Malarja është një nga sëmundjet më të tmerrshme që ende nuk është zhdukur krejtësisht. Pikërisht për këtë arsye kërkimet shkencore për të kanë vazhduar vite e vite me rradhë. Së fundmi mendohet se shkenca e mjekësisë ka konkluduar në zgjidhjen përfundimtare të saj. Shkencëtarët kanë shpallur se është bërë e mundur deshifrimi i plotë i kodit gjenetik të parazitit mikroskopik që shkakton malarjen, si edhe të mizës që e transporton atë tek njerëzit. Njohja e kodit gjenetik të parzitit plasmodium falciparum si edhe të mizës anopheles gambiae, hap një sërë shtigjesh të reja në krijimin e armeve kunder kësaj sëmundjeje. Tashmë mund të jenë të mundshme një sërë ilaçesh, vaksinash, insekticidesh apo insekte të cilat mund t’i rezistojnë këtij paraziti në mënyre natyrale. Por shkencëtarët njëkohësisht kanë paralajmëruar se duhet një numër i konsiderueshëm vitesh pune, për të arritur përfundime të tilla të prekshme. Projekti që do të sjellë në dritë të gjitha këto të dhëna kaq shumë të domosdoshme për njerëzimin do të bëhet i mundshëm në sajë të një bashkëpunimi ndërkombëtar ku përfshihen 250 studiues nga mbarë bota dhe mendohet gjithashtu se ky studim kaq i rëndësishëm do ta ketë koston rreth 48 milionë euro. Analizat shkencore të këtyre kodeve gjenetike tashmë janë botuar në gazetën angleze Natyra dhe Shkenca, dhe janë bërë në këtë mënyrë të njohur për të gjithë publikun botëror. Sëmundja e malarjes ka një rrezikshmëri tepër të lartë për njerëzit. Ajo shkakton vdekjen e 2.7 milionë njerëzve çdo vit, shumica e të cilëve janë fëmijë. Ilaçet egzistuese kundër saj e kanë humbur fuqinë e tyre pasi paraziti bëhet gjithmonë e më tepër rezistent.
Kofi Annan, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është shprehur për Neë York Times se nëse avantazhet e këtij zbulimi do të mund të shpërndahen në mënyrë të drejtë në mbarë popullsine e botës, vetëm atëherë vendet në zhvillim do të mund të flaknin tej prangat e kësaj sëmundjeje shkaterruese.
Sipas Dr. Mike Dexter, drejtor i degës britanike të Ëellcome, e cila ka kontribuar me rreth 8 milionë stërlina në këtë proçes të gjatë kërkimor, fillimisht ishin të shumtë shkencëtarët të cilët mendonin se nuk do të arrinin t’i dilnin në krye këtij projekti, për arsye të vështirësive teknologjike. Por në sajë të një bashkëpunimi ndërkombëtar të nivelit të lartë u arrit ajo që mendohej e pamundur për shumicën e popullsisë.
Sot për sot në të gjithë botën shpenzohen vetëm 200-300 milionë dollarë për mbajtjen nën kontroll të malarjes. Ashtu siç ndodh rëndom pothuajse me të gjitha shpikjet shkencore edhe në këtë rast ky informacion i ri gjenetik ka shumë mundësira që të përkeqësojë tensionet dhe marrëdhëniet midis shkencëtarëve. Ka shumë prej tyre që duan të zhvillojnë dhe të merren me shpikjen e armëve të reja teknologjike kundër parazitit. Gjithashtu ka dhe një pjesë të madhe prej këtyre mjekëve dhe profesionalistëve të shëndetit të cilët mendojnë se është më mirë që paratë të shpenzohen në përmirësimin e masave egzistuese mbrojtëse ndaj parazitit të malarjes. Por pavarsisht nga të gjitha këto kontradikta të botës së shkencëtarëve, ajo që mbetet si më e rëndësishmja është arritja e këtij zbulimi, që do të thotë me fjalë të tjera miliona jetë do të shpëtojnë tani e tutje nga sëmundja vdekjeprurëse.