Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Kosovari_78_Ca
    Anëtarësuar
    24-12-2003
    Vendndodhja
    Kanada
    Postime
    257

    Sfida ekologjike dhe krimet në fushën e ambientit

    Sfida ekologjike dhe krimet në fushën e ambientit

    Nga Stiliano Ordolli Jurist
    Agron Gurabardhi Jurist


    Ekologjia si shkencë u shfaq si lëvizje politike mbas
    luftës dytë botërore, që përkon, jo rastësisht, më
    zhvillimin e kërkimeve në prodhimin e armëve apo të
    energjisë elektrike bërthamore.
    Kjo lëvizje shpreh shqetësimin për problemet e
    mbrojtjes së natyrës dhe për faktin që "njeriu modern"
    nuk interesohet më aspak për mjedisin që e rrethon,
    ose më saktë interesohet, por duke e quajtur veten si
    qëndër të natyrës e duke vënë në plan të parë jo në
    pak raste interesa që bien ndesh me mbrojtjen e
    natyrës.
    Pikërisht në vendin tonë që prej disa vitesh, këto
    interesa veprojnë në forma të ndryshme.
    Dëmtimet masive të pyjeve, prerja pa kriter e tyre,
    gërryerja e lumenjve dhe shfrytëzimi i tyre jo në
    mënyrë të ligjshme apo çveshja e faqeve të malit nga
    guroret e shumta të ngritura për interesa fitimprurëse
    në dëm të natyrës dhe shoqërisë janë tregues i një
    kriminaliteti në rritje në fushën e ambientit e të
    natyrës.
    Në këtë artikull do të përqëndrojmë vëmëndjen te
    problemet e sotme të mjedisit duke treguar ato pak
    zgjidhje që janë gjetur deri më sot në vendet e
    zhvilluara e që duhet në mënyrë të përnjëhershme t'i
    krahasojmë me ato të vendit tonë, të cilat sic do t'i
    shohim nuk janë aspak të përkryera siç edhe
    pretendohet.
    Teoria ekologjike ka qëllim që t'i bëjë njerëzit të
    ndërgjegjëshëm që natyra nuk është një burim pa kufi
    dhe duhet bërë kujdes për të, sepse në këtë mënyrë
    bëjmë kujdes për veten tonë.
    Mund të përmendim shumë raste kur njeriu vepron kundra
    natyrës, por pasojat i kthehen atij vetë, p.sh.armët
    atomike qëndrojnë mbi kokën e njerëzimit si shpata e
    Demokleut apo rasti i njohur si epidemia e "lopës së
    cmendur". Për të rritur prodhimin e mishit, kafshët
    barngrënëse ushqehen me miell kafshësh, pra me mish.
    Në këtë mënyrë njeriu shkon kundra natyrës dhe sic e
    kemi parë ky "zbulim i madh" sic paraqitej në vitet
    70, që sillte një sasi të madhe mishi në tregje, pra
    shkaktonte ulje të cmimeve për këtë produkt, bëri që
    20 vjet më mbas të shfaqet te kafshët dhe të kalohej
    te njerëzit sëmundja e Krojsfeld Xhakobit apo e njohur
    ndyshe si "lopa e cmendur".
    Shembuj të tillë janë të panumërt dhe nuk është rasti
    për t'i përmendur të gjithë, por mund të shtojmë
    gjithashtu rastin e përdorimit të pesticideve që ka
    sjellë ndotjen e ujit të pijshëm në burimet nëntoksore
    dhe jo vetëm kaq, pasi një sasi e madhe e këtyre
    substancave shpërhapen në atmosferë, pra shkaktojnë
    helmimin e ajrit. Sipas një studimi të Agjensisë
    Evropiane të Mjedisit, kjo con në një rritje prej 25%
    të kancereve tek bujqit.
    Ngrohja Klimatike.
    E parë në planin global të mbrojtjes ndërkombëtare
    ndaj këtij fenomeni nuk shohim asnjë program ambicioz
    nga ana e qeverisë shqiptare. Përkundrazi ajo shkon në
    përpjestim të zhdrejtë me vëndet e komunitetit
    evropian në lidhje me këtë problem.
    Dihet që shkaktarë kryesor të ngrohjes klimatike janë
    gazrat që shkaktojnë rrallimin e shtresës së ozonit, e
    cila pengon drejtimin në tokë të një sërë rrezesh të
    lëshuara nga djelli që dëmtojnë jetën. Nga këto gazra
    mund të veçojmë dyoksidin e karbonit, metanin dhe
    klorofluorokarburet. Sasia më e madhe e çliruar çdo
    ditë në atmosferë është ajo e dyoksidit të karbonit.
    Ky gaz që prodhohet nga djegia e materialeve është
    shkaktari kryesor i ngrohjes së mjedisit apo ndryshe i
    efektit të serrës. Ai vjen nga fabrikat, nga djegiet
    në natyrë, por mbi të gjitha sasitë më të mëdha
    lëshohen nga automjetet. Cdo banor i vendit tonë, në
    të gjitha rrethet duke përfshirë këtu edhe Tiranën,
    është dëshmitar i djegive që u bëhet ditën dhe natën
    plehrave nga punonjësit e bashkive. Kjo ka ndodhur cdo
    mbrëmje edhe në bregdet, gjatë periudhës së verës, ku
    turistët dhe pushuesit e shumtë janë përfshirë nga
    tymrat e këtyre djegieve.
    Zgjidhjet për të cilat të gjithë do të binin dakort do
    të ishin:
    - Nxitja, përkrahja dhe (ri)zhvillimi i qarkullimit me
    biçikletë nëpër qytete. Kjo arrihet në radhë të parë
    me një fushatë të gjërë informimi të popullsisë mbi
    problemin e mbrojtjes së mjedisit. Në radhë të dytë,
    duke i treguar njërëzve se biçikleta nuk tregon aspak
    varfëri ekonomike në një vend. Mund të marrim si
    shembull Danimarkën ku 30% e transportit në qytet
    bëhet nëpërmjet biçikletës. Së treti, duke krijuar
    infrastruktura që lehtësojnë qarkullimin me biçikletë.
    Vlen të përmëndet këtu se nuk është domosdoshmëri
    dalja e kryetarëve të bashkive natën për të parë se si
    punojnë firmat që ata kanë "zgjedhur" për të
    rregulluar rrugët, por për të bërë kujdes pikërisht
    për të parashikuar këtë infrastrukturë që lehtëson
    qarkullimin me biçikletë. Sigurisht nuk bëhet fjalë
    për ndërtime shumë të kushtueshme por thjeshtë
    parashikimi i rrugicave për biçikletat midis trotuarit
    dhe rrugës ku kalojnë makinat. Duke qënë në të dyja
    anët e rrugës, këto rrugica nuk kërkojnë më shumë se
    1,2-1,5 m nga pjesa që tani i takon rrugës. Në këtë
    mënyrë lehtësohet qarkullimi pa asnjë pengesë i këtij
    mjeti, i cili është shumë më pak i kushtueshëm se
    makina qoftë në blerje, qoftë në mirëmbajtje dhe mbi
    të gjitha nuk ka nevojë për djegie karburanti që të
    lëvizë.
    Nga ana tjetër e parë në perspektivë kërkohet nxitja e
    transporteve të përbashkëta jondotëse. Sigurisht që
    kjo zgjidhje është më e kushtueshme, sepse kërkon
    autobuza të prodhimeve të fundit të pajisur me filtra,
    linja elektrike apo trena të qytetit(tramvaje) që
    kërkojnë vendosjen e shinave.
    Këto të fundit janë zgjidhje afatgjatë. Përsa i përket
    zgjidhjeve afatshkurta mund të përmendim rastin e
    Moldavisë, e cila për të shmangur rrezikun e ndotjes
    së ajrit dhe kthimin e vendit në varrezë gjigante
    makinash, ka ndaluar regjistrimin në territorin e vet
    të automjeteve që kanë më shumë se tetë vjet që janë
    prodhuar.
    Asnjë nuk mund të kundërshtojë faktin që vendi ynë
    është kthyer në një vend varrezash të makinave jashtë
    standarti për Evropën dhe që përfundojnë në territorin
    shqiptar. Kjo vetëm nga shkaku i favorizimit nga
    ligji, deri në këtë periudhë, i hyrjes së këtyre
    makinave nëpërmjet doganës së ulët të tyre në
    kundërshtim me ato të makinave të reja që kanë një
    doganë shumë më të lartë, tregu të cilave është kthyer
    një biznes fitimprurës për kapot e këtij biznesi të
    lidhur tashmë ngushtë me klanin e mafias që drejton
    doganat tona.
    Sigurisht që krahas këtyre masave duhet vepruar në
    mënyrë të domosdoshme në drejtim të pyllëzimit të
    zonave të zhveshura për t'iu shmangur shkarjeve të
    mundshme të tokës nga shirat e mëdha dhe përmbytjet që
    janë rritur vitet e fundit. Për më tepër pemët
    pastrojnë ajrin nëpërmjet fotosintezës, prandaj duhet
    të shtohen në qytete hapësirat e gjelbra. Në këtë
    drejtim shkojnë edhe propozimet mbi urbanizimin e ri,
    i cili propozon zmadhimin e qyteteve në gjërësi dhe jo
    në lartësi, si dhe ndërtimin e shtëpive të banimit në
    mënyrë të tillë që transportet e përbashkëta të jenë
    sa më pranë njerëzve.
    Ndotja e ambientit nga mbeturinat shtëpiake.
    Ky është një tjetër problem ekologjik që duhet të jetë
    në vëmëndjen e bashkive të vendit tonë.
    Shtimi i popullsisë, sidomos në qytetet kryesore dhe
    ngritja e nivelit të jetesës, shpien në rritje të
    konsumit, pra në shtimin e pashmangshëm të
    mbeturinave. Përballë këtij problemi zgjidhjet janë të
    vështira dhe të ndryshme, por te ne nuk kanë arritur
    ende në përfundime të dëshirueshme.
    Përsa i përket Bashkimit Evropian, neni 174 i
    traktatit bazë përcakton qëllimet e politikës së
    përbashkët në fushën e mjedisit, kurse neni 175 i jep
    mundësi veprimi Këshillit në këtë fushë. Direktivat e
    këtij të fundit janë vënë në zbatim në shtetet e
    Evropës në mënyra të ndryshme. Vlen të përmendet
    shembulli i Danimarkës, e cila detyron përdorimin e
    ambalazheve të ripërdorshme, kryesisht prej qelqi, që
    rikthehet te shitësit e mallit. Ndërsa Franca, detyron
    të gjithë prodhuesit dhe importuesit që të rivlersojnë
    75% të ambalazheve. Ky veprim është mbështetur në një
    sërë taksash dhe lehtësirash fiskale.
    Tashmë të gjithë e kanë kuptuar që për problemin e
    mbeturinave duhet luftuar në të gjitha frontet.
    Qëllimi është djegia e sa më pak mbeturinave dhe në
    disa vende mosdjegia e tyre. Kjo gjë bëhet për të
    shmangur vënien në rrezik të jetës së popullsisë në
    përgjithësi, pasi me procesin e djegies mbeturinat nuk
    shkatërrohen(sikurse mund të jenë udhëzuar punonjësit
    e bashkive tona, përderisa ky fenomen kriminal nuk po
    ndërpritet), por vetëm shndërrohen dhe ky shndërrim lë
    një përqëndrim të madh në dioksinë në hirin që mbetet.
    Në të njëjtën kohë edhe përhapja në ajër e kësaj
    substance me anë të tymit apo duke depërtuar hirin e
    saj në brëndësi të tokës me ndihmën e shirave, kjo
    lëndë helmuese futet në zinxhirin ushqimor. Nga
    studimet e fundit, kjo lëndë, që është cilësuar si
    shkaktari kryesor i rritjes së numrit të kancerit në
    Evropë, kalon nëpërmjet frutave apo perimeve tek
    njeriu.
    Për të patur rezultate në këtë drejtim, bëhet ndarja e
    mbeturinave, e cila mund të arrihet me shumë pak
    shpenzime duke i kërkuar banorëve që ta bëjnë që në
    shtëpi, ose me më shumë shpenzime në qëndrat, që
    komunat caktojnë për këtë qëllim. Ndarja është veçimi
    nga njëra-tjetra i mbeturinave biologjike, të qelqit,
    të letrës, të plastikës, të metaleve etj. Kjo nuk
    kërkon që kryetari i bashkisë t'u bëjë thirrje
    qytetarëve për të hedhur mbeturinat shtëpiake pas orës
    22.00, por kërkon zgjidhje konkrete të këtij problemi
    duke rritur numrin e vëndeve të hedhjes së këtyre
    mbeturinave duke i disiplinuar në vende të posaçme
    llojet e mbeturinave të lartpërmendura, që qytetarët
    të kenë ku t'i hedhin, për mos i flakur nga dritaret e
    kateve të sipërme të banesave.
    Mbeturinat biologjike shkatërrohen në përgjithësi duke
    i futur në gropa të mëdha, ku me kalimin e kohës ato
    shëndrrohen në pleh për bujqësinë.
    Qelqi ëhtë material i përsosur për ripërdorim.
    Ambalazhet mund të përdoren thjeshtë duke i pastruar,
    por në të njëjtën kohë mund të arrihet në punishte të
    vogla që nuk kërkojnë shumë investime: bluarja,
    shkrirja dhe riformimi i ambalazheve. Gjithashtu kohët
    e fundit përdorimi i qelqit të grirë ka gjetur një
    zbatim të gjërë në industrinë e ndërtimit.
    Përsa i përket letrës ajo riciklohet gjithashtu, duke
    kaluar në format e njohura të prodhimit të saj (lagie,
    brumim etj).
    Plastika është një material shum praktik si ambalazh,
    por në djegie lëshon sasi shumë të mëdha dioksine. Në
    këtë kuadër doganat tona duhet të përpiqen për të
    shmangur krejtësisht hyrjen e mallrave me amballazhe
    që përmbajnë PVC, pasi janë të rrezikshme në djegie,
    duke favorizuar hyrjen e mallrave me ambalazhe
    plastike të riciklueshme si p.sh. PET;PES. Pa çka se
    kjo do të cënojë interesat kontraktuese të
    biznesmenëve të artikullit të vajit, le të themi, apo
    të ujit mineral që vjen nga Greqia.
    Padyshim që kjo kërkon angazhimin serioz të
    gjithësecilit, në lidhje me disiplinimin në ndarjen
    dhe hedhjen e mbeturinave shtëpiake, por nga ana
    tjetër kërkohet një vëmëndje shumë më e madhe nga
    bashkitë dhe komunat, për marrjen e masave të
    menjëhershme për të krijuar kushte të përshtatshme dhe
    lehtësira për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve për
    minimizimin e këtij fenomeni kriminal në fushën e
    ambientit.
    Duam të themi se problemet e ndotjes së mjedisit dhe
    krimet në fushën e tij janë shumë më të mëdha në numër
    dhe prekin që të gjitha qytetet e vendit tonë.
    Sigurisht në disa vende ato janë më të mprehta, por
    ajo që dihet është se në Tiranë, ndotja ka marrë
    përmasa kriminale dhe se nuk po shohim përpjekje
    konkrete për të gjetur zgjidhje edhe pse njerzit
    tashmë të prekur nga pasojat po bëhen më të ndjeshëm
    ndaj saj.
    Eshtë koha për të zbardhur hipokrizitë e paraqitura në
    programet elektorale nga partitë politike dhe të
    kryetarëve të bashkive mbi problemet e mjedisit, e
    ndoshta duhet t'i kujtojmë këtu kryetarit të bashkisë
    më të madhe në vend, meqë ka ardhur nga Parisi siç
    është shprehur kryeministri për të, se ish-
    kryebashkiaku i Parisit u kritikua shumë nga shtypi
    dhe analistët, sepse gjatë kohës që ai drejtoi
    bashkinë, nuk ndërtoi siç kish premtuar më shumë se
    160km(!) rrugica biçikletash në Paris, gjë që solli
    pakënaqësinë e ekologjistëve dhe që jepet si njëra nga
    arsyet e humbjes së tij.
    Nuk është një "luks" që mund t'ia lejojnë vetes vetëm
    vendet e pasura. Eshtë mirë që të mësojmë nga gabimet
    që vendet e perëndimit kanë bërë në disa fusha, për
    t'i zbatuar ndryshe në vendin tonë.
    Njohja nga shoqëria shqiptare e kërkesave të
    ekologjistëve dhe mediatizimi i disa skandaleve të
    mëdha të ndotjes së ambientit tashmë janë forcuar për
    të ndërtuar në opinionet e tyre arritje të thjeshta
    përballë politikave të mbrapshta që po ndiqen, përsa i
    përket mbrojtjes së ambientit. Këto duhet të
    përmblidhen në tre pika.
    1- Dëmtimet e mjedisit të ndodhura vitet e fundit në
    vendin tonë duhen të dënohen.
    2- Ndotja e mjedisit që vazhdon me përmasa galopante
    te ne duhet të dënohet.
    3- Rendi i natyrës së harruar të rivendoset. Duhet
    konsideruar që "mjediset natyrale" bëjnë tashmë pjesë
    në pasurinë e përbashkët dhe janë bërë pasuri,
    njëkohësisht ideale dhe materiale, që meritojnë
    mbrojtjen e së drejtës dhe veçanërisht atë të
    përforcuar nga e drejta penale. E megjithatë është
    gabim të paraqesim nganjëherë këtë të drejtë si një e
    drejtë që do të mbronte në mënyrë të njëanshme
    natyrën, cilësinë e mjedisit të jetës, ekuilibrimet e
    mëdha ekologjike kundër agresioneve që vijnë nga
    aktiviteti njerëzor i paligjshëm për fitime
    individuale në kurriz të natyrës e shoqërisë.

    Gjenevë, 2005
    Miresia civilizon inteligjencen
    PUNEN E SOTME MOS E LE PER NESER

    “Po iu jap një porosi,
    Këmba e huaj keq iu rri,
    Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë, Çonu të gjithë në shërbim Shqiperis”

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-03-2005
    Postime
    41

    marrezia e pseudo ambjentalisteve shqiptar

    Marrëzia e pseudo-ambjentalistëve shqiptar
    nga adri nurellari
    gazeta metropol


    Prej disa ditësh për importimin e makinave të vjetra na duhet të paguajmë shumë më shumë se më përpara. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një tjetër masë në radhën e masave që merren në Shqipëri të kapërdira nga perëndimi pa u përshtatur aspak me realitetin. Në pamje te parë ky duket një veprim I arsyeshëm kur kemi parasysh ndotjen e madhe që ballafaqojmë çdo ditë ne Tiranë dhe në qytetet e tjera si dhe faktin që masa të ngjashme merren edhe në vendet e tjera.
    Mirëpo problemi qëndron tek fakti që ky veprim është haptazi diskriminues dhe nuk është detyrimisht zgjidhje e mirë për problemin. Për më tepër rëndon xhepat e pjesës më të varfër të shoqërisë, e cila nuk ka bol para që të blejë një makinë të re. Së pari në cilin studim është bazuar vendimi për të dekurajuar futjen në Shqipëri të makinave të vjetra kur dihet që makinat e e vjetra nuk janë shkaktaret kryesore të ndotjes, për mos të thënë që janë dëmtuesit më të parëndësishëm?
    Së dyti, a është motivi I vërtetë I këtij veprimi ulja e ndotjes apo thjesht favorizimi i dyqaneve koncensionare të makinave dhe rritja e të ardhurave të doganave?
    Për ti dhënë përgjigjë këtyre pyetjeve nevojitet që ti hidhet një sy shkaktarëve të tjerë të ndotjes së lartë në Tiranë dhe në qytetet e tjera.
    Një ndër problemet kryesore është përqëndrimi i madh urban që ka kondensuar në një sipërfaqje shumë të vogël një numër shumë të madh të popullsisë. Ky kondensim nuk është marrë fare parasysh nga urbanistët pasi çështjet e e trafikut rrugor janë lënë krejt pas dore në kuadrin e manisë për të ndërtuar. Rrugët e Tiranës janë ndërtuar në një kohë kur shqiptarët nuk mund të zotëronin makina private ndërkohë pallatet sot ndërtohen shumëkatëshe vend e pa vend pa patur një plan urbanist efikas e largpamës. Rrugët tona janë bërë problematike me këtë dendësi makinash ku çdo gati 17 persona kanë një makinë, por çdo të ndodh po qe se pasurohemi më shumë e blihen më shumë makina.
    Po kështu mungesa e parkimeve është një ndër nxitësit kryesorë të sasisë së trafikut në rrugët tona. Një shoferi I duhet të endet për një kohë të gjatë në Tiranë për të gjetur një parkim, ndërkohë që prania e më shumë vendeve për parkime të shpërndarë në gjithë Tiranë do të ulte shumë trafikun. Porse jo vetëm që nuk parashikohen sheshe ndërtimi për parkime por edhe një pjesë e mirë e pallateve të reja ose janë ndërtuar pa garazhe ose garazhet I kanë të shndërruara në dyqane.
    Një tjetër masë që do të pakësonte trafikun është ndryshimi i infrastrukturës rrugore në Tiranë. Ndërtimi I unazës së dyte dhe korridoreve të tjera që shmangin qëndrën dhe lejojnë makinat që të ecin në periferi e mos të kalojnë medoemos afër statujës së Skënderbeut për të shkuar për shembull nga Durrësi për në Elbasan. Përqëndrimi I infrastrukturës në qëndër ka bërë edhe që edhe trafiku të përqëndrohet në qendër.
    Po kështu trafiku I çrregullt që çon në trafik të tepruar vjen edhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe bllokimeve në kryqëzime. Sikur policia ta rregullonte më mirë qarkullimin dhe të eleminonte kaosin që shkaktohen nga semaforët dhe policët që nuk funksionojnë siç duhet, do të kishim më pak trafik.
    Përpos çështjeve të trafikut, një tjetër shkaktar I rëndësishëm I ndotjes është mungesa e gjelbërimit. Parqet janë mushkëritë e qytetit pasi ato mund të neutralizojnë ndotjen që prodhohet. Por jo vetëm që nuk ndërtohen parqe të reja për të kompensuar për zgjerimin urban të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, por edhe ato zona të gjelbërta egzistuese jepen pa të keq si sheshe ndërtimi ose janë të zaptuara nga ndërtime pa leje. Po kështu pyjet shqiptare jepen në përdorim pa kurrfarë kriteri e kontrolli dhe lihet që Shqipëria te ketë nivelin më të lartë në Evropë të erozionit.
    Ndërkohë që trafiku dhe makinat mbeten problematike për ambjentin, harrohet që smogu shkaktohet edhe nga djegia e plehrave, rrotave të makinës apo gropat e gëlqeres për të cilat nuk merret kurrfarë mase. Për më tpër që pjesa më e madhe e ndotjes nuk shkaktohet nga tymi I dalë nga marmita e makinës por nga pluhuri dhe pisllëku që mbizotëron nëpër rrugët tona dhe që ngrihet në ajër nga ecja e rrotave të makinës. Nga një anë qëndrojnë ndërtimet e pareshtura që nuk pyesin për lëndën ndërtimore që përhapet anembanë dhe rrugët e dëmtuara nga makinat e rënda. Dhe në anën tjetër qëndron paaftësia e kompanive të pastrimit që duhet të largojnë pluhurin nga rrugët. Atëhere pse nuk merren masa të rrepta për të siguruar pastërtinë e rrugëve?
    Një tjetër nga shkaktarët kryesorë të ndotjes që me ose pa dashje lihet jashtë vendimit të marrë para pak kohe, është karburanti. Pra nuk është vetëm vjetërsia e makinës që shkakton ndotjen por edhe cilësia e benzinës apo naftës, prania në të e ujit, squfurit apo lëndëve të tjera. Por çështja e karburantit nuk merret në konsideratë pasi në të cënohen interesa goxha të mëdha dhe të ndjeshme që shkojnë përtej dobisë publike të cilësisë së ambjentit.
    Për rrjedhojë vendosja e barrës doganore më të lartë duke u bazuar tek vjetërsia e makinës është një veprim arbitrar që në fakt ka pak efekt. Aq më tepër që dihet se një makinë dallon nga tjetra edhe po qe se kanë të njëjtën vit prodhimi. Pra ka makina të vjetra që janë të mbajtura mirë ose modele cilësore automjetesh të vjetra që nxjerrin më pak tym se makina të tjera që janë më të reja.
    Përveçse është veprim diskriminator pa ndonjë dobi të madhe për ambjentin, vendimi për të vendosur taksa më të larta për makinat e vjetra është shoqëruar nga një sistem shumë i komplikuar për zhdoganimin. Ky sistem I turbullt do të lërë shumë hapësirë për arbitraritet dhe abuzime tek autoritetet doganore që veç ka për të shtuar korrupsionin në dogana.
    Në fakt si shihet qartë ky vendim dëmton interesat e individëve të thjeshtë që kanë ndër mend të blejnë një makinë të lirë sepse vetëm atë mund t’I lejojnë vetes dhe nuk ka për të sjelle ndonjë ndryshim në ndotjen e Shqipërisë por thjesht shërben si fasadë e qeverisë për të treguar se ajo po merret me ndotjen. Për të ulur siç duhet nivelin e ndotjes duhet që pikësëpari të merren masa të tjera goxha radikale, mirëpo kjo gjë do të cënonte interesat e shumë personave të rëndësishëm që falë qeverisë së sotme janë bërë pothuaj të paprekshëm.

Tema të Ngjashme

  1. Policët serbë dëshmuan për krimet në Kosovë
    Nga Florim07 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 14-04-2009, 18:41
  2. 25 Krimet me te medha te shekullit.
    Nga vagabondo_nyc në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-03-2007, 17:42
  3. Krimet e Rënda: Miliona USD drogë u investuan në Shqipëri
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 19-07-2006, 10:37
  4. KE: "Të dënohen krimet e rregjimit komunist"
    Nga Thatcher në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 05-02-2006, 11:24
  5. Del Ponte: Serbia e gatshme të gjykojë krimet e luftës
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-07-2004, 21:25

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •