THIKA FETARE
Gjergj Buxhuku
Si për të treguar se hallet tona, që për hir të së vërtetës janë të shumta, ne i shtojmë vetë shikojmë të dalin nga errësira ose më mirë nga asgjëja edhe ndarjet fetare. Përsëri kemi shfaqjen e politikës në formën e thikës fetare. Përfaqësues të partive të ndryshme mundohen ti veshin kërkesat e tyre, mbase edhe të ligjshme, për poste qeveritare nën petkun fetar dhe rivalitetit ndërfetar. E njejta gjë, sipas disa të dhënave, po ndodh edhe në disa qytete, për më shumë të shqura dikur për qytetarinë e kulturën tyre. Nuk ja vlen të zgjatemi këtu për të vërtetuar sesa në të vërtetë përfaqësojnë individët ose forcat politke të mësipërme, institucionet fetare, që ata pretendojnë. Ajo, që është e rëndësishme është të ndërgjegjësohemi se në asnjë rast kërkesa të tilla nuk mund të shkojnë në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar, nëse pa asnjë doganë adresohen në media pa asnjë kufizim. Natyrshëm, brenda për brenda kancelarive politke ja vlen, që kërkesa të tilla të diskutohen dhe të merren parasysh, por në asnjë mënyrë nuk duhet të dilet në castin e parë të mos rënies dakort në media.
Veprimi i kundërt, qoftë edhe nisur nga qëllimi i mirë dhe shprehur nga individë patriotë, në mënyrë direkte con ujë në mullirin e armiqve historikë të kombit shqiptar. Duke i veshur edhe formimit të qeverisë kërkesën për harmonizim fetar, ne pranojmë para gjithë botës se në Shqipëri paska një problem dhe përplasje të tillë. Nëse gjykimi vazhdon më tutje, duke ditur se në letra Shqipëria është vend me shumicë muslimane, del që komuniteti kristian paska probleme me shumicën. Në këtë luftë dhe me llogjikën e mësipërme del se mund të pranohet një aleancë për hir të kristianizmit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve shqiptarë të përfaqësuar këta të fundit për ironi të fatit pas shkaktërrimit të kishës së shkëlqyer shqiptare të të madhit Fan Nolit, nga klerikët grekë! Si për ti vënë vulën disa mjeranë të paditur dhe të paguar nga gjithë Shqipëria por jo shqiptarë dhe as përmetarë, provokojnë sherr dhe ndërgjegjen e kombit me ngujime në një ndërtesë të ashtuquajtur kishë ortodokse në Përmet, duke sfiduar hapur ligjet e shtetit. Perëndimi nga ana e tij, në kushtet e luftës së hapur kundër fondamentalizmit musliman do të ishte shumë më i kënaqur, që në Shqipëri të kishte statukuonë e sotme, të mos lëvizej drejt shkundjes së pushtetit ekonomik të klaneve ortodokse greke. Përfundimisht me ndihmën e shqiptarëve, arsyetohet edhe në planin fetar sundimi ekonomik dhe politik grek në Shqipëri. Cka ka ndodhur dhe ndodh ne vazhdimësi me dashje apo pa dashje në politikën shqiptare është gatuar dhe gatuhet me mjeshtëri pikërisht nga përfituesit e drejtëpërdrejtë të kësaj gjendje: grupet ekonomike, politike dhe fetare të Athinës. Të gjitha ndodhin kur Kosova është në pragun e zgjidhejs dhe Shqipëria në rrugën e hyrjes në Be pas nënshkrimit të MSA.
Një grumbull ngjarjesh, ashtu si rastësisht nga veriu në jug po mundohen të shkatërrojnë, atë cka është në thelb më e mrekullueshmja e vetë kombit shqiptar: mirëkuptimin ndërfetar. Si rrallë herë në historinë botërore, shqiptarët kanë ditur të ndajnë edhe në shekujt e erësirës mesjetare në mënyrë të shkëlqyer ndjenjën kombëtare nga ndjenja fetare individuale. E para, ka qenë përkatësia kombëtare e shqiptarëve, gjithcka tjetër vinte pas saj. Edhe vetë shteti shqiptar u ndërtua në dy themele bazë, pra në mbizotërimin e ndjenjës kombëtare mbi ndërgjegjen fetare dhe bashkëjetesën e mrekullueshme të shqiptarëve të feve të ndryshme. Pikërisht, atë cka armiqtë shekullorë të shqiptarëve nuk kanë mundur ta bëjnë në shekuj, po përpiqen ta bëjnë sot. Ata e dinë se nëse fusin fitilat e ndarjes fetare, rrënojnë njerin nga themelet shtetit të shqiptarëve, duke krijuar kushtet për ta mbajtur minimalisht në gjendje jo të qëndrueshme dhe për të patur më pas të gjitha kushtet për të ndalur zhvillimin ekonomik dhe social të tij. Ashtu si rastësisht, në mënyrë të përsëritur vidhen kishat ortodokse në jug, organizohen protesta për eshtra ushtarësh dhe kishash, në gazeta dhe fjalime të ndryshme politike hidhen dhe bëhen insinuata për emërime institucionale në baza fetare. Shto edhe kërkesat e sotme për ndarje postesh politike mbi baza fetare.Gjithcka ndodh në vendin, që kurrë nuk ka njohur diskreminime mbi baza fetare. As në vitet e para të pavarësisë, as në vitet 20 të luftës për konsolidimin e shtetit shqiptar, as në kohën e mbretërisë, për të mos diskutuar në periudhën e ateizmit të sforcuar deri në ekstrem të sistemit komunist. Nuk është aspak cudi, që dikujt i nevojiten këta elementë të përgatitjes së një lufte, që kurrë nuk ka ndodhur në tokat shqiptare.
Dhe nuk ka si të mos na shkojë mendja, që fitilat e ndezjes së luftës fetare ndërmjet shqiptarëve, hidhen nga armiqtë tanë historikë në caste të tilla me rëndësi madhore të zgjidhjes së cështjes kombëtare, pavarësisë së Kosovës. Të mos harrojmë, se lufta e brendshme bazuar në ndarjen ndërfetare edhe pse për ne mund të duket si një përrallë e dëgjuar diku larg në kohë dhe distancë, është një nga elementët më të mirënjohur për kabinetet politike dhe qytetarët e thjeshtë të vendeve të zhvilluara, që vendosin për fatet e popujve dhe kombeve të vegjël. Të gjithë kanë parasysh luftën në Bosnje të zhvilluar pothuaj krejtësisht mbi baza fetare. Kështu mund të vazhdojmë më tej në Lindjen e Mesme, Pakistan, Indi, atentatet në Lonër dhe Nju Jork, etj.. Nuk ka argument më të thjeshtë për tu kuptuar për diplomacinë botërore për paaftësinë ose rrezikshmërinë e shqiptarëve për të ndërtuar shtet, sesa tu tregosh me fakte sado të vogla dhe të sajuara se në Shqipëri përvec krimit të organizur, mafias ndërkombëtare, korrupsionit, mungesës së zgjedhjeve të lira, varfërisë ka edhe probleme ndërfetare. Ata shumë më lehtë e kanë të pranojnë për konfliktet ndërfetare, sesa të kuptojnë realitetin pothuaj unik në botë përfshi edhe ata vetë, të tolerancës së jashtëzakonshme fetare të kombit të shqiptarëve.
Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe.Të gjitha klanet dhe grupet, që formohen në Shqipëri, kapin ose kërkojnë të marrin poste qeveritare dhe përfitime ekonomike nuk krijohen mbi baza të përkatësisë fetare, por vetëm mbi baza të përfitimeve materiale të ligjshme dhe të paligjshme, qofshin ato. Ka vetëm një përjashtim me rregullin e mësipërm dhe ky është pikërisht grupimi i politikanëve dhe biznesmenëve grekë së bashku dhe fatkeqësisht me kryepeshkopin e kishës ortodokse shqiptare të importuar nga Greqia. Sic duket është pikërisht ky grupim, për hir të së vërtetës mjaft homogjen, që mbase mund të jetë edhe krijuesi dhe përfituesi i drejtpërdrejtë i grumbullit të cuditshëm të ngjarjeve të rënda me karakter fetar, që kanë ndodhur kohët e fundit në vend. Ata nuk mund të pranojnë në asnjë mënyrë ndryshimin pozitiv të politikës vendimarrëse shqiptare, as fillimin e hyrjes së Shqipërisë në BE as edhe pavarësinë e gjysmës së kombit shqiptar. Ata e dinë se shumë shpejt pas kësaj do të humbi edhe parajsa ekonomike e sotme kua përfitojnë qindra e qindra milionë euro në shpinë të shqiptarëve. Në kushte të tilla politika shqiptare e cdo krahu të jetë shumë e kujdesshme në hedhjen e helmit fetar në cfarëdo forme. As edhe hija më e vogël nuk duhet lejuar ti hidhet diamantit të mrekullueshëm shqiptar në të gjitha trojet kombëtare: bashkjetesës shekullore ndërfetare.
08/07/2006
Krijoni Kontakt