Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    21-11-2002
    Postime
    167

    Historia e trishtë e mjellmës së dashuruar (rm)

    Të premten e një shiu të madh, një ëngjëll i vogël zbriti prej qiellit, i mbajtur pas një çadre. Mbështeti për herë të parë këmbët mbi tokë afër një liqeni, mbylli çadrën dhe e la veten të përkëdhelej nga uji që rridhte. Mori të ecë drejt. Lëvizja e tij ishte e brishtë, ëngjëllore. Krahët e tij të blertë ishin të lagur e ai ndjeu ftohtë. Sheshi përballë ishte i zbrazët, stolat të gjithë të vetmuar dhe u ndie bosh, i lodhur e me një dhimbje të trishtë.
    Afër liqenit ishte një mjellmë që flinte sikur të ishte pranverë e rrezet e diellit ta kishin përkundur për një kohë të gjatë .Ai u afrua duke pëshpëritur një melodi ëngjëjsh në buzë e vetëm kur u ndal përpara mjellmës, i shtriu gishtat mbi flatrat e saj dhe e lëkundi ëmbël.
    Ajo nuk u ndie.Gjumi i saj ishte i thellë, ndryshe gjëmimet e qiellit do ta kishin trembur, uji i akullt do ta kishte shtyrë në një qoshe të mbrojtur, e mbi të gjitha gishtat e një ëngjëlli nuk do kishin kaluar shkarazi mbi të.
    -Zgjohu,-tha ëngjëlli duke vazhduar të ledhatonte mjellmën në gjumin e saj.
    Shiu vazhdonte të binte. Kaluan orë derisa ëngjëlli vuri re si derdhej rishtazi jeta brenda shpirtit të mjellmës. Kjo u zgjua me kokën e përkulur, si e dënuar përjetësisht me vdekje, pa hapur sytë, duke klithur:
    -Vdiq!
    Pastaj fërkoi vështrimin me flatra, derisa kuptoi që para saj ndodhej një ëngjëll që po e kundronte habitshëm..
    -Ke ftohtë?-e pyeti mjellma duke ndier për herë të parë sa e rëndësishme ishte t’i flisje një tjetri për gjëra të tjera.
    Ëngjëlli i buzëqeshi.Tashmë krahët e tij ishin mbledhur aq sa mezi dukeshin, e në fund të fundit kishte me vete edhe një çadër qielli. Po të kishte dashur, do ta kishte hapur në vend të trishtimit të shiut.
    Mjellma e pa në sy, rënkoi e mjerë, me dëshirën të mblidhte gjithë vrerin e me të të përmbyste rrugët, por s’mundi dhe kërkoi me ngut të fshihej brenda dhimbjes së saj. Por ëngjëlli nuk foli. E pa në sy sikur t’i kërkonte asaj të tregonte, kurse me njërën dorë po e ledhatonte ngadalë, aq sa ajo u ndie çuditërisht tjetër, derisa filloi të ngrohej duke dashur të lëvizte.
    Kjo nuk zgjati shumë.Mjellma rrëshqiti prej atij vendi duke rregulluar flatrat, aq sa foli me një zë të vajshëm që dridhej në çdo fjalë:
    -Nuk prisja që të vinte një ëngjëll të më ngushëllonte. Nuk është ndonjë lajm kurioz, lajm që të bën të qeshësh apo të buzëqeshësh.
    Ëngjëlli largoi mënjanë kokën, sikur të kuptonte nevojën që ajo të tregonte.
    -O Zot, sa skuqte dielli !Unë dhe i dashuri im qëndronim pa zë duke parë zjarrin e qiellit.
    Ngado afër nesh gjallëronte jetë dhe shkëlqim.Unë do doja me ngut të largohesha për një çast e me flatrat e mia të thurrja kurrorën e luleshqerrave për princin tim. Nuk e bëra.Kujtova se ajo ditë e gjatë sa jeta jonë do zgjohej edhe të nesërmen sipër nesh.
    -E ç’ndodhi?-ndërhyri ëngjëlli duke lënë mjellmën me një mjegull lotësh që e dridhnin të gjithën.
    Ajo nuk foli. E përhumbur u hodh prapa, duke treguar me flatra diku larg, një vend të papërcaktuar, e duke ofshamur e dërrmuar:
    -Ishte një djalosh i ëmbël me sytë bojëqielli. Unë nuk kisha menduar të bija në dashuri me një njeri, por mënyra si më shikoi për herë të parë më bëri t’i harroj të gjitha. Ai ecte shpengueshëm, atë mëngjes, u largua disa metra prej meje, pastaj qeshi. Ktheu kokën, më shkeli syrin e më tha që e bëri me dashje.
    Unë nuk e kisha të lehtë t’i përgjigjesha. Rraha flatrat dhe e ftova të vinte më afër. Ishte një djalosh çuditërisht i vetmuar. Kishte ardhur nga larg, më dukej se e ndiqnin ëndrrat e tij dhe s’e linin të prehej asnjë çast në paqe.
    Mjellma u lëshua e këputur dhe ëngjëlli nuk arriti dot ta priste. Vetëm lehtësoi rënien e saj duke e kapur kalimthi afër tokës.
    –Ti nuk je i drejtë. Më latë vetëm në dhimbjen time, më hoqët atë për të cilin jetoja, e tani kërkoni të më ngushëlloni. Duke më pyetur ato që unë përpiqem mos i mbaj më mend.
    …Mos folë, po të them! Ti ke qenë edhe në një vend tjetër para se të vije këtu. Është afër, unë e ndiej, e di mirë.
    Misioni yt të çoi më përpara në një tjetër shesh, aty ku të gjithë fëmijët kishin ushqyer me grurë të helmuar pëllumbat e asaj piace, që të mos bënin zhurmë. Që të mos gjallonin më të shkretët zogj.
    Përse erdhe tek unë tani? Është vonë.Ti e di këtë e vazhdon të këmbëngulësh sikur mos jetë pak ajo që më ka ndodhur.
    Ëngjëlli u tremb. Sidomos kur dëgjoi që ajo e dinte për sheshin e pëllumbave të helmuar.
    -Si e ka marrë vesh?-mendoi, por pastaj i vuri të gjitha gjërave fajin e një lloj spiritizmi, në sajë të të cilit mjellma me dashuri të vrarë lexonte dhimbjet e qytetit.
    -Më fal, i tha ëngjëlli.-Unë dua që ti të vazhdosh prapseprapë jetën tënde. Për këtë jam këtu,-e uli kokën me turp, i zbuluar kokë e këmbë për qëllimet e tij.
    -Po sheshit, atij sheshi bosh me kufoma zogjsh të helmuar, ç’bëre, që i the? Asgjë, vetëm t’i flisje drurëve dhe stolave bosh në një ditë me shi. Prandaj je këtu, nuk arrite të gjesh njeri, të bësh dot gjë, e vjen të më ngushëllosh mua si viktima jashtë rradhe. Të lutem…Ti nuk ke më gjë në dorë. Të lutem,-tha e ia krisi një vaji të heshtur. E mblodhi veten, dhe e tretur në një shikim të mjegullt, vazhdoi:
    -Ne u dashuruam që atë ditë. Djaloshi vinte mëngjes për mëngjes të më ushqente, pastaj hipte në varkën e tij e bënim shëtitje të gjata. Ai recitonte poezi. Ndonjëherë edhe këndonte. Gjenim vende të fshehta, larg vështrimeve grabitqare për t’u prehur në shpirtrat e njeri tjetrit. Deri sa më tha që ishte e vështirë të vazhdonte më tej. Më tregoi një fletore të vogël, ku pashë se si më kishte vizatuar mua, më tutje disa shkrime të nxituara, sikur e kishte ndjekur njeri e në fund, vetveten si një fantazmë që endej nëpër botë.
    Unë u ndjeva e shqetësuar për këtë gjë. Rraha ujin duke ngritur pikla që lagën vizatimet e tij. Djaloshi më pa i menduar, buzëqeshi, e tha që unë s’kisha ndonjë faj. Ishte një botë e padrejtë, përderisa ndëshkonte ata që s’kishin faj.
    Unë i dhashë të drejtë ato çaste, megjithatë mendoj që kjo e inkurajoi.
    -E inkurajoi?
    -Tamam! Ai nuk ishte si gjithë njerëzit e tjerë. Ai ishte i dashuruar me një mjellmë, prandaj kishte braktisur botën, për të ardhur këtu, afër meje, për të më bërë shoqëri. Më tha që e ndiqnin, po, e kishin ndjekur këmba këmbës e i kërkonin shpagim. Çuditërisht bota njerëzore nuk pyet për gjellën e shpirtit, por seç bën një supë morali të mbushur me dënime, përndjekje, ndëshkime e piper të zi.
    Unë s’dija ç’të bëja. Ishte hera e parë që e dëgjoja të më shprehte dashurinë haptazi. Zgjata shkathtësisht qafën dhe e putha e para. Sa e lumtur u ndjeva. Pa le ai, vetëm qeshte dhe ishte i skuqur nga koka te këmbët.
    -Në djall të gjitha,-më tha, unë jam i dashuruar pas mjellmës sime, e s’më bëhet vonë ç’thonë njerëzit! S’dua t’i përkas asaj race. Ti mund të bësh gjë për mua?
    Nuk fola, vetëm mendova një lutje që atij t’i jepeshin një palë flatra, si të miat, qoftë edhe për një ditë, qoftë edhe për disa orë.
    E kaluam gjithë kohën së bashku. Pastaj ai u zhduk. Unë përjetova skëterrën më sy, kaluan ditë dhe unë s’e pashë. Kur u kthye ishte i gjithi i gjakosur nga koka tek këmbët. E pashë nga larg, e për pak më ra të fikët. Erdhi e më tregoi ç’i kishte ndodhur përmes lotësh. Njerëzit e kishin dërrmuar me grushta, me shkelma. Një lumë të sharash ishin derdhur mbi të kur iu kishte thënë që kishte tradhëtuar racën. Që s’ishte si ata. Që zemra e tij më përkiste mua. I kishin kërkuar t’iu tregonte ku isha. Kështu do ta kishin të lehtë të vinin e të më vrisnin.
    –Nuk nxorra gjë nga goja, të betohem,-përsëriti disa herë, kurse unë me një dashuri sa qielli e mbulova përmes krahëve e kërkova të vdes nga dhimbja. Djaloshi fshiu globet e syve me cepin e xhaketës, e më tha:
    -Do lahemi?
    Unë pranova menjëherë. Kështu humbiste mendjen, e lehtësonte të nxirat. E pashë kur u zhvesh i gjithi lakuriq. Më verboi. Një trup të tillë atleti që ia kishte zili gjithë bota. Unë u turpërova, kur e pashë, por ai më hodhi krahët në qafë duke më thënë:-Ne jemi ta dashur, tani!
    U fut në ujë, pastaj më pyeti i habitur:
    -Po ti, s’po zhvishesh?
    Nuk guxova t’ia prish. Hoqa me kujdes flatrat që më pengonin, e i palosa diku afër bregut. Ai më tha që ngjaja shumë bukur ashtu. Pastaj më bindi që për të notuar në liqen, s’ishte e nevojshme të fluturoje. Ashtu, të shtrënguar, notuam dhe u puthëm gjatë gjithë kohës. Por djaloshi u lodh. Kërkoi të provonte flatrat e mija. Unë qesha. E atij i erdhi keq nga e qeshura ime. Dolëm në breg, unë i vura në vend flatrat dhe e ngushëllova duke i thënë që ishte e pamundur.
    Megjithatë e pashë që ishte thyer në zemër. I premtova vetes të mos e lëndoja më. Mes nesh kishte krisur diçka. Në atë moment e gjejmë veten të rrethuar nga njerëz me pishtarë zjarri e thika nëpër duar. Të gjithë klithnin, na rrethuan e i lajmëruan të tjerë, që vinin pas:
    -I gjetëm, i gjetëm!
    I gjori, i dashuri im! U zbeh në fytyrë e nisi të dridhej nga frika. Unë kërkova të reagoj, por dikush më tërhoqi pas qafe e më mbylli gojën duke më kërcënuar me hanxhar. Kaq ishte,-mendova, kur dëgjova ta pyesin:
    -Domethënë je i dashuruar me këtë?-e bënë gisht drejt meje, duke më përbuzur. Nuk isha një racë me ta, e pranoj.
    -Nuk e di,-u përgjigj i dashuri im i lënduar në zemër. Pa më shikuar dot në sy. Unë ndjeva të më ngjethet mishi.
    -E shikoni. Tani thotë që nuk e di. Ne i ramë pas gjysmës së botës për ta gjetur, kurse ky ka ndërruar mendje. Ç’të thamë? Por si e pate?
    -Unë s’mund të fluturoj si ajo!
    -Domethënë kishim të drejtë! Një njeri që s’mund të fluturojë s’mund të dashurohet pas një krijese tjetër, me flatra. E dëgjoni? Ky thotë që s’ndjehet më i dashuruar. Bëmë mirë që erdhën nga kaq larg. E futëm në rrugën e drejtë. Duhet ta kuptosh kush je. S’mund të marrësh rrugët e qiellit e të jetosh si njeri normal.
    Djaloshi më shihte vjedhurazi, kurse unë e tmerruar nuk doja t’iu besoja veshëve. Nisa të qaj, por nuk më lanë, më thanë që lotët ishin gjë e rrallë për mjellmat, ky ishte një aktivitet që iu takonte posaçërisht njerëzve. Po ta bëja, le ta bëja fshehur. Mbajta në gji, gjithë helmin tim.
    -Vishu, ç’pret, akoma do të rrish pranë kësaj?-dëgjohej kori i njerëzve që e nxisnin djaloshin të vishej.
    -Po shkoj të shpëlahem në liqen,-tha,-dhe erdha.
    Të gjithë miratuan. Të gjithë e panë se si djaloshi notoi si i marrë deri aty ku dukej si pikë, në thellësi, e u fundos gjithë dëshirë, pa jetë, në fundit e ujërave të liqenit. Të gjithë u habitën. Thanë se paskësh qenë vërtet i dashuruar pas meje. Kur e kuptuan që vdiq, nisën të shpërndahen, duke pëshpëritur që ta bënin shenjtor. Mua më lanë vetën. Me brengat e mia. Djaloshi kishte vdekur duke fiksuar qiellin, flatrat e mia, pamundësitë e tij. Oh, zot, sa fajtore jam,-klithi mjellma duke u marramendur.
    -Po tani, mund të bëj diçka, për ty?
    Mjellma mbylli sytë dhe pohoi:
    -Vërtet, sikur të bëje diçka për mua. Sa qejf do kisha të ecja në rrugë, më këmbë, siç bënte dikur i gjallë, djaloshi im, që sapo më shihte vinte me vrap për të më përkëdhelur. Do jetë bukur, nuk e di, vetëm që ngjan sikur këtë e kërkoj në kujtim të tij. Të përjetoja të paktën diçka që i dashuri e kishte për zemër. Të ecja mes njerëzve, e të mbartja me vete vetminë e tij. Të kujtoja emrin e tij. Të shihja ku e kishin shpallur shenjtor. Të ndiqja natën, fantazmën e tij, që më thonë se rrëshqet diku, afër liqenit, me dëshirën që të më takojë.
    Ëngjëlli rrudhi ballin, i menduar, pastaj i kërkoi mjellmës të hiqte flatrat. Gatoi me puplat e tyre një lloj të ecure të veçantë, e i tha që ishte gati, kur të deshte, të bënte një gjë të atillë.
    -Më vonë, i dashur mik, më vonë,-i tha mjellma duke e falenderuar ëngjëllin, të largohej.
    Ëngjëlli u tret në ajër. Mjellma qëndronte pezull në ujë, përpara kishte këmbët e bëra prej flatrave të saj dhe qante. Miku i saj i zemrës, me këmbët e tij të prera, sa qejf sikur të ishte akoma gjallë e të shikonte dhuratën e saj. Me ato këmbë, me atë ecje, ai do kishte qenë përsëri i lumtur. Nuk do kishte ardhur më me karrocën me rrota buzë liqenit, e ta ushqente i lodhur nga jeta pa këmbë. Jo, ai do kishte qeshur e kënduar,e kur e humbi ekuilibrin, u rrëzua në ujë, mund të shpëtonte për mrekulli duke notuar me këmbët qiellore, flatrat këmbë të saj. Mjellma heshti, fshehu vështrimin e pakënaqur nga bota, e u lut ta mbyllte jetën në vetmi!
    ERIS RUSI

  2. #2
    neper drite Maska e mbreta
    Anëtarësuar
    29-04-2004
    Postime
    297
    e mrekullueshme..........
    What goes around, comes around

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  3. Perse Duhet Studiuar Historia E Luftes Se Ftohte?
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 02:57
  4. Historia e trishtë e mjellmës së dashuruar
    Nga eris në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-04-2004, 02:47
  5. Menyrat e shkruarjes se historise (Historia Virtuale)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-11-2002, 15:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •