Kreu i Arkivave publikon librin “Një dosje për Kadarenë”
Sinani: Te “Dosja K”, është fshehur Kadareja
Të gjitha dilemat, thashethemet, gojëdhënat, intrigat marrin fund. Disa do të kenë të drejtë, disa do të zhgënjehen.
Dje në libraritë e Tiranës doli në qarkullim “Një dosje për Kadarenë”, e cila zbulon dy anët: të mirat dhe të këqijat për shkrimtarin e njohur shqiptar. Kush ishin armiqtë dhe miqtë e Ismail Kadaresë? Ç’kanë bërë, dhe ç’kanë thënë për të? Të gjitha këto pikëpyetje gjenden në 400 faqe të hartuara nga Prof.Dr. Shaban Sinani. “Një dosje për Kadarenë”, një libër i botuar nga shtëpia botuese “OMSCA-1”, është sprova e parë për të vëzhguar nëpërmjet dokumentave marrëdhëniet e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe institucionet e atëhershme të diktaturës. I konceptuar në pesë kapituj, libri publikon për herë të parë rreth 38 dokumenta dhe një numër të konsiderueshëm faksimilesh, ç’ka shpjegon marrëdhëniet e vështira që ka pasur Ismail Kadare me nomenklaturën e lartë. Për gazetën “Panorama” autori i veprës “Një dosje për Kadarenë”, Shaban Sinani, tregon të gjitha detajet rrëth realizimit të kësaj vepre.
Publikohet vepra juaj “Një dosje për Kadarenë”. Si mund t’ja shpjegoni me pak fjalë lexuesit botimit e tij?
Ky është një libër që përmban dy pjesë. Pjesa e parë është një trajtesë shkencore e letërsisë së shkrimtarit Ismail Kadare dhe përgjithsisht e letërsisë në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Ndërsa pjesa e dytë është letërsi dokumentare, ku janë përfshirë dokumente që dëshmojnë një proces të ndërlikuar, dëshmojnë një raport të vështirë, raportin midis politikës dhe letërsisë, raportin midis lirisë politike dhe lirisë së artit të vet. “Dosja K” është një centrifikim i pjesës së fshetë të këtyre raporteve dhe marrëdhënieve. Me pjesën e vetë dokumentare, libri ka për qëllim që ta lerë historinë të flas me gojën e vet. Paraqitja e dokumenteve është bërë në mënyrë teknokratike. Përpjekja ime, ka qenë që dokumentet të lexohen me mendjen e lexuesit dhe jo me mendjen e autorit të librit. Në këtë kuptim, është një libër i hapur jo vetëm për mënyra të ndryshme të të lexuarit dhe të kuptuarit, por edhe për të nxitur kërkime, duke marrë si pikënisje dokumentet që ai përmban. Libri nuk pretendon shterrimin e burimeve për këtë raport të vështirë, sepse burime si këto duhet të ketë me siguri edhe në arkiva të tjerë. Dokumentet që përmban libri janë kryesisht të kontrollit politik dhe të letrësisë, nuk ka dokumente të kontrollit policesk. Këto janë objekt i një kërkimi tjetër, që ndoshta dikush do ta bëjë në të ardhmen. Titulli i librit, “Dosja K” është një dosje për Kadarenë, por duhet kuptuar, si një dosje për letërsinë shqipe. Është zgjedhur Kadareja si përfaqësuesi më i mirë i kësaj letërsie, për të dhënë mundësinë që dritarja që hapet të jetë sa më e mirë për të shkuarën. Për mua është një libër i mundimshëm, i vështirë, i tendosur, është një libër që ka respektuar të gjithë faktorët, protagonistët, personazhet, të vërtetat , sigurisht që jo të gjitha të vërtetat e tij janë të këndshme, për të mos thënë që një pjesë e mirë janë fare të pakëndshme.
A mendoni se lexuesi ka qartësinë e duhur për të shmangur keqkuptimet?
Mund të ketë keqkuptime dhe unë e kam krejtësisht të qartë këtë gjë. Ajo, që kam marrë përsipër që unë të bëj, është të jem korrekt me lexuesin , i qartë në çfarë kam shkruar, dhe i paanshëm në çfarë kanë shkruar të tjerët. Unë jam shumë i interesuar nëse dikujt do t’i pëlqejë ose jo, sepse është në parimet e mia, që të marr me të mirë lexuesin. Marrja me të mirë e lexuesit mund të bëhet me kompromise dhe në të mirë të së vërtetës. a.m
Ende nuk kish mësuar se nëpër libraritë e Tiranës, ishin orët e para, që qarkullonin “thashetheme” për të.
Libri që flet sa mirë aq edhe keq për të, nuk kishte mbërritur ende në duart e tij. Telefonata jonë ndoshta e befasoi paksa, ashtu sikurse dhe lajmi për botimin e librit “Një dosje për Kadarenë”. Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në një intervisë të dhënë dje për gazetën “Panorama” shpjegon përshtypjet e tij, për këtë botim të ri. Edhe pse pa shumë dëshirë për të folur, Kadare tregon se “Dosja K” nuk i jep aspak kënaqësi.
Shtëpia botuese “Omska” sot (dje)pasdite ka hedhur në qarkullim librin “Një dosje për Kadarenë”. Si e prisni botimin e tij?
Të them të drejtën nuk kam ç’të them ndonjë gjë konkrete, pasi mendimet e mia unë i kam thënë për këtë problem. Nuk jam unë që duhet të pyetem në këtë rast. Vetëm do të jetë mirë nëse ky libër do të ndihmoj në pastrimin e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare.
Jeni shprehur kohë më parë për gazetën tonë, se ato ç’ka keni nga “Dosja K” ju kanë ngjallur një ndjenjë të keqe…
Natyrisht kur njeriu zbulon gjëra që janë të hidhura, të shëmtuara të fshehta, ndjesia e parë në këtë rast ka qenë një ndjesi e keqe, pavarësisht se ka tipa të ndryshëm. Unë nuk kam dëshirë, madje ju tani më pyesni dhe unë nuk kam dëshirë të flas për këtë. Kjo është vërtetuar derisa është dëshmuar që unë vërtetë kur kam qenë në arkiv kam qëndruar vetëm një çerek ore atje dhe s’kam dashur të qëndroj më tepër, atëherë do të thotë se jam i sinqertë kur them se nuk kam dëshirë të flas.
Tani që libri ka dalë nëpër libraritë dhe do të jetë në duar të shumë lexuesve, prisni ndonjë furtunë të madhe apo ndonjë furtunë në “gotë”, sikurse edhe jeni shprehur?
Të them të drejtën nuk e mendoj këtë gjë dhe nuk ka asnjë arsye për të patur ndonjë furtunë, në qoftë se njerëzit artificialisht duan të krijojnë furtuna le të krijojnë, mua kjo nuk më prek.
A mendoni se letërsia do të fillojë të çlirohet dhe hapi tjetër duhet të ishte një botim i tillë?
(Qesh).Ndoshta.
Parlamenti pak vjet më parë bllokoi hapjen e dosjeve për politikanët. Botimi i këtij libri sa prisni të përfaqsohet në debate poltike?
Ndoshta mund t’i zgjoj mendime parlamentarëve tanë, qoftë për mirë apo për keq, me sa duket derisa e kthyen mbrapsh ligjin tani për tani, kjo ka qenë një e keqe për demokracinë shqiptare.
Për “Dojen K”
Visar Zhiti: Libri dhe diktatura
Tani jemi përpara “një dosjeje” për Kadarenë, kështu e ka quajtur edhe autori i saj, prof.dr.Shaban Sinani, por vepra që kemi ndër duar, i ngjan një triadhe, e cila në pjesën hyrëse paraprihet nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike. Kjo pasohet nga disa intervista, dhënë në shtypin e ditës, ku autori i përgjigjet çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim. Pastaj vjen çudia, ku s’ka më as kritikë e as letërsi: në këtë pjesë janë qëmtuar dhe grupuar një sasi dokumentesh të dikurshme kundër letërsisë, pra, antishkrimet, survejimet në diktaturë të partisë mbi letërsinë e Kadaresë, një thuajse “antivepër”, një shtjellim i copërave të një “kundërvepre” të paimagjinueshme. Aty ka kontrolle çmendurake, censurë, ndërhyrje barbare,aq sa të duket se letërsia do të duhej të shkruhej nga shkrimtari dhe partia bashkë. Prandaj Kadareja, në fund të fundit është refuzuesi i pabindur, i pandreqshmi, kurajozi dhe i mbushuri me neveri për ta. Ndërsa në vetevete ai është shkrimtari që kërkon të bëjë dhe bën art të madh, të pavdekshëm, kur po vdisnin shumë gjëra të shtrenjta e të virtytshme.
Kadare tha para dy muajsh S’jam kurioz për “Dosjen K”
Vetëm pak kohë më parë në një intervistë të dhënë për gazetën tonë, shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur krahas të tjerash edhe për “Dosjen K”, se nuk dëshiron ta dijë se çfarë shkruhet në të.
A jeni kurioz ta lexoni “Dosjen K”?
Fare! Kam lexuar një pjesë. Nuk jam kurioz më. Më ka ngjallur një ndjenjë të keqe.
Po këto që janë botuar deri tani, si të janë dukur?
Nuk mbaj mend mirë se cilat janë botuar. Por di të them se e gjithë ajo është një gjë e trishtueshme. Një ndjenjë jo e mirë. Disa ditë do të jesh shumë i trishtuar nëse e lexon. Këtë herë që kam ardhur, në ndryshim nga hera tjetër, nuk kam dashur ta lexoj. Ajo është një dosje e rëndësishme, sepse ajo nuk është dosje profesionale e policisë së fshehtë. Ajo është dosje e partisë. Aty janë njerëz që nuk i detyronte askush. Pra e bënin këtë me iniciativë personale. Ana shoqërore është shumë e rëndësishme. Ajo s’ka të bëjë me atë ingranazh që diskutohet nëse duhet të hapen apo jo dosjet, që të mo dalin agjentët, të mos dalin spiunët. Atje spiunë nuk ka. Emri spiunit atje shënohet “Burimi”. Atje, emrat e tjerë janë interesant, sepse shkruhet që x apo y i thanë “Burimit”. Këtu nuk dihet nëse ja thanë burimit për ta çuar atje ku duhet…. Plus relacionet e gjata të institucioneve janë shumë të rëndësishme. Mbledhjet sekrete të institucioneve janë shumë të rëndësishme për historinë e letërsisë shqipe. Ç’diskutohej në mbledhjet e fshehta? Kam ngulur këmbë për hapjen e arkivave. Duhet shpjeguar pse dhe si kanë ndodhur dhjetra mbledhje të fshehta monstruoze që janë bërë. Këto s’do t’i nxjerrë njeri. Pra, duhet të dihet ç’kanë folur njerëzit në to. Ç’ka thënë ky e ç’ka thënë ai. Kjo përmban një të vërtetë shumë e të çmuar, që ka humbur, sepse del pak a shumë historia e psiqikës shqiptare.
Dy letra, pro dhe kundër, shkrimtarit
Letra e dytë
“Poezia është alarmante. Duket sikur ka ndodhur një kob i madh. Ne nuk mund ta botojmë këtë poezi edhe për arsye se Partia akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër komplotistëve politikë e ekonomikë, as në “Zëri i Popullit”, dhe as në organe të tjera. Autori mund të hyjë në konflikt me redaksinë”.
Shoku Pirro,
Po të dërgoj një vjershë të I.Kadaresë. Unë e Lexova. Kam këto vërejtje:
1. Është tepër alarmante. Duket sikur ka ndodhur një kob i madh e një gjëmë e madhe, apo një kundërrevolucion dhe Byroja Politike mblidhet papritur për ta shtypur.
2. Jepet përshtypja sikur ky kundërrevolucion ka pushtuar ministritë dhe punëtorët po i rimarrin ato. Dhe Partia duket sikur nuk sundon.
3. Identifikohen komplotistët me burokratët.
4. Në fund, ne nuk mund ta botojmë edhe për arsye se Partia akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër komplotistëve politikë e ekonomikë, as në “Zëri i Popullit” dhe as në organe të tjera. Edhe redaksia e “Dritës” nuk mund ta botojë. Ishte në shtyp, por u hoq. Poezia ka edhe një ankth të madh, duket sikur kushedi çka ndodhur!
Me tërheqjen nga shtypi, autori mund të bjerë në konflikt me redaksinë, mund të bëjë bujë e mund të shajë këtë apo atë! Unë kështu mendoj. Duro Mustafaj, që sapo erdhi nga shërbimi, e lexoi dhe e hoqi nga shtypshkronja. Për këtë më informoi dhe ma dha ta lexoja.
Lexojeni, dhe, nëse jeni dakord më, njoftoni. Të fala Driteroi 16.10.1975
Letra e parë
“Kronikë në gur” s’është ngritur fare mbi tipiken,por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është një vepër surrealiste. Tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë mund të mos provokohet, por gjithçka të bëhet pa rënë në sy. Ai roman të hiqet menjëherë nga qarkullimi”
Republika popullore e Shqipërisë
Shoku Ramiz Alia,
Jam një mësues letërsie. Jam shumë i ri në moshë, 23 vjeç. Babai im është komunist i 1943-shit dhe më ka mësuar të jem i ndershëm dhe i partishëm. Lexova romanin e I. Kadaresë “Kronikë në gur”. Mendoj që vepra s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Pra, si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është një vepër surrealiste. Unë lexoj në tri gjuhë të huaja dhe surrealizmin, në qoftë se nuk e njoh shumë mirë, e njoh mirë. Duke qenë se në jetën time unë zgjodha detyrën që t’i rri pranë me çdo kusht Partisë sime, sepse nuk kam asgjë më të shtrenjtë se ky popull e kjo Parti, dhe se ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për lumturinë time dhe të shokëve të mi, i prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre, që nuk është e zakonshme për I.Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si komunist i ardhshëm, mendoj se ai roman të hiqet menjëherë nga qarkullimi.
Unë kam përgatitur një artikull, jo me qëllim botimi (tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë mund të mos provokohet, por gjithçka të bëhet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset si personalitet), dhe do t’jua sjell menjëherë, në qoftë se Partia e merr të drejtë mendimin tim. Gjithashtu unë jam një letrar i ri. Tani del në qarkullim vëllimi im me poezi, për botim është dhe i dyti, dhe dy drama. Pra, unë jam në hapat e mi të parë. Ky artikull, po të çohej në ndonjë institucion, do më kushtonte shtrenjtë, sepse kundër meje mund të hakmerreshin. ...
Përshëndetje revolucionare
Juaji, N
ënshkrimi Berat, 28.6.1971
Krijoni Kontakt