Shqipëria nuk është një vend veçanërisht i kërcënuar nga terrorizmi, por, përsa kohë që ky i fundit përbën një rrezik të madh për gjithë botën, asnjë vend nuk është plotësisht i mbrojtur; po kështu edhe Shqipëria. Prandaj duhet bashkëpunim mes të gjitha shteteve. Ky ishte thelbi i asaj çka u deklarua gjatë një takimi të djeshëm, organizuar nga Instituti për Studime Evropiane në Tiranë, i cili, përpos historianëve, analistëve të medias dhe pushtetarëve kishte ftuar edhe dy ekspertë amerikanë. Lawrence Cline, nga qendra për marrëdhëniet civile-ushtarake (programi kundër terrorizmit) dhe Thomas Mockaitis, historian në Universitetin e Depaul.
***
“Në takim biseduam për kërcënimet e mundshme të terrorizmit, në të cilat është e përfshirë edhe Shqipëria. Nuk ka asnjë vend që nuk është i kërcënuar nga terrorizmi. Erdhëm këtu për të dëgjuar nga përfaqësuesit shqiptarë se çfarë mendojnë në kuadër të kësaj lufte të përgjithshme kundër terrorizmit,”-deklaruan ekspertët amerikanë për “Shekullin”. Sipas tyre, nevoja për ngritjen e një rrjeti bashkëpunimi mes të gjitha shteteve është kritike.
Të pyetur se si e shihnin rolin e Shqipërisë në kuadër të luftës kundër terrorizmit, Cline dhe Mockaitis thanë se roli ishte i rëndësishëm, dhe se ajo mund ta jepte ndihmën e saj në shumë mënyra. “Së pari, duke qenë e qendrueshme, një shoqëri demokratike që respekton të gjitha besimet fetare. Këto e largojnë atë nga një vend potencial të mundshëm për terrorizëm dhe sjellin stabilitet në rajon. Shqipëria ka kontribuar, përtej mundësive të saj, edhe në koalicione brenda rajonit e në botë.”
***
“Kjo është një përgjigje shumë e thjeshtë,” deklaroi eksperti amerikan Cline, kur u pyet se sa e kërcënuar ishte Shqipëria nga terrorizmi . “Unë nuk e shoh Shqipërinë si një nga vendet kryesore për terrorizëm, por, nga ana tjetër, çdo shtet është i kërcënuar prej tij.”
Çfarë roli mund të luajë Shqipëria në luftën globale kundër terrorizmit? Sipas ekspertëve të huaj, ajo, së pari duhet të japë shembullin e mirë në rajonin e Ballkanit si një vend i stabilizuar. Dhe pastaj i vjen radha bashkëpunimit të vërtetë kundër terrorizmit, kryesisht duke dhënë e ndarë informacione, për vetë pozicionin e vendit tonë në Ballkanin Perëndimor, ku kryqëzohen mijëra kalime.
Krijoni Kontakt