Instituti i Studimeve Ndërkombëtare: Mbështetja për Integrimin bie me 10 përqind

Shqiptarët, më pak dashuri për BE
Studimi: Duam më shumë Europën sesa SHBA-në


--------------------------------------------------------------------------------

Artemida Çollaku


Është rritur numri i shqiptarëve që nuk e mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Megjithëse mund të duket kontradiktore, rëndësia e BE-së për Shqipërinë si partnere është cilësuar më e madhe se për shtete të tjera, si SHBA-ja, dhe ka pasur një vlerësim mesatar 95.4 për qind në krahasim me SHBA-në, që është vlerësuar me 86.9 për qind. Në një studim të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, rezulton se në krahasim me vitin 2002 mbështetja e shqiptarëve për integrimin në Bashkimin Europian ka rënë 10 për qind. Në studim theksohet se rënia e mbështetjes për anëtarësimin e vendit tonë në BE ka ardhur si rezultat i rritjes së nivelit të pesimizmit lidhur me perspektivën që Shqipëria ka për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një tjetër arsye cilësohet të jetë edhe zhgënjimi nga zgjatja e periudhës së procesit të anëtarësimit, kjo pasi në fillim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit qytetarët menduan se anëta-rësimi do të ishte një mrekulli, që do të ndodhte jashtë dhe nuk do të kishte asnjë efekt për vendin tonë. Por me kalimin e kohës u kuptua se ky proces do të kishte edhe një kosto për vendin tonë.

Biznesi
Nga studimi duket se komuniteti i biznesit është bërë një grup udhëheqës në këtë reagim negativ ndaj anëtarësimit në BE. Ky komunitet e ka shtuar rezistencën e tij ndaj Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Zbatimi i detyrimeve që vendos kjo marrëveshje për komunitetin e biznesit mund të ketë pasoja negative për një pjesë të tij. Sipas zv/ministrit të Integrimit Arben Ahmetaj, këto pasoja negative që mund të vijnë për një pjesë të komunitetit të biznesit, do të jenë në favor të tij më pas, kur ai të dalë në tregun e hapur rajonal. "Biznesi ka treguar një reagim kontradiktor në lidhje me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, dhe ndoshta ka të drejtë në këtë reagim, por ky komunitet nuk mund të bëjë që ne të heqim dorë nga procesi i anëtarësimit në BE, pasi qeveria përfaqëson interesat e një populli të tërë dhe jo vetëm të një komuniteti të caktuar", tha Ahmetaj.

Studimi
Pesimizmi më i madh në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në BE duket se ka kapur kategorinë e Organizatave Jo Fitimprurëse, e cila në krahasim me vitin 2002 ka një rënie prej 17 për qind. Në nivelin e dytë vjen biznesi, me një rënie 10 për qind, dhe administrata publike me 9 për qind. Ndërkohë, duket se tek kategoria e përfaqësuesve të mediave pesimizmi është në një nivel më të ulët dhe mbështetja ka pësuar një rënie vetëm prej 3 për qind. Përballë kësaj situate, zv.ministri i Integrimit Arben Ahmetaj u shpreh se kjo ministri është duke përgatitur dy broshura, një për administratën publike dhe një tjetër për qytetarët. "E shohim si të nevojshme hartimin e broshurës, që administrata publike të njihet me hapat që janë hedhur, por mbi të gjitha ta përdorë atë si guidë për detyrat që duhet të zbatojë", tha Ahmetaj.