Nuk u përkul, por vazhdoi me besim të palëkundur
-Në trevjetorin e fjetjes së Imzot Kozmait -
Tre vjet më parë, më 11 gusht 2000, ditën e premte në orën 17:00, fjeti Episkopi i Apolonisë Kozmai. Kjo qe një humbje e madhe për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Nga gjiri i saj u nda bariu i mirë, mësuesi dhe edukatori, shembulli i sakrificës dhe vetmohimit. Në fjalën e Tij ditën e Fronëzimit, Kryepiskopi Anastas do thoshte ndër të tjera: “…Ke kaluar një jetë të tërë plot sprova, hidhërime e varfëri, një jetë totalisht të përkushtuar te Krishti. Gjatë 23 viteve tragjike të persekutimit të pamëshirshëm ateist, ti nuk u përkule dhe vazhdove pa zhurmë me besim të palëkundur, me durim mahnitës, veprimtarinë tënde hieratike, duke meshuar dhe duke
pagëzuar rreth tre mijë njerëz.”. Më poshtë po japim disa episode nga jeta e Imzot Kozmait nga koha e persekutimit të egër ateist, që më mirë se çdo gjë tregojnë për një jetë tërësisht të përkushtuar Krishtit.
Ishte data 8 nëntor (vitin nuk e mbante mend). At Kozmai kishte shkuar që herët në Vlorë, pasi atë ditë ishte e kremtja e Kryeengjëjve Mihail dhe Gavril. Pasi vizitoi disa familje që festonin emrat atë ditë, i qetë po ecte rrugës për t’u kthyer në fshat. Në moment dikush i del përpara, i thotë se ishte punonjës i sigurimit dhe se duhej që ta ndiqte atë në Degën e Punëve të Brendshme. At Kozmai në trastën e vjetër që mbante gjithnjë me vete, kishte petrahilin dhe librin e shërbesave të shenjta. Rrugës, ai po mendonte për trastën, si do t’ia bënte, pasi atje mund dhe ta kontrollonin. Kur u futën te dera e DPB, At Kozmai i thotë policit që rrinte roje atje nëse
mund ta linte trastën përjashta, pasi nuk mund të shkonte te kryetari i degës me këtë trastë të vjetër. Roja pa e ditur se ç’kishte në trastë dhe pa ndonjë qëllim i thotë se trastën duhej ta merrte me vete. Ishte ky një moment i vështirë. Ai ecte nëpër korridorin e ndërtesës dhe u lutej Kryeengjëjve që ta ndihmonin. U fut në zyrë, përshëndeti kryetarin, i cili e ftoi të ulet në një karrige afër tij. Edhe kryetarit i bën të njëjtën kërkesë për të lënë trastën te dera. Kryetari kur pa trastën e vjetër në duart e At Kozmait i thotë se mund ta linte. Pasi u ul në karrige filluan pyetjet. Kryetari i thotë se kishte informacion që At Kozmai vazhdonte punën e priftit në fshehtësi dhe se u shkonte besimtarëve nëpër shtëpi për të kryer ritualet fetare. At Kozmai i kthehet i qetë dhe i thotë: “Unë o kryetar, tashmë kam një kazmë të mprehur mirë dhe punoj për të ushqyer fëmijët”. Më pas, kryetari i degës i dha leje të shkonte. At Kozmai mori trastën që kishte lënë te dera e zyrës, e hedh në sup dhe largohet duke lavdëruar Perëndinë që iu gjend pranë edhe në këtë moment të vështirë.
Dikush ishte ankuar në polici se At Kozmai dikur i kishte dhënë biblën për ta lexuar, dhe këtë bibël ai e dorëzon te kryetari i DPB. Menjëherë e thërresin At Kozmanë për ta pyetur për këtë problem. Ai shkon në zyrën e kryetarit pa e ditur përse e kishin thirrur. Ulet në karrigen përballë tij dhe menjëherë u befasua kur mbi tavolinë pa biblën që dikur e kishte dhuruar. Kryetari e kuptoi dhe në këtë çast merr biblën në dorë dhe i drejtohet At Kozmait: “A është i juaji ky libër?” Ai fliste me një siguri të tillë dhe mendonte se At Kozmai do ta mohonte
një gjë të tillë. Por Jisu Krishti thotë: “... Fryma e Shenjtë në po atë moment do t’ju mësojë se ç’duhet të thoni” (Luka 12:12). “Po - i përgjigjet At Kozmai - ky libër është imi”. Kryetari u habit me pohimin e At Kozmait dhe menjëherë i tha: “Atëherë çdo ky libër në duart e mia?” Përsëri i qetë, At Kozmai i përgjigjet: “Personi që jua ka dhënë këtë libër duhej të ma jepte mua, pasi kur bëra dorëzimet e kishës edhe ky libër më mbeti pa dorëzuar, pasi nuk mbaja mend mirë personin, të cilit ia kisha dhënë. Dhe juve ju lutem të ma jepni që ta dorëzoj”. Kryetari u habit me përgjigjen dhe guximin e këtij plaku dhe i thotë: “Ikni tani, këtë libër do ta mbaj unë, por kini kujdes kur të dhuroni herë tjetër ndonjë libër”. At Kozmai u largua pak i befasuar nga fjalët e kryetarit.
...Në Dhërmi. Pas një bisede që kishte bërë me Petro Xhuvelin, At Kozmai shkon në Dhërmi dhe pagëzon 55 fëmijë. Në çastet e fundit të shërbesës lajmërojnë se kishin ardhur njerëz të sigurimit për ta kapur pasi e kishin kuptuar që ishte aty dhe po pagëzonte. Pasi mbaroi misterin, njerëzit e shtëpisë e nxorën nga një derë e fshehtë pas shtëpisë dhe e çuan në një shtëpi tjetër. Ndenji aty tërë natën dhe në mëngjes pasi bëri pak rrugë më këmbë deri në dalje të fshatit e hipën në një makinë të sigurtë, që e çoi deri në Vlorë.
Përgatiti: At Spiro Bulika
Krijoni Kontakt