Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Raporti sekret i CIA-s për Enver Hoxhën.

    Panorama e CIA-s për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën në 1975.

    Trazirat në Shqipëri.




    Udhëheqësi i partisë shqiptare Enver Hoxha, po vazhdon dukshëm sulmet e tij mbi intelektualët dhe zyrtarët e kombit. Mahmut Bakalli, presidenti i Ligës Komuniste të Kosovës (provinca jugosllave, fqinje me Shqipërinë), tha se kishin ndodhur “përmbysje të tmerrshme politike në front të gjerë në Shqipëri”. Bakalli tha se sulmet mbi intelektualët ishin rrjedhojë e frikës së Hoxhës për tendenca pro sovjetike mes disa zyrtarëve në Tiranë dhe gjithashtu, tha se tronditja vazhdonte në qeveri dhe në sferat ekonomike. Raportet mbi spastrimin e disa prej zyrtarëve kryesorë shqiptarë gjatë verës së shkuar, tani janë shfaqur në shtypin perëndimor. Heshtja e Tiranës ndaj të huajve i lë qëllimet e saj të hapura ndaj spekullimeve, por duket qartë që me siguri ato (qëllimet) shkojnë pas në kohë, në spastrimin e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku në verën e 1974-ës. Largimi i tij ndodhi në një kohë kur ishin të dukshme shenjat e përleshjes ndërmjet atyre njerëzve në parti që mbështesnin një politikë të ashpër në çështjet e brendshme dhe të jashtme dhe atyre që ishin për një pozicion më reformator. Bakalli dukej i bindur se spastrimet e kësaj vere buronin nga një konflikt rreth planifikimit ekonomik dhe tregtisë së huaj. Dy nga zyrtarët e spastruar ishin ministri dhe zëvendësministri i Tregtisë, por ende nuk ka zëra për ndonjë zëvendësim. Bakalli tha se nevoja e Tiranës për kapital do ta detyrojë atë të kthehet më shumë nga Perëndimi, por deri më tani nuk ka shenja që Hoxha është i interesuar për diçka të tillë. Ndërkohë, Hoxha dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të mbajnë vijën e ashpër të Tiranës në botën komuniste, si dhe opozitën e tij të paepur ndaj çdo forme bashkëpunimi me Moskën.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  2. #2
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Dilema e CIA-s: Nëse përmbysim komunizmin në Shqipëri.

    Përllogaritje e veçantë e CIA-s për pasojat e një përpjekjeje për të përmbysur sistemin komunist shqiptar në vitin 1952.
    Shërbimet e fshehta amerikane e kanë botuar raportin mbi situatën në vendin tonë më 30 dhjetor 1952.



    Raporti
    Në Shqipëri ka një pakënaqësi të përhapur gjerësisht ndaj regjimit aktual. Edhe brenda qeverisë shqiptare dhe Partisë Komuniste Shqiptare, duket të jetë zhvilluar një humbje e besimit në perspektivat afatgjata të regjimit dhe një ndjenjë gjithmonë në rritje e pasigurisë personale. Ka një rritje të rezistencës gjatë vitit të fundit, pjesërisht si rezultat i aktivitetit në rritje të elementëve që kanë emigruar politikisht, disa prej tyre të mbështetur prej qeverive perëndimore. Ka pasur gjerësisht në qarkullim fjalë dhe plane për një përmbysje të regjimit të Hoxhës. Shumica e shërbimeve sekrete evropiane, përfshirë dhe ato të BRSS-së dhe Shqipërisë, janë në dijeni të lidhjeve mes emigrantëve politikë dhe qeverive perëndimore dhe ka të ngjarë që besojnë se një lloj plani, po përgatitet për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Udhëheqësit aktualë të BRSS-së dhe të Shqipërisë kanë treguar ndjeshmëri dhe shqetësim në lidhje me këtë situatë dhe kanë akuzuar publikisht Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për “organizim provokimesh” kundër Shqipërisë. BRSS-ja, sigurisht, dëshiron ta mbajë Shqipërinë brenda Bllokut Sovjetik, edhe pse ajo është një përgjegjësi ekonomike dhe bazë e izoluar. Humbja e Shqipërisë do të ishte dëmtim i prestigjit Sovjetik dhe do të pakësonte mundësitë Sovjetike për të ushtruar presion ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë. Megjithatë, BRSS-ja nuk ka bërë ndonjë pakt ndihme reciproke me Shqipërinë, siç ka bërë me satelitët e tjerë të saj në Evropë (me përjashtim të Gjermanisë Lindore). Shqipëria ka bërë një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë.


    Interesat e fqinjëve
    Interesat e Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë në konfliktin në Shqipëri, secili prej këtyre vendeve, ndoshta parapëlqen vazhdim të gjendjes së status quo-së për një ndryshim që mund të jetë i pëlqyeshëm për ndonjë nga të tjerët ose i dëmshëm për interesat e saj. Nga të tre këto vende, Jugosllavia duket më me shpresa për të arritur më në fund disa ndryshime në regjimin shqiptar të pëlqyeshme për të. Siç përllogaritëm në NIE-42/1 (20 Tetor 1952), ka përparësi për Jugosllavinë me politikat e saj aktuale të praktikimit të presionit politik kundër regjimit shqiptar, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë dhe pa nxitur një përpjekje për grusht shteti. Duke vazhduar në rrugën që kanë nisur jugosllavët mund të nxisin mbizotërimin e grupit të mbështetjes jugosllave brenda lëvizjes së emigrantëve politikë shqiptarë. Ata mund të shkatërrojnë rendin dhe qendrueshmërinë në Shqipëri pa ndonjë rrezik serioz për ndërlikime ndërkombëtare, duke zhvilluar ndërkohë, kontakte me elementët e pandikuar brenda regjimit shqiptar. Nëse arrijnë sukses në këto përpjekje, ata do ta kenë vendosur veten në një pozicion të pëlqyeshëm për shfrytëzimin e mundësive të sigurta për ndërhyrje apo për të ushtruar ndikim mbizotërues në çfarëdo regjimi të ri. Ne besojmë se jugosllavët nuk kanë qëllim për momentin të marrin pjesë në një grusht shteti ndaj regjimit të Hoxhës. Ata ndoshta e kanë llogaritur që bërja e një gjëje të tillë do të krijonte rreziqe serioze për provokim mospëlqimi nga ana e Perëndimit dhe hakmarrje prej sovjetikëve. Ata ndoshta mund të merrnin pjesë në një grusht shteti, nëse do të mendonin se kjo mund të bëhej pa rrezikuar këto gjëra. Si rezultat, ata mund të jenë të gatshëm të bashkëveprojnë me fuqi të tjera në një përpjekje për grusht shteti në ndonjë ditë të ardhme. Megjithatë, bashkëpunimi jugosllav do të ishte ndoshta i kushtëzuar nga mundësia e një kontrolli të mjaftueshëm prej jugosllavëve ndaj metodës dhe natyrës së përpjekejes për grusht shteti për të minimizuar kështu, rreziqet për Jugosllavinë, si dhe nga besimi se ajo mund të mbizotërojë më në fund regjimin e ri në Shqipëri. Nën rrethanat aktuale, kombet e tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pothuajse pa dyshim parapëlqejnë statukuonë në Shqipëri më mirë, sesa rreziqet që do të përfshinte përpjekja për vendosjen e regjimit properëndimor.


    Reagimi i bllokut sovjetik
    Reagimi i bllokut sovjetik ndaj përpjekjes për grusht shteti për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, do të varej nga mënyra dhe shpejtësia e realizimit të grushtit, nga reagimi i fuqive të tjera të interesuara dhe nga situata globale që ekziston në atë moment. Nëse BRSS-ja do të mësonte për ndonjë plan grushti shteti përpara se ai të ndodhte, pothuajse padyshim do të merrte masa parandaluese. Ata do të ndërmerrnin një sërë veprimesh si: përmirësimi i masave të sigurisë, dërgimin e forcave sovjetike apo të sateliteve në Shqipëri dhe demonstrime force në kufijtë jugosllavë dhe grekë. Sunduesit sovjetikë do ta shfrytëzonin situatën në mënyrë që të krijonin ndarje, dyshim dhe mosbesim maksimal mes vendeve të NATO-s dhe brenda botës së lirë në përgjithësi. Nëse BRSS-ja nuk do të mësonte për një grusht shteti të planifikuar përpara se ai të ndodhte, por grushti do të shtypej shpejt prej regjimit aktual shqiptar, BRSS-ja do ta shfrytëzonte situatën në mënyrë të njëjtë. Nëse do të kishte përpjekje për grusht shteti dhe kjo do të ishte një sukses i shpejtë, sunduesit sovjetikë do të përballeshin me një vendim të vështirë. Paraqiten disa mundësi: luftë globale. Ne besojmë se ka shumë pak gjasa që sunduesit sovjetikë të nisin me qëllim një luftë globale mbi Shqipërinë. Kundërveprim ushtarak brenda zonës, pavarësisht nga fakti kush e nisi apo mbështeti grushtin e shtetit. Sunduesit sovjetikë mund të arrijnë në një mendje se të pranosh humbjen e Shqipërisë do t’i krijonte sfida dhe më të forta bllokut sovjetik që do të rezultonte në humbje serioze dhe përfundimtare të pozitave. Si rezultat ata mund të drejtojnë satelitët evropianë përmes Jugosllavisë për të ardhur në mbrojtje të Shqipërisë. Nëse kjo ndodh, ata do të presin zhvillime tensionesh serioze në koalicionin e Atlantikut Verior. Nga ana tjetër, ata do të njihnin rrezikun se Perëndimi do të vinte në mbështetje të Jugosllavisë me pasoja rreziku serioz për luftë globale. Ne besojmë se BRSS-ja ndoshta nuk do ta ndërmerrte këtë rrezik. Pranimi i humbjes së Shqipërisë dhe hakmarrje ndokund tjetër, nëse udhëheqësit sovjetikë nuk do të ishin të gatshëm të pranonin rreziqet e luftës globale që do të ndodhte padyshim në rast kundërveprimi ushtarak, do të ishin të detyruar të pranonin humbjen e Shqipërisë. Megjithatë, udhëheqësit sovjetikë do të intensifikonin ndoshta presionet e tyre në pikat e dobëta në botën e lirë (për shembull në Berlin, Vienë, Iran apo Indokinë) në përpjekjë për të larguar efektin psikologjik të humbjes së Shqipërisë. Kundërveprime politike: Më e pakta, BRSS-ja do të intensifikonte fushatën propagandistike kundër Perëndimit, duke shfrytëzuar çfarëdo përçarje që do të kishte ekzistuar në lidhje me grushtin e shtetit në Shqipëri. Ajo mund të bënte demonstrim force dhe mund të përpiqej të ndante Perëndimin me kërcënime lufte. Në varësi të vlerësimit që do t’i bënte qëndrimeve të kombeve të ndryshme anëtare, mund t’i bënte thirrje Kombeve të Bashkuara ose do të inkurajonte ndonjë vend të papërkushtuar ta bënte këtë. Në fund të fundit, nëse do të shmangej një luftë lokale apo globale, një përpjekje për grusht shteti në Shqipëri e suksesshme apo jo, nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh në qëndrimin sovjetik ndaj Perëndimit. Sunduesit sovjetikë do ta shikonin përpjekjen për grusht shteti thjesht si një incident në betejën e gjatë mes komunizmit dhe kapitalizmit. Megjithatë, ata mund të arrijnë në mendimin se Perëndimi po shpejtonte ritmin e betejës. Si rezultat, ata ndoshta do të intensifikonin përgatitjet e tyre ushtarake dhe do të përmirësonin gatishmërinë e tyre për luftë. Një përpjekje për grusht shteti në Shqipëri, veçanërisht po të ishte e suksesshme, do të rriste shpresat e elementëve disidentë brenda vendeve të tjerë satelite. Në disa raste mund të provokonte përpjekje për rezistencë të parakohshme e të kotë. Do të provokonte përpjekje më të mëdha për siguri nga autoritetet sovjetike e satelitare.

    Për shkak të mbizotërimit të tyre të kohëve të fundit në Shqipëri, shpresat e tyre për të rivendosur dominimin në çdo regjim të ri dhe cenueshmëria nga çdo kundërveprim sovjetik apo satelitor, jugosllavët do ta shikonin çdo përpjekje për të përmbysur regjimin shqiptar si çështje jetësore për interesat e tyre kombëtare. Nëse një përpjekje e tillë rezultonte e suksesshme dhe nuk provokonte hakmarrje sovjetike, jugosllavët pothuajse padyshim do të merrnin masa intensive për të dominuar regjimin e ri. Nëse përpjekja për grusht shteti rezultonte e pasuksesshme, merrte apo jo pjesë Jugosllavia, jugosllavët do të bënin çfarëdo përpjekje për të përjashtuar veten e tyre nga skema.
    … Italianët ndoshta do të përpiqeshin të vendosnin masa ndikimi mbi të. Greqia do të tregonte shqetësimin e saj, duke riforcuar pretendimet e saj për Epirin Verior.


    Zhvillime të mundshme në Shqipëri
    Çdo regjim i ri në Shqipëri, pavarësisht nga udhëheqja e tij, orientimi apo mbështetja e jashtme, do të përballej me probleme të brendshme të mëdha, por jo të pazgjidhshme. Nëse udhëheqja e re do të ishte e fortë dhe e aftë, njerëzit përgjithësisht do ta mbështesnin. Regjimi i ri nuk do të kërkonte vetëm mbështetje politike dhe luftarake, por do të kërkonte gjithashtu, dhe mbështetje të vazhdueshme ekonomike nga Perëndimi, ndoshta nga Shtetet e Bashkuara. Nëse fuqitë kryesore Perëndimore, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, do të shpallnin dhe do të përmbushnin një qëllim për të siguruar mbështetje politike dhe ekonomike për regjimin e ri, mbështetja popullore shqiptare do të pasonte shumë shpejt. Për pak kohë mbas vendosjes së regjimit të grushtshtetit, orientimi i tij i përcaktuar politik do të varej nga personalitetet që do ta kontrollonin dhe lidhjet e tyre me Perëndimin. Siç është vënë re më sipër, Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të përpiqeshin të fitonin ndonjë lloj pozicioni apo mbizotërimi të veçantë. Grekët ka shumë mundësi të dëshironin një status të veçantë për Epirin Verior. Italianët ndoshta do të kërkonin rivendosjen e disa prej koncensioneve të tyre të paraluftës. Gjithashtu, Italia kërkonte rivendosje graduale të ndikimit të saj politik të paraluftës. Jugosllavët do të përpiqeshin të depërtonin dhe më në fund të dominonin regjimin. Regjimi i ri, si të gjithë regjimet e mëparshme në Shqipëri, do të kishte nevojë për mbështetjen dhe mbrojtjen aktive të një fuqie më të madhe. Sjellja e vërtetë e tri fqinjëve të Shqipërisë do të ndikohej nga masa e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të ri. Zëvendësdrejtori për Inteligjencën, këshilluesit ushtarakë të presidentit, besojnë se pasojat e mëposhtme trashëguese të çdo lloj ndryshimi të qeverisë shqiptare, vlejnë të vihen re: Një regjim jomiqësor do të zëvendësohej nga një regjim miqësor. Një territor i dominuar nga sovjetikët do të hiqej nga një zonë e mbrojtur prej sulmit sovjetik. Elementë disidentë në vende të tjera satelite do të inkurajoheshin për të kundërshtuar dominancën sovjetike. Popujt e lirë të botës dhe qeveritë e tyre do të inkurajoheshin në kundërshtimin e tyre ndaj sovjetikëve. E kombinuar dhe me dezertimin e jugosllavëve, kjo do të ndihmonte për të demonstruar se pushtimi i BRSS-së ndaj satelitëve nuk është i pathyeshëm.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  3. #3
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    CIA: Shqiptarët, 90% kundër regjimit në '50.

    Rinia. Rinia shqiptare, si ajo fshatare dhe ajo qytetare menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia në 1939 kishte filluar rezistencën. Më vonë komunistët, duke u fshehur pas Frontit Nacional Çlirimtar dhe duke përdorur slogane patriotike mashtruan shumë të rinj dhe i vendosën ata nën flamurin e tyre. Kësisoj rinia u bë shtylla kurrizore e lëvizjes komuniste në Shqipëri përgjatë luftës. Megjithatë deziluzionet nuk vonuan të shfaqeshin pas perdes komuniste në gjithë vendin duke zbuluar trukun politik, social dhe ekonomik. Qysh nga 1950 propaganda komuniste nuk rezultonte më efektive për shumicën e të rinjve, sidomos në fshatra për shkak të eksperiencës së parë me punën “vullnetare” dhe për shkak të gjendjes së keqe ekonomike me të cilën u ndesh rinia në fshatra.

    Punëtorët industrialë dhe shërbyesit civilë. Përveç një numri relativisht të vogël punëtorësh që u ngritën në pozicione drejtuese në industrinë vendase, klasa punëtore në përgjithësi nuk ka fituar asgjë nën regjimin komunist. Rrogat janë të ulëta; çmimet janë përgjithësisht të larta; dhe shumë gjëra nuk mund t’i gjesh në treg sepse mungon furnizimi ose ngaqë janë shumë të shtrenjta. Ka një presion të vazhdueshëm për të arritur norma të larta në punë. Ka gjithashtu nga ana tjetër edhe dënime të rënda për vonesa ose thyerje të disiplinës në punë; I gjithë populli duhet të bëjë punë “vullnetare” (të detyruar); janë të detyrueshme edhe mbledhjet pas pune në të cilat nxirren konkluzione e bëhen diskutime për botimet e fundit komuniste dhe kontributet që ato sjellin, etj. Si edhe shqiptarët e tjerë, punëtorët kanë treguar shenja pakënaqësie dhe janë duke pritur me padurim ditën kur do të çlirohen nga regjimi komunist.

    Inteligjenca dhe Kleri. Inteligjenca e Shqipërisë para vendosjes së komunizmit, në fillim të shekullit, kishte punuar për krijimin e një vendi të pavarur. Rinia pas Luftës së Parë Botërore kishte marrë kulturë dhe ide perëndimore. Por disa nga intelektualët e rinj, shumica mësues shkolle, nëpunës qeveritarë, nëpunës të ushtrisë dhe gazetarë të cilët gjatë periudhës 1925-1939 kishin patur kontradikta me regjimin e Mbretit Zog dhe ligjet e tij, gradualisht kaluan në të majtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ata u bënë shtylla kurrizore e lëvizjes nacional çlirimtare nëpërmjet së cilës komunistët morën nën kontroll pushtetin. Megjithatë pati intelektualë të tjerë, të cilët e kundërshtuan komunizmin dhe shumë prej tyre luftuan në mënyrë aktive kundër formacioneve partizane të kontrolluara nga partizanët. Balli Kombëtar (National Front), organizata antikomuniste më e fortë, ishte themeluar nga elementë demokratikë nacionalistë ndërmjet të cilëve intelektualë si të rinj edhe të moshuar, të cilët patën largpamësinë të parashikonin katastrofën në të cilën do ta çonte vendin komunizmi. Megjithëse një numër i madh intelektualësh antikomunistë u arratisën jashtë vendit ose u burgosën e u ekzekutuan kur komunistët morën kontrollin, ka ende elementë të fortë ndërmjet intelektualëve të mbetur që janë të pakënaqur me regjimin dhe që aspirojnë përmbysjen e komunizmit. Ka vetëm një grusht intelektualësh në Shqipëri sot që janë lidhur pazgjidhshmërisht me regjimin.

    Siç e kemi thënë edhe më parë, klerikët myslimanë dhe ortodoksë janë nënshtruar nga regjimi i Tiranës dhe krerët katolikë janë eliminuar thuajse tërësisht. Megjithatë, mbeten ende shumë klerikë të thjeshtë, sidomos katolikë, të cilët përfaqësojnë një rezistencë potenciale.

    Forcat e Armatosura. Morali i Forcave të Armatosura shqiptare është i dobët dhe shumica e tyre ka gjasa të ndihen të zemëruar me regjimin aktual në Shqipëri. Kjo zemëratë vjen së pari nga pakënaqësia ndaj regjimit aktual. Për më tepër, në krye të forcave të armatosura janë vendosur njerëz që vijnë kryesisht nga familje fshatare dhe si të tillë janë antagonistë ndaj regjimit si të parët e tyre në fshatra. Për këtë arsye forcat e armatosura konsiderohen nga regjimi të pabesueshme. Shumë nga oficerët dhe nënoficerët e përhershëm janë zgjedhur për shkak të një luajaliteti në dukje me regjimin. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit, janë konstatuar raste disidence në gjirin e oficerëve të lartë disa prej të cilëve janë shkarkuar. Demobilizimi në fund të 1955 dhe në fillim të 1956 i një numri të konsiderueshëm oficerësh të konsideruar të pabesueshëm nga regjimi jo vetëm brengosi të prekurit por pati efekt demoralizues tek të tjerët që ishin ende në shërbim. Megjithatë bërthama e potencialit disident nuk është e organizuar dhe nuk është fokusuar në një objektiv të përbashkët.

    Intensiteti i disidencës
    Raporte të besueshme për qëndrimet e popullit në Shqipëri tregojnë se më shumë se 90 për qind e popullsisë së vendit është e pakënaqur me regjimin komunist. Intensiteti i ndjenjave antikomuniste varion nga një irritim i butë i herëpashershëm nga ana e komunistëve të zhgënjyer dhe simpatizantëve të partisë dhe shkon deri në urrejtje të fortë nga ana e atyre personave ose grupeve që janë cënuar drejtpërdrejt nga regjimi. Me përjashtim të liderëve kombëtarë dhe disa lokalë të partisë, disa anëtarë të burokracisë së lartë dhe forcave të sigurisë, aktualisht nuk ka grupe që, përfshirë edhe komunistët e thjeshtë, të jenë të përjashtuar nga terrori policor i regjimit ose që të nxjerrin përfitime prej tij. Popullsia nuk ka ndonjë shpresë për të ardhme më të mirë nën regjimin komunist. Ka shumë armiq të fshehur të regjimit megjithë përpjekjet e vazhdueshme të regjimit për t’i zbuluar ata. Është e konsiderueshme shtypja dhe presioni që ushtrohet mbi disa grupe të cilët konsiderohen nga regjimi armiq për shkak të së shkuarës së tyre. Ata duhet të lajnë mëkatet e kësaj të shkuare duke u internuar në kampe përqendrimi dhe duke bërë punë të detyruar.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  4. #4
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    CIA: Ushtria, pika më e fortë e regjimit.

    Duket se janë të paktë shqiptarët që janë plotësisht të ndërgjegjshëm për kontrollet dhe presionet e ushtruara ndaj regjimit nga Kremlini. Në fshatra urrejtja është drejtuar thuajse tërësisht kundër komunistëve lokalë dhe funksionarëve qeveritarë që implementojnë regjimin policor. Eshtë domethënës fakti që pjesa më e madhe e të arratisurve nga Shqipëria janë fshatarë, që nuk bëjnë pjesë në klasën e borgjezisë ose të burokracisë. Këta fshatarë nuk janë të indoktrinuar nga ideologjia komuniste.

    Prirjet e disidencës që nga 1953
    Deklarata sovjeto-jugosllave e 2 qershorit 1955 që njeh ekzistencën e rrugëve të ndryshme të socializmit dhe destalinizmin e pranverës së vitit 1956, krijoi fërkime serioze brenda përbrenda kupolës drejtuese të Partisë Komuniste shqiptare. Por nuk ka të dhëna se popullsia është ndikuar në ndonjë mënyrë të ndjeshme nga këto ngjarje. Deklarata sovjeto-jugosllave inkurajoi anëtarët nacionalistë të Komitetit Qendror të Partisë që të kërkonin që partia të ndiqte politika të pavarura nga Moska dhe të mbronte lirinë dhe demokratizimin e jetës partiake dhe marrëdhëniet e qëndrueshme të miqësisë me Perëndimin ashtu si edhe me Lindjen. Por këta njerëz menjëherë u shkarkuan nga të gjitha postet si në ushtri, në parti ashtu edhe në qeveri.

    Destalinizmi pati gjithashtu reperkusione serioze në Partinë Shqiptare dhe në periudhën prill-maj të vitit 1956 pati edhe spastrime. Në prill disa intelektualë partiakë, zyrtarë dhe oficerë të ushtrisë në një takim të Komitetit të Partisë së Tiranës kërkuan rehabilitimin e grupeve partiake që ishin dënuar para vdekjes së Stalinit, kërkuan që lidhjet me Jugosllavinë të normalizoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur dhe të atakoheshin liderët partiakë që kishin pikëpamje të ngurta staliniste, të mos flitej me tepri për “sukseset” e regjimit dhe të merreshin masa të menjëhershme për demokratizimin dhe lirinë brenda partisë dhe në jetën shtetërore. Sërish ndaj këtyre njerëzve u morën masa të ashpra, por brenda dhe jashtë partisë problemet vazhduan.

    Ndjenjat e intelektualëve kundër regjimit, si të komunistëve ashtu edhe të jo komunistëve duket se u zgjuan nga deklarata sovjeto-jugosllave, nga rebelimi polak dhe nga revolucioni hungarez. Këto ngjarje patën disa efekte pozitive në rezistencën potenciale shqiptare. Por dështimi i kryengritësve në Hungari solli zhgënjimin e nacionalistëve shqiptarë dhe forcoi moralin komunist.

    Roli i emigrantëve
    Përpjekjet e grupeve të emigrantëve për të organizuar rezistencë në Shqipëri kanë dështuar. Nuk ekzistojnë linja komunikimi ndërmjet këtyre grupeve dhe popullit shqiptar. Xhelozitë politike i kanë dobësuar partitë e ndryshme të emigrantëve dhe organizatat e tyre. Misioni i Komitetit Nacional për një Shqipëri të Lirë ka qenë të inkurajojë rezistencën ndaj tiranisë komuniste dhe të organizojë shqiptarët që t’i japin krahë rezistencës. Megjithatë ky komitet u shkri në prill të 1956 për shkak të mosmarrëveshjeve dhe paefektshmërisë. Një organizatë e re emigrantësh, “Komiteti i Shqipërisë së Lirë” që u krijua me financimin e “Komitetit të Evropës së Lirë” nuk premtoi më shumë efektivitet. Sidoqoftë, ka shenja të sigurta se Greqia dhe Jugosllavia, sidomos kjo e fundit, vazhdojnë të infiltrojnë agjentë në Shqipëri me qëllim përmbysjen e regjimit. Në pranverën dhe verën e 1956 jugosllavët rekrutuan ish -komunistë me influencë me qëllim që të përmbysin lidershipin aktual në Shqipëri dhe ta zëvendësojnë atë me komunistë projugosllavë. Një komplot i këtij lloji u zbulua nga autoritetet shqiptare në shtator të vitit 1956.

    Kapaciteti për të shtypur revoltën
    Tani për tani, në Shqipëri nuk ka gjasa të ketë ndonjë revoltë si ajo e Polonisë ose e Hungarisë në vitin 1956. Regjimi komunist ka marrë masa të ashpra që të parandalojë që në rrënjë çdo manifestim brenda përbrenda partisë si edhe devijimet në gjirin e intelektualëve, studentëve ose grupeve të tjera. Për më tepër Shqipëria ndryshe nga satelitët e tjerë evropianë nuk e ka ndryshuar aparatin e sigurisë i cili ndjek akoma metodat standarde staliniste të shtypjes së plotë. Megjithatë një revoltë mund të arrijë t’i përballojë forcat e sigurimit të regjimit, në qoftë se popullsia siguron armë dhe nëse revolta përhapet në rrugët rurale. Ushtria shqiptare mund të ketë luajalitet të dyshimtë në një krizë të tillë dhe aktivizimi i një revolte të përgjithshme popullore e mbështetur edhe nga ushtria nuk do të mund të shtypej pa ndihmën aktive të vendeve të Bllokut Sovjetik.

    Rezistenca potenciale në kushtet e paqes
    Në kushtet aktuale, disidenca nuk është e aftë të zhvillojë një rezistencë të suksesshme. Nëse bëhen përpjekje për të organizuar një rezistencë, regjimi mund të marrë kundërmasa të ashpra dhe kontrolli i tij në të gjithë vendin mund të bëhet edhe më shtypës. Megjithatë, disa zhvillime të brendshme dhe të jashtme mund ta rrisin nivelin e rezistencës së paorganizuar dhe të disidencës. Sukseset politike dhe ekonomike në Jugosllavi dhe në Poloni mund të ketë një efekt të dukshëm në disa grupe në Shqipëri, sidomos tek intelektualët, profesionistët, disa elementë menaxherialë dhe studentët. Mungesat ekonomike dhe përshpejtimi i kolektivizimit blegtoral e bujqësor mund të rrisë pakënaqësinë e bujqve dhe fshatarëve, sidomos këtyre të fundit që përbëjnë kërcënimin potencial më të fortë për regjimin komunist.

    Ka shenja se rezistenca dhe disidenca në Shqipëri ka rënë pas samitit të Gjenevës në 1955, por disa lëkundje u vunë re pas revoltës hungareze të 1956. Për më tepër, destalinizimi dhe vështirësitë e Polonisë inkurajuan disa grupime brenda përbrenda partisë të sulmonin lidershipin stalinist shqiptar dhe të kërkonin liberalizimin e partisë dhe jetës shtetërore. Megjithatë disa prej këtyre devijuesve u likuiduan menjëherë nga regjimi i Tiranës.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  5. #5
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    CIA: Variantet për të rrëzuar Enverin.

    Një përmirësim thelbësor i kushteve jetësore të popullit, të cilat për momentin nuk janë të mira, mund të pakësojë dëshirën për rezistencë nga ana e disa elementëve, sidomos elementëve të klasës punëtore dhe shërbyesve civilë. Në rast të kundërt, pra në rast se kushtet e jetesës nuk përmirësohen, pakënaqësitë e shprehura në një mënyrë ose në një tjetër janë të pritshme.

    Aktualisht nuk ka shenja që të tregojnë ndonjë ulje të kontrolleve të sigurisë në Shqipëri; në fakt, regjimi po bën thirrje për përforcim dhe perfeksionim të aparatit policor të sigurisë, i cili është urdhëruar të shtypë çdo rezistencë sado të vogël në vend. Vështirë se mund të ketë ndonjë ulje të kontrolleve të sigurisë dhe terrorit policor, por në rast se një gjë e tillë ndodh populli mund të përfitojë nga rasti për t’i hapur rrugë dëshirës së djegur, urrejtjes së fshehur përbrenda dhe mund të përpiqet madje të organizojë rezistencë të hapur kundër regjimit. Veçanërisht në fshatra, fshatarët mund të fillojnë menjëherë të kundërshtojnë autoritetet lokale dhe të refuzojnë të plotësojnë detyrimet e tyre.

    Mund të pritet ndonjë asistencë e jashtme për rezistencën potenciale të grupeve në Shqipëri, gjë që do të forconte rangjet e tyre dhe aftësitë për të luftuar si dhe do të zgjeronte mbështetjen popullore. Grupet e rezistencës në vend, veçanërisht në veri, ishin të forta gjatë periudhës 1943-1953 kur patën mbështetjen morale dhe materiale të Jugosllavisë fqinje dhe vendeve të tjera. Sapo kjo përkrahje mori fund aktivitetet e grupeve pushuan dhe u shndërruan në virtuale.

    Rezistenca e mundshme me luftë
    Të gjithë treguesit thonë se shqiptarët mund të çlirohen vetëm nëpërmjet kryengritjes dhe një lufte të përgjithshme. Për pasojë, nëse dobësohen kontrollet e sigurisë së brendshme, disidenca dhe rezistenca e organizuar mund të rritet, sidomos nëse elementët e rezistencës organizohen dhe marrin mbështetje materiale dhe taktike nga Perëndimi. Fshatarësia në veçanti mund të bëhet më e pabindur ndaj vendimeve ekonomike të qeverisë.

    Përsa i përket luftës së përgjithshme, ekziston edhe mundësia e veprimeve ushtarake sporadike por jo rezultative nga ana e elementëve të rezistencës. Sidoqoftë, veprime efektive ushtarake mund të ndërmerren vetëm në rast se sigurohen armë dhe mbështetje nga ana e forcave të armatosura dhe lëvizja përqendrohet në male. Pa një ndihmë të tillë, këto veprimtari nuk mund të zhvillohen për një kohë fort të gjatë. Sidoqoftë, në sajë të terrenit dhe përvojës së shqiptarëve në luftime partizane, edhe banda të vogla mund të arrijnë që për një periudhë të papërcaktuar të ndërmarrin sabotime dhe veprimtari kundër regjimit. Megjithatë komunikimi i paktë dhe vështirësitë përsa u përket veprimtarive të koordinuara të grupeve të rezistencës mund të pengojnë seriozisht arratisjet në shkallë të gjerë dhe operacionet e evadimit si dhe mundësitë për arratisje të grupeve të vogla dhe individuale. Gjithashtu, bashkërendimi i inteligjencës mund të rregullohet nëpërmjet infiltrimit të grupeve të vogla të përbëra nga oficerë të mirëtrajnuar për të punuar ngushtësisht me grupet guerile.

    Reagimi i shqiptarëve ndaj një invadimi të vendit të tyre prej ushtrive perëndimore varet sigurisht nga përbërja e këtyre ushtrive. Një invadim me ushtri greke, italiane ose jugosllave mund të ngjallë një armiqësi të përgjithshme për arsyen se në të shkuarën ushtri të tilla kanë cënuar pavarësinë e Shqipërinë. Gjithsesi, populli shqiptar mund të japë të gjithë ndihmën e mundshme për invadimin e forcave të udhëhequra nga NATO me kusht që në këto ushtri të mos ketë forca të armiqve tradicionalë shqiptarë. Në rast se ndodh një invadim i tillë, është e qartë se mund të pritet një disfatë e mundshme. Për më tepër, sigurimi nga ana e Perëndimit i ruajtjes dhe pavarësisë së Shqipërisë dhe integritetit territorial, në rast të një konflikti të hapur Lindje-Perëndim, mund të sjellë një unitet të gjerë në popull kundër regjimit komunist, si kurrë më parë. Vetëm komunistët e flaktë mund të bëjnë rezistencë në këtë rast, sidomos me luftë partizane, sepse janë stërvitur dhe kanë tashmë përvojën e terrenit të vështirë gjatë luftës së tyre partizane.

    Se sa ndikim do të ketë përdorimi i armëve nukleare në rezistencën e mundshme shqiptare, kjo varet se nga kush do të përdoren ato dhe mënyra se si do të përdoren. Eshtë e kuptueshme se një sulm nuklear i kufizuar në bazat sovjetike, në përdorim taktik gjatë operacioneve aktuale dhe në vatrat e pushtetit nuk do të ngjallte urrejtje popullore ose rezistencë të mundshme shkatërruese. Një sulm i tillë mund të bënte që grupet vendase të rezistencës të merrnin në dorë kontrollin e vendit, nëse ndihma e jashtme do të ishte e efektshme. (Stafi i inteligjencës nuk beson se përdorimi i armëve nukleare për rezistencën e mundshme mund të sjellë situatë të ndryshme nga ajo që mund të sillte në Bullgari një sulm i tillë nuklear. Nëse Shqipëria do të ishte targeti i një sulmi nuklear, një gjë e tillë mund të provokonte armiqësi. Shkatërrimi dhe demoralizimi që mund të sjellë një sulm i tillë mund të bëjë që popullsia të rreket vetëm të mbijetojë).

    Nëse forcat jashtë Bllokut do të financonin një pushtim të butë në Shqipëri, populli mund të bashkëpunonte me pushtuesit, sidomos nëse kontrolli do t’u lihej në dorë zyrtarëve vendas. Nëse një politikë e tillë pushtuese do të kishte pamje jopushtuese, disa nga udhëheqësit shqiptarë mund të organizonin bashkëpunim me pushtuesit dhe kjo do të sillte shqetësim për forcat e Bllokut. Nëse furnizohen me armë dhe eksploziv, këto grupe mund të interferojnë ndjeshëm me veprimtaritë e trupave të Bllokut. Ata mund ta afrojnë gjithashtu inteligjencën me forcat jashtë Bllokut dhe të ndihmojnë evadimin por dhe arratisjen e tyre.

    Aspiratat e grupimeve të veçuara individuale për të marrë lidershipin pas luftës mund të mos ndikojnë për keq në aktivitetet e rezistencës gjatë luftës, madje mund ta intensifikojnë këtë rezistencë. Por mospërputhjet ndërmjet fraksioneve dhe liderëve sigurisht mund të theksohen kur veprimet ushtarake të kenë përfunduar.

    “Të gjithë treguesit thonë se shqiptarët mund të çlirohen vetëm nëpërmjet kryengritjes dhe një lufte të përgjithshme. Për pasojë, nëse dobësohen kontrollet e sigurisë së brendshme disidenca dhe rezistenca e organizuar mund të rritet, sidomos nëse elementët e rezistencës organizohen dhe marrin mbështetje materiale dhe taktike nga Perëndimi”
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  6. #6
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Gjendja aktuale në Shqipëri me referenca të veçanta për interesat greke, jugosllave dhe italiane si dhe pretendimet e tyre.

    Organizatat e Inteligjencës së Departamentit të Shtetit, Ushtrisë, Forcave Ajrore dhe Detare si dhe stafi ndihmës morën pjesë me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës për përgatitjen e këtij vlerësimi. Të gjithë anëtarët e Komitetit këshillimor të Inteligjencës dolën me këtë vlerësim:

    11 tetor 1951

    Problemi

    Ekzaminimi i situatës aktuale në Shqipëri, analizimi i shtrirjes së interesave greke, italiane dhe jugosllave në Shqipëri si dhe pretendimet e tyre, vlerësimi i nivelit të secilit prej këtyre konfliteve të interesave, arritja e një strategjie të rëndësishme për Shqipërinë dhe hetimi i konflikteve të interesave si pengesa për mbrojtjen efektive të Evropës Juglindore dhe Mesdheut Lindor.


    Konkluzione.

    1.Regjimi aktual në Shqipëri është qartazi prostalinist dhe kontrolli që ushtron ai mbi forcat e armatosura dhe forcat e sigurisë duket i aftë për të mbajtur regjimin në fuqi.

    2. Ka pakënaqësi të mëdha ndaj regjimit të Hoxhës dhe kjo është manifestuar edhe në rezistencë të hapur. Efektshmëria e një rezistence të tillë është e kufizuar, sidomos për shkak të mungesës së koordinimit si të grupeve të rezistencës në Shqipëri dhe të organizatave të emigrantëve në Itali, Jugosllavi dhe Greqi.

    3. Pavarësisht nga stabiliteti i regjimit të Hoxhës, Shqipëria përbën një problem me rëndësi aktuale në Mesdheun Lindor. Madje në zgjidhjen e problemit shqiptar janë përfshirë interesat kombëtare të Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Në rrethanat aktuale, ka rivalitet, mosbesim dhe dëshim ndërmjet tre vendeve, gjë që pengon zhvillimin e përpjekjve për koordinimin e mbrojtjes në Evropën Juglindore.

    4. Ka pak mundësi që rivaliteti ndërmjet fqinjëve shqiptarë të përfundojë pa ndërhyrjen e fuqive perëndimore. Sa më gjatë që të vazhdojë ky rivalitet, jo vetëm që mundësia e kooperimit ushtarak midis Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë do të kufizohet, por edhe mundësia e rezistencës së suksesshme brenda përbrenda Shqipërisë do të mbetet e ulët.

    5. Dhënia e sigurisë nga ana e fuqive perëndimore se Shqipëria do të stabilizohet si një shtet sovran dhe i pavarur pas rënies së regjimit aktual, mund ta reduktojë rivalitetin ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Një zgjidhje e tillë nuk do t’i kënaqte interesat greke.


    Stabiliteti i regjimit dhe shtrirja e kontrollit sovjetik.

    6. Përpara prishjes me Jugosllavinë në qershor të vitit 1948, Shqipëria ka qenë e lidhur ngushtësisht si politikisht ashtu edhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Ashtu si Marshalli Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe hapi një fushatë për eliminimin e elementëve nacionalistë në Shqipëri. Hoxha, jo vetëm me shkathtësi, e çliroi Shqipërinë nga Jugosllavia duke theksuar marrëdhënien me Moskën, por mënjanoi gjithashtu edhe rivalitetet për lidershipin brenda përbrenda Shqipërisë. Megjithatë ka marrëdhënie rivaliteti ndërmjet Hoxhës dhe ministrit aktual të Brendshëm, lejtnant- gjeneralit Mehmet Shehu. Duket se ky i fundit ka në dukje mbështetjen e Kremlinit, por ai nuk është shquar si politikan dhe duket se ka pak shanse për ta zëvendësuar Hoxhën.

    7. Sa i përket Moskës, ajo ka njohur rëndësinë e Shqipërisë si pararojë prostaliniste në arenën mesdhetare. Pas ftohjes me Titon, BRSS i dha mbështetje qeverisë së Hoxhës duke zëvendësuar mbështetjen që formalisht kishte dhënë Jugosllavia.

    8. Shqipëria është e varur nga ndihma ekonomike sovjetike. Pa të, ekonomia e vendit mund të shkojë në kolaps brenda disa muajsh. Vlerësohet se ka rreth 1000 ekspertë ushtarakë dhe civilë sovjetikë që kanë pozicione kyçe në polici, ushtri dhe administratë ashtu si edhe në hierarkinë e partisë.

    9. Tashmë është siguruar kontrolli sovjetik i Shqipërisë dhe lidershipi i Hoxhës dhe Shehut është gati të kontrollojë vendin me metodat e zakonshme komuniste të terrorit policor dhe të ushtrojë kontroll të egër ekonomik. Krerët e forcave të armatosura dhe pjesa më e madhe e forcave të sigurisë janë elementë të partisë dhe përbëjnë një forcë efektive për shtypjen e ndonjë lloj opozite.


    Rezistenca ndaj regjimit aktual.

    10. Pakënaqësia është përhapur në gjirin e popullit shqiptar. Kësisoj ka patur disa veprimtari të hapura rezistence gjatë viteve të fundit. Vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë”, veçanërisht në gjirin e fshatarësisë. Incidenti më dramatik i rezistencës ishte bombardimi i Ambasadës Sovjetike në shkurt të vitit 1951. Sidoqoftë, sabotimet ekonomike dhe vrasjet politike lokale kanë qenë ndoshta më efektive në sfidimin e autoritetit komunist. Sidoqoftë këto lloj veprimtarish kanë qenë në përgjithësi pak efektive dhe autoritetet kanë marrë masa represive në situata të tilla. Për shembull, Shehu ka organizuar batalione speciale të cilët kanë vepruar në male kundër grupeve individuale të rezistencës.

    11. Refugjatët kanë raportuar ekzistencën e grupeve të ndryshme rebele të tilla si “Liga Kombëtare e Maleve”, “Liberty”, “Skanderbeg”, “Bashkimi Kombëtar”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik në lidhje me këto grupe. Duket se nuk ka ndonjë bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet grupeve disidente të ndryshme pavarësisht dëshirës së tyre të përbashkët për ta shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i Hoxhës.

    12. Duket se më shumë në lëvizjen e rezistencës ka ndikuar Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë nga lëvizja e emigrantëve shqiptarë. Veprimtaritë e Komitetit brenda përbrenda Shqipërisë kanë qenë të kufizuara në punë propaganduese dhe veprimtari subversive me agjentë.
    Komiteti përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Nacional Demokrate “Balli Kombëtar” e cila ka mbështetjen më të madhe në Shqipërinë e jugut, 2) Partia e Legalitetit (pro mbretit Zog) e cila është më e fuqishme në Shqipërinë Qendrore dhe 3) Liga e Fshatarëve dhe Bujqve e cila ka mbështetjen më të madhe në Shqipërinë e epërme dhe në provincat jugosllave fqinje të banuara gjerësisht nga shqiptarë.

    13. Përveç Komitetit për lirinë e Shqipërisë në Itali ka një parti të njohur si Blloku i Pavarur Kombëtar, e krijuar nga shqiptarët pro italianë. Ky grup ka bashkëpunuar me Italinë para dhe gjatë luftës dhe gëzon mbështetjen e qeverisë aktuale italiane (në dokumentin e CIA-s këtu ka një ndërprerje. Informacioni është mbuluar qëllimisht me të zezë si edhe disa pjesë të tjera të raportit që ka mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave).

    14. Interes të veçantë paraqet së fundmi edhe Liga e Refugjatëve Politikë shqiptarë në Jugosllavi që grupon rreth 5 mijë refugjatë shqiptarë. Në Ligë ka pjesëmarrje të gjerë të komunistëve shqiptarë të cilët e kanë braktisur Shqipërinë që nga 1948 dhe përdoren nga Beogradi si instrumente të policisë jugosllave, megjithë objektivin e tyre të deklaruar për një Shqipëri “të pavarur, të lirë, të pandashme, demokratike dhe republikane”. Liga është angazhuar në spiunime, sabotime dhe veprimtari propaganduese. Ajo ka gjithashtu potencial të konsiderueshëm për të tjera sabotime.

    15. Në Greqi shumë nga refugjatët shqiptarë janë me origjinë nga Shqipëria e Jugut (Vorio Epiri) të cilën e pretendojnë grekët. Përpjekjet e tyre kanë qenë më tepër të përqendruara në drejtim të spiunimit, propagandës dhe inkurajimit të arratisjes.

    16. Emigrantët politikë të grupuar në katër organizata si Komiteti për Lirinë e Shqipërisë dhe ogranizata pro greke, pro italiane dhe pro jugosllave, në bashkëpunim me grupet e rezistencës, janë duke vepruar me agjentë brenda Shqipërisë. Veprimtaritë e tyre janë të pakoordinuara dhe objektivat e tyre shpesh konfliktuale. Këta faktorë si dhe mungesa e kooperimit ndërmjet grupeve lokale, e ka thjeshtuar në mënyrë të konsiderueshme objektivin e forcave shqiptare të sigurisë për shkatërrimin e grupeve individuale.

    17. Në rrethanat aktuale veprimtaritë e rezistencës përbëjnë një problem shqetësues për regjimin e Hoxhës, por ato nuk janë një kërcënim imediat për regjimin. Për sa kohë përpjekjet e rezistencës do të mbeten në këtë stad dhe nuk do të marrin ndihmë nga jashtë, forcat shqiptare të sigurisë nuk do të hasin ndonjë problem.


    Rëndësia e Shqipërisë.

    18.Pavarësisht se perspektivat për përmbysjen e regjimit të Hoxhës në të ardhmen e shpejtë nuk janë të sigurta, Shqipëria përbën sidoqoftë një problem me rëndësi aktuale në Mesdheun Juglindor.
    Ky problem lidhet sidomos me vendodhjen strategjike të Shqipërisë në Adriatik.

    Forca detare të vendosura në Ishullin e Sazanit ose në portin e Vlorës për shembull, mund të përbëjnë kërcënim për kontrollin e Adriatikut. Për Bashkimin Sovjetik Shqipëria përfaqëson një bazë të privilegjuar, e cila po të zhvillohet, mund të sigurojë zbarkimin në Mesdhe të forcave ajrore dhe detare sovjetike. Ishulli i Sazanit ka qenë në fakt një bazë nëndetare italiane dhe kanë qarkulluar zëra të pakonfirmuar gjatë viteve pas luftës, për tratativa të sovjetikëve për t’i rindërtuar këto pajisje. Ka gjithashtu të dhëna të pakonfirmuara për përpjekje të sovjetikëve për të ndërtuar pajisje ajrore shqiptare, një stacion i cili mund ta rrisë shumë fuqinë ajrore sovjetike në Mesdhe.

    19.Në rast lufte në Ballkan, Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm strategjik për Bashkimin Sovjetik ose satelitët e saj.

    Ajo jo vetëm që siguron një bazë pararojë në Adriatik, por nëse forca nga Bullgaria dhe Shqipëria mund të ndërtojnë një korridor të ngushtë nëpër Jugosllavinë e jugut në kufi me Greqinë, Jugosllavia mund të ndahet tërësisht nga Greqia.

    Nëse për më tepër, forca të posaçme detare dhe ajrore (të prezumuara si sovjetike) do të jenë të afta të marrin në dorë ngushticën e Otrantos, Adriatiku mund të mbyllet si vijë furnizimi për Jugosllavinë. Çdo përforcim i rëndësishëm i pajisjeve ushtarake në Shqipëri mund të jetë një fillim për aksion të mundshëm sovjetik (ose nga satelitët e tij) kundër Jugosllavisë.

    20. BRSS, në dukje me dëshirën për ta lënë situatën fluide dhe për të mënjanuar një angazhim të bezdisshëm, ka dështuar në arritjen e një pakti ndihme reciproke me Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Kjo mungesë e angazhimit të sovjetikëve ose satelitëve të tyre në Shqipëri, nuk duhet interpretuar si tregues i mungesës së interesave ose shqetësimit të tyre në lidhje me të: Kjo është më tepër një çështje përshtatshmërie.


    Interesat konfliktuale të Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë.

    21. Shqipëria është objekt interesash të gjera për fqinjët e vet, për shkak të pozicionit të favorshëm në bregun e Adriatikut. Konfliktet e tyre të interesave, edhe në rrethanat aktuale, bëjnë që problemi i Shqipërisë të jetë i komplikuar dhe të pengohet zhvillimi i marrëdhënieve të mira të kooperimit ndërmjet Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Një bashkëpunim ushtarak ndërmjet këtyre vendeve, do të ishte shumë i dëshirueshëm për mbrojtjen efektive të Europës juglindore. Hapa të tillë nuk para merren, por së fundmi ka pasur shenja të vagullta se Greqia dhe Jugosllavia mund të jenë të gatshme të këmbejnë informacione jetike për mbrojtjen në rrethana të caktuara. Një problematikë e tillë prek edhe vende të tjera sigurisht si Triste për shembull, e cila militon kundër zhvillimit të përpjekjeve të përbashkëta të mbrojtjes, gjë që ka një rëndësi shumë të madhe, por këto janë çështje që shkojnë përtej subjektit tonë.


    Interesat italiane.

    22.Interesat italiane në Shqipëri kanë qenë gjithmonë së pari të rendit strategjik: për të parandaluar ndonjë fuqi tjetër që të dominojë Adriatikun dhe nëse është e mundur për të garantuar dominimin italian nëpërmjet kontrollit të bregut shqiptar. Për këtë qëllim Italia e mbështeti krijimin e Shqipërisë së pavarur në 1912 dhe më vonë në 1914, zaptoi ishullin e Sazanit dhe portin e Vlorës. Trupat italiane e ruajtën këtë pozicion deri në 1920. Atëherë Italia qe e detyruar të evakuohej nga stereja, por mbajti Sazanin, i cili ishte shndërruar në një bazë detare dhe nëndetare të fuqishme. Në 1921 Konferenca e Ambasadorëve (Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia) firmosën një akt që i jepte Italisë një protektorat virtual mbi Shqipërinë. Influenca italiane u manifestua me huadhënie, menaxhim italian të pothuajse tërë ndërmarrjeve ekonomike të rëndësishme dhe trajnime italiane dhe pajisje ushtarake të forcave të armatosura. Në vitin 1939 Musolini bashkoi Shqipërinë me Italinë dhe në 1940 ndërmori pushtimin e Greqisë prej andej.

    23.Me Traktatin Italian të Paqes (1947) Italia njohu pavarësinë e Shqipërisë, hoqi dorë nga ishulli i Sazanit si edhe nga të gjitha të drejtat e saj për prona publike dhe private në Shqipëri.

    24.Politika italiane ndaj Shqipërisë deri në fund të luftës, ka pasur objektiva të dyfishta: pengimin e të gjitha dominimeve të fuqive të tjera në këtë vend, dhe rivendosjen e influencës ekonomike dhe politike italiane në Shqipëri. Në deklaratat e saj zyrtare Ministria italiane e Punëve të Jashtme është shprehur se vendosja e përhershme e pavarësisë dhe integritetit territorial shqiptar është në përputhje me interesat italiane, por përpjekjet italiane për të rivendosur marrëdhëniet me regjimin komunist nuk përparuan. Menjëherë pas luftës u dërgua në Shqipëri një mision italian për të gjetur gjuhën e përbashkët në interes të të dy vendeve, por këtij misioni iu kërkua menjëherë të largohej. Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën në 1949 dhe megjithë frenimet në Ambasadën Italiane në Tiranë, Italia pa dyshim ka për qëllim t’i ruajë këto marrëdhënie.

    25.Në rrethanat aktuale, politika italiane projektohet në të ardhmen dhe Italia shpreson që të rivendosë influencën e vet nëpërmjet grupeve proitaliane të mërgimit, Bllokut Kombëtar Indipendent. Italia është veçanërisht e shqetësuar për dominimin e mundshëm të Jugosllavisë në Shqipëri, në rast se përmbyset regjimi i Hoxhës. Interesat strategjike italiane në Shqipëri janë mjaft të mëdha dhe synimet e tyre për të penguar vendosjen e ndonjë fuqie tjetër në Shqipëri, janë aq të forta saqë Italia preferon vazhdimin e status quo-së dhe krijimin e një vakumi në Jugosllavi dhe ndoshta Greqia mund të lëvizë.


    Interesat greke.

    26.Interesat greke në Shqipëri lidhen ne pretendimet për jugun e Shqipërisë (Vorio Epirin), të cilin grekët e pushtuan nga 1912 në 1916 dhe ndaj të cilit kanë pasur vazhdimisht pretendime historike, etnike, strategjike dhe ekonomike. Greqia akuzon gjithashtu se Shqipëria ka shërbyer si bazë për sulmin italian në Greqi të 1940-ës, dhe në vitet pas luftës, për operacione kundër Greqisë. Deri më sot Shqipëria është baza më e madhe nëpërmjet së cilës agjentët komunistë infiltrohen në Greqi.

    27.Grekët, me sa duket, shohin tek ndarja e Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, zgjidhjen ideale të problemit. Ata janë të shqetësuar për dominimin e mundshëm jugosllav ose italian të vendit dhe do të tentonin ndoshta të sulmonin Vorio Epirin, në rast se do të ketë ndonjë aksion ushtarak në vend, si për shembull ndonjë pushtim të Shqipërisë nga Jugosllavia. Për momentin, në mungesë të një aleance sigurie kundër dominimit të mundshëm italian ose jugosllav të Shqipërisë, Greqia preferon vazhdimin e status-quo-së...

    28.Greqia, ashtu si Italia dhe Jugosllavia, është duke bërë përpjekje politike nëpërmjet përdorimit të refugjatëve shqiptarë. Këta në Greqi janë kryesisht nga jugu i Shqipërisë dhe janë të përqendruar me sa duket përgjatë kufirit me Shqipërinë. Qeveria greke nuk i lejon ata të emigrojnë ose të bëhen qytetarë grekë. Disa prej tyre në kampin e Janinës janë dërguar për të formuar njësi ushtarake, me qëllim që të përdoren në rast nevoje në jug të Shqipërisë.


    Interesat jugosllave.

    29.Jugosllavia dhe para saj, Serbia dhe Mali i Zi, e kanë kundërshtuar gjithmonë në parim, pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Jugosllavia pushtoi veriun e Shqipërisë dhe nuk u tërhoq deri në 1921. Në vitin 1926 Jugosllavia pranoi më në fund kufirin shqiptar të vendosur më 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, dominimi italian në Shqipëri e pengoi ushtrimin e çdo influence jugosllave.

    30.Kjo situatë ndryshoi rrënjësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Tito nëpërmjet komunistëve shqiptarë, arriti të merrte kontrollin e Lëvizjes Nacional Çlirimtare Shqiptare. Kontrolli i Titos u zgjerua shumë me anë të emisarëve të lidhur me krerët e Ushtrisë Shqiptare Nacional Çlirimtare dhe që nga 1944 deri më 1948, Shqipëria ishte një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948 Hoxha arriti ta nxirrte Shqipërinë nga varësia jugosllave duke u prishur me Jugosllavinë.

    31.Deri më 1948 Tito gjoja kishte përkrahur parimin e një Shqipërie të pavarur dhe kishte dënuar pretendimet territoriale greke e kishte kundërshtuar propozimet greke për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë. Propaganda jugosllave e ka akuzuar gjithashtu Italinë se inkurajon planet e emigrantëve shqiptarë për një Shqipëri “etnike” që mund të përfshijë edhe provincat jugosllave të Kosovës dhe Metohisë, që të dyja të banuara kryesisht nga shqiptarë. Qëllimet aktuale të Titos duket se janë krjimi i një regjimi anti-stalinist dhe pro-Titos si edhe rikthimi në statusin e 1944-1948. Duket se ky ka qenë qëllimi i formimit në maj të 1951 i “Ligës për Refugjatët Shqiptarë në Jugosllavi”. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë shprehur herë pas here shqetësimin se mund të ndërmerren përpjekje të rëndësishme për të përmbysur regjimin e Hoxhës nga BRSS si pretekst për mësymje ushtarake kundër Jugosllavisë.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

Tema të Ngjashme

  1. Hapja e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.
    Nga DYDRINAS në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 236
    Postimi i Fundit: 25-02-2014, 11:32
  2. Raporti i shërbimit sekret francez: 15 familjet mafioze shqiptare
    Nga TOKE GEGA në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 62
    Postimi i Fundit: 01-03-2011, 19:52
  3. Guerilasit e LANC
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 21-04-2007, 14:12
  4. Publikohet raporti vjetor mbi lirinë fetare në botë
    Nga Albo në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 02-03-2007, 06:14
  5. LDK-ja nën terrorin e pol-potistave
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 07-01-2004, 14:00

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •