Një agjent me shumë lidhje, ka nënshkruar një marrëveshje 800 mijë USD me ish-kreun e VEFA-s, Vehbi Alimuçaj
Fajdet, shërbimi grek, dosje para '97-s
Altin Metaj
Shërbimi Informativ Grek (EYP) ka mbledhur të dhëna për të gjitha firmat piramidale që funksiononin në Shqipëri pak përpara shpërthimit të trazirave të tmerrshme të vitit 1997. Ky informacion ka dalë gjatë hetimeve të ditëve të fundit për përfshirjen e një numri gjykatësish dhe klerikësh grekë në trafik droge dhe seksi. Skandali i përfshirjes së këtyre përfaqësuesve të lartë të shoqërisë greke në afera të dyshimta, ka pushtuar prej ditësh median greke. Pikërisht një nga emrat më të lakuar të kësaj afere është ai që ka ndikuar nëpërmjet lidhjeve të tij në emërimin e kryeklerikut të Jeruzalemit, i pari në listën e skandalit të trafiqeve. Ky person rezulton njëkohësisht si njeriu që ka qenë i ngarkuar nga shërbimi sekret grek për të kryer hetime mbi funksionimin e firmave piramidale në Shqipëri. Shtetasi grek quhet Apostolo Vavilis, por ai ka qarkulluar për vite të tëra nëpër Europë, i kërkuar nga interpoli me emra të ndryshëm. Në Shqipëri ai është prezantuar me emër tjetër. Për këtë ka shfrytëzuar lidhjen e një marrëveshjeje me firmën VEFA për aparate sigurie, si kamera, mikrofona të fshehtë etj. Sipas gazetës greke “Apogjevmatini”, e cila ka botuar artikullin në numrin e saj të djeshëm, Vavilis vizitoi Shqipërinë në shkurt të vitit 1996, ku dhe është takuar me një nga krerët e firmave piramidale, në prani të një shtetasi tjetër grek me mbiemër Kostandinidhis, i cili është paraqitur si sekretar i një ndërmarrje që merrej me furnizim aparaturash përgjimi. Personi që ata kanë takuar në Tiranë ka qenë Vehbi Alimuçaj dhe firma me të cilën kanë lidhur marrëveshjen prej 800 mijë dollarësh është VEFA.
Vizita e Vavilis në Shqipëri
Ka qenë shkurti i vitit 1996 kur Apostolo Vavilis ka ardhur në Shqipëri nën petkun e presidentit të një firme të fuqishme greke. Vavilis, sipas shtypit grek, ka hyrë në Shqipëri me një pasaportë me emrin Apostolo Kavaleras. Ai është prezantuar si president i firmës “Elfrone Development LTD” dhe ka qenë i shoqëruar nga sekretari i firmës Kosta Kostandinidhi. Pas ka qëndruar disa ditë në Shqipëri Vavilis ka mundur të takohet me presidentin e firmës piramidale VEFA, Vehbi Alimuçaj me të cilin pas një takimi të gjatë ka mundur të nënshkruajë dhe një marrëveshje për pajisjen e kësaj firme piramidale me aparatura sigurimi, si kamera të fshehta e aparatura të tjera. Këto aparatura kushtonin plot 800 mijë dollarë, të cilat sipas shtypit grek janë shlyer me këste nga presidenti i firmës piramidale VEFA, Alimuçaj, deri në fund të shkurtit të vitit 1996. E ndërsa fati i mijëra dollarëve të kreditorëve shqiptarë nuk dihet, misioni i shtetasit grek Vavilas në Shqipëri kishte një tjetër qëllim. Atë të mbledhjes së të dhënave për Shqipërinë dhe aktivitetin e të gjithave firmave piramidale që funksiononin këtu. Dhe gjatë takimeve që ai ka zhvilluar në Shqipëri ka arritur që t’i sigurojë ato. Sipas shtypit grek pas vizitës në Shqipëri Vavilas është parë të kthehet në tokën e tij me një valixhe të madhe, me të dhëna ekskluzive mbi funksionimin e firmave piramidale në Shqipëri, të cilat ia ka dorëzuar Shërbimit Informativ Grek (EYP). Disa muaj më vonë në Shqipëri plasën trazirat e njohura të ’97-s.
Kush është Vavilis
Apostolo Vavilis është një figurë që ka dalë në skenë së fundi, në kuadër të disa skandaleve që kanë përfshirë kishën greke dhe që janë publikuar në mënyrë të njëpasnjëshme nga shtypi grek Skandali nga të bëjë me abuzimet seksuale, përvetësimin apo keqtrajtimin----------------------- e fondeve, nga ana e anëtarëve të këshillit të shenjtë të kishës me të mitur dhe murgesha, ndërsa i implikuar në të sipas shtypit grek rezulton dhe Vavilis. Sipas shtypit grek në fillim të vitit ’97 Vavilis është arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës, por në maj të vitit ‘98 ai është lënë i lirë në mënyrë misterioze, nga gjykata e Larisës. Po sipas shtypit grek, me një vendim të Interpolit, në dhjetor të vitit ‘98 ai shpallet në kërkim ndërkombëtar. Foton e tij interpoli grek ua ka shpërndarë të gjitha vendeve anëtare, por që prej atij viti Vavilis nuk është arrestuar. Shtypi grek vë në dukje se Vavilas ka pasur një dyqan armësh, shumë pranë komisariatit të policisë dhe ato në bazë të një tenderi që kishte fituar ia shiste policisë greke. Përgjatë këtyre viteve që është shpallur në kërkim, Vavilis rezulton të jetë pajisur me pasaportë me emër të rremë, edhe katër herë të tjera Po ashtu edhe pse kërkohej nga Interpoli Vavilis në vitin 2001 është parë në Jeruzalem, ku ka mbështetur kandidaturën e patriarkut aktual (kjo kandidaturë i interesonte kishës greke). Në Jeruzalem, sipas shtypit grek, ai ka qenë i shoqëruar nga një miku i tij, polic. Madje Vavilis, sipas shtypit grek, ka qenë për një kohë të gjatë dhe sekretar i patriarkut të Jeruzalemit. Shtypi grek ka publikuar dhe një fotografi të Vavilis dhe patriarkun aktual të Jeruzalemit, ndërsa implikimi i tij në skandalin që ka përfshirë kishën greke ka më shumë karakter politik (mbështetja e zgjedhjes së patriarkut aktual të Jeruzalemit). Gjithsesi figura e Vavilis është mjaft enigmatike ndaj dhe në adresë të tij janë ngritur shumë pikëpyetje të tilla. Kush është ky njeri që diku paraqitet si tregtar, diku si biznesmen, diku si anëtar i shërbimit sekret.
----------------
Ja ku dolen dhe kalimerot qe jane te futur deri ne gryke ne skandalin e Piramidave bashke me keta politikanet tane te tanishem.
Krijoni Kontakt