Projekti amerikan për Lindjen e Mesme të Madhe
"Është e domosdoshme që popujve arabë t'ua mësojmë shkrim-leximin e jo urrejtjen! Amerika do të bëjë çmos që t'i nxitë qeveritë arabe që ato të bëjnë reforma demokratike! Lindja e Mesme është qendër e konflikt të luftës kundër terrorizmit!"
(Presidenti amerikan
George W. Bush)
Mr. Qemajl Morina
Lindja e Mesme me tërë potencialin e saj të madh, si në aspektin strategjik, po ashtu edhe për shkak të rezervave të mëdha të burimeve të naftës, mbi 80% të rezervave botërore të naftës gjenden në atë pjesë të botës, përbën një rajon shumë strategjik. Për këtë arsye Amerika është interesuar që me tërë potencialin e saj politik dhe ushtarak,vazhdimisht të jetë e pranishme në atë rajon, sepse këtë e kërkojnë interersat e saj strategjikë. Kjo është arsyeja pse para disa muajsh, Administrata Amerikane ka përgatitur një projekt, i cili i dedikohet kësaj pjese strategjike të botës. Projekti në fjalë, i ashtuquajtur "projekti i Lindjes së Mesme të ‘Madhe’” apo “ të zgjeruar", ka nxitur debate të shumta si në qarqet politike arabe, ashtu edhe në medie. Opinionet rreth këtij projekti janë prej më të ndryshmeve. Prej atyre që e krahasojnë atë me një formë të re të kolonializmit të ri (të këtij mendimi janë shumica) e deri tek ata që mendojnë se ky projekt mund t’i zgjojë nga letargjia e gjatë në të cilën kanë rënë sistemet e korruptuara dhe diktatoriale të qeverive arabe; ka dhe një pjesë tjetër, e cila nuk ka shprehur ende qartë opinionet rreth kësaj çështjeje. Kjo u vërtetua më së miri edhe në samitin e fundit të nivelit më të lartë të njëzet e dy vendeve të Ligës Arabe, që u mbajt kohë më parë në Tunis. Aty, prijësit arabë nuk arritën në një përfundim të përbashkët lidhur me këtë çështje tejet të rëndësishme. Meqenëse ky projekt është i një rëndësie të veçantë për ShBA-në, u vu në krye të axhendës të samitit të tetë vendeve më të industrializuara të botës, që u mbajt më 8 qershor në shtetin e Xhorxhisë të Amerikës. Në të njëjtën kohë ky projekt do të jetë në krye të axhendës të samitit të vendeve anëtare të NATO-s, i cili po mbahet këto ditë në Stamboll. Qëllimi i Amerikës është që ky projekt të përkrahet edhe nga aleatët evropianë, një gjë që ka kohë që propagandohet. Ndërsa aktet e shumta të dhunës që po ndodhin kohët e fundit në Arabinë Saudite, që mund të shkaktojnë destabilizimin e vendit, e arsyetojnë këtë.
Rritja enorme e çmimit të naftës kohët e fundit (çmimi i naftës në tregun botëror arriti në 42 dollarë për një barel), mu për shkak të gjendjes së nderë në Irak, për se Uashingtoni i fajëson vendet prodhuese të OPEK-ut. Uashingtoni vazhdimisht po bën përpjekje për të bërë trysni mbi OPEK-un që të mos ketë monopol në caktimin e çmimit të derivateve të naftës. Ndërkohë që Arabia Saudite, si prodhuesi më i madh i naftës në botë, për të penguar rritjen e çmimit të naftës, shtoi prodhimin e saj për më shumë se një milion barela në ditë. Projekti amerikan për Lindjen e Mesme të Madhe si dhe invazioni amerikan në Irak, si fazë e parë e këtij projekti, në thelb ka për qëllim të sigurojë monopolin e saj mbi burimet natyrore të këtyre vendeve, për të siguruar vazhdimin e aktivitetit të industrisë dhe të faktorit njerëzor në Amerikë.
Mosmarrëveshjet midis Evropës dhe Amerikës mund të jenë për shkak të interesave të ndryshëm që kanë të dyja palët në këtë pjesë të botës, dhe kjo u vërejt me rastin e intervenimit amerikan në Irak. Bashkimin Evropian, e shohim për ditë e më shumë të jetë involvuar edhe në konfliktin palestinezo-izraelit. I dërguari komesarit të Bashkimit Evropian, Martinos, është vazhdimisht i pranishëm në Lindjen e Mesme. Bile Bashkimi Evropian ka një politikë më të drejtë dhe më parimore ndaj çështjes palestineze se pala amerikane. Mirëpo, këtu është më rëndësi edhe aspekti fetar, pikërisht fakti se cili do të jetë qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth Islamit. A do të ndryshoj qëndrimi armiqësor i një numri të konservativistëve të rinj evropianë ndaj Islamit dhe pasuesve të tij, si dhe cilësimi i tyre si terrorist dhe cilësimi i fesë së tyre si fe e jotolerancës. Prandaj, në shumë debate publike në Botën Arabe shtrohet pyetja: “A jemi ne para një aleance të re të krishterë, e cila ka për qëllim të fundit që Perëndimi të mbizotërojë dhe një herë në Lindjen e Mesme?" Në veçanti kur dihet se presidenti Bush në deklaratën e tij të parë menjëherë pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001 kishte folur për një luftë kryqëzatash. Në anën tjetër, në shumë pikëpamje të tij, si pikënisje ai ka aspektin fetar, gjë që shkakton polemika të shumta në Amerikë për shkak të futjes së fesë në politikë në një shoqëri ku feja është e ndarë nga shteti me norma kushtetutare.
Presidenti Bush vetëm pak ditë para se të mbahej samiti i tetë shteteve më të industrializuara të botës, kishte shpeshtuar deklarata e tij rreth nismës amerikane të projektit për Lindjen e Mesme të Madhe. Kështu në një rast ai kishte deklaruar se është e domosdoshme që popujve arabë t’ua mësojmë shkrim-leximin dhe jo urrejtjen! Po ashtu kishte deklaruar se Amerika do t’i nxitë qeveritë e vendeve arabe që ato të fillojnë me reformat demokratike. Ndërsa në shenjë të përkrahjes dhe solidaritetit të Evropës me projektin e tij, ai kishte deklaruar se në konfliktet e shekullit të kaluar vendet e qytetëruara kishin luftuar krah për krahu me njëri-tjetrin! Ai kishte deklaruar se Lindja e Mesme është qendër e konflikteve të luftës kundër terrorizmit! Projekti i sipërpërmendur përmban reforma të gjera, si ato politike dhe ekonomike, ashtu edhe shoqërore, kulturore dhe arsimore, gjë që ka ngjallur frikën tek një numër i konsiderueshëm i njerëzve. Ndërsa vendet që duhet t'i përfshijë projekti i përmendur, shtrihen që prej Afganistanit dhe Pakistanit në lindje, deri në Marok dhe Mauritani në perëndim. Kjo do të thotë se projekti do t'i përfshijë shumicën e vendeve arabe dhe islame.
Reformat në planprogramet e arsimimit fetar kanë ngjallur reagimet më të shumta tek intelektualët, sepse feja gjatë historisë është treguar si mbrojtësja më e mirë e identitetit tek muslimanët edhe në periudhat më të vështira të historisë.
Sipas projektit të ri, janë paraparë ndryshime rrënjësore në arsimimin fetar duke filluar prej fazave të arsimit fillor deri tek ai më i larti. Këto transformime, sipas prononcimeve të para të përgjegjësve të arsimit fetar, në Botën Arabe nuk mund të imponohen nga jashtë dhe, si të tilla, ato janë të papranueshme. Këtë mendim e kanë shprehur disa herë përgjegjësit më të lartë të Egjiptit që prej Dr. Muhamed Zakzukit, ministër i çështjeve fetare i Egjiptit, pastaj shejh Tantavi, rektor i Universitetit të el-Az-harit, e deri tek shumë personalitete të tjera. Në realitet, Egjipti është në krye të shteteve arabe që i kundërvihen këtij projekti amerikan. Presidenti amerikan Bush, për ta bindur kryetarin e Egjiptit që të pranonte projektin në fjalë, e kishte ftuar për një vizitë disaditëshe në ShBA. Koncepti egjiptian lidhur me reformat është më se i qartë. Bota Arabe ka nevojë për transformime demokratike, por me kusht që ato të mos imponohen nga jashtë; ato duhet të jenë autentike e të mbështetura në dëshirën dhe vullnetin e popujve dhe vendeve arabe. Realizimi i tyre mund të bëhet me ndihmën e vendeve të zhvilluara dhe në bashkërendim të veprimeve me vendet e rajonit.
Nëse dëshirohet që reformat të jenë të suksesshme, ato vende kërkojnë stabilitet dhe siguri të plotë, gjë që nuk është siguruar kur është fjala për Lindjen e Mesme. Konflikti arabo-izraelit për çdo ditë po merr përmasa më të mëdha, për se ShBA mban një përgjegjëgjësi të madhe për shkak të përkrahjes pa rezervë, si në aspektin moral, ashtu edhe material, të Izraelit qysh nga themelimi i tij si shtet në atë pjesë të botës. Prandaj, nuk mund të ketë një transformim të mirëfilltë demokratik në Lindjen e Mesme pa zgjidhjen e drejtë të konfliktit arabo-izraelit si dhe të çështjes palestineze, e cila përbën thelbësoren në problemin për më shumë se pesë decenie. Kjo përkrahje e vazhdueshme e ShBA-së ndaj Izraelit, në Botën Arabe ka krijuar një urrejtje antiamerikane të paparë deri më tash edhe në ato vende ku Amerika kishte aleatët e saj tradicionalë, siç janë Arabaia Saudite, Emiratet e Bashkuara e Jordania, por edhe Egjipti deri diku për shkak të ndihmës financiare
prej më shumë se 2,5 miliardësh dollarë në vit, që Amerika i jep atij në bazë të marrëveshjes së Kemp-Dejvidit midis Egjiptit dhe Izraelit më 1979.
Invazioni amerikan në Irak shtoi edhe më shumë këtë urrejtje në të gjitha vendet arabe. Sipas njërit nga strategët më të njohur amerikanë dhe ish-këshiltar për siguri kombëtare - Zbignjev Bzhezhinski, Amerika asnjëherë nuk ka qenë më e urrejtur në botë sesa është tash. Por, po sipas tij, kjo urrejtje ka të bëjë drejtpërdrejt me personalitetin e presidentit aktual - Xhorxh Bush, i cili gjatë qeverisjes së tij prej më pak se katër vjetësh bëri gabime të shumta, duke u shpallur luftë atyre që ai i quajti “aleanca e së keqes”, ku nuk kishte futur vetëm Irakun në kohën e Sadam Husejnit, Iranin dhe Korenë Veriore, ashtu si dëshironte t’ua paraqiste të tjerëve, po pothuajse tërë botën, me përjashtim të atyre që ishin në anën e tij.
Ky është problemi me të cilin do të ballafaqohet Amerika pas përfundimit të qeverisjes së Bushit… Si ta kthejë besimin e botës? Si t’i largojë të gjithë ata ”armiq“, nga dosja e së keqes , të cilët i krijoi Bushi i Riu?
Transformimi i imponuar nga kushdo qoftë, nuk mund të jetë i suksesshëm. Politika amerikane aktuale është e papranueshme në Botën Arabe deri në atë shkallë, saqë çdo iniciativë e tashme e tij mund të konsiderohet si armiqësore dhe mjafton të cilësohet si plan amerikan për shkatërrimin e Islamit.
Ndërsa reformatorët vendës, nuk kanë mundësi të japin kontributin e vet, sepse ata nuk dëshirojnë të marrin atributin e propaganduesve të reformave të prodhimit amerikan. Për këtë arsye, më së miri është që transformimi i Lindjes së Mesme të mbetet obligim i adminsitratës, e cila do ta vijë pas përfudnimit të mandatit të administartës së presidentit aktual Xhorxh Bush.
www.dritaislame.net
Administrata e Bushit u ka dhënë shoqatave fetare krishtere më shumë se një miliard dollar për një vit
Gazeta "Chikago Tribun" në numrin e të hënës ka treguar se administrata amerikane u ka dhënë shoqatave fetare krishtere amerikane më shumë se një miliard dollar vetëm për vitin 2003.
Kjo gazetë mes tjerash thotë:
"Qeveria ua ka dhënë këto para shoqatave që si bazë të tyren e kanë besimin dhe ofrojnë shërbime fetare, siç është "lutja" dhe "shërimet shpiërtërore".
Janë befasuar disa shoqata që e konsiderojnë vetën shekullare kur e kanë parë veten në listën e shoqatave fetare, të cilën e boton Shtëpia e Bardhë.
Shoqatat që i pranojnë këto donacione nuk i fshehin aktivitetet e tyre krishtere, madje njëra shoqatë thotë: "Qëllimi ynë është përhapja e besimit në krishterizëm, sepse kjo i bën njerëzit më të mirë".
Kjo gazetë thotë: "Administrata e Bushit u ka dhënë shoqatave krishtere 1.17 milijard dollar për vitin 2003, kurse nëpunësit në Shtëpinë e bardhë parashikojnë se këto dhurata do të shtohen në vitet e ardhshme.
Prej premtimeve parazgjedhore në garat e para për kryetar të Amerikës Xhorxh Bushi ka premtuar se do të finanson shoqatat krishtere që janë aktive në Amerikë, nëse fiton postin e kryetarit të Amerikës. Pa dyshim se kjo i shton frikësimet për dobësimin e shekullarizmit amerikane, ku është e shënuar në mnëyre decide se shteti është i ndarë nga kisha.
Marrë nga: Islammemo.cc
Përktheu: Bekir Halimi www.albislam.com
Krijoni Kontakt