Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708

    Periudha parazgjedhore - Kokëdhima: Nano, jo privatizime në fund të mandatit

    Kokëdhima: Nano, jo privatizime në fund të mandatit


    D. Tanushi

    TIRANË – Botuesi i gazetës “Shekulli” Koço Kokëdhima deklaroi dje, gjatë një konference për shtyp se qeveria e drejtuar nga Fatos Nano po përgatit privatizime me procedura të përshpejtuara dhe korruptive në fund të mandatit të saj. “Asnjë qeveri e moralshme nuk mund të bëjë në ditët e fundit të mandatit të vet tjetërsime të sektorëve strategjikë, siç është infrastruktura e ARMO-s, siç është Telekomi shqiptar apo licenca të tjera që ka përgatitur të japë e të privatizojë qeveria e zotit Nano”, -u shpreh Kokëdhima. E moralshme, tha ai, është që kjo qeveri, zoti Nano të shkojë në zgjedhje dhe nëse fiton zgjedhjet, le t’i shesë pa lekë edhe malet e Shqipërisë, edhe gurët, edhe fushat, edhe lumenjtë, të gjitha gjërat le t’i shesë siç ka bërë në vitin 2004 dhe në vitin 2005, le t’i shesë të gjitha interesat e shqiptarëve, por në fund të mandatit të vet nuk mund të bëjë gjëra të tilla. “Nuk dua të ndalem këtu dhe të theksoj fare kujdesin që ka bërë qeveria për të përjashtuar çdo mundësi që në këta sektorë të jenë të pranishëm ose të marrin pjesë grupet e interesave të vendit. Kërkesa që unë dua të bëj sot është se i drejtohem pjesës së shëndetshme të deputetëve të majtë e të djathtë që të ushtrojnë të gjithë influencën e tyre për t’i ndaluar këto privatizime, koncesione, dhe tjetërsime të bëra me emergjencë dhe me procedura korruptive e selektive”, -deklaroi Kokëdhima. Ne kemi përcjellë, vijoi ai, një vit të vështirë në marrëdhëniet tona me qeverinë. “Në fund të një viti më parë nisëm përpjekjet për t’i kthyer buxhetit të shtetit 31 milionë dollarë që u tentuan t’i hiqeshin nga privatizimi i Bankës së Kursimeve, një betejë që ne e fituam. Ne u përpoqëm vitin e shkuar dhe arritëm të frenojmë projektin më të shëmtuar në historinë e Shqipërisë, projektin e pushtimit të Shqipërisë nga plehrat e Italisë, që është njolla më e rëndë që mund të nënshkruajë një qeveri e Republikës së Shqipërisë dhe u përpoqëm vitin e shkuar pa sukses të ndalonim kontratën e koncesionit të Rinasit”, -komentoi botuesi Kokëdhima. Ne u përpoqëm pa sukses vitin e shkuar të ndalonim kontratën e koncesionit të Portit të Vlorës, të cilat janë çnderuese për një popull, për një shtet, për një vend, tha më tej ai. Sipas Kokëdhimës, asnjë qeveri kuislinge nuk mund të nënshkruajë kontrata kaq turpëruese sa kontratat që ka nënshkruar qeveria e zotit Nano. “Ato janë koncesione që kanë vetëm një kah interesi, kanë vetëm përfituesit e tyre. Ne i kemi publikuar këto çështje dhe nuk kemi mundur t’i ndalojmë megjithë përpjekjet që kemi bërë”, -nënvizoi Kokëdhima. Megjithëse qeveria, zoti Nano është në prag të zgjedhjeve, po ta keni vënë re ka një axhendë shumë të ngjeshur privatizimesh të sektorëve strategjikë dhe tjetërsime lejesh dhe licencazh shumëmilionëshe, në të cilat jo vetëm që mungojnë plotësisht procedurat transparente, përgatitjet e nevojshme që këto privatizime, koncesione t’i sigurojnë vendit tonë përfitime maksimale, përfitime të arsyeshme, por jam i sigurtë që ato janë duke u zhvilluar në kushte emergjence dhe parashikohen deri në ditët e fundit të mandatit të kryeministrit, shpjegoi botuesi i sh.a “Spekter”.

    Amendamenti
    Kokëdhima kundërshtoi dje, gjatë konferencës për shtyp edhe amendamentin që pritet të shqyrtohet në Kuvend, sipas të cilit botuesit e mediave përjashtohen nga tenderat publikë. Ai e ka quajtur këtë një sulm personal ndaj tij dhe mediave që drejton, prej qeverisë “Nano”. “Këto qëndrime, këto iniciativa janë të motivuara me interesa politike të qeverisë, të kryeministrit, i cili në pamundësi për të vënë nën kontroll mediat e grupit tonë, përpiqet të shfrytësojë rrugë të tjera, mjete të tjera që t’i dëmtojë, t’i dobësojë pse jo edhe t’i likujdojë këto media që ai nuk i kontrollon dot”, -tha Kokëdhima. Ato nisma, që nisen për të vendosur çmime dhe formulime apo rregullime të posaçme për tregun e shtypit janë realizuar jo vetëm nga institucione të tjera ndërkombëtare siç është OSBE-ja, por janë deklaruar, janë shpallur si iniciativa që nuk synojnë zhvillimin, por përkundrazi pengimin dhe dëmtimin e shtypit dhe të mediave në Shqipëri, theksoi ai. “Përmes këtij ligji dhe këtyre amendamenteve qeveria synon që kompanitë tona mediatike, të cilat janë kompani fitimprurëse dhe kanë bazën e pavarësisë së tyre tek rezultatet financiare, të kufizojë të ardhurat, të kufizojë shitjet, t’i shndërrojë në kompani me humbje me qëllim që pastaj ne të shkojmë t’i shtrijmë dorën shokut Fatos, që të mund të na japë para për t’i mbajtur këto kompani e t’i bëjmë fresk kur ai të ketë vapë apo t’i bëjmë ngrohtë kur ai të ketë ftohtë”, -shpjegoi Kokëdhima. Ai u shpreh se gjatë vitit 2004 nuk ka marrë pjesë në asnjë tender të qeverisë apo të institucioneve vartëse të saj, për arsye se të gjitha buxhetet publike dhe shtetërore shoku Fatos i ka bërë me vendime dhe prokurime të drejtpërdrejta, pa garë. “Nëse ka këtu një problem, problemi është t’i heqim shokut Fatos mundësinë që t’i bëjë ai ndarjet me dorën e vet të projekteve dhe të buxheteve dhe këto procedura t’i nënshtrohen ligjit të konkurrencës së hapur. “Ky është një sulm i menduar mirë nga qeveria. Unë mund t’ju them pa patur mungesë modestie, se zoti Nano ka një problem të fortë të rëndësishëm sot, pamundësinë e tij për ta vënë nën kontroll grupin tonë të mediave dhe për të cënuar besueshmërinë e këtij grupi në të gjitha komponentët e vet. Dhe që ky është një shantazh dhe një sulm mbi ne kjo nuk ka asnjë dyshim”, -tha ai. “Për kë e ka për shembull. Mendoni se e ka shoku Fatos problemin me zotin Nikollë Lesi kur flet për çmimin e shtypit? Mendoni se e ka me zotin Bolino kur flet për ndërmarrjet që ofrojnë shërbime në sektorët publikë dhe shtetërorë? Mendoni se e ka për gazetën “55” problemin, për Fahriun apo për mikun tim Mero Baze, kur flet për ndarje të bizneseve, të kompanive, investitorëve nga mediat?!”, -ka marrë shembull Kokëdhima. Ai tha se, “ne do të bëjmë ato që kemi mundësi të bëjmë. E para ne duhet të informojmë publikun se çfarë ndodh dhe së dyti do të mendojmë projekte konkrete për t’iu përgjigjur këtyre akteve politike të qeverisë me mjete ligjore, teknike, juridike ose me mjete politike”.
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    RD


    ---



    Ministria e Financave shpall ankandin, tre ditë pas paralajmërimit të opozitës

    Tender fals për kazinonë e Nanos

    Partnerë të kompanisë së huaj, që pritet të fitojë ankandin, do të jenë miqtë e kryeministrit dhe gruas së tij, Xhoana Nano. Pas akuzave për privatizmin e hotel "Dajtit", në fuksion të ngritjes së kazinosë, është menduar edhe një variant tjetër, ku ndryshon vetëm partneri shqiptar. Por skema është e njëjtë, fituesit janë miq të Fatos Nanos

    Ministria e Financave ka nisur dje fazën e parë parakualifikuese të konkurimit për përzgjedhjen e subjekteve që kërkojnë leje ushtrimi për veprimtari kazinoje në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, në fazën e parë kualifikuese, Komisioni i Vlerësimit të Kërkesave për veprimtarinë në kazino shqyrtoi dokumentacionin e katër shoqërive të paraqitura, Club Hotel Loutrakki S.A., Hyat Regency Hotel&Turism Hellas, Royal Palace Casino, USA, Rozafa Casino Sh.A. Po sipas njoftimit zyrtar, firmat konkuruese kanë paraqitur dokumentacionet e kërkuara si dhe idetë për ndërtimin e kazinosë në Tiranë. Pas shpalljes së fituesit, proces tenderimi do të bëhet edhe për ndërtimin e kazinove në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Shpallja e kandidatit është bërë vetëm dy ditë pasi kryetari i PD-së, Sali Berisha, e denoncoi këtë aferë të re të kryeministrit Nano gjatë një konference shtypi. Ai theksoi se Fatos Nano ka lënë peng Hotel "Dajti"-n në kazinonë e Selanikut. Kryetari i PD-së ka theksuar se PD nuk është kundër privatizimeve, por është kategorikisht kundër privatizimit me bixhoz. "Vetëm një klikë që nuk ka pikën më të vogël të moralit, vepron në këtë mënyrë, sepse çdo qeveri, dy-tre muajt e fundit të mandatit përcakton një rregull për pastërtinë morale", tha Berisha.


    Si po kryhet privatizimi

    Kompania "Gaming Investments Overseas", një bashkëpunim mes Hyatt Regency Hotels & Tourism në Selanik dhe Laskarides Group, po në Greqi, mund të jetë fituesja e liçensës për kazinonë që do të ndërtohet në Tiranë. Njerëzit e kësaj kompanie njihen si njerëz të afërt të kryeministrit. Përmes kësaj afere, kryeministri pritet që të ketë një përfitim jo të vogël.

    Njëri variant është që kompania që do të fitojë liçensën e kazinosë do të marrë në pronësi 51% të kazinosë. Ndërsa 49% do jetë në pronësi të kompanisë shqiptare, që do të ketë në pronësi një ndërtesë në qendër të Tiranës. Ndërtesa ku do të vendoset kazinoja, do të jetë Hotel "Dajti". Edhe privatizimi i këtij hoteli pritet që të kalojë përfundimisht në duart e një biznesmeni të afërt me kryeministrin.

    60% e kapitalit të kësaj kompanie i përket Hyatt Regency Hotels & Tourism në Selanik dhe pjesa e mbetur prej 40% i përket kompanisë Laskarides Group. Menaxhimi i kompanisë do të bëhet ekskluzivisht nga Hyatt, përmes kompanisë në pronësi të saj United Reserve S.A. duke përfituar një pagesë domethënëse.

    Por burime të afërta me kryeministrin thanë për RD se për shkak të dekonspirimit të operacionit dhe akuzave të opozitës është menduar edhe një variant tjetër rezervë për kazinonë e Tiranës, Skema në përgjithësi mbetet e njëjtë, por vetëm ndryshon partneri shqiptar, i cili edhe në rastin e dytë ,është njëriu i afërt me familjen e kryeministrit. Sido që të jetë, në të dyja versionet, është vetë kryeministri që përfiton në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga dhënia e licencës së parë për kazino të madhe në Tiranë.


    Privatizime në prag të zgjedhjeve

    Privatizimet e fundit të qeverisë po bëhen në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe pas shumë kontestimeve, jo vetëm të politikës shqiptare, por dhe institucioneve ndërkombëtare. Dyshimi më i madh i këtyre privatizimeve është se koha që është gjetur për të kryer privatizimet përkon me periudhën parazgjedhore. Dyshimet nga radhët e opozitës kanë të bëjnë me faktin se shuma që do të përfitohet nga këto privatizime, do të përdoret nga partia në pushtet për fushatën elektorale. Një eksperiencë e tillë është bërë e njohur edhe në fushatën elektorale të vitit 2001. Vetë Guvernatori i Bankës deklaroi pas kësaj fushate se arka e shtetit ishte boshatisur, si pasojë e përdorimit të parave në fushatën elektorale. Mënyra se si po kryhen privatizimet është jashtë çdo transparence dhe kryetari i PR, Fatmir Mediu, i kërkoi dje opozitës që të prononcohej qartë lidhur me këtë problem. Sipas tij, opozita nuk duhet t'i njohë këto privatizime që po kryhen vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare. Kryetari i PD ka deklaruar se PD nuk është kundër privatizimeve, por se denoncon privatizimet që kryhen për motive elektorale. Edhe Banka Botërore, përmes përfaqësuesit të saj në Shqipëri, është shprehur në mënyrë skeptike lidhur me këto privatizime dhe dhënien me konçension të një sërë ndërmarrjesh nga ana e qeverisë "Nano".


    --------------------------------------------------------------------------------

    Kryetari i PR deklarohet kundër privatizimeve para zgjedhjeve


    Mediu: Privatizimet pa transparencë nuk duhet të njihen


    Mendoj që duhet të ketë një qëndrim të përcaktuar të opozitës shqiptare, që nëqoftëse do të bëhen këto privatizime jashtë transparencës dhe do të jepen konçensione, atëherë ato nuk duhet të pranohen nga qeverisja e nesërme


    - Zoti Mediu, ku konsiston nisma ligjvënëse e Grupit parlamentar të PR lidhur me pezullimin e privatizimeve deri në fillim të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit?


    Unë mendoj që duket qartë se ka një tendencë të qeverisë për të vazhduar abuzimet dhe korrupsionin, dhe ideja është që ose do të ketë një transparencë maksimale me një kontroll parlamentar, gjë që është edhe pjesë e kushtetutshmërisë së funksionimit të Parlamentit, ose këto privatizime duhet të ndërpriten. Nuk mendoj se mund të vazhdohet pafundësisht që prona publike të kalojë në duar të qeveritarëve, në mënyrë krejt të paligjshme.


    - A mendoni se do të mund të konkretizoni këtë nismë tuajën në Kuvend?


    Mendoj se nëqoftëse ky Parlament ka vullnetin për të pasur një transparencë në raport me privatizimin e pronave publike, kjo është e realizueshme. Nëqoftëse do të vazhdojnë me kokëfortësi për t'iu shërbyer interesave klanore të qeverisë, natyrisht që është e parealizueshme.


    - Më konkretisht, çfarë duhet të bëjë opozita për këtë çështje?


    Mendoj që duhet të ketë një qëndrim të përcaktuar të opozitës shqiptare, që nëqoftëse do të bëhen këto privatizime jashtë transparencës dhe do të jepen konçensione, atëherë ato nuk duhet të pranohen nga qeverisja e nesërme.

    H.R


    --------------------------------------------------------------------------------

    Nuk ka patur transparencë në privatizimet e sektorëve strategjikë


    Zogaj: Të stopohen privatizimet e mëdha


    Deputeti aleancist Preç Zogaj vlerëson nismën e Grupit parlamentar Republikan për bllokimin e procesit të privatizimeve, deri në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

    "Propozimi i opozitës është i drejtë, që në këtë fazë, në prag të zgjedhjeve, disa privatizime të mëdha të stopohen. Unë mbështes këtë nismë për arsye se edhe në të kaluarën nuk ka patur transparencë në privatizimet e sektorëve strategjikë dhe madje kanë krijuar situatë monopol, nga e cila Shqipëria nuk po del dot", shprehet Zogaj. Pikërisht për shkak të efekteve shumë negative që kanë krijuar privatizimet e sektorëve strategjikë në të kaluarën, Zogaj mendon se tani duhet të ndërpritet ky proces deri në zgjedhje. Kjo sipas tij, lidhet edhe me dyshimet e opozitës që e gjitha bëhet për të forcuar akoma më shumë monopolet në telekomunikacion.

    Lidhur me anullimin e privatizimeve të paligjshme nga qeverisja e nesërme e Partisë Demokratike, Zogaj shprehet se "nuk ka kosto të lartë rishikimi i privatizimeve, por më e mira është që të stopohet privatizimi i sektorëve strategjikë këtë periudhë zgjedhore dhe me ardhjen në pushtet të opozitës, të krijohen kushtet e thyerjes së monopoleve nëpërmjet operatorëve të rinj". Si shembullin më konkret, deputeti aleancist merr mosfutjen menjëherë në treg të telefonit të ri celuar 067 që premtohet prej kohësh, ndërkohë që është domosdoshmëri bllokimi i privatizimeve të të gjithë sektorëve strategjikë, deri në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

    H.R


    --------------------------------------------------------------------------------

    PD kundërshton privatizimet dhe dhëniet me konçension 6 muaj para zgjedhjeve


    Opozita u bashkohet vërejtjeve të BB për privatizimet


    Spaho: "Ka një ngut të pajustifikueshëm nga qeveria për të privatizuar disa objekte si, ARMO, Serkom, Telekom, Hotel "Dajti", Agjensia Detare "Taulantia", dhënia me konçension e gjendjes civile apo disa hidrocentralëve lokalë, apo privatizime. Nuk po i kthehem këtu historisë së dhënies me konçension të depozitave të karburanteve në Vlorë apo Uzinës së Telave në Shkodër"


    Partia Demokratike kundërshton privatizimet dhe dhëniet me konçension nga qeveria, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve. Reagimi i PD-së vjen pas një prononcimi të fundit të misionit të Bankës Botërore në Tiranë, i cili kërkoi që procesi i dhënies me konçension të kalojë përmes tenderit të hapur, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri.

    Edmond Spaho, sekretar i Partisë Demokratike për Çështjet Ekonomike, shprehu dje kundërshtinë e tij në lidhje me privatizimet dhe dhëniet me konçension të një sërë objektesh të ndërmarra nga qeveria kohët e fundit, që janë një pasuri kombëtare për vendin tonë, para zgjedhjeve parlamentare. Spaho rikujtoi se PD ka shprehur rezerva për këto procese, pasi sipas tij, PD e sheh si një lëvizje që lidhet me fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare. Spaho u shpreh më tej se procese të tilla po kryhen me ngut dhe me mungesë të plotë të transparencës ndaj publikut, dhe për rrjedhojë, procesi i disa privatizimeve të ndërmarra kohët e fundit si dhe dhënia me konçension, sipas tij, nuk janë në interes të ekonomisë, por në interes të individëve dhe grupeve të ndryshme, të cilat kanë lidhje me qeverinë. "Ka një ngut të pajustifikueshëm nga qeveria për të privatizuar disa objekte si, ARMO, Serkom, Telekom, Hotel "Dajti", Agjensia Detare "Taulantia", dhënia me konçension e gjendjes civile apo e disa hidrocentralëve lokalë, apo privatizime. Nuk po i kthehem këtu historisë së dhënies me konçension të depozitave të karburanteve në Vlorë apo Uzinës së Telave në Shkodër", tha ai. Duke vijuar fjalën e tij, Spaho theksoi se PD mendon që procedimi në këtë mënyrë gjatë kësaj kohe ka efekte negative, pasi objektet janë të papërgatitura për procesin e privatizimit ose të dhënies me konçension. Sekretari për Çështjet Ekonomike në PD shtoi gjithashtu se Shqipëria ka një demokraci të pakonsoliduar mirë dhe për rrjedhojë, ndërmarrja e proceseve masive të privatizimit dhe të dhënies me konçension në prag të fushatave elektorale nuk është efektive, pasi nuk ka interes nga firma të fuqishme, kështu që ofertat e ofruara janë nën vlerën reale të objekteve. "Kjo do të sjellë një dëm ekonomik". Një tjetër rrezik, sipas Spahos, në privatizimet dhe dhëniet me konçension para zgjedhjeve është dhe ai që paratë e marra nga përfundimi i këtyre proceseve të përdoren në funksion të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, dhe për këtë fakt, sipas tij, ka precedentë. "Unë mjaftoj t'ju kujtoj zgjedhjet e vitit 2001, ku një pjesë e fondeve të privatizimit janë përdorur për fushatë elektorale. Unë do t'ju kujtoja edhe një prononcim të fundit të misionit të Bankës Botërore në Tiranë, i cili kërkoi që procesi i dhënies me konçension të kalojë përmes tenderit të hapur, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri. Për rrjedhojë, ne mendojmë që së paku duhet krijuar një komision parlamentar, i cili të monitorojë procesin e privatizimeve ose dhënies me konçension, në mënyrë që ai të jetë sa më përfitues për vendin, sa më transparent, pasi kemi të bëjmë me pasuri kombëtare, dhe në rast në kundërt, ky proces të ndërpritet dhe të rifillojë menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme", përfundoi Spaho.

    Siç dihet, Partia Demokratike ka kërkuar që 6 muaj para zgjedhjeve ose të krijohet një komision parlamentar për privatizimin, ose të ndërpritet procesi i privatizimit, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    M.B

Tema të Ngjashme

  1. Të dhëna mbi rruzullin tokesor.
    Nga elda në forumin Shkenca dhe jeta
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 27-02-2016, 13:26
  2. Përgjigje: 109
    Postimi i Fundit: 30-11-2009, 05:18
  3. "Ne Shqiperi po perjetohet periudha e revanshit per shkak te qeverise se kaluar !
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 04-12-2005, 22:12
  4. Nje "dhurate" nga Nano ne fund te mandatit
    Nga gene në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-03-2005, 07:27
  5. Cila do te ishte periudha....
    Nga Scud-Missile në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 11-01-2005, 08:15

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •