RD
--
Policia nuk ka mundur të zbulojë asnjërën nga krimet e rënda në kryeqytet
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit në pallat
Shpërthimi i tritolit në pallatin tek "Don Bosko" ka shënuar ngjarjen e tretë të rëndë kriminale në Tiranë vetëm gjatë një jave, ku mbetën të vrarë edhe tre biznesmenë
Policia e Tiranës ende nuk ka zbuluar shkaqet e shpërthimit të tritolit në një pallat në rrugën "Don Bosko" në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi para katër ditësh dhe si pasojë mbeti i vrarë një person, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar. Ndërkohë, shpërthimi i tritolit në pallatin tek "Don Bosko" ka shënuar ngjarjen e tretë të rëndë kriminale në Tiranë vetëm gjatë një jave.
Pas vrasjes së dy biznesmenëve vetëm disa ditë më parë, një person ka shpërthyer një sasi të konsiderueshme eksplozivi, në shesh-pushimin midis katit të parë dhe të dytë, të një pallati në rrugën "Don Bosko", ku ka humbur edhe vetë jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.20 të mëngjesit të ditës së shtunë, ndërsa policia e Tiranës ende nuk ka asnjë pistë konkrete për ngarjen. Burimet zyrtare të kësaj policie thanë se nuk dihet motivi që e kishte çuar atë në hyrjen e pallatit. Në pallat banojnë edhe funksionarë të lartë të policisë dhe prokurorisë në Tiranë e rrethe. Pranë trupit të masakruar të viktimës, që deri në drekë ishte i paidentifikuar nga policia, u gjet një kapuç, 700 euro dhe një aparat celular.
Megjithëse ky është rasti i dytë që kemi të bëjmë me ngjarje me eksploziv brenda një jave në Tiranë, drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, në një deklaratë për shtyp u shpreh se "situata nuk është alarmante dhe nuk kemi të bëjmë me një rritje të situatës kriminale në kryeqytet". Nuk dihet se përse e ka fjalën drejtori i Policisë së Tiranës, kur në mes të kryeqytetit u vranë dy biznesmenë dhe një person tjetër me shpërthim tritoli brenda një jave. Për kryepolicin e Tiranës, duhet të vriten çdo ditë biznesmenë dhe qytetarë të pafajshëm që të ketë rritje të kriminalitetit.
---
Krijoni Kontakt