GSH

---

ALBANOLOGJI

Një libër për Kanunin shkruar nga një skoceze, që jetoi në Shqipëri në vitet '20-'30. Kush ishte etnografja Margaret Hezllak dhe si e gjurmoi jetën e malësorëve shtëpi më shtëpi

Margaret Hezllak, skocezja që na rrëfen Kanunin


--------------------------------

a.p.


Një libër mbi Kanunin, ligjin e pashkruar shqiptar, shkruar nga një skoceze. Hammond e ka cilësuar si studimin më të mirë të shkruar mbi gjakmarrjen shqiptare. Ndërsa ka bujtur vetë shtëpi më shtëpi në gjithë malësinë e Veriut shqiptar, Margaret Hezllak depërtoi në të gjitha ritet dhe zakonet, ligjet e pashkruara që rregullonin e drejtonin jetën e shqiptarëve. Çfarë është një shtëpi, si funksionon ajo, cila është familja shqiptare, si sillet gruaja dhe burri, i zoti i shtëpisë dhe mikpritja, si hahet dhe cilat janë raportet mes njerëzve, femra dhe detyrimet e saj, bajraktarët e deri te qeni i shtëpisë… E mbi të gjitha gjakmarrja. Gjithçka në detaje, shënuar sipas dëshmive që ajo mblodhi vetë, në gjithë kohën e qëndrimit të saj në Shqipëri në vitet '20-'30. Nga botimi në gjuhën shqipe i këtij libri, kemi shkëputur paragrafe nga disa prej kapitujve të tij dhe po ua servirim lexuesve, për të kujtuar dhe ushqyer kureshtjen e për të njohur detaje të harruara nga jeta e dikurshme që udhëhiqej nga ligjet e pashkruara.
Margaret Hasluck


Sapo binte muzgu, burri ulej në sofër për të ngrënë darkë në dhomën e pritjes, ndërsa gratë bashkë me fëmijët hanin në një sofër tjetër në kuzhinë. Amvisa e shtëpisë sillte gjellën në dhomën e pritjes. Ajo rrinte prapa derës dhe, pa rënë në sy, ia sillte burrit ushqimin. Ajo duhej që t'i lante enët, por i kujtohej paralajmërimi i proverbit që thoshte se nuk del punë e paqme nën dritën e zjarrit, pasi nuk kishte drita: "Puna e natës, gazi i ditës", kështu që amvisa priste deri të nesërmen. Atëherë detyra e saj bëhej shkëlqyeshëm, sa s'kish ku të vente më. Si në sofrën e burrave, ashtu dhe në atë të grave, sekush hanin në të njëjtin çanak. Për të kapur mishin shërbenin gishtërinjtë, ndërsa më pas, supa me gjellë gjysmë të lëngshme shpërndahej me një lugë druri të vetme. Burrat përgjithësisht kishin lugë më vete, me mendimin se kështu ishte më higjienike; ata i lanin vetë lugët - thuajse përciptas - menjëherë pas të ngrënit, dhe i rrasnin në brez, për t'i mbajtur në gatishmëri për vaktin tjetër të shtëpisë, ose për te miku. Kur qitej kafe, i zoti i shtëpisë ose zëvendësi i shpëlante filxhanët, sepse këto enë të çmueshme s'duheshin nxjerrë kurrë nga dhoma e pritjes, pasi qëllonte që gratë t'ua merrnin për të pirë kafe. Njëzet burra mund të shtroheshin për të ngrënë supë, mish, bukë, gjizë dhe pastaj kafe, por amvisave u mbeteshin për të larë vetëm tre çanakët që vendoseshin në qendër, bashkë me sofrën.

***
Një familje e madhe mund të kishte deri në njëzet frymë, një numër goxha i madh, por që ishte vetëm një kujtim i zbehtë i lavdisë së dikurshme. Në gjithë Shqipërinë e Veriut, ishte zakon që vëllezërit, kushërinjtë e parë, madje dhe ata të dytët me gra e fëmijë, herë-herë edhe hallat ose xhaxhallarët e moshuar, si dhe motrat e vogla, të jetonin bashkërisht nën të njëjtin kulm. Për pasojë, familjet e tyre ishin të mëdha. Për shembull, rreth vitit 1900 shtëpia e Gjon Macajt në Perlat kishte gjashtëdhjetë e katër frymë, më 1923 shtëpia e Isuf Isakut kishte nëntëdhjetë e katër frymë, ndërsa në kohën e sotme (vitet '30) shtëpia e Lushan Sadrisë ka shtatëdhjetë frymë. Ndërsa vetë shtëpitë, ndonëse i përshtateshin modelit të rregullt me dhomë pritjeje për burrat, kuzhinë, stalla, qilar, dhe me nga një dhomë gjumi për çift, ishin tepër të vogla krahasuar me standardin tonë. Një dhomë gjumi e vogël ishte e mjaftueshme për shtatë a tetë persona, po të flinin të gjithë përdhe, ndërsa dhoma e pritjes dhe kuzhina shpesh shërbenin si fjetore. Në dhomën e pritjes flinin: miqtë, beqarët dhe vejanët e familjes, ndërsa në kuzhinë të ftuarat dhe vejushat e familjes. Shkaku parësor i kësaj mënyre jetese qëndronte te mungesa e sigurisë në kohët e shkuara. Armiqtë dhe banditët mund të përmbushnin qëllimet e tyre kundër një njeriu të vetmuar, por detyroheshin të respektonin dikë të rrethuar me roje të armatosur më së miri, dhe që s'kishe ku t'i gjeje më besnikë, si farefis që ishin. Pasi Shqipëria u bë e pavarur, siguria publike u përmirësua kaq shumë, saqë nevoja për t'u kujdesuar për sigurinë e familjes u zhduk, dhe bashkë me të edhe nevoja e disa brezave për t'u grumbulluar së bashku nën të njëjtin kulm, nëse donin të mbijetonin. Për pasojë, familje të mëdha si ajo e Gjon Macajt u tretën.

***
Kur një burrë martohej, shtëpia i takonte vetëm atij dhe aspak së shoqes, as prifti dhe as ligji nuk e detyronte që t'i dhuronte asaj të mirat e kësaj bote. Më tej Ligji i Pashkruar parashtron se "gruaja është një thes (shakull) për të bartur" gjëra, d.m.th. se ajo rri në shtëpinë e burrit për t'i mbajtur fëmijët. Megjithatë, lihej të nënkuptohej se ajo duhej të merrte pjesë aktive në punët e arës dhe të shtëpisë. Për pasojë, në një familje të përbërë vetëm nga çifti me të vegjlit, jeta e gruas bëhej tepër e vështirë, prehja dhe dëfrimet ishin vetëm për burrin. Meqë Ligji i Pashkruar ia ndalonte asaj të mbante çfarëdo lidhje me botën e jashtme derisa të plakej, ajo merrej me punët e shtëpisë, ndërsa burri shkonte në treg për të blerë dhe shitur, shkonte në zyrat e qeverisë për të paguar - ose jo - taksat, dhe merrej me rregullimin e martesave të ardhshme të fëmijëve të tij. Ai kurrë nuk e pyeste nusen për dëshirat e saj, as për një shami koke, dhe po të mos i blinte gjë; ajo nuk guxonte ta përfliste nën zë për çka vendoste i shoqi. Nëse ai rrinte kot në shtëpi, e shoqja s'mund t'i kundërvihej; po ta qortonte, ai e rrihte. Ligji i Pashkruar theksonte se burri është koka e gruas, kështu ai mund ta ndëshkonte për mosbindje dhe për sjellje të keqe. Sigurisht që ndodhnin një mori ankesash. Kështu, një matjane e bukur ankohej se i shoqi i shpenzonte për hesap të tij të gjitha paratë për kafe dhe cigare, duke e lënë pas pesë vjetësh martesë "pa asnjë leckë në trup". "Mbasi u lodha dhe u robtova gjithë ditën e lume", përfundoi ajo më fort e pikëlluar se e zemëruar.

***
Ja detyrat e përditshme të çdo gruaje fshati: bartja e druve nga pylli, bartja e ujit nga lumi ose nga burimi, shto këtu gatimin, larjen e teshave dhe pjekjen e bukës. Derisa t'ia lejonte mosha, në ndonjë stinë të caktuar, gruaja duhej të punonte edhe në arë. I shoqi kryente punët e rënda: plugonte tokën, kosiste barin, ose priste degët me gjethe dushku për ushqimin dimëror të bagëtive. Gjithashtu, në pranverë ajo do të bartte plehun nga stalla në arë, do ta ndihmonte burrin për të mbjellë dhe prashitur misrin, madje, kur i shoqi rrinte brenda në shtëpi, ajo edhe vilte. Gruaja ngarkohej me bar dhe tagji, gjithashtu merrej me ushqimin e bagëtive. Burri ngiste kuajt dhe qetë gjatë shirjes së grurit; kur shirja bëhej me të rrahur, këtë gjë e bënte gruaja. Po të mos kishte mullixhi, ajo e shpinte grurin te mulliri, e bluante dhe e sillte miellin në shtëpi. Nëse kishte mullixhi, këto detyra i takonin burrit, për të larguar çdo dyshim lidhur me nderin e gruas. Në familjet e varfra ajo shërbente si kafshë barre, sa ishte e re duhej që të mbante ngarkesa deri në 32 kilogramë. Në familjet më të pasura, gruaja përdorte për të bartur një kalë ose gomar, po të mos mbulohej shtëpia me borë gjatë dimrit. Në këtë kohë, i duhej të çante vetë borën që rrethonte stallën ku ishte kafsha bartëse, për të sjellë rezervat e druve dhe të ujit, tagjinë dhe miellin. Kur nuk kishte mjaft krahë pune, burri nuk mbante më tepër se dy dhi e dele për qumësht, dhe këto mbaheshin lidhur; për t'i lidhur, për t'u dhënë ujë dhe për t'i mjelur kujdesej gruaja. Gruaja, gjithashtu, merrej me përpunimin e qumështit për kos, gjalpë ose djathë, por në verë qumështi prishej shpejt dhe puna vështirësohej. Përsëri, ajo kujdesej për pulat dhe gjatë kohës së lirë punonte çorape ose tirrte lesh.

***
Nëse çifti i martuar kishte dhomë gjumi më vete, ajo ishte pronë private e çiftit dhe ishte e paprekshme, si shtëpi më vete. Askush tjetër, përveç çiftit me fëmijët, nuk mund të hynte paftuar. Madje, as të zotit të shtëpisë nuk i lejohej hyrja në dhomën e gjumit të çiftit, përveç dhomës së gruas të vet. Nëse njëra prej të rejave punonte jashtë shtëpisë, duhej të kujdesej vetë për dhomën e gjumit të saj, ta fshinte, të shtronte para fjetjes dyshekët, dhe t'i ngrinte sërish në mëngjes. Gjithashtu, e reja duhej t'i mbante fëmijët e saj, të lante dhe të ndreqte rrobat e fëmijëve, të burrit dhe të vetat, përveç rrobave të vjehrrës. Nëse kishte ndonjë kërthi, fëmijën me gjithë djep i ngarkonte në shpinë kur shkonte në arë, ndërsa gjatë punës e linte në një vend me hije dhe në mbrëmje e sillte përsëri në shtëpi. Nëse shtëpia ishte shumë e vogël, pa dhomë ndenjieje, burri hante në kuzhinë. Ai kurrë nuk hante bukë ngeshëm, dhe në shumicën e krahinave hante fillikat, ndërsa mund ta shoqëronte vetëm nëna, pasi kjo privilegjohej se e kishte sjellë në jetë. Burrin që shtrohej në sofër me të shoqen, ose shoqërohej prej saj gjatë ngrënies, njerëzia e përqeshte si "të paburrni" dhe "fis i keq". Nëse shtëpia kishte dhomë ndenjieje, qëllonte që burri të drekonte në kuzhinë, ndërsa për darkë shtrohej në dhomën e ndenjies. Përpara bukës, ai mund t'i ftonte djemtë ose vajzat e tij, kur ishin të vogla, duke ndarë me ta komfortin e dhomës së pritjes një copë herë.

***
Ligji i Pashkruar Shqiptar parashikonte që çdo grua e martuar gëzon të drejtën për të shkuar në gjininë e saj të paktën një herë në vit. Pasi familja e saj zakonisht banonte në një fshat tjetër, ajo nuk mundej që ta bënte rrugën pa një shoqërues, pasi as ligji dhe as zakoni nuk e lejonte që shoqërimin ta bënte vetë i shoqi. Në një familje të përbashkët kjo nuk sillte ndonjë vështirësi, pasi vëllezërve u lejohej që të flisnin me gratë e njëri-tjetrit, dhe sekush, përveç burrit, mund ta përcillte një grua te shtëpia e prindërve dhe ta sillte prapë. Ndër shtëpitë me një burrë të vetëm ndërlikohej çështja. Nëse ky e kishte nënën gjallë dhe të aftë fizikisht për të udhëtuar, ajo e shoqëronte të renë, por kush do t'i gatuante dhe t'i shtronte për të fjetur? Në rastin kur s'e kishte nënën gjallë ose e kishte të pamundur, dikush prej të afërmve të gruas duhej që ta merrte dhe ta kthente, por ky ishte tjetër telash, pasi duhej vënë në dijeni më parë për ardhjen e saj.

***
Shtëpia, e thjeshtë ose e stërholluar, i përkiste të zotit, por ai s'mund të vepronte sipas dëshirës me shtëpinë, sepse duhej ta mbante në përputhje me kushtet e vendosura nga Ligji i Pashkruar. Ky ligj jep këtë përkufizim për shtëpinë: "Çdo kasolle apo ndërtesë një, dy a shumë katëshe, që ka vatër dhe qet tym", duke nënvizuar se, e varfër apo e pasur qoftë, shtëpia është njësoj e paprekshme. Në të dy rastet i huaji nuk mund të hyjë brenda, po nuk thirri së pari me emër të zotin e shtëpisë. Miku i matur thërret me zë të lartë prej njëfarë largësie; në qoftë i guximshëm, ose ka marrëdhënie miqësore me familjarët, ai ka të drejtë të hyjë deri në oborr. Nëse nuk i përgjigjet kush, duhet të presë ose të largohet. Ai e ka të ndaluar të shtyjë derën për ta hapur, sepse do ta ngarkonin me fajin e thyerjes së shtëpisë së tjetrit. Kohë më parë kjo do t'i shkaktonte dënimin e zakonshëm për vjedhje, pesëqind grosh gjobë për thyerjen e shtëpisë, plus dërgimin te ajo familje të dyfishit të sendeve të humbura pas vizitës së tij; madje edhe në ditët e sotme ky veprim shkakton ngatërresa që mund të përfundojnë me vrasje. Ai nuk mund të shfajësohej duke thënë se e dinte që i zoti i shtëpisë nuk ndodhej brenda; ai gjithashtu duhej ta dinte se i zoti i shtëpisë kishte lënë dikë në këmbë të tij.

***
Mbetet për t'u përshkruar, e vetmja pasuri, e cila nuk zotërohej nga i zoti i shtëpisë. Në kontrast të habitshëm me burrat, të cilët s'kishin fare para, të gjitha gratë kishin paratë e veta, që i kontrollonin plotësisht. E ashtuquajtura pekul-e, prej latinishtes peculium, para xhepi, të cilat i shpenzonin për shamitë e kokës, xhingla, deri edhe për veshmbathje dhe këpucë. Nusja merrte pekulen e parë, në mëngjesin e parë pas martesës, kur të afërmit e të shoqit shkonin me radhë për ta uruar, duke ia hedhur monedhat në një pjatë. Kur i vinin për vizitë i ati apo i vëllai, mund t'i linin nën dorë një a dy monedha. Në krahinat e viseve të Veriut, i ati i jepte bijës për martesë deri gjysmën e parave të paguara nga dhëndri për të. Më vonë ajo mund t'i fitonte të hollat duke punuar në kohën e lirë çorape, ose qepte pantallona të drejta dhe të ashpra për bujqit. Pasi ligji dhe zakoni ia ndalonin vajtjen në treg për të shitur punët e dorës, ajo ia jepte për t'i shitur babit ose vëllait, por në asnjë mënyrë të shoqit ose djalit të rritur, sepse ata nuk do t'i kthenin asnjë dysh. Po ta kishte shtëpinë pranë tregut, ajo mblidhte arra dhe lajthi dhe i çonte për t'i shitur. Në zonat ku kultivohej duhani, gratë merrnin zakonisht gjethet e poshtme të papërpunuara të bimës dhe pinin duhan ose i shisnin sipas dëshirës. Nëse nuk gjenin burime të tilla, amvisa nga shtëpia e të shoqit mund të hiqte mënjanë një sasi misri, vezësh, leshi ose djathi, pastaj dërgonte një çun në dyqan për t'i shkëmbyer me gjësendi tjetër…


13 vite në Shqipëri duke rendur pas Kanunit

Skocezja Margaret Hezllak (Hasluck), në vitet '20-'30 u josh deri në marrëzi pas Shqipërisë. Aq sa jetoi mbi 13 vjet nëpër fshatrat malore të Shqipërisë, ku rendte pas foklorit e traditave të veçanta. Vajza e fermerit skocez John Hardie, diku pas viteve '20 vendosi të ndjekë pasionin e saj për folklorin e vendeve të Ballkanit. Me ndihmën e një burse udhëtimi nga Qendra Willson, u vendos në Lindjen e Mesme. Pasi udhëtoi shumë, vendosi të qëndrojë në Shqipëri. Ngriti një shtëpi në qytetin e Elbasanit. Dhe udhëtonte vazhdimisht, veçanërisht në zonën malore të Veriut, ku jetoi me vendasit dhe u lidh ngushtë me ta. Kjo zgjati deri në vitin 1939, në kohën e pushtimit italian, kur ajo u largua përgjithmonë nga Shqipëria. E megjithëkëtë, deri në vdekje ia kushtoi mendimet dhe pasionet e saj Shqipërisë. E sëmurë me leucemi, muajt e fundit të jetës së saj, në Dublin, vendosi të shkruante një libër për Kanunin shqiptar. Titulli origjinal qe: "The unwritten law in Albania". Por, në vitin 1948 ajo vdiq pa i dhënë veprës dorën e fundit. Ia besoi J. E. Alderson-it, e cila përfundoi këtë libër dhe e botoi në vitin 1954. Ky libër i përkthyer në gjuhën shqipe nga Leka Ndoja, me titull "Kanuni shqiptar" (Ligji i pashkruar shqiptar), ka dalë nëpër librari prej pak ditësh dhe rezulton si një libër mjaft interesant, me dëshmi mbi ligjin e pashkruar shqiptar dhe ndikimet e tij në jetën e shqiptarëve. Antropologu i njohur John Henry Hutton, profesor në Universitetin e Kembrixhit, i cili e lexoi në dorëshkrim këtë libër dhe shkroi një hyrje për të, e cilëson këtë vëllim si një kontribut tepër të rëndësishëm për etnografinë në gjuhën angleze. "Libri bën fjalë rreth së drejtës zakonore të malësisë. Por, Hasluck e sheh këtë të drejtë si mjet për të kuptuar bazat themelore logjike të këtij kodi dhe zbatimin e tij në praktikë", shënon Hutton. Ky libër shpjegon mënyrën e jetesës shqiptare me mjaft hollësi, duke dhënë herë pas here detaje mbi çështje të veçanta, të cilat pasqyrojnë funksionimin e së drejtës të pashkruar. Në këtë mënyrë, jepet një sasi e madhe informacioni mbi: përbërjen e familjes shqiptare, mënyrën e saj të jetesës, strukturën e përgjithshme të fshatit e të jetës fisnore dhe për natyrën e funksionimin e kuvendeve fisnore. Tregohen metodat e trajtimit të krimit kundër pronës apo personit, normat që rregullojnë, për shembull, cenimin e pronës, udhëtimin, ushqimin e kopeve ose ruajtjen e shtëpive nga qentë roje. Jepen të dhëna të hollësishme mbi trajtimin e besës, mënyrën e vendosjes së dënimeve; dhe së fundi, normat që rregullojnë gjakmarrjen, e cila trajtohet nga një numër rregullash dhe parimesh që janë mjaft të qarta, ndonëse të pashkruara. Sipas antropologut Hutton, përmbajtja e këtij libri paraqet interes për lexuesin e gjerë, pasi përshkruan jetesën e panjohur të një populli me një kulturë tepër të veçantë dhe individuale, i cili gjatë gjithë historisë së tij është veçuar me krenari dhe dëshirë. a.p