’u bë kur m’u tha se unë qeshë shkrimtar pa parime dhe se në fushën e letrave nuk kisha bërë as aq sa mund të ngrinte një milingonë. Jo që nuk u zemërova nga kjo sharje, por edhe qesha me përbuzje. Këto punë të mia nuk mund t’i dinte sepse ai qëndronte në anën e kundërt të barrikadave si shërbëtor i dy zotërinjve, Veç mësimeve të përditshme, pata përkthyer që prej “Vilhelm Teli” deri tek “Boris Godunovi”, dhjetë vepra të letërsisë botërore, prej të cilave vetëm pesë shpëtuan se qenë botuar më përpara se sa të nisesha për në frontin e Madridit.
    Nuk paskam bërë as sa mund të ngrejë një milingonë!
    Vetëm në motin 1949 në kuadrin e aktivitete letrare me rastin e përvjetorëve të poetëve Gëte, Shiler, Pushkin, Petëf, Haine. Përktheva përveç poezive minore të Gëtes , si “Kënga e shpirtrave, mbi ujë”, “Kënga e Muhametit”, “Prometheu”, edhe pjesën e parë të “Faustit”. Ndërkohë shoqëria Shqipëri-BS, më ftoi të mbaja një konferencë për Aleksandër Pushkinin. Nga shkrimet e këtij poeti të madh rus shqipërova kryeveprën dramatike “Boris Godunov” rusisht, së cilës gjuhë i isha vënë ta nxënia që më 1939, në fushën e përqëndrimit në Francë. Shqipërova edhe poezitë minore të tij: “Çadajev”, “Fshati”, “Kënga e Bakut’, “Vdekja e poetit”. Në bazë të përkthimit gjermanisht, shqipërova prej letërsisë hungareze poezitë e Petëfit, “Kështjella e Huniadit”, “Kënga Nacionale” e cila ngriti në këmbë popullin e Peshtit gjatë ditëve të marsit 1848, “Bujarin”, “Ti nuk do t’ishe”, “Moj tokë”. Të gjitha u përcollën në shtyp, si dramat e poezitë me hyrje e shënime të posaçme. Botova edhe ndonjë artikull për secilin. (Shiko Aleksandër Pushkini, Qënkemi miq, Shileri në Shqipëri, Heroi I Fuente del Ebros apo Emisione në radio për shqiptarët e Amerikës “Për 28 Nëntor 1958”, “Urim për motin e ri”, “Për 7 prill”. Plot shkrime të tjera që nuk m’i botuan. Pas çlirimit, beharin e motit 1948, i dërgova kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, “Migjeni, jeta dhe vepra” që të botohej me rastin e dhjetë vjetorit të vdekjes së poetit. Përse nguli këmbë Y që të mos botohej me emrin tim, por ia dhanë një tjetri që ta redaktonte e botonte?”

    Në botimin zyrtar të konferencës shkruhet:
    “Pas tyre, i deleguari i KQ i PPSH, pasi kërkoi leje të bëjë disa vërejtje rreth diskutimeve, me një analizë të shpejtë, po të mprehtë prej marksist-leninisti ua hoqi edhe lëvozhgën e fundit që u kishte mbetur Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit, dhe i nxori në shesh në lakuriqësinë e tyre prej megallomanësh të sëmurë”.
    Seanca e pestë hapet pasdreke në orën 17 ku u fol për projekt statutin (Seanca mbyllet në orën 20.30)
    Seanca e gjashtë hapet të nesërmen datë 12.tetor ,ora 16.
    Kalohet në pikën e pestë të rendit të ditës: Zgjedhja e Komitetit Drejtues dhe e Komisionit të Kontrollit
    “Komisioni i zgjedhjeve paraqit listën e cila, me përjashtim të ndonjë tentative denigrimi të ulët që provoi Skënder Luarasi, pranohen një zëri dhe me duartrokitje”.

    Skënder Luarasi kujton:
    Në seancën e fundit të Konferencës së Tretë, ku do të bëhej zgjedhja e Komitetit Drejtues kryesia e mbledhjes me anë të X, propozoi ndër anëtarët e rinj edhe ata tre të vjetrit. Përsëri kërkova fjalën e ma dhanë dhe thashë: “Propozimet duhet të bëhen prej delegatëve dhe jo prej kryesisë së komisionit të vjetër. Në komisionin e ri jam kundër rizgjedhjes së X,Y,Z. Po jap arsyet: ( S.Luarasi dha arsyet përse i quante të papërshtatshme kandidaturat e tyre si “oportunistët e vërtetë” )
    Kur do të bëheshin votimet, ashtu toptan, dhe emrat e X,Y, Z u lanë në listë, unë nuk bërtita. Në fshatrat tanë barinjtë u bërtasin berrave, njerëzit u thërrasin njerëzve. Në fillim më pushtoi zemërimi, m’u kujtua kryetari i Bashkisë së Bordosë. Kur u çlirua qyteti e burgosën Mejerin dhe u dëbua meqë ishte treguar liberal ndaj okupatorit. M’u kujtua Mauruas, burri 80-vjeçar, shkrimtar i përmendur, drejtor i Akademisë Franceze, u dënua me burgim të përjetshëm meqë qëndroi indiferent gjatë okupacionit. Filip Petene, mareshali i Francës, heroi i Verdunit në Luftën e Parë Botërore, u dënua me vdekje (iu konvertua në dënim të përjetshëm).
    Pas zemërimit më pushtoi mallëngjimi. Kujtova patriotin francez Jean Montin, themeluesin e Këshillit Kombëtar të Rrepublikës, të cilin nazistët e arrestuan dhe e vdiqën me tortura udhës për në Gjermani; po pas çlirimit populli francez e përcolli në Panteon. Është e tmerrshme kur njeriun e zemëruar e pushton mallëngjimi. Kjo ndjenjë më pushtoi mua atë çast kur kujtova nxënësit e mi: Qemal Stafën, Emin Durakun, Vojo Kushin, Ali Demin, Asim Zenelin, Nexhat Agollin, Teufik Çangën, Kristo Isakun, Murat Pacin, Skënder Çaçin, Hajdar Dushin, Elez Brahën, Reshit Çollakun, Pandi Xhamballon,Vildan Luarasin, Stefan Luarasin etj. shokët e mi të Spanjës: Asim Vokshin, Urfi Gollin, Teni Konomin, Musa Fratarin, Kostë Dhimitër Liton, Zef Hotin, Ramiz Varvaricën, Thimjo Gogozoton, Xhemal Kadën, sikur të gjithë m’u sulën dhe më thirrën: “Pse hesht, pse hesht?’’
    Dhe unë klitha! Një herë klith njeriu në jetë: kur sheh dritën e diellit për të parën herë, dhe bukurinë e nënës natyrë. Porse kjo është klithmë ngazëllimi. Të dytën herë unë klitha nga zemërimi i thellë e i papërmbajtur: Kush voton këta të tre shkel gjakun e dëshmorëve!”

    Vazhdimi sipas botimit “Literatura Jonë”:
    “Këto vërejtje shkaktuan ndërhyrjen e sekretarit të PPSH, i cili edhe një herë tregoi vijën e shëndoshë të partisë dhe demaskoi meskinitetin dhe dobësinë e Skënder Luarasit. Në Komitetin Drejtues u zgjodhën shokët: Sh.Musaraj, Dh.Shuteriqi, M.Ndoja, A.Xhuvani, Z.Sako, M.Treska, A.Çaçi, K.Jakova, S.Spasse, S.Caci, F.Gjata.
    Pastaj u kalua në pikën e gjashtë të rendit të ditës. Sh.Musaraj lexoi rezolucionin. Në orën 20, datë 12 tetor 1949, në mes të duartrokitjesh të nxehta u mbyll Konferenca e tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Po atë mbrëmje Lidhja e Shkrimtarëve dha një bufe në hotel “Dajti” ku morën pjesë të gjithë shkrimtarët. Po në këtë kohë Komiteti Drejtues në mbledhje të veçantë procedoi në zgjedhjen e Sekretariatit të tij. Kryetar u zgjodh Shevqet Musaraj, nënkryetar Dhimitër Shuteriqi dhe sekretar Mark Ndoja”.

    Përfundimi i Konferencës
    Në broshurën: “Konferenca e tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë” (faqe 1-2) shkruhet: “Partia e Punës i dha të gjithë rëndësinë e duhur kësaj konference, e cila u përgatit dhe u mbajt me ndihmën e saj të plotë. Konferenca e aprovoi thuajse unanimisht raportin e Komitetit Drejtues të Lidhjes, të mbajtur nga shoku Shefqet Musaraj. Në këtë raport u bë kritika dhe autokritika e gjithë punës letrare në vendin tonë që nga organizimi i lidhjes, si dhe në vija të përgjithshme, kritika e gjithë të kaluarës sonë letrare. Sikundër pritej, nuk qe i një mendje me Komitetin Drejtues ish -kryetari i Lidhjes, Sejfulla Malëshova, këmbëngulës në pikëpamjet e tij oportunisto –likuidatore që e kanë dëmtuar aq shumë popullin tonë, dhe posaçërisht kulturën tonë, të cilën Sejfulla Malëshova kërkon ta orientojë nga “Perëndimi”. Me pikëpamjet e tij u bashkuan edhe Dr.Ymer Dishnica, shok i vjetër i mendimit dhe i veprimit i Malëshovës, si dhe Skënder Luarasi.
    Pikëpamjet e këtyre tre personave pësuan disfatën më të madhe para konferencës. Ato u demaskuan në mënyrën më të plotë…. Nga ndeshja me pikëpamjet armike të Sejfulla Malëshovës me shokë, shkrimtarët nuk panë vetëm se sa i dëmshëm është oportunizmi në letërsi, po ata panë sheshazi edhe inkompetencën flagrante të Sejfulla Malëshovës, Dr.Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit për të biseduar mbi çështjet e letërsisë në përgjithësi dhe mbi çështjet e letërsisë sonë veçanërisht. Para konferencës, u ra maska e tyre prej njerëzish të vetëquajtur të ditur, këtyre “gogomelëve” të kulturës. Konferenca e njohu injorancën e tyre megalomane dhe të sëmurë”… “Tani këto ferra u spastruan…”. Partia mendon për letërsinë dhe për shkrimtarët dhe do t’i udhëheqë kurdoherë me siguri.

    Përjashtimet
    Kryesia e re e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në mbledhjen e datës 10 qershor 1950, duke analizuar çështjen e anëtarësisë dhe punën për 6-mujorin e parë vendosi: përjashtimin nga radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve të anëtarëve Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi për qëndrimin e tyre armiqësor karshi partisë e vijës së saj në letërsi si dhe karshi Lidhjes së Shkrimtarëve dhe letërsisë së re shqipe të manifestuar në formën më të theksuar në Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Komiteti Drejtues përjashtoi gjithashtu “për aktivitet antipushtet ose për shkelje të ligjit që përcakton statuti” shkrimtarët Hafez I.Dalliu, M.Kuteli, A.Frashëri, N.Nikaj. (Revista “Literatura Jonë”, viti 1950, nr.7, f.69.)

    Skënder Luarasi kujton:
    “Kjo qe një akuzë shumë e rëndë për mua; por të vërtetën do ta zbulonte koha. Unë nuk kam besuar në Trinitinë (e atyre të tre drejtuesve të LSH ) porse besoj në hyjninë klasike të së drejtës, së Dikesë, që ngre shpatën kundër të gjithë atyre që e tepërojnë zullumin. Thellë në ndërgjegjen time i bëra vetes pyetjen: “Po ku e gjetën këta laspangjerë të drejtën ta peshojnë dashurinë time për atdhenë, për popullin tim shqiptar, për moralin e drejtësinë, me kandarin e tyre prej batakçiu?”
    Dhe u përgjërova t’i përçmoj këta që më quanin shok, por prapa kurrizit më hapnin varrin e më merrnin nderin nëpër këmbë!”
    S.Luarasi: Ç’do t’i kisha thënë X, Y, Z?
    “Ka dy lloj njerëzish: njerëz me nder dhe njerëz pa nder. Natyra u ka dhënë njerëzve jetën, por nderin e krijon njeriu vetë me punën e tij të mirë për familjen, për atdhenë, për njerëzimin. Njeriu i mirë e bën kurban jetën për dobi të atdheut, të mbarë njerëzimit dhe mbron nderin si thesarin më të shtrenjtë që mund të ketë pronjë. Nga rrethi i njerëzve të tillë kanë dalë luftëtarët e botës për të mbrojtur idealet e njerëzimit, prej rrethit të tillë dolën edhe dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare. Njerëzit pa nder e vrasin shokun e tyre prapa krahëve”.

    Fjala e Enver Hoxhës pas konferencës
    Një ditë pas mbylljes së Konferencës III , E.Hoxha mbajti fjalën e mbylljes në Plenumin 3-të të KQ të PPSH, 13 tetor 1949: “Të shtojmë vigjilencën revolucionare për të ruajtur fitoret e arritura…” Vepra 6, f.338-374, viti i bot.1971)
    Sektori i kulturës përpara shihej në mënyrë sektare, po kongresi i partisë ndreqi në këtë drejtim shumë gabime që ishin bërë. Le të marrim çështjen e shkrimtarëve. Në radhët e tyre ka nga ata që kanë qenë në pozita jo të shëndosha, ka të tillë që kanë qenë edhe në burg dhe u liruan. Prandaj Partia nuk bën mirë t’i harrojë këto gjëra. Por duhet t’i ndihmojë që të ndreqen e të mos përsëriten gabimet, diç u duk edhe në konferencën e shkrimtarëve... Disa nga këta njerëz përpiqen me arrivizmin e tyre të dalin në krye duke i hedhur lule njëri-tjetrit, të shprehen me fjalë të bukura për njëri-tjetrin, siç po bëjnë Sejfulla Malëshova e Ymer Dishnica. Këta njerëz dolën “en bloc” si të organizuar në konferencën e shkrimtarëve, ata kritikuan haptas referatin, sepse në të ndaheshin shkrimtarët e vendit në dysh: në elemente që kanë qenë patriotë dhe me shkrimet e tyre i kanë shërbyer popullit dhe në elementë që u kanë shërbyer okupatorëve. Një element i tillë ka qenë Fishta , i cili ka qenë shërbëtor i austriakëve, i italianëve dhe i Vatikanit dhe që më në fund vdiq akademik i Italisë fashiste. Fishta në veprat e tij nxit shovinizmin e popullit tonë në luftë kundër sllavëve. Elementi anëtar partie në radhët e shkrimtarëve tanë, që kur të ngrihen njerëz të tillë si Sejfulla Malëshova, që godasin vijën e partisë, të jenë në gjendje t’i luftojnë dhe aty në vend të rrëzojnë tezat e tyre.

    Enver Hoxha për Skënder Luarasin
    Megjithëse në telegramin drejtuar Komitetit Central të PPSH, nga Konferenca e Tretë nuk përmendet emri i Skënder Luarasit krahas S.Malëshovës e Y.Dishnicës, Enver Hoxha “e kishte mprehur shpatën” edhe për S.Luarasin. Kjo zbulohet në veprën e 6-të të Enver Hoxhës, f.353, e botuar në vitin 1971, ku shkruhet: “Në konferencën e shkrimtarëve pati edhe ndonjë element si S.L që bërtiste të lejohej të fliste Sejfulla Malëshova “se te ne ka liri fjale”. Tipa si ky kanë një kuptim borgjez për lirinë e fjalës dhe janë gati në emër të saj të mbrojnë e të kënaqin interesat e tyre të ngushta prej intelektuali të sëmurë e arrivisti pa princip”.

    Skënder Luarasi kujton:
    Pas Konferencës së Tretë të Lidhjes, e mora me mend se çfarë raporti do të dërgonte komisioni i saj i ri në instancat e larta të Pushtetit e të Partisë, i ndërsyer nga të tre anëtarët e vjetër, por edhe sipas shijes së të ndonjërit atje shumë lart. Në radhë të parë, gjithë ato insinuata që më kishin shpifur në mbledhje si bie fjala: “Avokat i Sejfulla Malëshovës”, “mendjemadh”, “anarkist”, “arrivist”, “pa principe”, et
    wrong verb

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •