Spiro Butka tregon eksperiencën e tij në luftën e Kosovës dhe komenton akuzat e Hagës

Ish-ushtaraku: Si luftova në krah të Ramush Haradinajt


Ened Janina

TIRANË- Spiro Butka, një ish- ushtarak shqiptar që ka marrë pjesë edhe në luftën e Kosovës, tregon si ka njohur Ramush Haradinajn, në atë kohë luftëtar dhe tashmë ish- kryeministër i Kosovës dhe i akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit. Ai flet për luftën në Kosovë dhe mënyrën se si UÇK-ja është sjellë me banorët vendas dhe serbët. Sipas Butkës, Ramush Haradinaj dhe asnjë nga shqiptarët e tjerë që akuzohen nga Gjykata e Hagës nuk i kanë kryer ato krime. Ai e akuzon këtë gjykatë si të njëanshme ndërkohë që kriminelët e vërtetë, ushtarakët serbë që shkaktuan masakra të papara në popullsinë e Kosovës, janë ende të lirë. Ai është takuar me Ramush Haradinajn në kuadrin e operacionit “Shigjeta” më 9 prill të vitit 1999 dhe nga ajo ditë ka pasur kontakte e bashkëpunim të vazhdueshëm.
Zoti Butka, si u lidhët ju me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Millosheviçi, nëpërmjet operacionit famëkeq “PATKOI”, nisi një genocid të paparë në historinë e njerëzimit. Krimi dhe barbaria, si pjesë e makinës luftarake të Beogradit , tronditën zemrat e të gjithë shqiptarëve. E ndieva për detyrë si dhe shumë të tjerë, për të luftuar krah për krah vëllezërve tanë. Një koleg i imi, Seit Berisha, më lidhi me disa veprimtarë të kësaj çështjeje. Me pas u takova me komandantin e UÇK-së, Azem Syla, nga ku mora udhëzimet përkatëse për detyrat që më prisnin. Unë u ingranova në organizimin dhe drejtimin e operacionit “SHIGJETA” përkrah Bislim Zyrapit, ish- shefit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, në kufirin shqiptaro- shqiptar për gjatë vijës Kukës- Tropojë.
Ju ishit vullnetar apo iu kërkua që të merrnit pjesë në luftë?
Unë dhe shumë shqiptarë të tjerë ishim vullnetarë të kësaj lufte. Ne ishim ushtarakë të liruar nga ushtria shqiptare dhe ndjemë se duhet të shkonim e të ndihmonim vëllezërit tanë kosovarë. Me iniciativën tonë u nisëm për në Kosovë.
Si u njohët me Ramush Haradinajn?
Njohja jonë fillon me operacionin “SHIGJETA”, të udhëhequr nga Hashim Thaçi, Azem Syla dhe shefi shtabit të përgjithshëm, Bislim Zyrapi. Me Ramushin mora kontakte indirekte për organizimin dhe bashkërendimin e veprimeve luftarake të frontit me ato në thellësi. Unë mbuloja zonën e Kukësit, Tropojës deri në Pashtrik ndërsa ai ndodhej në zonën e Dukagjinit. Kontaktet mbaheshin nëpërmjet dy djemve të xhaxhait të tij, Nazif dhe Agron Haradinaj. Më pas u takuam dhe personalisht. Midis nesh, prej fillimit të veprimeve operacionale e deri në largimin e plotë të forcave serbe nga Kosova, ka pasur një mirëkuptim të plotë, sepse mbi të gjitha, na lidhte ideali i përbashkët. Në fillimet e vitit 2000, detyrat na bashkuan sërish në shtabin e përgjithshëm të T.M.K.-së, ku komunikimi ynë u bë mjaft i ngushtë.
Çfarë mund të thoni për akuzat që Gjykata e Hagës ka ngritur për Ramush Haradinajn?
Akuzat që ngrihen ndaj Ramush Haradinaj, sipas deklaratave të vetë Gjykatës së Hagës, janë gjithsej 37 dhe përbëhen nga 17 akuza për krime kundër njerëzimit dhe 20 të tjera për krime lufte. Të gjitha këto krime u kryen nga vetë ushtria serbe, ndërsa tani, për çudinë e të gjithë botës, që i pa nga afër e nga larg këto krime, i atribuohen në mënyrë të qëllimshme kryeministrit të sapo zgjedhur me votën e lirë nga vetë populli shqiptar i Kosovës. Sipas një logjike marramendëse të improvizuar nga vetë serbët dhe interpretuar nga Karla Del Ponte, Ramushi duke qenë “komandant i U.Ç.K.-së,ka urdhëruar personalisht, kontrolluar dhe marrë pjesë në rrahjen e civilëve”. Krimet që pretendon kjo gjykatë, na qenkan kryer veçanërisht ndaj serbëve, romëve dhe disa shqiptarëve në periudhën e viteve 1998-1999. Kjo është e pavërtetë.
Si pjesëtar i UÇK-së, keni parë të ndodhin krime të tilla?
Asnjë herë jo. Ne nuk kemi kryer asnjë krim kundër popullsisë serbe, rome ose asaj shqiptare. Madje në shumë raste ne kemi mbrojtur popullsinë serbe që ndodhej në Kosovë. Të gjitha këto akuza që ngrihen për UÇK-në janë të pabaza. Ne nuk kemi ndyrë duart me civilë të thjeshtë. Në shumë raste kemi kapur agjentë të ushtrisë serbe në radhët tona. Ata kanë qenë si serbë ashtu edhe shqiptarë. Agjentët janë burgosur, ndonjë prej tyre edhe mund të jetë rrahur por nuk do të thotë që kemi bërë krime kundër njerëzimit. Kam dëgjuar se spiunë të burgosur kanë tentuar të arratisen dhe gjatë ndjekjes janë vrarë. Akuzat e tjera të ngritura për Ramush Haradinajn dhe shqiptarët janë të pabaza. Akuzat e ngritura ndaj Ramush Haradinajt, nuk janë vetëm kundër atij. Ato janë kundër tërë popullit shqiptar të Kosovës dhe janë hedhur në tregun politik nga Karla Del Ponte, për të groposur vlerat e luftës së U.Ç.K.-së e popullit të saj.



15/03/2005
KATEGORIA: Kronike nga Tirana