Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Kontributi Orthodhoks në çështje themeleore botërore

    Konferenca “Teologjia Orthodhokse moderne: Vizioni dhe Perspektivat”

    Bukuresht 9 - 12.11.2003

    KONTRIBUTI ORTHODHOKS NE ÇESHTJE THEMELORE BOTERORE

    - Shënime duke iu referuar mendimit të At Dumitru Staniloae -

    nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
    Prof. Dr. Anastasi


    “Theologjia e së nesërmes - po e filloj me një thënie të At Staniloae - duhet të jetë e hapur ndaj realitetit historik dhe mondan, por njëkohësisht duhet të jetë shpirtërore. Ajo duhet t’i ndihmojë të gjithë të krishterët për të bërë të tyre një spiritualitet të ri, në raport të drejtë edhe ndaj përmasave mbarëbotërore të shkencës dhe teknologjisë, edhe ndaj bashkësisë botërore njerëzore”.

    Natyrisht, shumë kundërshtojnë duke pëshpëritur se, për Kishat e ndryshme Orthodhokse Autoqefale, të cilat përballojnë aq shumë probleme me karakter lokal, marrja me çështjet mbarëbotërore, qoftë dhe teorikisht, përbën luks.

    Përgjigjja ndaj këtij objeksioni është e dyfishtë: Së pari, asnjë vend nuk rron i mbyllur hermetikisht, i izoluar nga problemet e mëdha, me të cilat përballet bota moderne. Çdo komb ndikohet, direkt apo indirekt, nga ato. Çdo bashkësi njerëzore është pjesë e mbarë njerëzimit dhe, me teknologjinë moderne dhe zhvillimet ekonomike, varësia e ndërsjelltë e popujve është një fakt i padiskutueshëm.

    Së dyti, teologjia orthodhokse, si teologji e Kishës, “e cila është trupi i Tij (i Krishtit), përmbushja e atij që përmbush çdo gjë në gjithçka” (Efes. 1:23), me interesimin e saj përfshin ecjen dhe preokupimin e mbarë gjinisë njerëzore. Kufizimi në një shpresëtari private ose edhe kombëtare, do të ishte mohim i rolit dhe i përgjegjësisë së saj. Kjo do t’u shërbente atyre, që me strategjinë e tyre kërkojnë ta mënjanojnë Kishën nga jeta.

    Në një referat të shkurtër, sigurisht, nuk mund të prekësh tërë gamën e problemeve mbarëbotërore. Do të kufizohem të kujtoj në mënyrë indikative disa nga këto probleme, duke theksuar në vazhdim disa pika, për të cilat mendoj që ne Orthodhoksët duhet të tregojmë kujdes në përballimin e kushteve të reja botërore.

    1. Po e nis me një çështje, që është veçanërisht e lidhur me Bukureshtin. Në vitin 1974 në këtë qytet u organizua nga seksioni “Kisha dhe Shoqëria” i Këshillit Botëror të Kishave, një konferencë me rëndësi, e cila ndikoi në zhvillimet e mëtejshme lidhur me çështjet ambjentaliste. Në të morën pjesë shkencëtarë (ekonomistë, përfaqësues të shkencave natyrore dhe teologë), të cilët diskutuan mbi pasojat e studimit “Limite për zhvillimin” (Limits to Growth), që kishte dalë në qarkullim pak kohë më parë. Konferenca e Bukureshtit solli nocionin e jetëgjatësisë (sustainability), idenë e një zhvillimi që mund të eci vetë për një kohë të gjatë, nga ana ekonomike dhe mjedisore. Ky propozim më pas zuri një vend qendror në kërkimet ndërkombëtare përkatëse.

    Ndalesa tjetër e rëndësishme ka qenë konferenca e organizuar nga Programi “Drejtësi, paqe dhe integritet i krijesës”, në Granvollen të Norvegjisë, në vitin 1988. Në këtë takim, zëri i Orthodhoksëve ka qenë përcaktues në zgjerimin e tezave teologjike dhe biblike. Konkluzionet e saj ndihmuan më gjerë familjen e krishterë për të kuptuar rëndësinë jetike të pikëpamjeve teologjike orthodhokse lidhur me mjedisin natyror. Që në fillim të dhjetëvjeçarit 1990, Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik Vartholomeu ndërmori një sërë nismash për thellimin e mëtejshëm teologjik në studimin e problemeve ekologjike dhe në sensibilizimin e opinionit publik.

    2. Në dekorin e ri që krijon zhvillimi ekonomik botëror, tepër tragjik del në pah skandali i varfërisë. Gjatë vitit që mbyllet, pothuajse gjysma e njerëzimit ka jetuar me më pak se dy dollarë në ditë, ndërsa mbi 800 milionë njerëz vuajnë nga pamjaftueshmëria e theksuar e të ushqyerit. Skamja nuk kufizohet vetëm në mungesën e ushqimeve, por përfshin edhe privimin nga të mirat e dijes. Analfabetët përbëjnë 70 % të popullsisë së botës.

    Problemi i varfërisë merr gjithnjë e më shumë përmasa edhe më komplekse, të cilat i komplikojnë më tepër pikëpamjet ekonomiko-politike dhe praktikat e të fuqishmëve. Skamja çon në poshtërimin e dinjitetit të personit njerëzor. Fakt ky me rëndësi kryesisht shpirtërore, që nuk mund t’i lërë indiferentë të krishterët nëpër botë. Në ritmet e sotme të përhapjes shumë të shpejtë të informacioneve, nuk mund të pretendojmë se po injorojmë shtrirjen tepër të madhe të varfërisë në planetin tonë. Dhe, sigurisht, askush nuk ka më të drejtë të thotë “nuk më preokupon kjo çështje”.

    Ndaj dy çështjeve botërore që përmendëm, qëndrimi i të krishterëve është i qartë dhe unik. Por, ka dy çështje të tjera, në përballimin e të cilave vërehen mendime të diferencuara.

    3. I pari është globalizimi i shumëdiskutuar. Ky term përdoret nga palë të ndryshme me ngjyrime të larmishme kuptimore. Por, përgjithësisht, pranohet se ky proces, që përshpejtohet me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë, ka ndikime edhe pozitive, edhe negative. Ndikimet pozitive (p.sh. përparimi i shkencave, lëvizja shumë e shpejtë e të mirave dhe e arritjeve të reja, zhdukja e largësisë, lehtësimi i solidaritetit të popujve), si të vetëkuptueshme, nuk janë shumë të diskutuara. Ato negative (siç janë zgjerimi i hendekut midis vendeve dhe njerëzve të pasur dhe të varfër, minimi i kulturave, nënvleftësimi i identitetit të njerëzve dhe popujve, nxitja e kolonializmit të një forme të re), natyrisht, shqetësojnë më shumë dhe dënohen me shprehje të ashpra, si “plaçkitje planetare”, “tregtim përgjithësues i personave dhe sendeve”etj.

    Eshtë e njohur se Kisha lëviz në mënyrë dialektike brenda historisë - herë në mënyrë kundërshtuese, herë sintetizuese. Çdo përpjekje njerëzore është e brishtë dhe gjithçka mund të demonizohet - natyrisht edhe globalizimi. Por, njëkohësisht, mund dhe të rinovohet dhe të transformohet në ekumenizmin më Krishtin, me kontributin dhe praninë thelbësore të besimtarëve në ngjarjet botërore dhe jo me ndëshkimin arrogant të çdo njeriu që mendon ndryshe. Ajo që kërkohet është se si do të ndërhyjmë në këto procese në mënyrë krijuese dhe pozitive. Për të ofruar një qëndresë me kualitet, me qëllim që njerëzimi në vend që të ecë në një tip globalizimi që i shndërron popujt dhe njerëzit në një masë të vlefshme për qëllimet ekonomike të një oligarkie anonime, të luftojmë që t’i shmangemi një globalizimi mjerimi dhe dhune dhe të ecim në një globalizim solidariteti, paqeje dhe dashurie.

    4. Diskutime edhe më të mëdha ka shkaktuar pjesëmarrja e Orthodhoksëve në përpjekjet e dialogut ndërfetar dhe në nismat e ndryshme për paqe mbarëbotërore. Sigurisht, për forcimin e përpjekjeve paqësore në rang botëror, të gjithë janë dakord, se imponohet kultivimi i një klime të butë ndërmjet pasuesve të feve të ndryshme. Një paqe mbarëbotërore afatgjatë nuk mund të realizohet pa paqen ndërmjet besimeve fetare.

    Natyrisht, në dialogët ndërkristianë dhe ndërfetarë, nuk kemi për të mohuar identitetin tonë. Ajo që kërkohet mbetet se si mund të punosh esencialisht, duke marrë frymëzim nga bindjet e tua fetare, për bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe popujve në botën e sotme. Në Shqipëri, një vend ku tradicionalisht myslimanët përbëjnë shumicën, përveç dialogëve akademikë, kemi zbuluar vlerën e “dialogut të përditshëm të jetës”. Madje, rëndësinë e heshtjes, me një bashkudhëtim plot dashuri në problemet e përbashkëta të jetës dhe të vdekjes. Gjithsesi, kontributi i Orthodhoksëve në takimet ndërfetare është tashmë tepër i rëndësishëm dhe duhet të vazhdojë, edhe në vitet që vijnë, me seriozitet dhe durim.

    Lista e problemeve që përballon bota moderne është shumë e gjatë. Po kujtoj disa nga këto probleme: Pluralizmi - racor, kulturor, fetar - që zhvillohet krahas uniformitetit që sjell globalizimi ekonomik; tërësia e dilemave që krijon bioteknologjia moderne; mundësitë dhe rreziqet nga mënyrat e reja të komunikimit, pasojat kulturore dhe shpirtërore të revolucionit elektronik në përcjelljen e lajmeve, teknofilia dhe teknofobia, kuadri i ri i informimit dhe i përhapjes së ideve nëpërmjet Internetit, ku kombinohet fjala, figura, lëvizja etj.


    B

    Përderisa bëjmë pjesë, sipas vetëndërgjegjësimit tonë, në “një Kishë të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike”, kemi dukshëm detyrimin për t’u interesuar për ecurinë e mbarë botës dhe të kontribuojmë, në masën e mundësive tona, në zbërthimin e problemeve dhe, sa është e mundur, në një propozim zgjidhjesh. Veç kësaj, preokupimi teologjik me perspektivë mbarëbotëroren, ndihmon në përballimin e drejtë edhe të problemeve në nivel vendor. Spiritualiteti orthodhoks i hap tejpërtej horizontin besimtarit. Siç konfirmon Shën Grigor Pallamai, njeriu që ndriçohet nga drita e pakrijuar përqafon brenda tij mbarë krijesën dhe fiton dashurinë e përsosur.

    1. Sot ekziston një përshtypje e përgjithshme se teologjia orthodhokse duhet të shtrijë horizontet e saj edhe tek problemet e njerëzimit si tërësi. Dhe duke vlerësuar traditën e Etërve të Shenjtë, të ofrojë baza dhe ide teologjike të reja për të përballuar problemet botërore që dalin. Udhërrëfyes për këtë përpjekje është shembulli i At Staniloae, i cili studioi Shën Grigor Pallamain
    dhe Etër të tjerë, në mënyrë krijuese dhe me interes për mbarë globin. Që t’i referohem përsëri një shprehjeje të tij, teologjia orthodhokse duhet të jetë “një teologji që interesohet të ofrojë themele gjithnjë e më të thella për bashkëpunimin njerëzor dhe në shërbim të të gjithë gjinisë njerëzore”.

    2. Mendimi teologjik, i cili përqafon mbarë botën, është koha që të përcillet si duhet edhe tek grigja orthodhokse, që të ndikojë në mentalitetin dhe sjelljen e saj. Kërkohet që të informojmë drejt organizmin kishtar dhe të ndihmojmë besimtarët orthodhoksë për të ndjekur gjithçka ndodh, si në nivel lokal ashtu dhe në atë mbarëbotëror. Problemet e rëndësishme botërore i kanë rrënjët e tyre në kushtet vendore. Përballimi thelbësor i tyre fillon në rrethin e ngushtë të vendit tonë, që interesimi ynë të shtrihet në rrethe më të gjera në mbarë rruzullin...

    3. Për rëndësinë e jetës liturgjike është folur gjatë. Këtë çast do të doja të theksoja nevojën e përjetimit të Liturgjisë Hyjnore në konsekuencat dhe përmasat e saj botërore. Nuk lejohet që Kisha të jetë një bashkësi e fortifikuar, e izoluar. Ajo ekziston dhe lutet “në favor të mbarë botës”. Ofron Eukaristinë e saj kryesore “për mbarë rruzullin”. Liturgjia e Kishës e ngre të gjithë botën drejt Perëndisë...

    Një pozicion i tillë i ndërgjegjshëm nga ana kishtare ndihmon në përballimin e drejtë të problemeve që dalin në hapësirën e Pemantikës Orthodhokse. Duhet të pohoj se vendime kritike, që u desh të merreshin në Kishën krejt të rrënuar të Shqipërisë, u mbështetën në një preokupim teologjik, siç ishte gatishmëria ndaj të papriturës, që u shfaq nga valët e refugjatëve nga Kosova.

    4. Ajo që mbetet problem kardinal për njeriun është pyetja për kuptimin e jetës, dëshira për kapërcimin e vdekjes, për lartësim shpirtëror. Shpirti i njeriut - në çdo vend dhe kohë që lëviz - kërkon Qenien e qenësishme, pa të Cilin ekzistenca njerëzore nuk përmbushet. Kemi të bëjmë me një nevojë mbarënjerëzore. Edhe Orthodhoksia ka përgjegjësi shumë të madhe që t’i përgjigjet këtij kërkimi ekzistencial, në një veprimtari apostolike mbarëbotërore. Që të shtrihet në çdo cep të tokës, “në të gjitha kombet”, prania e komunitetit Eukaristik të besimtarëve - që përjeton shpëtimin nga prishja dhe shpall se Mbretëria e Perëndisë ka ardhur dhe po vjen.

    ...Kërkohet bashkëpunimi i ngushtë dhe bashkudhëtimi harmonik i të gjithë Orthodhoksëve kudo në botë. Me gjithë përputhjen tonë në nivelin teologjik, se bëjmë pjesë në një Kishë, shpesh në praktikë vazhdojmë të mbetemi të izoluar dhe të plogësht. Sigurisht, mjaft përpjekje janë bërë në dhjetëvjeçarët e fundit me iniciativën e Patriarkanës Ekumenike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale. Ashtu si dhe me konferenca të ndryshme teologjike të Fakulteteve Teologjike, si kjo e tanishmja. Por, vazhdimi ka qenë anemik. Për probleme botërore bazë, ne Orthodhoksët merremi në mënyrë fragmentare, në kuadrin e bisedimeve të kryera në organizmat ndërkristiane. Edhe ky është një progres, por i pamjaftueshëm. Ekzistojnë mundësi më të mëdha të preokupimit të përbashkët, të veprimtarisë së përbashkët, të “dëshmisë” së përbashkët, dhe duhet të mendojmë për krijimin e organizmave të posaçëm mbarorthodhoksë.

    5. Në diskutimet dhe propozimet për përballimin e problemeve ndërkombëtare, protagonistë zakonisht janë agnosticistë intelektualë, të cilët monopolizojnë diskutimet dhe vendimet ndërkombëtare. Eshtë e nevojshme që të përforcojmë praninë dhe zërin orthodhoks. Këtu gjendet një mision i veçantë i laikëve - shkencëtarë, afaristë, artistë - që zhvillojnë aktivitetin e tyre në mjedise ndërkombëtare. Imponohet që të fuqizohet pjesëmarrja e tyre aktive në konferenca shkencore, kulturore, politike, duke patur si perspektivë përcjelljen e vizionit dhe të fuqisë së Orthodhoksisë në brumosjet e sotme botërore. Teologjia, duke frymëzuar tërë organizmin kishtar, në të kaluarën ka krijuar kulturën.

    At Staniloae në mënyrë të goditur, ka theksuar: “Problemi më i rëndësishëm për teologjinë e nesërme Orthodhokse do të jetë që të pajtojë vizionin botëror të Etërve me një vizion që zhvillohet nga rezultatet e shkencave natyrore”. Shkenca zbulon sekrete të reja, jep përgjigje të reja dhe vë pikëpyetje të reja, ndërsa teknologjia sot krijon vazhdimisht mundësi të reja ndërlidhjeje të të gjithë banorëve të tokës.

    6. Së fundi, nuk duhet harruar për asnjë çast se kultivimi i shpirtit të njeriut është parakushti i solidaritetit shoqëror dhe i lartësimit shpirtëror të njerëzimit. Këtu fekondohen ide, vendime, stimuj. Në këtë fushë, kontributi i Kishës Orthodhokse - sigurisht dhe i Kishave të tjera - është përcaktues. Besimi i gjallë rrit së tepërmi respektin ndaj njeriut pranë, zhvillon dashurinë e sinqertë tej çdo limiti dhe kufizimi, duke i dhënë asaj një thellësi dhe lartësi të pakonceptueshme, duke e identifikuar me Qenien e qenësishme, Perëndinë Triadik, që zbulohet si shoqëri dashurie...

    Kontributi më i madh i Kishës në problemet botërore bazë është se në gjirin e saj lindin dhe piqen njerëz të besimit ndaj Perëndisë së dashurisë, të cilët i përdorin talentet dhe mundësitë e tyre me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, me dëshirë për vetësakrificë dhe dashuri pa hipokrizi ndaj të tjerëve, me aspiratë të sinqertë për drejtësi dhe paqe mbarëbotërore. Në një botë, e cila ofron shumë elemente të dashurisë, Kisha e Krishtit përbën burim dashurie autentike dhe të vërtetë. Ky mbetet elementi më i fuqishëm i kontributit, si në nivel lokal ashtu dhe në atë botëror...

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    PJESEMARRJA E PËRHERSHME E BESIMIT TË KRISHTERË NË NDËRTIMIN E EVROPËS

    A

    Qytetërimi evropian është rezultat i një procesi shumëvjeçar, gjatë të cilit janë prezantuar, kanë mbizotëruar, janë kontestuar dhe janë hedhur tej elementë të ndryshëm. Shumë vlera shpirtërore të tij kanë kaluar një peripeci të madhe dialogimesh. Ato që kanë mbijetuar, kanë dalë nga përvoja të tmerrshme luftërash dhe janë kalitur në furrën e konflikteve të ashpra.

    Evropa është një kompleks kontradiktash të pafund. Dëshira shpirtërore të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta lindin në Veri dhe në Jug, në Perëndim dhe në Lindje. Evropa vetëm kur e shohim nga lart tregon tërë shkëlqimin e saj... Fryma evropiane presupozon nocionin e harmonisë së bashkësisë evropiane... Vlera e madhe e kësaj bashkësie është fakti se arriti të bashkonte në një sintezë më të lartë kontradiktat që e përbëjnë.

    1. I përbashkët është konstatimi se në këtë sintezë rol parësor kanë luajtur fryma greke, romake dhe kristiane. Në mënyrë përmbledhëse do të mund të kujtonim se mendimi i lashtë grek ka kontribuar me idenë e demokracisë, të lirisë dhe të bukurisë, tradita romake me parimet e organizimit, të administratës dhe të së drejtës, ndërsa Krishterimi me fuqinë e besimit, të faljes dhe të dashurisë.

    Shpesh shkëpusim disa vlera shpirtërore dhe u japim atyre ekskluzivisht njërën apo tjetrën qytetari për nga prejardhja. Por, historikisht ato kanë ndikuar mbi njëra-tjetrën, kanë plotësuar njeratjetrën dhe, përfundimisht, bashkëjetojnë duke i lëshuar vend njëra-tjetrës. Madje edhe kur ato janë kontestuar nga njëra apo nga pala tjetër, janë evoluar dhe kanë arritur pjekuri Siç shkruan në mënyrë shprehëse Bruno Snell në librin e tij Zbulimi i frymës...: “Qytetërimi i Evropës mbështetet në faktin se grekët e lashtë kanë zbuluar format e ndryshme të këtij rendi (të rendit rigoroz që mbizotëron në botë): për intelektin është ligjshmëria, për shqisat është bukuria, për frymën aktive është drejtësia. Besimi se ekziston e vërteta, bukuria dhe drejtësia, megjithëse prania e tyre në botën tonë nuk është e papërzier, përbën trashëgiminë e pavdekshme të grekëve të lashtë që ruan edhe sot vlerën e saj”. Por, bota helene, duke arritur pas një trajektoreje të ndritshme në limitet e logjikës, kishte filluar të shihte se përtej saj shtrihet hapësira e paeksploruar e të parrëfyeshmes. Dhe arriti në ndërgjegjësim se në këtë hapësirë ishte e pamundur të depërtonte me forcat e veta.

    Me pjesëmarrjen dinamike të besimit të krishterë, kthesa bazë, pendimi i njerëzimit duhej kryer në drejtim të dashurisë së Perëndisë, të pakapshme nga mendja njerëzore, dashuri të cilën zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur së vdekuri. Krishterimi ofroi elemente të reja jetike, që ndihmuan më gjerë në zhvillimin e qytetërimit evropian. Po zgjedh tri karakteristika:

    Së pari, zbulimi i dinamikës së lirisë dhe dashurisë brenda historisë, që i vendosin në një bazë të re marrëdhëniet njerëzore dhe lidhjet me Perëndinë vetjak.

    Së dyti, besimi në diçka, që në pamje të parë duket logjikisht e pamundur. Një besim që çoi drejt një kërkimi në përgjithësi të së vërtetës - edhe të asaj shkencore - përtej fenomeneve dhe nevojave të thjeshta.

    Së treti, një tendancë e re, luftarake, një ftesë dhe një sfidë për tejkalim të vazhdueshëm në jetën shpirtërore, që shpalos të gjitha fuqitë njerëzore në ecjen e vazhdueshme transformuese të botës. Kjo shtrirje e mundësive njerëzore konsiston përherë në një zgjerim të përpjekjeve njerëzore, në një ecje kritike vetëtejkalimi, që bëhet karakteristikë e qytetërimit evropian.

    Tek kritika se Kishat e krishtera janë përgjegjëse për përçarjet, luftërat fetare, intolerancat etj., mund të vihet re se vërtet ka patur qarqe të krishtera që kanë shkaktuar situata tragjike dhe të dhembshme kur kanë keqinterpretuar dhe kanë shtrembëruar parimet e krishtera; por njëkohësisht nga Kisha kanë ardhur frymëzime të larta dhe kontribute, sa herë ajo ka përjetuar drejt vizionin e krishterë dhe misionin e saj.

    2. Mendimi juridik dhe zhvillimi legjislativ i Evropës, siç përmendëm më lart, i kanë themelet tek e drejta romake. Por, kjo e drejtë, pas dominimit të Krishterimit (shek. i 4-t), ka marrë ndikime të qarta nga idetë dhe parimet e krishtera dhe, më gjerë, nga atmosfera shpirtërore që e rrethonte, brenda së cilës u zhvillua që atëherë.

    Shkatërrimin e shtetit Perëndimor Romak (v. 476), e pasuan trazira shumëvjeçare, të cilat çuan në shkëputjen e Evropës Perëndimore nga mendimi i pastër juridik romak, me futjen e traditave zakonore të popujve të ashtuquajtur “barbarë”. Ndërkaq, legjislacioni romak vazhdoi të njihej në Perëndim nëpërmjet Kodit Theodhosian (Codex Theodosianus), i cili u botua në vitin 438, në kohën e Theodhosit II. Kjo traditë juridike ka qenë burimi bazë i së drejtës evropiano-perëndimore. Një burim i dytë serioz ka qenë e Drejta Kanonike e Kishës romanokatolike, që natyrisht ishte i ndikuar në shumë aspekte nga mendimi romak.

    Me rëndësi përcaktuese për shkencën juridike në përgjithësi ka qenë Kodi Justinian i së Drejtës Civile (Corpus Juris Civilis), i cili përfundoi në vitin 534, kodifikoi dhe përpunoi të drejtën romake që ishte në fuqi deri atëherë, por sanksionoi dhe dispozita të reja. Ky Kod u bë themeli i institucioneve juridike të Perandorisë Romake Lindore.

    Në Evropën Perëndimore rryma e re në kërkimet juridike erdhi në fund të shek. të 11-të dhe në fillim të shek. të 12-të, me zbulimin e përmbledhjeve legjislative të Justinianit. Kështu, “uji i jetës” i besimit të krishterë hyri nga drejtime të ndryshme në lumin e mendimit juridik të Evropës dhe kontribuoi në pllenimin e mëtejshëm të idealeve të drejtësisë, të barazisë, të lirisë, si dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut dhe, përgjithësisht, në ngritjen e institucioneve juridike të kontinentit tonë.

    3. Një arritje, për të cilën krenohet sot Evropa dhe që e pranon si themel të kulturës së saj dhe si kuadër përcaktues të legjislacionit dhe të organizimit të saj, janë deklaratat mbi të drejtat njerëzore. Me hyrjen në mijëvjeçarin e 3-të, i formuloi ato në Kartën tashmë të njohur “të të drejtave themelore të njeriut” të Bashkimit Evropian, që u shpall zyrtarisht në dhjetor të vitit 2000, në Nice.

    Sigurisht, në këtë proces kontribuan një sërë faktorësh. Por, nuk mund të vihet në diskutim fakti se lëvizja rreth të drejtave njerëzore dhe formulimet e veçanta janë kultivuar në ato ambiente kulturore, ku koshienca dhe subkoshienca e njerëzve ishin ndikuar nga doktrina e krishterë.

    Duke çuar përpara dhe duke lartësuar pikëpamjen e lashtë greke për vlerën e njeriut, mendimi i krishterë theksoi se dinjiteti njerëzor nuk është një krenari e papërcaktuar civile, por mbështetet në sigurinë se njeriu është në fakt person i shenjtë, krijim i Perëndisë vetjak. Dinjiteti i çdo njeriu nuk lidhet me mendjemadhësinë egoiste për individin e tij, por me ndjesinë e madhështisë njerëzore dhe limiteve të saj.

    Kontributi i besimit të krishterë ishte vendimtar në themelimin dhe zgjerimin e koncepteve të lirisë dhe të barazisë dhe ndikimi i tij po i tillë në legjislacionet e shteteve të Evropës.

    Sot, të gjitha Kishat e krishtera të Evropës i pranojnë dhe i përkrahin të drejtat njerëzore. Madje, Orthodhoksët, në Konferencën III Panorthodhokse Parasinodike (v. 1986) deklaruan se “meqenëse shpallim vazhdimisht bërjen njeri të Perëndisë dhe hyjnizimin e njeriut, mbrojmë të drejtat njerëzore për të gjithë njerëzit dhe për të gjithë popujt”. Si Krishterimi Lindor ashtu edhe ai Perëndimor kanë nxjerrë figura të shquara që përcaktuan gjerësinë e parimeve të drejtësisë, solidaritetit, pranimit të tjetrit, që është ndryshe, të bashkekzistencës paqësore, të tolerancës, të cilat sot konsiderohen vlera të vetëkuptueshme të kulturës evropiane dhe i kanë mbrojtur me trimëri. Gjithashtu, ata kontribuan në krijimin e ndërgjegjes së qytetarit të përgjegjshëm, i cili nuk rivendikon vetëm të drejtat, por përmbush detyrimet e tij me konsekuencë, ndershmëri dhe vërtetësi. Në mjedise të krijuara nga ide të tjera fetare, p.sh nga ajo indiane ose nga regjime që mohojnë plotësisht fenë, shpesh vihet re një apati, indiferencë, papërgjegjshmëri dhe pasivitet.

    Por, kontributi madhështor i besimit të krishterë ka qenë parimi i dashurisë me gjerësinë, thellësinë dhe lartësinë që iu dha konceptit të saj; dhe njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë që Kisha u ofroi miliona besimtarëve për ta përjetuar këtë dashuri.

    Karakteristikë e vitalitetit shpirtëror të kulturës evropiane është kërkimi i vazhdueshëm shpirtëror, qëndrimi kritik, dialogu, autokritika, përpjekja për kapërcimin e dështimit, sinteza dhe preokupimi ekumenik. Natyrisht, kjo lidhet me trashëgiminë e mendimit antik grek, por duhet të bëhet e njohur se në mënyrë vendimtare ka kontribuar edhe dinamika e mendimit dhe etikës së krishterë: predispozicioni i pendesës, pastrimit, përtëritjes.

    B

    1. Në ditët e sotme po jetojmë një zhvillim të mahnitshëm, i cili - për brezin tim që nisi të njihte botën në dyert e Adhit të Luftës së Dytë Botërore - ka qenë një ëndërr e guximshme: bashkimin e popujve evropianë me një vizion të ri të bashkekzistencës paqësore dhe të bashkëpunimit në bazë të vlerave dhe parimeve të pranuara bashkarisht.

    Që të lulëzonte dhe të jepte fryte ideja e unitetit evropian, u desh të kapërceheshin shumë paragjykime, mosbesime dhe psikoza të grupit, që i kultivuan rivalitetet shekullore dhe që mundonin popujt evropianë. Në këtë proces, kontribuan iniciativat e personalitete të jetës politike që frymëzoheshin nga besimi i krishterë, por, gjithashtu - në mënyrë direkte apo indirekte - klima që krijoi afrimi i Kishave të krishtera pas Luftës së Dytë Botërore në kuadrin e lëvizjes ekumenike. Subkoshienca e krishterë, madje edhe e shtresave të shekullarizuara të Evropës, u mbështet në parimet bazë, siç janë respektimi i lirisë dhe veçantisë së individëve dhe popujve, i demokracisë, i barazisë, i drejtësisë dhe i solidaritetit shoqëror.

    Krahas euforisë për Evropën e Bashkuar, lëviz edhe shqetësimi se ku ecën përfundimisht nga ana kulturore kontinenti ynë. Ndodhemi përsëri në një epokë kritike, në të cilën ka ngjashmëri të shumta me konfrontimin shpirtëror të shek. të 4-t pas Krishtit. Kontradikta e vjetër e mendimit të lashtë grek dhe atij të krishterë vjen përsëri me forma të reja, ndërmjet racionalizimit të shekullarizuar dhe eudemonizmit të sotëm nga njëra anë dhe besimit, jetës së krishterë, nga ana tjetër. Jemi të detyruar që, duke ecur në vijën e Etërve të Shenjtë, të cilët asimiluan dhe transformuan në mënyrë krijuese kulturën greke, të trajtojmë seriozisht preokupimin dhe “edukimin” e të tjerëve. Po kujtoj nxitjen e Shën Grigor Theologut që është bërë përsëri aktuale: “Gjëja e parë që duhet të synojmë është edukimi dhe mësimi me të mirat. Dhe nuk e kam fjalën vetëm me edukimin më fisnik, tonin (atë të krishterë) që... interesohet vetëm për shpëtimin..., por edhe për edukimin tjetër, të jashtmin (të grekëve të lashtë), që shumica e të krishterëve e konsiderojnë të neveritshëm duke e akuzuar se ky edukim është gjoja tinëzar dhe i gabuar dhe na çon larg Perëndisë; dhe i thonë këto sepse i njohin keq gjërat”.

    Nuk e injoroj diskutimin e gjerë dhe shpesh intensiv për rreziqet që fsheh rruga evropiane, për kontradiktën ndërmjet teologjisë perëndimore dhe asaj lindore dhe, më gjerë, të krishterimit. Nuk është vendi këtu të përmendim avantazhet dhe dizavatazhet e argumenteve që formulohen. Shumë shqetësohen se do shkatërrojë ndërgjegjen kombëtare. Të tjerë janë të mendimit se, përkundrazi, do mbrojë gjithçka të çmuar kemi trashëguar dhe do të ofrojë mundësi të reja për të zhvilluar çdo gjë më të mirë që fshehim brenda vetes.

    Një temë-kritike mbetet, sigurisht, se ç’rol do të luajnë në këtë proces Kishat e krishtera lokale. Pas entuziazmit të parë të pasluftës dhe interesimit për dialog dhe mirëkuptim të ndërsjelltë, gjatë viteve të fundit paraqitet rezerva në rritje nga shumë anë. Madje, u zhvillua dhe një ideologji specifike, e cila këmbëngul në ‘getofikimin’ ose, më mirë, në fortifikimin e Kishës lokale, duke kultivuar frikën nëpër ambiente të ndryshme fetare. Por, do të qe tepër e rrezikshme që, ndërsa forcat politike nxisin unitetin e qytetarëve të Evropës, duke mbështetur kështu paqen dhe sigurinë e kontinentit, komunitetet fetare të tentojnë të ngrejnë perde ndarëse me njëritjetrin. Diçka më keq: do të qe skandal. Skandali i dytë i madh pas skandalit të parë të shekullit të kaluar: kur shumë Kisha lokale qëndruan indiferente në luftën për drejtësi shoqërore.

    Sigurisht, problemet që shtrohen janë të shumta dhe të rëndësishme. Por, zgjidhjet e drejta ‘orthodhokse’ nuk do të gjenden nëpërmjet kritikave të vazhdueshme të “të tjerëve”, me sulme personale. Por, me një edukim serioz, studim të kujdesshëm të botës që ndryshon, dialog të durueshëm, mendim kritik, preokupim krijues theologjik, vizion dhe guxim; kryesisht me jetë korrekte dhe besim të gjallë.

    2. Pa dyshim, ka shumë rreziqe të mundshme. Konfuzioni i ideve, përzjerja specifike e racionalizmit të egër, e ulitarizmit dhe eudemonizmit ekonomik në fund të fundit e mënjanojnë njeriun dhe e çojnë individin drejt ankthit dhe dhunës. Sigurisht, problemet tona nuk i zgjidhin idetë përgjithësuese dhe gjuha ‘e thatë’, që në mënyrë mekanike përsërit fjalë të shenjta si demokraci, liri, bashkëpunim, shtet social etj. Po kush do të transmetojë ritëm jete, rrënqethje ngjalljeje? Kërkohet besim dhe entuziazëm. Optimizëm për të ardhmen e Evropës, besim tek njeriu. Dhe dashuri e vërtetë. Burim i pashtershëm për të dyja këto mbetet Kisha, “trupi mistik” i Krishtit - Perëndisë së dashurisë.

    Do të shtoja dhe diçka për të cilën disa flasin me qesëndi: elementin heroik, sakrifikues, që tregon kapërcimin e limiteve personale, kapërcimin e frikës, pësimin e vullnetshëm - me frymën e Kryqit brenda dritës së Ngjalljes - për t’i shërbyer dhe për të lartësuar të tërën. Edhe dy elemente të tjera për traditën tonë Orthodhokse marrin një aktualitet të jashtazakonshëm gjatë ditëve të sotme:

    a) Pikëpamja e Etërve për realitetin material që u lartësua dhe u shenjtërua nga Fjala e Perëndisë që u bë njeri. Në kundërshtim me doktrinën e sistemeve fetaro-filozofike indiane që e konsiderojnë botën si një fantazmagori [mirazh], besimi i krishterë e sheh si një realitet që kërkon respektin dhe kujdesin tonë të sinqertë. Eshtë fjala për një qëndrim me rëndësi imediate lidhur me kompleksin e problemeve ambientaliste të epokës së sotme.

    b) Morali i krishterë asketik, që është ruajtur në mënyrë më të theksuar në krishterimin lindor, përbën një ledh në përroin e konsumizmit që kërcënon të na sundojë jetën me akumulim gjërash pa vlerë, të cilat reklamohen si të nevojshme dhe inkurajojnë një hedonizëm të pakontrolluar. Në këtë rast historik, detyra jonë është që me pasurinë e trashëgimisë sonë teologjike dhe shpirtërore të vazhdojmë të marrim pjesë në ndërtimin e Evropës së re. Kontributi i Orthodhoksisë mund të rezultojë më se i dobishëm.

    Ndaj, detyra jonë është të ofrojmë, të ndajmë thesarët shpirtërorë të Orthodhoksisë lirisht, pa tendencë imponimi. Nuk ka rëndësi nëse nga ana statistikore jemi pakicë. E vërteta, qoftë dhe kur përfaqësohet nga pakicat, ruan rëndësinë dhe fuqinë e saj. Kisha e Krishtit, si “Trupi mistik i Tij, përmbushja e atij që përmbush çdo gjë në gjithçka” (Efes. 1:23), si dhe çdo qelizë e saj, çdo anëtar i saj, duhet që të ungjillëzohet me energjinë dhe praninë e gjallë të Perëndinjeriut brenda historisë, të veprojë me fuqinë e Tij, si faktor drejtësie, pajtimi, paqësimi dhe shprese. Njerëzimi ka nostalgji dhe kërkon një shenjtërim, plot butësi, që i bindet përherë porosisë përjetësisht paradoksale të Krishtit “t’i doni armiqtë tuaj” dhe nuk interesohet për goditjet me gurë të atyre që kanë mendim të kundërt.

    Qëndrimi ynë nuk ndodhet në një prapavijë mjerane. Ne kemi një rol të përgjegjshëm në pararojën shpirtërore të Evropës moderne. Të njerëzimit, do të shtoja unë. Parimet shpirtërore, të cilave iu referuam më parë, kanë rëndësi mbarënjerëzore. Evropa e re nuk ka të drejtë të mbyllet në vetvete ose të veprojë çdo herë në bazë të interesave të saj. Ka patur dhe ka përgjegjësi ekumenike. Ky vizion ekumenik, që përqafon çdo njeri dhe çdo popull, përbën një vlerë të padiskutueshme shpirtërore evropiane. Evropa, që gjatë shekullit të kaluar i ka trajtuar me shumë arrogancë dhe utilitarizëm popujt e kontinenteve të tjera, është koha që të formojë ndërgjegjen dhe mendimin e saj ekumenik, me qëllim që të përmbushë detyrën e saj karshi njerëzimit, sidomos për sa ka të bëjë me garantimin e paqes dhe drejtësisë mbarëbotërore. Por, kërkohet gjithashtu që ajo të jetë në vijë të parë të një mobilizimi të një lloji të ri. Për të vetmen luftë të ligjshme: atë kundër varfërisë në mbarë botën.

    Rrënjët e krishtera të vlerave shpirtërore të Evropës së Bashkuar është e drejtë që të pasqyrohen edhe në dokumentet e saj zyrtare, përderisa është e padiskutueshme se një numër i madh genesh të krishtera përcaktojnë ADN-në e qytetërimit evropian.

    Referimi ynë i qartë në themelet e krishtera të Evropës nuk është as kundër tolerancës fetare, as kundër bashkekzistencës evropiane me njerëz të traditave të tjera fetare ose me pikëpamje të ndryshme filozofike. Krejt të kundërtën. Fryma e kthjellët kristiane garanton respektin e sinqertë ndaj vlerës së çdo personi njerëzor ose çdo populli. Ajo që kërkohet nuk është të heshtim për traditën tonë të krishterë, por të përjetojmë në mënyrë autentike thelbin e saj, duke theksuar kryesisht vlerat e lirisë dhe të dashurisë.

    ***

    Pjesëmarrja e besimit të krishterë në formimin e Evropës ka qenë e padiskutueshme. Edhe në të ardhmen do të mbetet e çmuar. Sigurisht, do të kërkohet autokritikë serioze brenda botës së krishterë, njohje e gabimeve dhe përgjegjësive tona dhe çlirim nga ngasja e kërkimit të pushtetit laik, që ka nxitur aq shumë tendenca përçarjeje në të kaluarën. Urgjente është që të rigjejmë thelbin dhe fuqinë e besimit tonë dhe, kryesisht, duhet ta rijetojmë besimin tonë në kushtet e reja.

    Ecja e re evropiane mund të bëhet pikënisja për një dialog të ri të frytshëm, me mendim dhe veprim krijues. Si element bazë unë shoh harmonizimin dhe sintetizimin e dijes, bukurisë dhe mirësisë: Dije shkencore, krijimtari artistike, me një shtrirje ndjeshmërie dhe respekti ndaj çdo personi njerëzor.

    Po huazoj një frazë të prof. Nikos Matsoukas, i cili duke komentuar një tezë të nobelistit Jorgos Seferis, konkludon se poeti i madh “e kuptoi se Teologjia dhe Etërit e Kishës janë të gërshetuar pazgjidhshmërisht me gjërat më të gjalla dhe intime. Këtë thotë teologjia e Orthodhoksisë: të bashkuara janë idetë dhe ndjenjat, e vërteta dhe mirësia, dija dhe veprimi”.

    Së fundi, pavarësisht nga formulimet e dokumenteve ligjore, ajo çka kërkohet për Kishat lokale të Evropës është që të vazhdojnë të kontribuojnë esencialisht për të mbështetur dhe për të fuqizuar vlerat shpirtërore që kanë lindur në gjirin e tyre dhe të shprehin mesazhin e tyre më të thellë. a) Respektimin e çdo personi njerëzor, pavarësisht nga prejardhja, gjinia dhe arsimi dhe mbrojtjen e lirisë së tij. b) Detyrën e çdo njeriu për të qenë qytetar i përgjegjshëm i vendit të vet, që të ecë me konsekuencë, ndershmëri dhe krijimtari. Kështu, ne të krishterët do të kontribuojmë në formimin e shoqërisë së personave, duke luftuar për drejtësinë, barazinë, paqen, solidaritetin dhe dashurinë në rrethe të ndryshme: duke filluar nga populli konkret në të cilin bëjmë pjesë, duke zhvilluar lidhje miqësore me të gjithë popujt e Evropës dhe duke e shtrirë interesin tonë për fuqizimin e këtyre vlerave në mbarë globin.

Tema të Ngjashme

  1. Lufta e II Boterore, Greqia i kerkon ndjese Shqiperise
    Nga militanti1980 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 08-08-2004, 07:40
  2. Planifikim familjar sipas Islamit
    Nga FLORIRI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 13-03-2004, 15:52
  3. Privatizimet ne Shqiperi
    Nga ganoid në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 04-03-2004, 08:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •