Artiola Alimadhi - 14/02/2005



Tregu i kredive për individët, kryesisht ato për shtëpi që përbëjnë peshën kryesore në këtë sektor, ka ardhur në rritje, ndërkohë që edhe kushtet e kredive janë përmirësuar. Normat e interesit kanë një tendencë rënie, ndërkohë që afati i shlyerjes së kredisë ka ardhur duke u rritur


Bankat e nivelit të dytë kanë filluar të përmirësojnë kushtet e kredive për shtëpi në veçanti, dhe të blerjes së pasurive të paluajtshme në përgjithësi. Nga një studim i tregut të kredive në Shqipëri, vërehet se të dhënat e sistemit tonë bankar, për sa u përket kredive për shtëpi kanë filluar përmirësohen jo vetëm për nga vëllimi i kredisë së dhënë, por edhe për sa u përket kushteve të ofruara. Nëse më parë kreditë për shtëpi përbënin një vëllim të vogël në totalin e portofolit të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë, me kalimin e kohës, pesha e këtij sektori ka ardhur në rritje.
Kështu, për Bankën ProCredit, portofoli i kredive për shtëpi përbënte mbi 10.8 për qind të totalit të portofolit të kredisë së dhënë gjatë vitit 2003, ndërkohë që nga viti 2002 në vitin 2003, kredia për shtëpi është rritur me 64 për qind.
Në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), kredia drejtuar sektorit retail (kredi konsumatore etj.), përbënte rreth 21.7 për qind të totalit të portofolit të kredisë së dhënë gjatë vitit 2003, ndërkohë që gjatë viteve 2002-2003, kredia për këtë sektor është rritur gati 4 herë. Kjo prirje rritëse është vërejtur gati në të gjitha bankat e nivelit të dytë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Përveç shifrave sasiore, kredia për shtëpi ka pësuar edhe zhvillime të tjera pozitive në aspektin “cilësor”. Normat apo përqindjet e interesit kanë ardhur duke u ulur, ndërkohë që afati i shlyerjes së kredisë është rritur. Në bankat e nivelit të dytë, mund të marrësh kredi për shtëpi me normë njëshifrore interesi, apo me afat shlyerjeje që tashmë e ka kaluar 10-vjeçarin. Më “interesantja” paraqitet Banka Amerikane e Shqipërisë tek e cila mund të marrësh kredi për shtëpi edhe me afërsisht 9 për qind interes në vit, me një afat deri në 15 apo edhe me 20 vjet. Në përgjithësi, kredia për shtëpi luhatej për një periudhë mesatare prej 5 deri në 10 vjetësh.
Duket qartë se tregu i kredive për shtëpi ka filluar të tërheqë vëmendjen e bankave dhe njëkohësisht të shihet si një ndër sektorët më prioritarë për sa i përket kredidhënies. Deri tani, një numër i konsiderueshëm bankash të nivelit të dytë mund të quheshin banka të mirëfillta biznesi (pasi pjesa më e madhe e portofolit të kredisë iu drejtohej pikërisht bizneseve). Me zhvillimet e sotme, bankat po përshtasin produktet dhe shërbimet e tyre në mënyrë që t’i shërbejnë një game më të gjerë klientësh, duke vendosur në krye të prioriteve të tyre edhe individët. Konkurrenca në sistemin bankar ka qenë një ndër faktorët që ka ndikuar në zhvillimin e këtij sektori. Edhe zhvillimet ekonomike në vend kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim.


Raiffeisen, nga prilli kredi edhe për shtëpi
Hyrja e bankës më të madhe në vend, Banka Raiffeisen, në fushën kredive për shtëpi pritet të sjellë ndryshime të mëdha. Vetë drejtori i Departamentit Retail në Raiffeisen Bank dhe anëtar i bordit drejtues të saj, Robert Wright, ka deklaruar se kjo bankë do të hedhë në treg kreditë për shtëpi dhe ato me afat, pas prillit të këtij viti. Po ajo çka është më e rëndësishme është shifra e deklaruar për këto kredi drejtuar kryesisht individëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Deri në fund të këtij viti, objektivi i vendosur nga Raiffeisen është që portofoli i kredive në këtë drejtim të arrijë në 100 milionë euro. Një vlerë e tillë kredi në sektorin retail do të kënaqë një pjesë të mirë të kërkesës për kredi, por njëkohësisht do të ndikojë në përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë dhe lehtësimin e procedurave. Një numër i madh klientësh të Raiffeisen, si dhe shumë individë të tjerë, janë të interesuar për kreditë që kjo bankë do të ofrojë për individët (kryesisht për kredi për shtëpi). Pikërisht për fushën retail, Wright shprehet: “Objektivi ynë në fushën e retail do të jetë që të bëhemi banka me rritjen më të shpejtë në këtë sektor, në të gjitha vendet e Europës Lindore e Qendrore”. Në fakt, shumica e bankave të nivelit të dytë që kanë operuar në fushën e kredidhënies, deri tani janë përqendruar në kreditimin e bizneseve të mëdha e të mesme. Pengesat për bizneset e vogla, të cilat nuk kanë shumë garanci për mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre, dhe si rjedhim për shlyerjen e kredisë së marrë, kanë qenë të shumta. Akoma më të mëdha kanë qenë vështirësitë për individët, të cilët duhet të kishin garanci shumë “bindëse” në mënyrë që t’u jepej një kredi. Nga ana tjetër, kërkesa nga ana e këtyre të fundit është relativisht e madhe.
Banka Amerikane, kredi për shtëpi deri në 15 vjet
Banka Amerikane e Shqipërisë ofron kredi për blerje apartamenti, dyqani apo edhe rikonstruksion të tyre apo mobilim për afate relativisht afatgjata. Afati shlyerjes së kredisë varion nga 10 deri në 15 vjet, por në raste të veçanta kredia mund të jepet edhe për një periudhë 20-vjeçare shlyerjeje. Kredia jeper vetëm në dollarë amerikanë.
Në varësi të afatit të shlyerjes së kredisë, ndryshon edhe norma e interesit. Kështu ajo varion nga 8.8 për qind në vit për kreditë me afat 10- vjeçar (Tregu Ndërkombëtar +5.5 për qind, që sipas vlerës së këtyre ditëve të Libor-it, është e barabartë me 8.8 për qind në vit), deri në 10.5 për qind për kreditë më afat 20-vjeçar. Për sa i përket shumës, vlera minimale që jep kjo bankë për kreditë për blerje apartamenti është 10 mijë dollarë, ndërsa limiti maksimal është 100 mijë dollarë. Për blerjen apo rikonstruksionin e dyqaneve, limiti maksimal arrin deri në 150 mijë dollarë.
Niveli maksimal i pjesëmarrjes së bankës në financim është 70 për qind e vlerës së apartatmentit që do të blihet, dhe jo më shumë se 50 për qind e vlerës së dyqanit.



Kushte e kredisë për apartamente në Bankën Amerikane të Shqipërisë
v Pjesëmarrja e Bankës në financim që do të blihet: Jo më shumë se 70 % e vlerës së apartamentit
v Interesi
10 vjet - Tregu Nderkombëtar +5,5% në vit
12 vjet – Tregu Nderkombëtar + 5,75% në vit
15 vjet – Tregu Nderkombëtare + 6% në vit
20 vjet – Tregu nderkombëtar +6,75% në vit
v Shuma që banka financon për blerje
Minimumi10 000 $, Maksimumi 100 000 $