Krujë, merret peng 48-vjeçari i ‘përfshirë’ në vrasjen e kryekomisarit Lamaj

Rrëmbehet nga tre persona të paidentifikuar në Krujë, Enver Stafuka 48-vjeçari i dyshuar si një nga personat që vodhi automjetin e përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Tre autorët e krimit e kanë marrë Stafukën me forcë në automjetin e tyre dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Motivi i pengarmjes së 48-vjeçarit, banues në fshatin Larushk të Krujës është mister. Kanë qenë familjarët e Stafukës ata që e denoncuar rastin në polici. Kjo e fundit ka nisur hetimet në zbardhjen e krimit të rëndë. I zhdukuri njihet nga policia si person me precedentë penalë.

Ai është dënuar 4 herë për vepra të ndryshme penale, por emri i tij u lakua së shumti në vrasjen e kryekomisarit. Më 27 maj 2013 u prangos së bashku me një person tjetër për vjedhje e automjetit nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 25 shkurtit Dritan Lamaj. Me 13 nëntor të po atij vitit Gjykata e shkallë së Parë në Durrës e liroi me pretendimin se është i pafajshëm.

Shqip