Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Shpëtim Kelmendi

    Darka e fundit në dëshirore

    Shpëtim Kelmendi



    Mbarofsh sa ma parë ti shujtë a shajni e darkës së fundit qarkue prej emocionesh që ushqehen me mishin dhe gjakun tim, e përfundofsha mandej në zguerin e nji kohe të panjoftun ku gjanat janë vetëm fillime të pacënueme prej vullnetit a guximit. U shpërbaftë kjo natë e pasosun e u zgjofsha prej gjumi për të vërejtë përtej xhamave mjegullorë të ditës së re hijen tande që përpiqet të më buzëqeshë si dikur, por mos u rikthefsha kurrma në dikur, në këtë periferi të vogël ku asht vështirë me e kapë dallimin mes lëvizjes së ndjenjave dhe trafikut gulçues të jetës që kullon si jargë rrugëve nëpër të cilat kaloje. Besofsh ma në fund se ndjesitë tona janë organizma më vete dhe kanë jetët e tyne të pamvaruna prej anktheve e dëshirave çastnore, pafsha siluetën tande në kalim dhe mendofsha se asht fjala për nji prej fytyrave të zakonshme që popullojnë këtë sferë kozmike të randuem prej kutërbimit e pisllëkut. Kërkofsha në fizonominë tande tipare të njoftuna nji herë e nji kohë- e ani, më sëmboftë zemra e edhe gjunjtë m?u dridhshin prej ringjalljes vetëtuese të regëtimave të dikurshme, por gjetsha ngushëllim në idenë se, e pame përshqitazi, çdo fytyrë e kësaj bote na kujton doemos dikë që do ta kemi takue në ndonji premje tjetër kohore apo në nji tjetër jetë. Më ndjektë vështrimi yt i mirë derisa të shndërrohem në një gjasend të vockël në fund të rrugës e t?u krijoftë përshtypja se rruga ku tkurrem përherë e ma tepër i ngjan një fjalie të shkrueme me gjakim, ndërsa unë thjesht pikës në fund të saj. Mos e marrsh me vete imazhin tim të plasaritun nëpër tanato beteja pambarim të jetës, por në gabofsh me e shtërngue sërish në gji, mos ta randoftë atë zemrën tande të ngrohtë pulsin e së cilës ende e kam në gjoksin tim si dhembje e pashërueshme që ma përtyp ambëlsisht shpirtin. Andërrofsh me u rikthye buzë atij përroit të skajuem ku shungullonin ujërat e emocioneve të mia të shkaktueme nga prania jote dhe gjetsh vetëm kufoma oshëtimash që s?kanë me të kujtua asfare atë që ti ishe dikur në festën e harlisun të zemrës, prejse toka e fortë e së sotmes sate ka me të qortue për rravgimet iluzore të ndjesive të dikurshme. Gapërrofsha sytë mbi honet e mjegullueme të kujtimit tand, por mos e dallofsha kurrë monopatin vezullues të andjes që njiherë e nji kohë më sillte tek ti e më bante me mendue se rrotull meje Zoti kishte zbulue bujarisht me mijëra mistere të vockla për të cilat më kot njerëzimi kishte shtrydhë mendjen tash mijëra vjet. Mos u përpjeksha kurrma me mbruejtë nji botë krejt timen ku ti nuk je, por vizatofsha ambëlsisht e pa angështi një planet të ri ku edhe ti ke vendin tand, por si çdo tjetër njeri i kësaj bote që nuk asht mësue me ecë mbi dhimbjen e të tjerëve! Më kumboftë në kujtesë muzika e hapave të tu që më bante me u ndi udhëtar qiejsh të rinj farkëtue prej dashunie, por qëndrofsha i paprekun prej sëmundjes së lumtun të joneve të saj dhe e ndigjofsha si çdo tjetër muzikë që të nxit me besue se diku rrotull jeta ende vazhdon. E ndjefsha sërish lëkurën e butë të duarve tua të vogla që përhumben në të miat, por ngulmofsha se jam në nji andërr gjurmët e së cilës do fshihen saora prej rrezeve të ditës së re apo tingujve të jetës që lajmërojnë agime premtimesh të reja, a-gi-me prem-ti-mesh të re-ja! Apo vdekjesh të reja. E dëshirofsha gjithmonë zanin tand ledhatar që ma drithëronte trupin e qënien, dhe mendofsha se asht nji nga ato zane që Zoti i mirë ka përhapë përmbi botë për të mveshë me kuptim hapsinat e zbrazta të zemrave njerëzore, anipse nuk ka me qenë ma fjala për zemrën time, zhvendosë tashma prej stuhisë së largimit tand. I ndjefsha përmbi vete vështrimet vezullore të bufave shndërrue tashma në ngërdheshje ironike, që me siguri do më rrëfejnë historinë e kalimit tand të shpejtë mbi relievet e topituna të harmonisë iluzore, u ngazëllefsha për do çaste me format e pranisë së kahershme që m?i kanë pushtue tana skutat e mendimeve ma të fshehta për t?u mbjellë në to si pasiguri të ambla, drithërofsha në kundërmimin e ftohtë të trandafilit shtërngator që asht mungesa jote dhe nxitofsha me u rikthye në të sotme ku kuptimi i jetës asht gurgullimë e një rrëkeje të padukshme që mbase përvidhet nën gjethet e verdha të ndonji vjeshte grahmuese a vëmendjes sime që hiqet osh kah pranverat e trillueme. E ndjefsha dhe e bekofsha pafundësisht tërsëllimën e asaj porte kohore që u mbyll tue mbajtë peng njerin prej nesh, por më sëmboftë edhe dhimbja që pasoi e pikëloftë tanë jetën prej këtij tavani të plasaritun që asht vetmia ime, prejse kjo në fund të fundit asht një nga mënyrat e pohimit të jetës. E shtërngofsha me mallëngjim në zemër ditën kur të pashë rastësisht në rrugë e nën nën nji qiell të ndrojtun vëmendjeje ku llamburiti dielli i pranisë sate të trishtueme, por dhe dridhjet e trupit, ortiqet e heshtun të ngashërimave, që s?di si munda t?i mposht për të mos ra sërish në gjunjët e tu të adhuruem ku jeta ime kishte me qenë prapëseprapë ma e mbrojtun sesa prej kësaj tollovie budallaqe emocionesh të stisuna përreth rravgimesh të dëshpërueme mbi tokë. U ngashnjefsha jetësisht prej ishujve të dritës që krijove mbi detin tim të errët, dhe lundrofsha drejt tyne tanë pjesën e mbetun të jetës sime. U mbështjellshin kutullaç e grahmofshin përherë nën kambët e tua tanë gjarpërinjtë e rrugëve të mia që enden për me përhapë shpirtin tim nëpër hapsinë. Vezullofsh në kujtesë ti çast i mirë që sërish më solle afër frymëmarrjen e saj të ankthshme e duart e vogla që mbartnin dikur jetën time, ani pse në qiellin e vështrimit ende i pluskonin do re të largëta dhe rrotull ndjehej aroma e mirë e një kohe që më kot rreh të kthehet. Të dashunofsha tanë jetën time i kredhun në heshtje apo në zhurma tjera të kësaj jete të pakuptimtë, po prapëseprapë u zhvendossha larg, po larg prej rrugëve ku rastësitë kryqëzohen për të krijue qoftë dhe në mënyrë irreale format e ambla të portretit tand. Rrëshqitsh atëherë butësisht në ndonjenën prej atyne plasaritjeve të këtij truelli kohor ku mjerisht gremisen tana gjanat e mira të kësaj bote, e ku ujqit e ûntë të kujtesës sime nuk kanë me të gjetë kurrë por thjesht kanë me nuhatë dëshpërimisht nëpër ajër aromën e mirë të kurmit tand të largët. Apo fluturofsh. Fluturofsh ma mirë nëpër qiej të tjerë ku vështrimi im s?të gjen, sepse ti dhemb Grua, dhemb si një pemë e blerueme mes shkretinës a peisazhit të rrënuem nga stuhia, si një korridor i heshtun që përtyp në vetmi hapa që s?rikthehen ma kurrë, si kjo letër e bardhë që po llangoset kotmëkot në përpjekjet për me shndërrue në fjalë psherëtima a ndjesi hyjnore, si borë e bardhë që mbulon bujarisht llomështinë e qorrsokaqeve të instinkteve, si dielli i kujtimeve që shfaqet e zhduket mes reve të palame të këtij dimri vetmie pa mbarim? U rrënofsh ti krenari e verbër që më pengove t?i shkoja deri në fund monopatit të ndjesive të fshehta e të thella, çka se ajo silueta e dridhshme që ende feks atje tej mundet me qenë fundi i kësaj agonie pikëlluese apo fundi im, dhe u shofshi ju shushurima t? ambla ujnash që më çonit dikur nëpër do limane galdues gjestesh të dashtun njerëzorë, të cilët pluskojnë tashmë dallgëve të horizontit si peshq të ngordhun. E prâjshi ju dërdëllitje të pareshtuna mendimesh e ankthesh e shpresash, që nën muzikën e squllun të shirave shoqëroni këtë qivur kujtimesh të dashtuna drejt varrezës së gjanë kohore. U mbështjellsha me diellin e ngrohtë të së mërkurës që u shfaq për me i ndriçue edhe nji herë ato luadhe të largëta kujtimesh ku ende bleron fshehtazi bari i dashunisë, dhe e marrsha me vete puhinë e ngrohtë të frymëmarrjes sate që rastësisht, krejt rastësisht m?i fshikulloi kuajt e përgjumun të gjakut tue i nxitë kësisoj në galopim të çmendun përmes një fushe të panjohun mjegullore. E ti më dëbofsh, më shtyfsh matanë sinorëve të kujtesës sate, që të mundesh me u prehë qetësisht nëpër hapsina ku unë mungoj, sepse ende më shporon dhimbja jote, ende pikëllohem kur vërej se dallëndyshet e vështrimeve tua fluturojnë ultazi dhe ndjellin mot të trazuem e largësi të ftohta horizontesh. I ndjefsh nëpër terrin e kohnave të reja duert e mia të verbëra që kërkojnë tuat, por u shmangsh prej tyre si nji drenushë e trembun dhe u mundofsh me e bindë veten se mjafton të shtysh portën ma të afërt e mundesh me u hedhë saora matanë andrrës apo matanë kurtheve të shqisave që ngrehen vetvetiu prej thirrjeve të dëshpërueme të zemrës. Kangëzoftë ai zani yt i ambël e fërgëllues por dhe kumbim i hapave që të çojnë nëpër rrugë të tjera, e ledhatofshin nëmostjetër hijen time që endet përreth teje e përpiqet me të kujtue se qënia ime asht hallakatë tejendanë kësaj bote të vockël për të qenë kudo e askund. Vijofsha me u ndodhë rastësisht para pasqyrës dhe si përherë, më ndodhtë që të shoh në të jo fytyrën time t?arratisun prej dhimbjes, por tanden, tanden që ka mbetë e ndryme ne kornizën e nji buzëqeshjeje të përjetshme. Mbarofsh pra sa ma parë ti shujtë a shajni e darkës së fundit qarkue prej emocionesh që ushqehen me mishin dhe gjakun tim, dhe ia behshin sërish njëra mbas tjetrës ato karrot ngjyrëtrandafili t? agimeve të dikurshme që më çilembyll sytë më çonin larg, larg, ku fjala nuk mbërrin, në nji botë parajsore që mëkohet prej regëtimave të zemrës sate.

    Marre nga revista "Milosao",

    P.S Ne nje shkrim t eperkthyer nga Shpetim KELMENDI Sokoli me beri verejtje pse nuk sjell dicka nga Krijimtaria e tij. Keshtu qe besoj me kete proze poetike kam sjelle dicka shume t ebukur nga universi i tij.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Astrit Cani
    Anëtarësuar
    09-03-2007
    Postime
    24

    Ese mbi romanine fundit te Sh. Kelmendit

    Astrit CANI

    Vdekja, identiteti, romani
    Ese për romanin “VDEKJA NUK VJEN” të Sh.Kelmendit



    Tue pa nji njoftim vdekje’, sytë nguliten vetiu te vitet ose skajet kohore të nji jete, e sidomos midis tyne te viza që i lidh. E atëherë diçka drithëmuese të thotë se jeta jonë âsht njajo farë vize fort e shkurtë që bashkon dy koordinata kohore. I vdekuni vazhdon me jetue nëpërmjet të afërmve e të dashtunve të tij, që zakonisht janë shumica të gjallë. Pra ai jeton halà mbi atë cope letre të vdekun, në sajë të lidhjeve njerzore që pat në jetë: pra identitetit të tij familjar, si zoon politicon. Për njerëzimin, kjo âsht vepra që i mbijeton vdekjes: familja me stadet e saj. Dhe identiteti vijon me u përtërî.
    Artisti âsht ai njeri normal që realizon nji vepër tjetër, e sigurisht ia kundërvendos vdekjes. Nuk âsht fjala me luftue vdekjen fizike, që âsht e pathyeshme. Për veprën e artistit âsht rasa me mposhtë nji vdekje tjetër, të llaftarshme: vdekjen e njerzimit, fshimjen e identitetit.
    Mbase identitetin ia detyrojmë grave, nanave, që nëpër shpella, kur njerzimi ishte halà bartës instinktiv i nji identiteti në potencë përpunonin rrëfimet e gjuetarëve dhe peshkatarëve ja shpiknin të reja: histori që gratë tregonin me rrejtë dimnin parahistorik. Atëbotë parahistoria filloi me u bâ histori, dhe vdekja u bâ pjesë e jetës, pse tashmâ ajo po i nënshtrohej nji zbulimi të jashtëzakonshëm: narracionit.
    Narracioni, ka meritën e pazavendësueshme se e shndërron vdekjen në objekt të vetin, tue ia zbatue ligjësive të jetës, tue e bâ pjesë të harmonisë dhe moralit universal. Tue tregue për vdekjen, njeriu i rrëfehet jetës. Ai e njehë vdekjen si bosht identitar. Njeriu ka identitet, pse âsht i vdekshëm.
    Dikur, kuptohet se shumica e përbâsave të llojit tonë të lavdishëm, ndodheshin andej jetës. Nji kafshë që âsht ndërgjegjësue për fatin e vet identitar, ka dalë prej llojit e ka hý te nji hipostazë e re: ajo e identitetit.
    Identiteti i llojit, ruhet nëpërmjet identitetit gjenetik dhe përsoset te ai estetik. Mandej mbërrin edhe koha kur lloji fillon me mendue mendimin dhe thotë: E vetmja gja që di âsht se nuk di asgja, tue përftue mbrenda llojit, primatin e individit. Tashmâ mbijetesa e llojit duket e zgjidhun dhe objekti i perceptimit mësyn nji truell të ri: filozofinë. Porse filozofia me emnin e saj të kumbueshëm, âsht e vjetër sa bota, sa vdekja, sa letërsia. Objekti i parë i mendimit të fortë, âsht vdekja. Habia filozofike par excellence, âsht habia e vdekjes. Narracioni e ka kultivue mirësinë estetike të njeriut, dhe ka bâ të mujtun njiherësh, që çdo send me qenë send përjetimi estetik, edhe vetë vdekja, mësuesja e kohnave, para së cilës, pa mrekullinë e të rrëfyemit do njihnim histerinë mâ rrënuese.
    Nji kënaqësi aq praktike siç âsht narracioni, çudi, si mun’ me pasë, nji vlerë aq të pamatshme filozofike dhe ditunore. Gjithmonë, kur e kam ndie veten të poshtnuem nga skizofrenia dhe virtualiteti i vjetëve të mija 2000, u jam kthye rrëfimeve të gjysheve të mija, e aty e kam gjetë atë urtësinë që e ban dallimin mes të mbijetuemit dhe të jetuemit. A mun’ njeriu i ishullit me i thanë qoftë vetes kam jetue? Cili udhëtim âsht real pa kthimin, pa Itakën pa historinë e vet të rrëfyeme?

    Vdekja, âsht padyshim personazhi kryesor i letërsisë botnore. Nuk âsht nji personazh aktiv, nji personazh-tip. Por nji terminus ad quem, dhe nji deus ex machina. Vdekja si fundi i jetës, por edhe si pjesë e jetës (stafetë morale); vdekja si fundi i dashnisë, por edhe si pjesë e dashnisë ; vdekja si fundi i nji romani, finishi që ia çel vendin (simbas djalit të dialektikës Walter Benjamin), nji pyetje’ për kuptimin e jetës.
    Në romanin « Vdekja nuk vjen », deus ex machina i vërtetë âsht personazhi i profesorit. Vdekja, këtu, âsht nji vdekje ekzistenciale - ajo nuk vjen : pret aty që ti t’a zgjosh! Vdekja fiton, vetëm atëherë kur jeta e pranon humbjen…
    Profesori nuk ka droe : ai e din se vdekja nuk âsht asgja para budallësisë njerzore. Njeriu i qytetnuem, mëton maspari ligjin. Dhe vdekja âsht ligji nga i cili buron kodi moral, nji kod i pashkruem, pse ekziston qysh para shkrimit, si gramatikë e gjesteve dhe aksioneve të llojit. Vdekja si garanci se bota nuk âsht nji reprezentim, por nji realitet objektiv. E estetizueme nga nji qytetnim i tanë, ajo mbretënon format, përcakton etalonet, ofron kutin… Por le të dalim nga ky pus filozofik pa fund.
    Në reprezentimin te romani në fjalë, vdekja âsht si e thamë, shum moderne. Nji sëmundje e keqe, si jeta. Dhe interesante âsht se këtë na e parashtron nji personazh i kallepit “klasik”, si profesori. Profesori, relacionohet me personazhet e tjerë, si “arketipi” me “prototipat” (këtë skemë e kam përdorë me përshkrue raportin e klasikut Rreshpja ndaj rrethit të poetëve modernë të sotëm me idiosinkrazitë dhe “soliloqui-ot” e tyne të urryeshme). Profesori ka fillue tue jetue vdekjen, ai jeton në do imazhe që veç vula e saktë e vdekjes i ka ngrî në kujtesën e tij. Ai jeton mementon, teksa të shtruemit e tjerë të infermierisë së burgut gjakojnë baudelaire-janisht se kjo jetë âsht nji spital ku çdo i sëmundë âsht i zaptuem nga dëshira me ndërrue shtrat. Ky memento, âsht vdekja e tij e bukur, pse ai tash âsht plak dhe kulti i tij i vdekjes së bukur i mbetet ligjësive të kontemplacionit.
    Në nji nga poezitë e tij të fisme, Borges konstatonte: “Nuk kam ra/ Si shum prej të gjakut tim/ N’betejë.// Jam/ Në natën e kotë/ Ai që rrokjet numëron.” Të parët e Boges-it luftuen me shpatë pra tue vu në punë zanatin e vetëm, trimninë, me i pështue vdekjes së keqe: harresës. Horheja e dinte, anipse qe lodhë (si na e tregojnë këto vargje), se ai po e luftonte flakëpërflakë atë vdekje, me nji zanat tjetër të ngadalshëm e ma pak burrnor, atë të letrave (që lypte durimin e qendistoreve plaka), por fitorja s’do ishte kurrsesi mâ pak jetëgjatë.
    Kurse profesori, (Maroni, si më duket se quhet), duket se ka vetëm nji zanat: të ndiemit, të ndiemit e naltë, të ndiemit e lirë e të dlirë, të ndiemit me dritën, të ndiemit si ligjërata e drejtë e të menduemit. Dhe të rrëfyemit e këtij të ndiemi.
    Dhe zanatet e të tjerëve shpalosen aq mjeshtrisht në këtë roman të gjallë, sa duket se të gërvishtin edhe teksa t’gërdisin. Jevgu Rakip, që ka për zanat të vetëm mbijetesën e që s’i kursen vetes asgja, veç që ai dhe zanati i tij të mbijetojnë. Mjeku mandej, që ka për zanat shkërdhatërinë. Koloneli, përfund, i tmerrshmi, që (si çdo nazist i mirë) ka për zanat të zemrës vrasjen. Dhe bashkë me personazhet e tjerë, janë të gjithë njerz të skaduem! A janë njerzit e skaduem të fabrikës komuniste “NJERIU I RI”? Sigurisht. A janë njerzit e skaduem të ’97-s? S’ka dyshim! Por janë edhe dhe sidomos, njerzit e skaduem të tana kohnave dhe epokave, të tana vendeve dhe komuniteteve. Janë yahoos e Gulliver-it dhe Brodie-t. I gjejmë te Maupassant dhe Gogol, të gdhendun në mënyrën mâ plastike si te Dostojevskij e Céline. Janë obllomovët dhe humbert humbertët, janë tenorët e “procesit”, dhe vrasësit e Zotit.
    Po ç’randësi ka me e dijtë nga vijnë? Autori na tregon kush janë, na i bân realë njiherë, dhe prej kësaj ne mandej mújm me ftillue nga vijnë e ku shkojnë. A janë realistë? Po, por jo edhe aq. Në ç’kuptim. Në kuptimin se këta, sikundër sall do personazhe të mjeshtrave Gogol, Dostojevskij, Kafka, e Nabokov janë për fatin tonë të mirë mrekullisht mâ shum realë se realistë. Dhe kështu duhet me qenë. Real si Çiçikov dhe si Don Kishoti*, mâ shum se realist si shoku Zylo a Enver Hoxha i «Dimrit të madh».
    Dhe kjo âsht pranvera e letërsisë së madhe, pse me e pranue sfidën e realizmit domethanë me dhanë personazhe reale.
    Pra, si e kam thanë kalimthi te nji shkrim tjetër, shkrimtari e ka lanë monologun (soliloquio-n), dhe âsht nisë drejt tjetrit, por në të vërtetë kundron Njisinë. Dhe ajo kurajo që i âsht dashtë për me e pranue sfidën, ia ka shpërblye bujarisht te romani “Vdekja nuk vjen”.
    Kaq kishem, nuk mundem me e kapë mâ teknikisht, pse e kam lexue vetëm nji herë, me nji frymë këtë libër. Herë tjetër kur hyu kurrnac Kronos të ma lejojë, do i kthehem këtij romani, dhe shpresoj veprës së shkrimtarit në tanësi.



    *Kryepersonazhi i realizmit âsht mâ shum real se realist!
    In nome di Kafka, bevi quel caffé!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e lissusmb
    Anëtarësuar
    12-05-2011
    Vendndodhja
    Italy
    Postime
    2
    MESUESIT
    Kur kërkoj ti jap trajta mirësisë njerëzore. Ajo ka ngrohtësinë e gjoksit të simemë e siluetën e imët të mësuesit tim Shefqet Kelmendi. E kujtoi mësues Shefqetin si oazë ku ndalej të pushojë shpirti i trazuar i fëmijës së ndrydhur nga pesha e mjerimit dhe e njerëzimit. E kujtoj duke ecur, me një tufë gazetash nën sqetull e tek lexonte gazetën “Drita”. E afronte shumë gazetën për shkak të miopisë e shkonte ngadalë nën hijen e plepave përbri asfaltit, në rrugën që nga posta çonte drejt lagjes së “familjareve” që ishte “qyteti” i fshatit tim. E kujtoj kur u ndreqte fëmijëve kamishat e leckosura ne pantallonat mjerane. E kujtoj tek i bije mandolinës e me një zë kadifeje këndonte këngën e pesë heronjve të Vigut. E kujtoj kur tregonte parabolën e të dënuarit me vdekje që në sajë të besës e dhembshurisë se gardianit kishte shkuar të përshëndeste familjen një natë para ekzekutimit e që moti i keq e kishte penguar të arrinte në kohë. Me dorën e ngritur e zërin e çjerrë vraponte drejt trekëmbëshit të vdekjes ku në këmbë të tij, po ekzekutohej gardiani i ndëshkuar për njerëzinë e shfaqur e besimin tek besa e shqiptarit. E kujtoj kur na i bënte të bukura edhe himnet ozanuese të shkrimtareve oborrtare. Kujtoj hartimet e diktimet plot shenja te kuqe sidomos mbi q-hat e ç- hat te cilat i ngaterroj edhe sot. Shënimet e gjata që bëntë me laps të kuq në fund e notat që ishin gjithmonë bujare. E kujtoj shikimin e tij ngjyrë qielli tek më jepte libra në bibliotekën e shkollës duke më thënë që megjithëse kisha zgjedhur libra qe duhej ti lexoja ndonjë vit me vone, un mund t′i lexoja. Kjo me jepte krahë. E kujtoj tek priste ne heshtje tek radha e bukës e u përgjigjej me dashamirësi përshëndetjeve pak servile të fshatarëve që ktheheshin nga puna në fushe e prisnin me ore që të arrinte gazi i kooperativës nga furra e Shënkollit të ripagëzuar “Ylli i Kuq”. E kujtoj kur gjatë shpjegimit, për të na zgjuar nga përgjumja e unshme na lëshonte zinxhirthin e çelësave nën jakat e lyrosura në zverkat tanë fëmijërore. Kur i klithte Dardanit të pabindur të kthehej në shtëpi për të bërë detyrat. Tek qortonte Shpëtimin gjaknxehtë që i kishte thyer hundët ndonjë shoku i cili i kishte thënë kryemadh të njëjtën shprehje që un po mësohesha ta duroja.
    Arrestimi i tij ka qenë për mua një zgjim i trembur nga inkubi komunist. U mallëngjeva kure pashe ne google fotografinë, mu zgjat jeta nga mbijetesa e tij. Penda e mprehtë e gjaknxehtë e Shpëtimit, djalit të mësues Shefqetit, me ndaloi të publikoja disa përsiatje letrare për fatin e mirë të lexuesve. Nga zilia e duke përfituar nga distanca gjeografike që na ndanë, Shpëtimit po i them “kryemadh, kryemadh, kryemadh …hë”
    Kure mësova vetëmohimin burrëror të mësues Shefqetit në gjyqin komunist u mbusha me një krenari të pashoqe. Vuajtjet e tija në burgjet çnjerëzore e dënimin me vdekje i përjetova me një dhimbje therëse e më bënë të harroj përndjekjet e arrestimet që me bënin shefat e sigurimit në ministrinë e mbrojtjes.
    Mësues Shefqeti nuk është mësuesi i parë që të gjithë kujtojnë me mallëngjim. Ai është për mua njeriu i parë që kam takuar në shkretëtirën shoqërore të realitetit socialist.
    Desha të shkruaj “të rroje sa malet mësuesi im Shqfqet Kelmendi” por ky urim është zvetënuar nga destinatari monopolist i tij, Enver Hoxha. Atëherë i sigurte që do të më lejonte ta merrja ngrykë e ta kacarroja fort, po i them “TE DU FORT MËSUES”

    Marjan Bunaj 2011

Tema të Ngjashme

  1. Hakmarrja, vritet nëna e emigrantit
    Nga GiSHteZa në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 169
    Postimi i Fundit: 06-05-2009, 17:24
  2. Shpëtim Xhyheri
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 28-02-2009, 12:05
  3. Ekskluzive: Intervistë me poetin dhe publicistin Jeton Kelmendi
    Nga hajla në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 27-10-2008, 18:01
  4. Kreshnik Alimerko, kandidati i PD-se per Vloren
    Nga zeus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 02-03-2007, 11:10
  5. Personat me te dalluar te Malsise se Madhe
    Nga Gruda në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 06-02-2003, 16:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •