nga Panorama

Anila Mema

Nuk mund të rrijë pa shkruar mbi atë çka shpesh i mbetet në kujtesë. S’ka gjë nëse i pëlqen apo jo. Ai shkruan mbi të, ndonëse kritika, në art, në letërsinë shqiptare mungon prej më se dhjetë vjetësh.

Është ndër të paktët kritikë shqiptarë që nuk mund të heshtë në këtë kohë të zhurmshme. Është Adriatik Kallulli, kritiku dhe studiuesi i artit dhe letërsisë shqiptare. Tashmë jep mësim në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, por edhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, Kallulli shpjegon përse mungon kritika shqiptare.

Për fat të mirë ne kemi prodhime letrare, por s’kemi kritikë të institucionalizuar. A ju duket normale kjo gjendje dhe pse kemi arritur deri në shkatërrimin e filtrave të kritikës në Shqipëri?
Çështja që ju kërkoni për bisedë është jashtëzakonisht e rëndësishme, është e kohës dhe nuk ju takon vetëm individëve, të cilët vuajnë, sepse s’ka kritikë. Kjo deri diku i takon edhe instancave dhe strukturave shtetërore, institucioneve të kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve, të Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Arteve, Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pse jo dhe Fakultetit të Shkencave Sociale dhe në përgjithësi një vargu strukturash të shoqërisë sonë. Ju e pagëzuat shumë bukur me fjalën filtrim, i cili është gjithmonë i domosdoshëm. Filtrohet mendimi njerëzor në radhë të parë, sepse çdo shoqëri dëshiron të dijë cilët janë personalitetet e veta, cilët meritojnë një konsideratë, respekt, cilët janë autorët me nivel të lartë dhe që duhet të mbrohen, kultivohen dhe madje, edhe të interpretohen për të kthyer një rrezatim të shoqërisë sonë shqiptare. Ne kemi fatin e madh që jemi një shoqëri e hapur dhe kemi botime të çuditshme, është një gëzim i jashtëzakonshëm që sot kemi gjithë filozofët, madje sot ka disa botime estetike siç është Luk Ferri “Homo estetikus”, Hipoliteni me “Filozofinë e artit”, Stefan Çapaliku me “Estetikën moderne” dhe shumë studime nga Alfred Uçi. Ka më së paku 200-300 botime në vit në prozë, në roman, në kujtime, në gjini dhe lloje të ndryshme të artit. I gjithë ky lum botimesh dhe këta autorë që punojnë me kohë të tëra mbeten pa një fjalë, pa interpretim, pa peshore, pa gjykim, mbetet pa një vlerësim. Atëherë ç’ndodh në këtë mes. Mendoni juve sikur të gjitha gjërat të shiteshin pa peshë, pa datat e skadencës, ato do ta shkatërronin shëndetin e shoqërisë shqiptare dhe e kanë shkatërruar përgjithësisht në atë rast kur nuk janë kapur, por një gjë e skaduar, në art sjell dëme më të mëdha. Madje, në Shqipëri përkthehen dhe botohen për herë të parë autorë, të cilët nuk kanë qenë botuar më parë për rrethana politike që dihen. Këta autorë kërkojnë vetvetiu një vështrim kritik, në mënyrë që orientimi i librit të jetë sa më i besueshëm. Në përgjithësi shtëpitë botuese e kanë për zakon të botojnë ndonjë parathënie ose ndonjë pasthënie, por ajo është krejt e pamjaftueshme dhe pastaj nga ana tjetër, ne kemi nevojë për një kritikë permanente, të specializuar, e cila ka brenda njohuri të thella bashkëkohore profesionale.

Midis të tjerave ju njiheni edhe si kritik i letërsisë dhe i artit në përgjithësi. Pas viteve ’90 kjo kategori specialistësh (ku bëni pjesë edhe ju) u etiketua shpesh herë si inkuizitor të fjalës, të ngjyrës… Pa dashur të hyjë në polemika sa e ndjeni veten fajtor?
Do t’i përgjigjem pyetjes suaj që është dhe pak lënduese, me një skemë romani të novelistit të shquar rus, Aleksandër Solxhenisit, “Pavijoni i kancerozëve”. Dy të sëmurë në pavijon diskutojnë mbi dikaturën staliniane, mbi rolin negativ të udhëheqësit të vetëm në atë vend. Dhe shkrimtari në gojën e personazheve bën një analizë të shkëlqyer. Një nga personazhet del te dritarja e pavijonit dhe i thotë tjetrit. “Shikoje fushën, a e ke vënë re se kur fryn erë të gjithë kallinjtë e grurit ulin kokat.” Në këtë mënyrë ai jep të kuptojë, se ka valë të tilla në histori se kur i ulin kokat të gjithë ose pjesa më e madhe e intelektualëve. Edhe sot ka ulje kokash mbi shumë dukuri dhe fenomene, të cilat janë të dhimbshme dhe shoqëria nuk është në gjendje t’i zgjidhë. Unë kam hyrë në korin e asaj spërkatjeje, të atyre melodive shumë të përsëritura, por mendoj se kam përshëndetur gjatë jetës sime si kritik veprat më të denja të letërsisë shqiptare, ato që i qëndrojnë dhe tani demokracisë dhe më vjen mirë që në shtëpinë time, ekzistojnë qindra shënime, dedikime të të gjitha autorëve të mëdhenj shqiptarë, për atë ndihmë që ju kam dhënë edhe për dorëshkrimet e tyre e për veprat e tyre, dhe po ti shohësh se 80% e shkrimeve të mia janë për vepra të denja të letërsisë shqiptare të: De Radës, Naimit, Samiut, Vaso Pashës, Çajupit, Fan Nolit, Migjenit, Lasgush Poradecit, pastaj edhe të shkrimtarëve që erdhën më vonë, Jakov Xoxës, Petro Markos, Ismail Kadaresë, Kol Jakovës, Dhimitër Shuteriqi, të Dhimitër Xhuvanit, Naum Priftit, Koço Kostës, Bilal Xhaferit, Driëtro Agollit dhe shumë shkrimtarë të tjerë. Jeta ime u integrua kryesisht në kryeveprat e këtyre shkrimtarëve. Dhe nëse do të mbeten kryeveprat dhe unë kam shkruar për to, atëherë unë e kam një certifikatë të vlerësimit dhe inkuzitor lumturisht nuk jam bërë asnjëherë, sepse dhe do të kishte dalë në shtyp në këto 15 vjet. Sepse për mua shkrimtarët kanë qenë vëllezërit e mi, miqtë e mi më të mirë, sepse me të gjithë kam pasur miqësi dhe kjo ka qenë pjesa ime më themelore e jetës. Edhe unë, si dhe kolegët e mi jemi kategori historike.

Sa e vështirë është puna e kritikut, kur duhet të ndaj vlerat njerëzore nga vlerat artistike?
Puna e kritikut është objektivisht shumë e rëndë. Të duhet të lexosh dhe me mendjen esëll dhe me një dashuri, jo vetëm njërën vepër të një shkrimtari, por disa vepra të tij. Por, ndërkohë të bësh dhe krahasime, të shohim se ku është bota dhe se si i trajton bota këto çështje dhe kjo kërkon një vëllimtari pune, një kohë e cila është masakruese për veprën. Pozicioni i kritikut është i tillë, që ai duhet të zotërojë, patjetër filozofinë, historinë e popullit të vet shumë, shumë mirë, folklorin e popullit të vet shumë mirë, ai pastaj do s’do është një njeri që duhet të ketë një shije artistike. Asnjëherë nuk mund të shkruajë një kritik, pa e lexuar një vepër disa herë. Shpesh herë kërkohet që të shkruhet mbi teatrin vetëm pasi është parë premiera. Emocionet e natës së premierës janë, por duhet ta shohësh dhe herë të tjera që të japësh kontribut real të asaj që është shfaqur. Por e gjithë kjo punë realizohet nga pasioni, nga dashuria dhe nga konsekuenca që ka kritiku. Ana njerëzore është e dhimbshme, sepse në fund të fundit artisti ka punuar dhe ti i anashkalon ose flet ftohtë për veprën e tij. Atëherë, ai vuan nga kjo gjë, drobitet dhe nëse ti merr kurajon që ta shfaqësh publikisht mendimin tënd, ndikon në një mënyrë apo në një tjetër në pozicionin e të tjerëve. Në kohën e sotme kur veprat letrare dhe artistike dalin me shumë vështirësi financiare dhe ekonomike, ky është një pozicion i vështirë për kritikun.



Për të pasur kritik

Mendon se kritika mund të riinstitucionalizohet, dhe kjo vetëm me vullnet. Për të, të frytshme janë shkollat e larta dhe universitetet shqiptare. “Mund të ketë një profile për kritikën, në Akademinë e Arteve janë të gjitha mundësitë që të krijohen vite shtojcë, ose kurse pasuniversitare ku të jepen lëndë speciale mbi kritikën artistike, mbi kulturën, mbi skulpturën, muzikën, dramën, por edhe në universitete të tjera që ka Shqipëria”, tregon Kallulli edhe pse për të nuk është shumë entuziazt. ”Nga gjithë këto shkolla mund të dalin dy ose tre vetë”, shton më tej ai.



Gëzimet që shtojnë “dhimbje”

Nëse e pyet se cili është mendimi i tij mbi çeljen e ekspozitave, promovimet e librave, të cilat gjithnjë përfundojnë me koktej, tund kokën dhe qesh. ”Në rastin kur promovohet një libër, postmortum i një shkrimtari të madh dhe atëherë njerëzit vijnë me dashuri për të nderuar njerëzit që i kanë mbetur gjallë, përmes veprës së tij. Kur autori dëshiron të krijojë një autoritet merr disa njerëz dhe i recitojnë, merr disa njerëz që i flasin mirë për veprën dhe kjo vetvetiu krijon një vetëkënaqësi” tregon kritiku Adriatik Kallulli. E megjithatë, për të, këto sajdisje nuk janë plot rëndësi. Ajo që ai vlerëson janë vlerat e çdo vepre, qoftë ajo letrare apo edhe artistike. “Për mua, e rëndësishme është vetë vepra që ti paraqet. Por, unë do të përdorja vargun e bukur të shkrimtarit Ismail Kadare. “Duke më puthur pa më dashur, ma shtoni dhimbjen dhe më shumë”, shton më tej kritiku Adriatik Kallulli.