Shqipëria duhet të reduktojë krimin dhe korrupsionin, si dhe të arrijë stabilitet ekonomik dhe politik para se të arrijë objektivin për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, tha të enjten Sekretari i Jashtëm britanik, Jack Straw.

Straw, i cili të enjten u takua me homologen shqiptare, Arta Dade, në Londër, tha se Britania mbështet përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe në organizmat e tjerë europianë dhe të Atlantikut Verior.

Në një deklaratë pas takimit, Straw u shpreh se Shqipëria "ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit në Europën Juglindore".

"Britania e mirëpret këtë dhe kërkon që Shqipëria të përparojë sa më shpejt të jetë e mundur", tha ai.

Straw shtoi se reformat e domosdoshme për pranim në BE "kërkojnë më shumë përpjekje".

Nuk ka alternativë për këtë. Por një aksion i suksesshëm kundër krimit dhe korrupsionit, krijimi i stabilitetit ekonomik dhe politik, si dhe reforma në shërbimin civil dhe juridik, do t'i sjellin Shqipërisë përfitime konkrete."

Si pjesë e fushatës së saj për të ndihmuar ekonominë e Ballkanit dhe për t'i dhënë fund destabilitetit politik atje, BE-ja aktualisht po negocion një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me Shqipërinë.

Në kuadër të marrëveshjeve të tilla, vendet e Ballkanit marrin më shumë ndihmë nga BE, pjesëmarrje në tregjet europiane perëndimore dhe ndoshta një anëtarësim të mundshëm në BE.

Dade citohet nga zyra për shtyp e Ministrisë së Jashtme në Tiranë se "ka kërkuar mbështetjen britanike për procesin e integrimit të Shqipërisë në organizmat euroatlantike, veçanërisht për hapjen e negociatave për marrëveshjen e asociimit me BE-në."

Gjithashtu, ajo vlerësoi rolin e Qeverisë Britanike për forcimin e stabilitetit në Ballkan.

Steven Wall, këshilltar i Kryeministrit Tony Blair, citohet se t'i ketë thënë asaj se Londra nxit rrugën politike të ndjekur aktualisht nga Qeveria Shqiptare.

Gjatë vizitës së saj njëditore në Londër, Dade u takua me Lord Rothchild i Fondacionit Butrinti, dhe drejtorin e tij Sir Patrick Fairweather, me të cilët diskutoi mbi nxitjen e turizmit në Butrint dhe Sarandë, në jug të Shqipërisë.